EKSKLUZIVE/ “Mjeshtër i Madh”, Sejdini: Lerda s’e ka të gjatë, Tirana është ndërtuar keq

SHPËRNDAJE

Pak ditë më parë, presidenca u bë tem pulli i futbollit, ai që i mbush me nderime e lavde figurat që kanë dhënë jetën që në fëmijëri e deri sot që janë me thinja. Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, dha nderimin e lartë shtetëror “Mjeshtër i Madh” edhe për Faruk Sejdinin.

ilir meta faruk sejdini

“Xhaxhi” i Dinamos, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, e ngre në piedestal këtë vlerësim, teksa ka madhështinë të thotë edhe se për të mund të jetë i fundit. Ama, vlerësim të cilin e merr me jo pak pengje. “Doja shumë që ai nderim, i cili mund edhe të jetë i fundit për mua dhe që përkoi edhe me ndërtimin e një stadiumi të tillë të ri, të kishte pranë edhe një Dinamo.

Të ishte edhe ajo në elitë”, tregon ndër të tjera Faruk Sejdini, në një bisedë ekskluzive me gazetën, teksa prek shumëçka referuar futbollit. Ka një kritikë jo për Lerdën, por më shumë për gjithkënd në Shqipëri kur vijnë të huaj, ndërsa jep si kundërshembull 74-vjeçarin Reja. Kritikon pa masë Tiranën për çfarë bëri me tifozët, porse edhe federatën, ndërsa hyjnizon Bylisin.

Profesor, shumë urime për vlerësimin e marrë në presidencë. Çfarë do të thotë për karrierën tuaj nderimi “Mjeshtër i Madh”?

Faleminderit. Ai është si të thuash, një përmbledhje, një gjysmë shekulli, si një muzeum. Kam marrë nderime dhe vlerësime të ndryshme, por me sa duket kjo mund të jetë edhe e fundit… Kështu që mbetet në fokus. Kuptohet që është edhe më e madhja.

Si e shihni futbollin e ditëve të sotme?

Sigurisht që futbolli shqiptar ka ecur përpara, si çdo gjë që ka përparim. Mirëpo, sipas meje, duhet të kishte më tepër përparim.

Partizanin kampion në fuqi e rivalizon Bylis që vjen nga Kategoria e Parë. Çfarë mendoni për këtë?

Shembuj të kësaj natyre ka. Unë do ta komplimentoja shumë Bylisin, sepse e kam ndjekur dhe e shoh edhe lojën që bën. Është një ekip pragmatist dhe bën shumë mirë. Është një ekip në dukje i padukshëm, por prish atëherë kur duhet te kundërshtari. Nuk filozofon shumë dhe ndërton pikërisht atëherë kur duhet. Ky është një postulat shumë i fuqishëm për futbollin. Më duket se Ballshi e zbaton në mënyrë rigoroze.

Ka brenda edhe urinë, edhe pragmatizmin edhe një president të cilin e njoh personalisht dhe e di që është shumë i vëmendshëm me ekipin. Mos e harroni Leiçesterin. Edhe ai, ndoshta rrugëtimin si Bylis e pati. Dikush mund edhe të thotë se nuk është vendi për paralelizma të kësaj natyre, por përderisa e kemi edhe fjalën e urtë popullore që nga ferra e vogël del lepuri i madh, atëherë do ta pranojmë se është kështu.

Një vit më parë, Partizani doli kampion pa polemika. Po këtë vit ka pasur shumë të tilla me trajnerin në epiqendër. Çfarë mendimi keni për Lerdën?

Sipas meje, trajnerëve italianë që vijnë këtu u duket sikur vijnë në një atmosferë të paditur fare dhe ata do ta zhvillojnë. Ndoshta ky është vetëm perceptimi im mbi to… Duke qenë kështu, vijnë me ndjenjën e superioritetit. Këtë, edhe për faktin se ne shqiptarët e kemi edhe ndjenjën e inferioritetit, që u lëmë atyre shkas. Kjo bën që të dalin edhe këto kontradikta. Fakti që e nisi me polemika dhe mbi të gjitha që nuk po e stabilizon ekipin dhe të themi se kështu luan Lerda, me këtë filozofi, me këtë tip loje X… Partizanin nuk e dimë si do të luajë në fushë dhe unë mendoj se Lerda duhet të krijojë prototipin e tij të lojës. Sipas meje, sa ishte Gega sikur po bëhej një Partizan me emër, në kuptimin e lojës. Unë besoj se Lerda nuk do ta ketë të gjatë. Besoj…

Tirana përgatitet për 100-vjetorin e themelimit. E shihni ekipin të duhurin për t’ia dhuruar klubit titullin në këtë jubile?

Unë mendoj se defekti i Tiranës, sipas logjikës sime, është se e ka kompozuar ekipin keq që në fillim. Nga gushti.

Në ç’kuptim?

Tipat e lojtarëve. Mund të ketë marrë lojtarë me emër, por janë kontradiktorë.

Kujt u referoheni?

Nuk u referohem emrave sepse nuk dua të futem në hollësira, sepse është punë e tyre. Sipas meje, ky kompozim i gabuar i ekipit mund të jetë defekti i këtij edicioni për Tiranën.

OLSI TUJANI 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.