EKSKLUZIVE/ Mbrojtësi i Skënderbeut pranë firmës në Rusi, ja plani i korçarëve

Jul 18, 2018 | 21:26
SHPËRNDAJE

“Panorama Sport” e kishte paralajmëruar që prej një jave se shitjet në kampin bardhekuq nuk kishin përfunduar, madje Enis Gavazaj do të largohej në “paketë” së bashku me mbrojtësin kosovar Fidan Aliti. Në të tilla kushte, duket se pas largimit të Enis Gavazajt dhe prezantimit zyrtar te Jenisei në kampionatin rus, është drejt fundit edhe mbyllja e marrëveshjes për Fidan Alitin.

fidan aliti

Mbrojtësi i Skënderbeut dhe kombëtares së Kosovës është shumë pranë largimit, për të mos thënë që nga momenti në moment pritet që të zyrtarizohet edhe transferimi i tij në kampionatin rus. Palët janë duke diskutuar detajet e fundit të kontratës së re, që do të lidhë mbrojtësin e Skënderbeut me klubin e Jeniseit në Premier Ligën ruse. Ndryshimi i vetëm mes Gavazajt dhe Alitit qëndron në faktin se nëse Gavazaj u transferua te të sapofuturit në Premier Ligën ruse me detyrim blerjeje në fund të sezonit, të fiksuar në vlerën 600 mijë euro, nga Fidan Aliti Skënderbeu po kërkon me çdo kusht që të marrë të ardhurat në moment.

Korçarët janë duke kërkuar diçka më shumë se 400 mijë euro për të lënë të lirë mbrojtësin e kombëtares së Kosovës, teksa rusët e Jeniseit duket se nuk japin më shumë se 400 mijë euro. Në fund të fundit, mbetet një shumë e kënaqshme dhe me shumë mundësi do të finalizohet transferimi në ditët në vijim. Në të tilla kushte, duke parë mënyrën se si po shkojnë bisedimet, mund të themi që tani se Fidan Aliti është i sakrifikuari i radhës nga kampionët.

ALTERNATIVA – Me largimin e Alitit, klubi i Skënderbeut është duke kërkuar menjëherë zëvendësuesin e tij në repartin e mbrojtjes për t’i vendosur Radasit në krah një partner të besueshëm. Të gjitha të dhënat të çojnë te një dashuri e vjetër, që quhet Ditmar Bicaj. Bicaj e ka mbyllur zyrtarisht aventurën e tij në Vlorë në radhët e Flamurtarit, duke shkëputur marrëdhëniet në fund të sezonit të kaluar. Me mbylljen e kampionatit, Bicaj ka dalë në treg si një futbollist i lirë dhe kjo ka tunduar menjëherë drejtuesit e Skënderbeut që ta rikthejnë në Korçë, duke parë edhe sezonet e mira që mbrojtësi lezhjan zhvilloi me fanellën bardhekuqe.

Bisedimet kanë nisur prej kohësh dhe duket se palët janë në një pikë të mirë për të mbyllur gjithçka ashtu si duhet. Mbetet tashmë edhe një tjetër takim, që me shumë mundësi do të zhvillohet sot ose nesër për të mbyllur këtë transferim. Një afrim i rëndësishëm ky për ekipin e Orges Shehit, që rigjen një nga pikat e forta të mbrojtjes, lezhjanin Bicaj, i cili ka fituar shumë me fanellën bardhekuqe në shpatulla.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura