Ekskluzive/ Milinkoviç mund Luftëtarin në FIFA dhe padit Kukësin

Mar 24, 2018 | 9:38
SHPËRNDAJE

Mladen Milinkoviç ishte një emër i panjohur për sportdashësit shqiptarë deri në verën e 2016-ës, ku drejtuesit e Luftëtarit e përzgjodhën si trajner të ekipit. Nën drejtimin e trajnerit serb, gjirokastritët e sapongjitur në elitë i surprizuan të gjithë, pasi Luftëtari i Milinkoviçit dhuroi emocione dhe rezultate, që askush nuk i kishte imagjinuar përpara fillimit të edicionit 2016-2017 në Superiore.

milinkovic

Ndonëse, rezultatet ishin të kënaqshme dhe të duartrokitura nga të gjithë, kryesisht nga gjirokastritët, palët u ndanë keq në fund të sezonit. Ndonëse kishin rënë dakord për rinovimin e kontratës, ata u “divorcuan” mes polemikave në verën e 2017- ës. Milinkoviç akuzoi se Luftëtari nuk i kishte borxhe, ndërsa gjirokastritët kërkonin dëmshpërblim për ndërprerje kontrate, pasi vendosi të marrë drejtimin e Kukësit.

milinkovic2

Milinkoviç e paditi Luftëtarin në FIFA për detyrimet e pashlyera dhe së fundmi “Panorama Sport” ka mësuar se trajneri serb e ka fituar gjyqin me Luftëtarin. Mësohet se bëhet fjalë për dy rroga të pamarra dhe një premio të majme për arritjen e vendit të katërt, shumë e cila mund të shkojë te rreth 12 mijë euro. Në këto kushte, klubi gjirokastrit është i detyruar ta shlyejë Mladen Milinkoviçin, në mënyrë që të mos përballet me sanksione të mëtejshme.

KONFIRMIMI I MILINKOVIÇ

Pas mësimit të lajmit të fitimit të gjyqit me gjirokastritët, “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin serb, i cili e ka konfirmuar procesin, por dëshira e tij ishte që të mos e bënte të madhe, për vetë respektin që ka për të shkuarën e tij te Luftëtari. “Është e vërtetë që unë e kam fituar gjyqin me Luftëtarin, por nuk dëshiroj që kjo çështje të bëhet lajm i madh.

Milinkovic

Kjo ka qenë një çështje mes meje dhe klubit. Kam kaluar një kohë të mirë atje. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me tifozët, lojtarët, bordin drejtues, si dhe me qytetarët e Gjirokastrës. Kështu, Luftëtarit i uroj më të mirat dhe suksese në të ardhmen”, u shpreh fillimisht Milinkoviç.

PADIA NDAJ KUKËSIT

Problematik mësohet se ka qenë edhe “divorci” i Milinkoviçit me Kukësin, ku pretendohet se verilindorët i detyrohen dy rroga trajnerit. Në të njëjtën rrugë që ka ndjekur për Luftëtarin po e përdor edhe për problemin me Kukësin trajneri serb, që pretendon të marrë rreth 10 mijë euro. Mësohet se 49-vjeçari serb e ka paditur edhe Kukësin në FIFA për detyrimet e pashlyera.

gjici milinkovic

“Panorama Sport” e pyeti edhe për këtë rast Milinkoviçin, i cili me diplomaci devijoi në përgjigje, pasi bëhet fjalë për një çështje në proces. “Ashtu si për Luftëtarin, edhe Kukësit i uroj më të mirat në vazhdimësi”, u shpreh trajneri serb që drejtoi verilindorët në pjesën e parë të sezonit.

RIKTHIMI

Mladen Milinkoviç për momentin është i paangazhuar me profesionin e tij dhe po merret me punët e tij personale. Gjithsesi, ai nuk mohoi një rikthim të mundshëm në Shqipëri, ndonëse për momentin nuk ka asnjë kontakt. “Pas largimit nga Kukësi kam ndjekur disa ndeshje të Superiores përmes internetit. Por nuk kam një ide të qartë për të gjitha skuadrat, pasi nuk jam ndjekës i rregullt. Rikthimi në Superiore? Mase mund të rikthehem të drejtoj sërish në Shqipëri, por aktualisht nuk kam asnjë kontakt”, u shpreh në fund Mladen Milinkoviç për “Panorama Sport”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura