EKSKLUZIVE/ Mblidhet Liga, revoltë e klubeve për ligjin e sponsorizimit. Presidenti: Ju tregoj ku ndahemi me qeverinë

Nov 23, 2019 | 8:45
SHPËRNDAJE

Zvarritja e ligjit për sponsorizimin bën edhe një herë bashkë drejtuesit e klubeve. Dje në ambientet e stadiumit të ri “Air Albania” u mblodh ajo që prej pak muajsh ka nisur të quhet Liga Profesioniste. Fakti që qeveria nuk i ka miratuar ende ndryshimet ligjore në sport ka shqetësuar komunitetin e futbollit. 

edvin libohova

Kësisoj, presidenti i Ligës, Edvin Libohova, diskutoi dje me gjashtë drejtues klubesh, pikërisht me Refik Halilin e Tiranës, Ardjan Takajn e Skënderbeut, Besnik Kapllanajn e Bylisit, si dhe drejtorët sportivë të Laçit, Teutës dhe Luftëtarit, respektivisht Naim Halili, Enid Furxhi dhe Artur Dadaj. Presidenti Libohova tregoi për “Panorama Sport” pikat ku futbolli ndahet me qeverinë në prag të miratimit të paketës në parlament.

Zoti Libohova, pas shumë kohësh mblidhet Liga…?

Bëmë një takim me anëtarët e Ligës Profesioniste. Ideja ishte për të diskutuar paketën që ka shkuar në qeveri për ndryshimet ligjore në sport. Ka pasur disa kërkesa nga ne si palë e interesuar, por disa janë plotësuar dhe shumë të tjera jo. Dihet tashmë që më kryesorja është ligji për sponsorizimet dhe jemi në drejtime të ndryshme me atë draft që është paraqitur nga qeveria për miratim në parlament.

Libohova

Që do të thotë? 

Komuniteti i futbollit ka kërkuar që sponsorët të mbështeten në sponsorizime me 30% të tatimfitimit. Pra, e drejta e zbritshme nga pjesa e tatimfitimit. Ndërkohë, Ministria e Financave ka dërguar një variant tjetër, duke njohur si shpenzim të zbritshëm pikërisht ato shpenzime që bëhen nga sponsori. Me këtë variant këto shpenzime i njeh deri në tri herë, që do të thotë se nëse bën një lekë, për efekt të llogaritjes së fitimit të njihen tre lekë. Këto janë dy formula të ndryshme dhe kjo e shpenzimeve të zbritshme ne e kemi kundërshtuar. Dua të theksoj se kjo mënyrë nuk ka funksionuar siç ka qenë edhe ligji që në vitin 1994.

Megjithatë, nëse qeveria nuk bën prapakthehu, besoj Liga e ka një ide të qartë për vazhdimësinë…? 

Ne duam që të kalojë për miratim ajo kërkesë që kemi bërë për 30% të tatimfitimit. Kjo mund të jetë edhe 20% ndoshta, por rëndësi ka që të miratohet varianti i zbritjes nga tatimfitimi, pasi është më i kontrollueshëm dhe më në interes të sportit. Pastaj, dua të theksoj se në paketën që është dërguar, ka pasur edhe elemente të tjera, pra se cila nga kompanitë duhet ta përfitojë këtë të drejtë.

A ka pika të tjera që ju nuk jeni dakord me qeverinë? 

Ka pasur edhe një element tjetër për atë që duhet ta përcaktojë ose e thënë ndryshe të certifikojë se cili sponsor e gëzon këtë të drejtë. Propozimi është që këtë ta vendosë drejtori i përgjithshëm i tatimeve, gjë për të cilën ne nuk jemi dakord. Kjo nuk ka sens, sepse Drejtoria e Tatimeve më tepër është për të mbledhur të ardhura.

JORGIS MEMO

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura