EKSKLUZIVE/ Muho Asllani rrëfen përplasjet brenda familjes së Enverit: Ja pse u krijuan

Jun 3, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI

Në vijim të rrëfimit të tij, për gazetën “Panorama”, ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, tregon dhe arsyet që kanë çuar në përçarjen e fëmijëve të Enver Hoxhës. Sipas tij, ndarja e dhuratave personale që ka lënë Enver Hoxha mund të jetë një nga arsyet.

Por duket se ndarja ka qenë aq e fortë, saqë kur Nexhmije Hoxha ka dalë nga burgu më 1997, sipas Muho Asllanit, Sokoli, djali i saj, nuk e ka strehuar në shtëpinë e tij dhe Nexhmija është detyruar të shkojë në shtëpinë e vajzës, Pranveres.

Muho Asllani
Muho Asllani

Gjatë punës suaj, ju kishit vënë re izolim të Enver Hoxhës, apo pamundësi të tij për të qenë në zyrë?

Enver Hoxha ka marrë pjesë në çdo mbledhje të Byrosë Politike deri dy javë para se të mbyllte sytë dhe ishte tepër i saktë, tepër i qartë, pa bërë gabime. Ishte si gjithë shokët e tjerë me një aktivitet normal politik. Edhe pse kishte një situatë shumë të tensionuar pas tërmetit të vitit 1979 në Shkodër, ku mbetën jashtë me mijëra banorë dhe u bë një mobilizim i jashtëzakonshëm i shtetit dhe ndërmarrjeve, dhe njerëzve, ai e menaxhoi shumë mirë duke vendosur njerëzit më të aftë në krye të punëve. Nga Komiteti Qendror i Partisë, Enver Hoxha caktoi Hysni Kapon që të merrej me problemet e pasojave të tërmetit. Nga qeveria është caktuar Adil Çarçani, i cili ishte zëvendëskryeministër, të cilët i jepnin zgjidhje problematikave.

Por në një nga mbledhjet e Byrosë Politike, të bërë publike vitet e fundit, kemi parë një Enver Hoxha jo në gjendje të mirë shëndetësore, kur debaton me Vito Kapon, ministren e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore dhe ngatërron data dhe shifra. Çfarë situate ka qenë?

E vërteta është se ai ka qenë në një periudhë me grip dhe pak i pamundur. E dyta, ekonomia nuk ecte mirë, realizimet e planeve nuk kishin shkuar siç pritej. Me Vito Kapon pati pak debat sepse ministria e saj mbulonte pjesën e furnizimit të popullatës me ushqime dhe produkte të industrisë së lehtë. Disa fabrika kishin pezulluar punën për shkak të mungesës së lëndës së parë. Kjo nuk ishte situatë e lehtë. Unë vetëm në atë mbledhje e kam parë Enver Hoxhën aq të acaruar, sepse në përgjithësi ai dallohej për qetësi dhe maturi në fjalë dhe vendime.

Liliana Hoxha shprehet se aktivitetin real të Enver Hoxhës e mbulonte Nexhmije Hoxha, shumë herë ndryshe nga ato që porosiste ai. Ju ka rastisur që në vend të Enver Hoxhës ju të takoni Nexhmije Hoxhën?

Ndryshe nga çfarë pretendon Liliana, Nexhmija, pavarësisht se çfarë ka pasur me Ramizin apo me Adilin, merrte pjesë në mbledhjet e Byrosë Politike vetëm kur në Byro diskutohej ndonjë çështje që kishte të bënte me Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, të cilin ajo e drejtonte. Ajo nuk vinte në mbledhje të Byrosë Politike dhe nuk ndërhynte në çështjet që nuk i përkisnin asaj. Asnjëherë nuk më ka rastisur që të kem folur me Nexhmije Hoxhën për çështje që duhet të komunikoja direkt me Enver Hoxhën, në çdo kohë. Unë kam qenë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në 6 rrethe dhe për çdo material që i shkonte në zyrë, Enver Hoxha linte shënimin: “Të shikohet sipas rregullave dhe statutit!”; “Të ndiqet me kujdes” dhe nuk merrej me masa apo me dënime.

Familja Hoxha
Familja Hoxha

Shënimet i bënte Nexhmije Hoxha apo vetë Enver Hoxha në materialet që i dërgoheshin?

Vetë Enveri me dorën e tij. Shumë herë e ka thënë që “unë e filloj punën me letrat e popullit”. Atij i bëhej përmbledhje e tekstit të letrës dhe për çdo letër ai vendoste shënime, të cilat i shkonin sektorit përkatës. Shumë herë më kanë ardhur letra me shënimin e Enver Hoxhës kur kam qenë Sekretar i Parë i Partisë në rrethe. Nuk ndërhynte Nexhmija në këto punë. Por Enver Hoxha ka qenë shumë i kujdesshëm dhe i peshonte mirë gjërat. Një herë, një nga krerët e lartë të Sigurimit të Shtetit, u shpreh në një takim të ngushtë se ishte i gatshëm të merrte përsipër eliminimin e Ahmet Zogut, i cili ndodhej jashtë Shqipërisë në azil. Fjala i shkoi Enver Hoxhës nga ministri i Brendshëm. Jo, i tha Enver Hoxha! Boll është derdhur gjak gjatë luftës. Ai po të jetë i zoti, ta bindë Ahmet Zogun që të kthehet në Shqipëri. Ai të gjykohet sipas ligjeve të vendit. Por jo për ta vrarë, as atë dhe as ndonjë tjetër.

Liliana Hoxha ka akuzuar se Enver Hoxhën e vranë përmes ilaçeve që i jepnin. Me aq mundësi që keni pasur ju për të vlerësuar, si e shihni punën e grupit të mjekëve që kanë qenë pranë Enver Hoxhës?

Liliana Hoxha ka folur shumë rëndë për mjekët, edhe për Isuf Kalon. Unë nuk kam jetuar në bllok, kam qenë më shumë sekretar i parë në rrethe. Për mua, ata mjekë, për punën që kanë bërë dhe për gatishmërinë që kanë treguar, duhet të ishin shpallur “Heronj të Punës Socialiste”. Ata i kanë zgjatur jetën Enver Hoxhës. Unë i kam parë kur vinin nëpër rrethe dhe shoqëronin Enver Hoxhën. Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në 1979 gjatë aksionit për eliminimin e pasojave të tërmetit, unë pashë një grup mjekësh të përkushtuar, të sakrificës që i rrinin në gatishmëri Enver Hoxhës në çdo orë të ditës. Edhe për Hysni Kapon e njëjta përkujdesje. Prandaj nuk besoj se ata janë përfshirë në të tilla insinuata që shprehet Liliana. Unë nuk jam specialist, por kam parë përkushtimin e mjekëve.

Si ishin marrëdhëniet në familjen Hoxha? Kishit dijeni se çfarë zhvillohej aty?

Unë nuk i di marrëdhëniet e tyre të brendshme. Kur kam folur njëherë me Sulo Gradecin, ai më ka thënë se dhuratat që i jepeshin Enver Hoxhës, ai i dorëzonte në Komitetin Qendror. Unë e pyeta Sulon, se çfarë u bë me atë dhuratën që solli ai kosovari që jetonte në Zvicër dhe ishte adhurues i madh i Enver Hoxhës. Ai i kishte dhuruar një kokë të Skënderbeut, prej ari apo floriri për këtë nuk jam i sigurt.

Sulo Gradeci më tha se shoku Enver e klasifikoi si fond të Partisë dhe e çoi në Komitetin Qendror. Edhe një pipë që ia solli Zhoao Amazona nga Brazili, për të pirë cigaret, edhe atë e çoi në fondin e Partisë. Kam frikë se Iliri mund të ketë marrë ndonjë gjë nga sendet e Enverit pa u marrë vesh me Sokolin, siç ndodh ndonjëherë. Ndoshta mes tyre ka pasur smirë që, pse e mori ai dhe jo unë dhe kur hyjnë dhe gratë në mes, gjërat vështirësohen. Mund të kenë krijuar qejfmbetje. Por më ka bërë përshtypje kur kam hyrë në Byronë Politike, Liliana Hoxha, në syrin e atij djalit të fshatarit të varfër, siç isha unë, më dukej një nuse mendjemadhe që nuk i përfillte të tjerët.

Kishte dhe pozitë, ishte nëndrejtoreshë e ATSH-së. Shkruante dhe te gazeta “Zëri i Rinisë” dhe “Drita” dhe ne na jepej porosia si sekretarë të parë të Partisë që të lexoheshin dhe diskutoheshin ato shkrime me rininë. Liliana Hoxha ka jetuar jetën në bllok siç e ka dashur, ka shkuar jashtë shtetit sa herë ka dashur, ilaçet nga jashtë shtetit i merrte. Enver Hoxha, duke qenë nusja e djalit e donte dhe e respektonte sepse ajo kishte dhe shkathtësi në komunikim, por dhe pse vinte nga një familje e klasës punë- tore. Teuta e Ilirit, ka qenë si film pa zë, ishte e urtë, ndërsa Liliana ka qenë më e shkathët. Në fakt, më kanë bërë përshtypje dy momente që nuk i harroj dot: Momenti i parë është kur Enver Hoxha ishte sëmurë dhe e lajmërojnë Sokolin dhe Lilianën, hajdeni, se babi nuk është mirë. Ata nuk i ndërprenë pushimet nga Vlora, apo kanë ardhur me vonesë. Rasti i dytë, ka të bëjë me burgosjen e Nexhmijes.

Ishim bashkë me Nexhmijen te Burgu 313, në të njëjtin korridor. Kur doli nga burgu, Nexhmija s’kishte ku të shkonte. Ka shkuar te Sokoli, por ai nuk e ka pranuar në shtëpi. Më pas, Nexhmija ka shkuar tek e bija, Teuta, sepse Iliri banonte në atë kohë te vjehrra e tij. Por si është e mundur që ky Sokoli, djali i kësaj Nexhmije, që ka pirë sisë nga kjo nënë, arrin ta lejë jashtë derës së shtëpisë nënën e tij?! Haram e pastë, më mirë t’ia kishte dhënë atë sisë një romi apo një egjiptiani, sesa ia dha Sokolit.

Më ka shokuar kjo sjellje! Unë, që nga 1997, shkoj dy herë në vit te varri i Enver Hoxhës. Por asnjëherë nuk e kam parë Sokolin dhe Lilianën të shkojnë te varri i Enver Hoxhës, më 16 tetor apo në 11 prill. Kjo më ka bërë shumë përshtypje. Po ta takoja Lilianën në rrugë, do t’i thosha se po na i edukon keq nuset e djemve, duke na futur në sherr me vjehrrat.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura