EKSKLUZIVE/ “Me Dajën Partizani do të prodhojë futboll”, Igli Allmuça: Tirana dhe Kukësi janë pretendentë për titull

Sep 18, 2020 | 21:08
SHPËRNDAJE

Ish-kapiteni i Partizan it, Igli Allmuça, është i mendimit se Partizani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja e arrin pa problem objektivin e shprehur nga drejtuesit, që ka të bëjë me krijimin e një fizionomie loje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Allmuça bën një skaner të Partizanit, ku sipas tij, një ekipi që nuk bënë merkato nuk mund t’i kërkosh trofe, por nëse “demat” e arrijnë, do të ishte bonus i madh. Ish-mesfushori nuk garanton sesa larg shkojnë të kuqtë, por ka bindje se duke ditur vlerat e trajnerit, mendon se Partizani do të prodhojë lojë dhe do jetë një ekip i fortë. Ndërsa për titull, Tiranën dhe Kukësin i shikon si favoritët kryesorë në letër, por do jetë fusha ajo që vendos.
-800-0-e1fd64b8f5faf008654ef0f5b9e7dcea
Si ish-kapiten, si ju duket Partizani dhe a mund t’ia dalë pa merkato? A mund t’ia dalë?
Nuk është se Partizani ka shpalosur ndonjë objektiv për këtë sezon. Mund të them se atë objektiv që kanë thënë drejtuesit, për krijimin e një fizionomie loje të Partizanit, ekipi ia del pasi ka trajnerin e duhur, që tenton gjithnjë me krijuar një filozofi loje. Ilir Daja asnjëherë nuk ia lë rastësisë rezultatin apo lojën.

Mos ndoshta ky objektiv i shpallur është për të larguar presionin, siç vepruan edhe para dy sezonesh me trajnerin Gega?
Kjo nuk është për të hequr presionin, pasi ato e kanë trysninë nga bllokimi i merkatos. Ndryshe do të ishte po të bënin merkato, pasi grupi është i cunguar dhe vetëm nga akademia mund të afrojnë lojtarë. Ndaj është real objektivi që kanë shpalosur dhe do ta realizojnë. Duke arritur këtë qëllim mund të realizojnë edhe objektiva të tjerë, si pjesëmarrja në Kupat e Europës apo më shumë. Nëse do të arrinte të fitonte trofe, do të ishte plus i madh. Duke ditur se Dajën e kanë afruar me plan afatgjatë, objektivin për krijimin e fizionomisë së lojës e realizojnë. Se sa larg shkojnë, kjo varet nga ajo që do të japin lojtarët në fushë, si dhe dëmtimet apo pezullimet që rëndojnë kur ke grupin e cunguar.
Partizani 2-1
Ekipi ka mangësi në fazën mbrojtëse dhe trajneri Daja ka nisur të bëjë eksperimentet duke përshtatur lojtarë të tjerë në këtë repart…
Çdo skuadër duhet të ketë disa lojtarë në përbërje që të luajnë në 2-3 pozicione, pasi duke pasur elementë të tillë, mund të ndryshosh edhe skemën gjatë lojës pa bërë ndërrime kokë më kokë. Nëse lojtarin e përgatit për këtë gjë që në fazën përgatitore, ka mundësi ta perfeksionojë deri në fillim të sezonit. Trajneri me përshtatjet shikon aftësitë e lojtarëve për të qenë i bindur se e bën atë rol. Për ta kolauduar në rolin e ri, e provon në disa ndeshje miqësore, gjë e cila po ndodh tani te Partizani. Trajneri, pasi i ka lexuar lojtarët në stërvitje, vendos i bindur për individin që do në rolin e ri. Trajneri Ilir Daja e ka provuar këtë gjë edhe në ekipe të tjera ku ka drejtuar dhe ka qenë i aftë që t’i përshtatë lojtarët.
Daja2
Rastësi, por Dajës i ndodh që në tri sezone radhazi të punojë me ekipe me probleme. Duke ditur ecurinë me Flamurtarin dhe Skënderbeun, mendoni se do të arrijë diçka të mirë edhe me Partizanin?
Me aq sa e njoh unë trajnerin Daja, kam bindje se edhe me Partizanin ka për të bërë gjëra të mira. Nuk mund të them sa larg do të shkojnë në renditje, por të paktën Partizani do të prodhojë futboll dhe do të jetë skuadër shumë e fortë. Një ekipi që nuk bën merkato, nuk mund t’i kërkosh trofe. Nëse e fiton, pa dyshim trajneri do të ketë një bonus të madh bashkë me klubin. Për një gjë jam i bindur, që Partizani do të jetë një ekip i përgatitur në fushë dhe i vështirë për t’u mposhtur.

Ndonëse nuk ka nisur akoma sezoni, shikoni pika të dobëta dhe të forta te skuadra aktuale?
Nuk e kam ndjekur ekipin në miqësoret që ka bërë. Pastaj këto teste janë më shumë për kolaudimin e ekipit para nisjes së sezonit. Për Partizanin mund të japim mendim vetëm pasi të jenë luajtur disa javë të kampionatit. Pastaj Partizani e ka boshtin e skuadrës, ndonëse nuk ka mundësi që të bëjë përforcime.
Partizani
Shtyrja e kampionatit a i vjen në ndihmë Partizanit, pasi i jep më shumë kohë stafit për të kryer me sukses eksperimentet?
Për mua shtyrja më keq u ka bërë skuadrave që marrin pjesë në Europë. Pastaj, shtyrja me 1-2 javë nuk është e madhe, pasi dihet se edhe sezoni i fundit ka mbaruar në fillim të gushtit, jo në maj si zakonisht. Sigurisht skuadrave që duan të kolaudohen, siç është Partizani, shtyrja u bën mirë.

Partizani nuk bën merkato, Skënderbeu ka probleme, por edhe klube të tjera nuk është se kanë mundësi të bëjnë shpenzime të mëdha. Mos ndoshta sezoni i ri do të jetë me nivel më të ulët?
Nuk besoj se do të jetë një nivel më i ulët. Unë mendoj se do të jetë më i fortë se sezoni i kaluar, ku kishim dy ekipe si Flamurtari dhe Luftëtari, që pas 3-4 javëve të para prenë biletën për të rënë nga kategoria. Ndërsa këtë vit situatën e shikoj më pozitive. Ka ardhur në Superiore Kastrioti që po bën mirë edhe në merkato, ka ardhur edhe Apolonia që së fundmi mundi Tiranën në miqësore. Vllaznia ka bërë shumë afrime në merkato, plus të tjerat që janë në gjendje të mirë. Ndoshta për titull lufta do të jetë më e zbehtë, pasi mendoj se janë vetëm Tirana dhe Kukësi si pretendonte reale, pa anashkaluar të tjerat.
tIRANA-KUKESI
Pse shikoni për titull vetëm Tiranën dhe Kukësin?
Po kanë grupin e lojtarëve dhe i plotësojnë shumë kritere për të qenë skuadra për titull. Pastaj lufta është shumë e hapur dhe skuadra të tjera mund të prishin punë. Themi se Tirana dhe Kukësi janë për titull nga ajo që shikojmë në letër, por futbolli është kapriçoz dhe në fund vendos fusha e lojës. Ndaj sezonin e ri e shikoj shumë të fortë.

Pa merkato, ky sezon a mund t’u shërbejë të rinjve te Partizani?
Nëse në të shkuarën Partizani nuk ka pasur guxim të besojë te të rinjtë, këtë vit mund ta bëjë nga “halli” dhe mund të rezultojë një gjë e mirë. Dihet që aktivizimi i të rinjve e ka koston e vet në rezultat, por u rrit personalitetin dhe mentalitetin, si dhe marrin minutat për të qenë sa më të gatshëm në vazhdimësi. Kështu që kjo situatë mund të vlejë për afirmimin e të rinjve dhe fitimin e tyre.

Nëse Partizani fiton trofe, mund ta quajmë surprizë apo e papritur?
Partizani mund të fitojë trofe, pasi bëhet fjalë për një klub që gjithnjë synon sukseset. Kështu që emrin e skuadrës e ka; anën financiare gjithashtu e ka të garantuar; ka marrë një nga trajnerët më të suksesshëm në Shqipëri, ekspert i Superiores; ka në përbërje shumë lojtarë që kanë dalë kampionë, ndonëse nuk janë përforcuar nga merkatoja e bllokuar. Nëse Partizani fiton trofe, nuk e konsideroj as surprizë dhe as të papritur, por vetëm sukses. Para do të ishte supermaksimumi që mund t’i merrej këtij grupi, pasi fitimi i trofeut nuk mund të quhet surprizë për skuadra të tilla si Partizani, Tirana, pasi është historia që vendos.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura