EKSKLUZIVE/ Muho Asllani i përgjigjet Liliana Hoxhës: Enveri ishte aktiv. Ramizi pati faj për refuzimin e Gjermanisë

Jun 2, 2018 | 20:41
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, u përgjigjet akuzave të Liliana Hoxhës për izolim të Enver Hoxhës nga Nexhmije Hoxha dhe grupi i mjekëve. Ish-anëtari i Byrosë Politike në një intervistë për gazetën “Panorama” hedh poshtë pretendimin e nuses së djalit të Enver Hoxhës, duke thënë se udhëheqësi komunist ishte aktiv, merrte pjesë në mbledhjet dhe takimet me të zgjedhurit dhe kishte informacion të plotë për çfarë ndodhte në vend. Ai tregon episode kur e ka takuar Enver Hoxhën në zyrë për çështje, që lidheshin me menaxhimin e pasojave të tërmetit në Shkodër në vitin 1979.

Muho Asllani 2
Muho Asllani

Edhe për çështje të tjera, si ajo e tufëzimit të bagëtive në fshatra, një masë që rrënoi ekonomitë e fshatarëve, Muho Asllani shprehet se Enver Hoxha ka qenë në dijeni të plotë, madje e ka konsultuar gjatë këtë propozim. Por Muho Asllani pajtohet me Liliana Hoxhën kur thotë se Ramiz Alia dhe grupi i caktuar nga Enver Hoxha gabuan me bisedimet për lidhjen e Shqipërisë me Gjermaninë në vitin 1984.

Në disa intervista për gazetën “Panorama”, Liljana Hoxha është shprehur se Enver Hoxhën, pas vitit 1974, e kishin izoluar për shkak të sëmundjeve dhe aktivitetin e tij e mbulonte Nexhmije Hoxha, shumë herë duke i përcjellë porositë e tij në kundërshtim me ato që Enveri thoshte. Ishte aktiv Enver Hoxha kur ju keni qenë në Komitetin Qendror nga 1979 e më pas në Byronë Politike?

Enver Hoxha ishte aktiv. Kur isha në Shkodër dhe isha duke u marrë me pasojat e tërmetit më 1979, unë shkoja çdo 3 ditë te zyra e Enver Hoxhës sepse i kërkoja ndihma, pasi më bllokonin institucione të ndryshme. Shkoja në zyrën e Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës dhe i thosha se doja të takoja shokun Enver. Sapo i thoshte Haxhiu ka ardhur shoku Muho, ‘hajde Muho bërtiste shoku Enver nga zyra’, ngrihej në këmbë dhe më takonte. Më pyeste menjëherë se çfarë problemi kisha dhe ndërhynte menjëherë. Ai ka qenë vazhdimisht aktiv dhe me informacion të plotë se çfarë ndodhte në bazë dhe në parti.

Një tjetër qëndrim i çiftit Hoxha ka të bëjë dhe me hapjen e Shqipërisë me Gjermaninë. Sokol dhe Liliana Hoxha thonë se Ramiz Alia ka sabotuar lidhjen e Shqipërisë me Gjermaninë dhe vendosjen e marrëdhënieve që në 1984, kur Enver Hoxha ishte gjallë. Kishte diskutime në atë kohë?

Në atë kohë u tha që do vinte në Shqipëri Shtrausi. Disa thoshin, po pse me Gjermaninë do lidhemi ne?! Enver Hoxha ngarkoi Ramiz Alinë me Manush Myftiun dhe Sofokli Lazrin dhe i parashtruan Kryeministrit të Bavarisë, Shtraus, problemin e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha shtetet kishin marrë dëmshpërblime si vende të pushtuara, ndërsa ne nuk kishim marrë për shkak të neglizhencës sonë. Shtrausi u përgjigj se punën e reparacioneve ne e kemi mbyllur me Kushtetutë, nuk japim më reparacione të luftës. Por unë do ndihmoj Shqipërinë me aq sa mundem.

Familja Hoxha
Familja Hoxha

Grupi ynë i bisedimeve parashtroi kërkesat që kishte, kryesisht ekonomike, ndihma për bujqësinë, për industrinë, mjekësinë etj. Shtrausi ka pranuar, por jo si ndihma, por si blerje me çmime preferenciale, apo gjysmë çmimi nuk e di detajet sa duhet dhe që ato të shlyheshin gradualisht duke u shtrirë në kohë. Të vjetrit thoshin se populli do mendojë se ne iu nënshtruam Gjermanisë.

U diskutua kjo në Byronë Politike?

Jo, nuk ka pasur diskutime në Byro për lidhjen me Gjermaninë, por unë di që në sekretariatin e Komitetit Qendror ka pasur reagime jopozitive për lidhjen me Gjermaninë. Këtu është gabimi i Ramiz Alisë, Manush Myftiut dhe Foto Çamit, që u morën direkt me këtë punë sepse ishin ideologët e partisë. Shtrausi sapo u kthye në Bavari ka dërguar me anije autokombajna “FORTSCHRITT”, fjala e fundit e mekanikës bujqësore gjermane, ku shoferi kishte ajër të kondicionuar në kabinë. Ato bënin punën e pesë autokombajnave polake CG-3. Po ashtu solli 300 mëshqerra bartëse gjermane, racë e seleksionuar dhe unë kam ndërtuar në Xhafzotaj stallat për dy javë.

enver hoxha muho asllani

Shtrausi i dha provat nga ana e tij sepse donte të ndihmonte Shqipërinë, ndërsa ne mbetëm te Gjermania e luftës. Nëse do të ishim lidhur me Shtrausin që në ato kohë, do ta kishim kaluar shumë lehtë fazën e krizës. Shtrausi ka qenë aviator në kohën e luftës, por kishte mbaruar shkollën për prift. Kur erdhi në Shqipëri nga Hani i Hotit, ka dorëzuar çelësat e ‘Benzit’ të vet dhe çantën që nuk ia lëshonte askujt. I biri i ka thënë: Pse o babi po i dorëzon çelësat e makinës?! Ai i ka thënë se jemi në Shqipëri, këta njerëz kanë besë dhe na kanë pranuar në shtëpinë e tyre. Këto m’i ka thënë Hekuran Isai, i cili doli në Han të Hotit për të pritur Shtrausin.

Në rrëfimin e saj, Liliana Hoxha shprehet se për çështjen e tufëzimit, Enver Hoxha nuk dinte asgjë sepse Nexhmija e mbante larg informacioneve të vendit..?

Jo, jo nuk është e vërtetë. Ne e kemi diskutuar me shokun Enver. Liliana flet shumë për Nexhmijen. Nexhmija nuk ka marrë pjesë në çdo mbledhje të Byrosë Politike, edhe kur ishte edhe kur nuk ishte Enveri, por vetëm në ato raste kur kishte një problematikë për Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste që e drejtonte ajo. Nexhmija vinte me Ndriçim Plasarin, që ka qenë zëvendësi i saj e më pas me Fatos Nanon, që ishte zëvendës i Nexhmijes dhe mbronte materialin për të cilin diskutohej në Byro.

Enveri ishte në dijeni të plotë për çështjen e tufëzimit, propozimin e mbante në sirtarin e tij, e kemi diskutuar shumë herë, janë thirrur specialistë për t’i pyetur, por ajo nismë u përhap aq shpejt me propozime nga baza sa nuk u mbajt më dhe u masivizua. Kryetarët e kooperativave, për t’u treguar zbatues të flaktë të nismave të partisë dhe qeverisë, merrnin përsipër tufëzimin e bagëtisë edhe në ato zona ku ajo nuk rekomandohej për vetë kushtet specifike.

Edhe për çështjet e besimit fetar Liliana thotë se Enveri nuk e ka ditur që nisën të prisheshin objektet e kultit dhe ka ndërhyrë duke i ndaluar. Kështu ka qenë?

Edhe për çështjet e fesë më ka pyetur mua. Ai e dinte se unë babën e kam pasur Mezin, këndonte në minare të xhamisë, edhe ishte komunist edhe falej pesë herë në ditë. Kur nisi vala e madhe e prishjeve të kishave, xhamive e teqeve, ishte Enver Hoxha që ndaloi atë histeri të prishjeve të objekteve të kultit, që nëse nuk rrafshoheshin deri në themele, ktheheshin në vatra kulture.

Pas ndërhyrjes së Enver Hoxhës, disa nga objektet shpëtuan. Prandaj për mua Enver Hoxha ka qenë shumë patriot, shumë atdhetar, e donte vendin e tij, interesohej për popullin. Edhe kohën e Zogut nuk e përmendte gjithmonë. Kuranin e respektonte, madje e lexonte. Kur isha pesë vjet në burg, vetëm Kuranin na linin të lexonim dhe unë e mësova përmendësh. Dhe në Kuran unë gjeja citate të fjalimeve të Enver Hoxhës.

Liliana Hoxha: Nexhmija dhe Ramizi vranë Enverin

Liliana dhe Sokol Hoxha, në disa intervista për gazetën “Panorama” pak kohë më parë, janë shprehur se vdekja e Enver Hoxhës ka ardhur përmes ilaçeve që ia imponuan Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.

liliana hoxha sokol enver
(Majtas) Liliana dhe Sokol Hoxha- (djathas) Enver Hoxha me Sokolin

“Izolimi erdhi befas në ’74, pas një krize kardiake jo të rëndë. Pas krizës, Enver Hoxha ishte më i fortë se kurrë fizikisht e mendërisht, e kujtoj shumë mirë se atë vit jam martuar. Vetë N.Hoxha na urdhëroi mua e Sokolin që çdo problem ta flisnim me të dhe jo me Enverin, ndërkaq do t’i evitonte të gjitha çështjet sekondare partiake e shtetërore, duke u bërë filtër për gjithçka dhe njëkohësisht zëdhënëse e tij. Kjo sipërmarrje e pushtetit të E.Hoxhës ishte në sekret të plotë nga ai vetë, por dhe nga populli, në rreth fare të ngushtë. Masat për ruajtjen e shëndetit (në fakt, marrja e shëndetit të E.Hoxhës në duart e tyre) ishin tejet ekstreme nga sekreti. Në emër të tij mënjanohet M.Shehu për të tejkaluar çdo rregull të rreptë të shtetit diktatorial, të cilin ai nuk mund ta lejonte, siç u shkel çdo rregull i sigurimit personal të E.Hoxhës, për të cilin ishte përgjegjës S.Gradeci e Nexhmije Hoxha”, është shprehur Liliana Hoxha.

Ajo ka akuzuar Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën si agjentë të hershëm të UDB-së jugosllave, që kishte projektuar ardhjen e tyre në pushtet. “Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia kanë qenë të lidhur nga UDB-ja që në kohën e Zogut. Njëri nga Bosnja e tjetra nga Manastiri i Dibrës së Madhe. Të dy, më të hershmit në lëvizjen komuniste të rinisë e pastaj të partisë, me planin të kapnin pushtetin e pasluftës. Çfarëdo mbështetje apo tutele të ishte ajo jugosllave e ruse për Enver Hoxhën, me kohë ai u shkëput për Shqipëri të pavarur, sado të varfër, sepse kështu do të mund të bashkohej një ditë me Kosovën. Ndërsa Ramizi e Nexhmija prisnin vetëm momentin që Enveri të ikte nga jeta që t’u hapej rruga drejt pushtetit”, është shprehur Liliana Hoxha.

Ndërsa djali i Enver Hoxhës, Sokol Hoxha, ka akuzuar ndër të tjera Ramiz Alinë dhe për përvetësim të një fondi sekret të PPSH-së duke e depozituar në llogarinë e tij personale. “Edhe po të fabrikohen dëshmitarë për vizitat në muzetë që pretendon të ketë shkuar R.Alia, asgjë nuk mund të provojë apo askush s’mund të kundërshtojë që atë e bir s’kanë pasur mundësi të largohen vetëm sa të bëjnë transaksionet nëpërmjet bankave të Nju Yorkut, të Fondit të Emergjencës së shtetit shqiptar në kontot personale të tyre. Fond ky, për të cilin më ka vënë në dijeni im atë. Lëvizje shumë e studiuar nga ana e tyre, për ta shkëputur praktikisht krejt ekzistencën e fondit partiako-shtetëror të emergjencës, depozituar në bankat jashtë Shqipërisë, nga njohja e presupozuar prej tij nga Nexhmije Hoxha”, është shprehur Sokol Hoxha.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura