EKSKLUZIVE/ “Mbyll gojën”, operatori i Kinostudios rrëfen si e kërcënuan Yllka Mujon: S’do të të gjejnë as kockat

| 15:02
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Me kapelën republike vendosur me sqimë, syzet e errëta e pelerinën e kafenjtë që ia nënvizon elegancën e lëvizjeve, duket si personazh “i dalë” prej ndonjë filmi.

Kush e di ç’do të kishte menduar Bardhyl Martiniani nëse do ta kishte parë veten në objektiv. Më shumë se 33 filma e 40 dokumentarë, siç do të pohonte Dhimitër Anagnosti pas premierës së “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, para dhjetëra spektatorëve, “ai është operatori, pa të cilin filmi nuk bëhej”.

Kercenimi-yllkamujo

Kush e di ç’do të kishte menduar Bardhyl Martiniani nëse do ta kishte parë veten në objektiv. Më shumë se 33 filma e 40 dokumentarë, siç do të pohonte Dhimitër Anagnosti pas premierës së “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, para dhjetëra spektatorëve, “ai është operatori, pa të cilin filmi nuk bëhej”. Ka prekur të 78-tat e ndonëse i shkëputur nga ngjarjet e fundit të kinemasë shqiptare, jeton me filmin, kujtimet, e siç thotë, për sa i përket kinemasë sonë, “ka një thes me ndodhi për të rrëfyer”.

Imazhe e plane të jashtëzakonshme, bërë në kushte ekstreme e mbikëqyrje kërcënuese, mbajnë firmën e mjeshtrit operator. Nga “Çifti i lumtur”, “Ilegalët”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Dora e ngrohtë”, “Duaje emrin tënd”, “Vdekja e Kalit” etj., pas suksesit të këtyre filmave, një rol të rëndësishëm ka pasur dhe Martiniani i heshtur. Jo më kot, regjisorët këmbëngulnin që filmat e tyre t’i realizonin me të.

Martiniani, gjatë xhirimeve
Martiniani, gjatë xhirimeve

“Për mua ka qenë gjithmonë i rëndësishëm raporti regjisor-operator, është një raport besimi, mirëkuptimi. Operatori duhet të ndjekë idetë e regjisorit. Është, në njëfarë mënyre, sikur imazhin që ka ndërmend një piktor, ta realizojë dikush tjetër në vend të tij”, tregon ai. Për filmin, mjeshtri mund të flasë për orë të tëra, pa e humbur entuziazmin. Sigurisht që punës së tij i ka paraprirë guximi, si atëherë kur xhironte për të dytën herë të njëjtën skenë mes flakëve në Malësinë e Shkodrës për filmin “Thirrja”.

Herën e dytë me një tjetër aktore… besnikëve të sistemit nuk ua kishte ënda që Justina Aliaj të luante rolin pozitiv të sekretares së Partisë, ndaj përgjigjen do t’ia japin gjatë Festivalit XI. Një aventurë e çmendur duket ajo e “Malet me blerim mbuluar”, ku Martiniani asokohe ndihmësoperator, zëvendëson Timo Fllokon për një plan të vetëm, në lumin e rrëmbyer, ku pak ditë më parë ishte mbytur një inxhinier. Mirëpo, frikën më të madhe do ta ndjente pas filmit “Duaje emrin tënd”, ku një ushtarak nga Fieri lexon një letër të ashpër gjatë Festivalit të Filmit, në të cilën vërshojnë kritikat për mungesën e elementeve partiake, e ku puthjet shikoheshin si “teprica”, që nuk i kishin hije komunizmit.

Një nga planet në lumin e rrëmbyer te filmi “Malet me blerim mbuluar”
Një nga planet në lumin e rrëmbyer te filmi
“Malet me blerim mbuluar”

Për “Panoramën”, operatori tregon se si zbuloi disa nga emrat më të spikatur të kinematografisë shqiptare, si Kastriot Caushin apo Ndriçim Xhepën. Kinemasë shqiptare do t’i kishte munguar “Yllka” e saj, nëse Martiniani nuk do ta kishte bindur Mujon të ndiqte rrugën e filmit, në vend të kantos.

Aktoren ai e veçon si një nga më të mirat e filmit shqiptar. Ndoshta, ka qenë talenti që e shpëtoi artisten nga “ndëshkimi” i Partisë pas një bisede të sajën me një shoqe, gjatë një udhëtimi me furgon, të spiunuar nga shoferi.

Zoti Martiniani, ju cilësojnë si një nga operatorët më të mirë të filmit shqiptar. Nëse kthehemi pas në kohë, si lindi pasioni juaj për kinemanë?

Ndodhi rastësisht, afro 5 dekada më parë, kur ende s’i kisha mbushur të 30-tat. Sapo ishin shkurtuar vendet e punës në Institutin e Monumenteve të Kulturës ku punoja si piktor ekzekutiv. Në këto kushte iu përgjigja lajmërimit në Kinostudio, ku kërkohej staf shtesë. Pasi më intervistuan, drejtori më tha: “Martiniani, ke për t’u bërë një operator i mirë”. Unë as që ia kisha idenë e kamerës! Kisha studiuar për Histori-Gjeografi, por provimin e fundit nuk e dhashë, pasi e dija se do më dërgonin diku larg Tiranës. E megjithatë, pranova dhe nisa punën. Fillova si asistent i Petraq Lubonjës dhe le të themi që si çdo punë në jetë, as këtë se nisa me këmbë të mbarë (qesh). Duke ngatërruar aparatet e sinkronit që punonin me korrent, me aparatet e dorës që funksionin me bateri, më plasi njëra prej tyre në dorë. Megjithatë, Lubonja më mirëkuptoi. Kështu, ditë pas dite, nisa të vëzhgoj me kujdes dhe kisha një bllok ku mbaja shënimet, i cili më ka shërbyer edhe vite më vonë.

Yllka-Mujo-681x389

Kur e xhiruat filmin e parë?

Filmi i parë në të cilin asistova, qe “Gjurma”, mandej për 2 vjet më thirrën, duke më kërkuar të xhiroja filmin “Kënga e re”, me vetëm dy personazhe. Dy të rinj që njihen gjatë një aksioni dhe udhëtojnë nëpër Shqipëri për muajin e mjaltit, ku shikonin uzinat, kombinatet, peizazhet e vendit. Si regjisorë ishin Ibrahim Muçaj dhe Mark Topallaj. Filmi u pëlqye shumë, madje u bë shkas që unë të kaloja nga asistentoperator, në operator. Kjo, falë një ekipi francez, që erdhi të përzgjedhë mes 50 dokumentarësh shqiptarë më të mirin. Kur erdhi radha e filmit tonë, atyre u pëlqeu shumë mënyra e inkuadrimit dhe e shikimit të ambienteve. Pala shqiptare në fakt mbeti e habitur, thanë: Si është e mundur, ky është bërë nga një ndihmësoperator dhe është filmi i tij i parë?! Mirëpo, përgjigjja e tyre do të ndikonte mjaft. “Kjo nuk është punë ndihmësi, por operatori profesionist, madje i nivelit europian”, pohuan.

Pra, në njëfarë mënyre, pas kësaj ndryshoi statusi juaj në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”…

Pas kësaj më bën menjëherë operator, mirëpo rroga mbeti ajo e ndihmësit, për shkak të studimeve të lëna pa përfunduar. Ishte një situatë absurde, ndihmësi im paguhej më shumë se unë. Dikush në atë kohë më sugjeroi që t’i bëja një letër Manush Myftiut dhe ashtu bëra. I shpjegova në letër, se edhe pse kisha marrë dy medalje jashtë, paga ime mbetej e pandryshuar për shkak të studimeve, në një kohë që as nuk kishte degë për operator në Shqipëri. Madje i shkrova se nëse hapej një shkollë e tillë për kinematografinë, unë do të isha një nga pedagogët që do punonin atje. Për çudi, Manush Myftiu reagoi menjëherë dhe kërkoi që të më jepej maksimalja e rrogës. Edhe fjala ime doli, vite më vonë pas diktaturës punova njëfarë periudhe si pedagog, më pas m’u desh të shkëputesha, për shkak të një problemi shëndetësor.

Shumë pak e dinë se krahas kontributit tuaj të vyer si operator, keni qenë ju që keni zbuluar disa nga emrat më të spikatur në kinematografi. Mund të na tregoni për disa prej tyre?

Janë disa, ndër të cilët edhe Ndriçim Xhepa. Isha unë që e propozova dhe e mora për herë të parë në film. Asokohe më pat bërë përshtypje, edhe pse të jem i sinqertë, Xhepa i tejkaloi pritshmëritë e mia. Edhe Kastriot Caushin e spikata unë. Kisha shkuar në Elbasan për një punë, ndërkohë që më patën porositur se duhej një partner i përshtatshëm për Mondën në film (“Nusja dhe shtetrrethimi”). Duke ecur nëpër rrugicat e Elbasanit, vërej këtë djalosh të mbështetur në një shtyllë duke pirë cigare. Kishte një portret shumë interesant, ndaj i kërkoj t’i bëj një foto. “Pse?” më pyet i habitur. Pasi ia shpjegova, më lejoi, biseduam pak. Mësova se ishte aktor në teatër, sapo kishte mbaruar studimet. E thërrasim për të bërë kinoprovën, të cilën e kaloi me sukses. Pra, është edhe çështje fati, ndoshta nëse nuk do të kishin ndodhur këto, s’do ishin ku janë sot, pavarësisht se ata kanë talentin. Ka edhe të tjerë që ndoshta në pamje të parë mund të kenë qenë interesantë, por që filmi s’ka qenë dhunti e tyre e s’ia kanë dalë.

Krahas Xhepës, Caushit e të tjerë aktorëve, ju keni ndikuar edhe që Yllka Mujo ta provonte filmin. Cili është profesioni që Mujo kishte ndërmend të bënte asokohe?

Yllka Mujon e njoh që kur ka qenë 14 vjeçe. Ajo ka pasur dëshirë të studionte për kanto. Mirëpo unë këmbëngulja që të provonte kinematografinë, kishte të dhëna. I thosha: “Zërin e ke, ta ka dhënë Zoti, askush nuk ta heq, provo njëherë filmin!”. Fatmirësisht ma dëgjoi fjalën. Shkoi për të bërë kinoprovën dhe ndërkohë që të tjerët ishin gjithë ankth, dridheshin, ajo e ka fituar me një lehtësi të jashtëzakonshme. Edhe sot Yllka është ajo që është, një ndër aktoret më të mira, për të mos thënë më e mira.

Keni hasur në aktorë të vështirë gjatë punës?

Kam pasur edhe të tillë. Ndonjëherë, për shembull, qëndronin deri në orët e vona duke luajtur bixhoz e unë zemërohesha me ta, sepse duhet të ishin në gjendje të përshtatshme për xhirimet. Megjithatë, unë e doja punën që bëja, ndaj kalisja durimin, prisja momentin e duhur. Me Monda Bulkun, për shembull, kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë, ajo nuk bënte pjesë tek aktorët “e vështirë”. Kujtoj se te “Nusja dhe shtetrrethimi” duhej që momenti i lotit të ishte sa më real. “A më pret?”, më pyeti Monda. E prita për më shumë se një orë e gjysmë dhe gjithçka tjetër mund të shikohet e gjykohet nga filmi. Si Monda, kishte edhe aktore të tjera, me të cilat ishte kënaqësi të punoje. Mund të përmend të mrekullueshmen Tinka Kurti apo Hajrie Rondon, e cila ka qenë e jashtëzakonshme në sheshxhirim, përpos talentit të padiskutueshëm si aktore.

Zoti Martiniani, te “Nusja dhe shtetrrethimi”, ku ju keni punuar si operator, sistemi ju imponoi një fund tjetër për filmin. Ka pasur raste të tjera të ngjashme?

Sigurisht që ka pasur edhe ndërhyrje të tjera, mund të përmend këtu filmin “Thirrja”, që për shkak të përfshirjes së kopesë së dhive, terrenit të vështirë malor etj., kishte pasur edhe shpenzime të mëdha. Mirëpo, kur u shfaq në “Kinostudio” hasi në kritika. Na kërkuan që të xhironim nga e para gjysmën e filmit. Roli pozitiv i sekretares së Partisë që i ishte dhënë Justina Aliajt, kësaj here do të interpretohej nga Lirie Lushi. Justina u godit mandej edhe në Festivalin e 11-të të Këngës. Ka qenë e gjitha shumë e vështirë për të gjithë ne. Mjafton t’ju përmend një prej skenave ku digjen stallat. Na u desh t’i rindërtonim nga e para. Unë hyja mes flakëve dhe përmes një pompe mundoheshin që të menaxhonin flakën që të mos digjesha. Përpos kësaj ishte edhe dimër, muaji dhjetor e s’kishim as veshje të mjaftueshme. Ajo që më ngushëllonte në njëfarë mënyre ishte fakti se po punoja me aktorë shumë komunikues, si Ndrec Luca, Albert Verria etj.

Cili ka qenë një nga momentet, i cili ju ka shkaktuar më shumë ankth, lidhur me debatet që kanë ngjallur filmat?

Kujtoj se kur përfunduam filmin “Duaje emrin tënd”, në Festival të Filmit erdhi një ushtarak nga Fieri dhe lexoi një fjalim që ia kishin përgatitur në Komitetin Qendror. Kritikat vërshonin njëra pas tjetrës: “Ku e keni Partinë në këtë film, s’përmendet asgjëkund as fjala parti, as organizata. Janë ca të rinj që bëjnë ç’duan vetë. Filma nëpër gjethe, puthje etj”. Nuk kishin fund ankesat, saqë unë mendova se kaq e patëm. Mirëpo, kur më pak e prisnim, situata mori kthesë të menjëhershme. Pas fjalimit të ushtarakut, u ngrit Neshat Tozaj dhe i bën një kundërpërgjigje, që e shpartalloi tërësisht, duke mbrojtur me argumente filmin. Falë tij shpëtuam!

Përmendët rastin e filmit “Thirrja” ku keni xhiruar mes flakëve. Keni rrezikuar herë tjetër për hir të filmit?

Raste të tilla ka disa, mund t’ju përmend një ndodhi gjatë xhirimeve te “Malet me blerim mbuluar” të Anagostit, ku unë kam qenë si asistent-operator i Faruk Bashës. Gjendeshim në Tepelenë tek “Ura e Leklit”. Lumi kishte një rrymë shumë të fortë, pasi sapo kishte rënë shi. Timo Flloko duhet të futej në lumë për hir të pjesës, por duke parë si ishte situata, refuzoi, edhe pse po i përsërisnin se duhet t’i dilte për zot rolit. “Nuk futem”, tha prerazi. Duke parë situatën, propozova të hyj unë. Vesha rrobat e lagura të Timos, hodha automatikun anglez në qaf dhe teksa po bëhesha gati, roja që qe aty pranë, tha: “Është me rrezik, një inxhinier ka pak që është mbytur në këtë lumë e hala s’i kanë dalë kockat!”. E megjithatë, e vendosa, thashë: “Nami të bëhet tani, nuk kthehem më”. Gjatë skenës më hedhin një dru me litar që duhet ta kapja, rryma qe e fort, më kishte këputur krahët, gati nuk i ndieja më. Provova 2-3 herë, s’po e arrija derisa në tentativën e fundit e kapa drurin vetëm me një gisht. Më tërhoqën si peshk. Kur dola kam nxjerrë litra të tërë uji me baltë. Anagnosti po përpiqej të çdramatizonte situatën.

“T’i pastroi hundët uji”, tha…

-Hala s’kam vdekur?!- i përgjigjem.

– Iku Rosh, kaloi edhe ku mbaron drama nis komedia- më tha, duke u përpjekur të bëjë humor. Ma ka kujtuar ngjarjen edhe vite më pas.

Në cilat skena keni hasur vështirësi më të mëdha teknike për t’i xhiruar?

Një herë e pyetën Kristaq Mitron se si kishte qenë bashkëpunimi ynë. Kristaqi u përgjigj: “Kur operatorët më thoshin për një skenë të caktuar se nuk xhirohej, unë qëndroja gjithë natën pa gjumë për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa, nëse Roshi më thoshte se skena që i kërkoja nuk bëhej, unë flija si qengj”. Me siguri që ai e ka diktuar merakun, përkushtimin tim për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Ndër vështirësitë më të mëdha teknike ka qenë një plan në autobus te “Duaje emrin tënd”. Ndërsa autobusi ishte në lëvizje, ka qenë shumë e zorshme të çoje në objektiv fokusin që kishim në mendje. Një tjetër moment ka qenë te “Nusja dhe shtetrrethimi”, ku në gjysmë të pasqyrës duhet të dukej Xha Jani e në tjetrën gjermani, që ai po kontrollonte me sy. Ka qenë tepër e vështirë nga pikëpamja optike.

Cilën aktore do të veçonit për portretin më të bukur?

Po i përgjigjem pyetjes suaj përmes rrëfimit të një ngjarjeje të shkurtër. Para disa vitesh, së bashku me bashkëshorten shkuam në një dasmë, shoqja e saj martonte vajzën. Qëndruam në atë atmosferë festive për disa orë dhe ndërsa po largoheshim ime shoqe më pyet: “Cila t’u duk më e bukur, nusja apo ndonjë nga të rejat e tjera?”. Iu përgjigja siç e ndjeva, me sinqeritet: Për mua, portreti më i bukur ishte i atij të moshuarit që i qëndronte nuses në krahë. Ishte një zotëri i rrudhur që mbante një kapele republike e kishte një portret të djegur nga dielli, dukej sikur ishte një Rembrandt. Teksa e shikoja, më krijohej përshtypja se Rembrandti qe shkëputur nga tabloja e ishte vendosur aty. Nusja me xixa e me freskinë e moshës, qe pa dyshim e bukur, por për mua ai portret ishte një kryevepër.

Me cilin aktor (aktore) nuk duhet të bëheshin shumë dubla?

Numri i dublave në realitet nuk tregon gjë për talentin e aktorit. Kur sapo kisha nisur punë, e isha ende asistentregjisor, hasa aktorin Naim Frashëri, me të cilin më vonë lidha edhe miqësi, që po xhironte me Kristaq Dhamon. Bëri plot 9 dubla. I befasuar unë pyes Dhamon: “Si është e mundur, unë kam dëgjuar se Naimi është aktor shumë i mirë?!”. Ai më përgjigjet: “Kjo që sapo pe, e provon edhe më shumë faktin se është aktor i mirë. Naimi ka krijuar idenë e vet për figurën dhe nuk është e lehtë ta shkulë atë imazh e të veshë atë që ti i kërkon”. Me kalimin e kohës u binda për fjalën e Dhamos, s’do të thotë asgjë lidhur me aftësitë e tij nëse një aktor bën pak apo shumë dubla.

A kishte asokohe kineasti një lloj statusi, pra, që në situata të caktuara, ndoshta tolerohej deri diku?

Jo vetëm për aktorët, kishte raste kur toleronin edhe për individë të fushave të tjera. Nëse s’do të kishte pasur, mendoj se ai sistem nuk do të qëndronte për aq gjatë. Ndërsa, për sa u përket kineastëve mund t’ju përmend një ndodhi që i ka ngjarë Yllka Mujos. Atë e patën thirrur një herë në zyrat e famshme të asaj kohe. Një shofer kishte dëgjuar një bisedë të sajën me një shoqe, ku flisnin lirshëm ndërsa ishin duke udhëtuar. Siç duket ç’ka kishin thënë s’u kish pëlqyer fort besnikëve të Partisë, ndaj e paralajmëruan ashpër. “Ne të bëjmë atë që s’e ke parë as në ëndrrat më të këqija. Jo vetëm mishi, por edhe kockat të përfundojnë atje ku s’ta pret mendja”. Ajo ishte vajzë e re, imagjinoni tmerrin në ato zyra.

Sa e pranishme ishte figura e Enver Hoxhës në kinematografi, në jetët tuaja të përditshme?

Pothuajse në çdo ambient. Çdo shtëpi kishte një foto të Enver Hoxhës. Bënte përshtypje nëse veçanërisht figurat e njohura e shmangnin këtë detaj. Kujtoj se një herë, mua dhe Nikolin Xhojën na ftoi në shtëpi në Shkodër regjisori Serafin Fanko. Nikoloni, që kishte qenë edhe partizan në Kosovë, pas vizitës më tha: “E vure re që nuk kishte asnjë foto të Enverit në shtëpi?”. Fotoja e tij ishte vetë “bibla” atëherë. Epo mirë – i thashë me humor- e ka në zemër ai. Kështu edhe unë, shpesh që të mos hasnim në kushedi se ç’dënim, shumë detaje i shmangja nga kuadri, por kur kishim ndonjë personazh negativ, në sfond vendosja foton e Enverit. Për ata që dinë ta lexojnë filmin, që i diktojnë detajet, kuptojnë se ne kemi folur përmes shumë metaforash.

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama.al Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

1 – INTERVISTA/ “Malet me blerim mbuluar”, operatori tregon prapaskenat: Si e zëvendësova Timo Fllokon në film. Pse refuzoi të futej në lumin e rrëmbyer

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.