EKSKLUZIVE/ “Lerda s’është vetëm basti im”, Olsi Rama: Ja si Partizani nuk ka rivalë

Oct 1, 2019 | 11:10
SHPËRNDAJE

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë fitoren e fundit në derbi. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas duelit me Tiranën, bëri një skaner të asaj që po ndodh te “demat” në këtë fillim sezoni dhe trajnerin Franko Lerda nuk e shikon vetëm një bast të tij, por të të gjithë drejtuesve, të cilët e afruan italianin për të sjellë eksperiencë.

Lerda-Rama

Rama pohon se skuadra e ka kontigjentin për të përballuar disa rreshtime, por skemën 3- 5-2 e shikon si një mundësi për të dhuruar spektakël. I pyetur për afrimet e verës, drejtoi i të kuqve pohoi se pret akoma nga të gjithë, sepse deri tani asnjëri nuk ka dhënë 100%, pasi duke qenë të tillë ai ka bindje se Partizani nuk ka kundërshtar në Superiore.

Ai e mohon presionin ndaj trajnerit para derbit si dhe mungesën e harmonisë në krahasim me edicionin e titullit. Në fund Olsi Rama jep komentin e tij për incidentin e ndodhur para derbit të fundit mes tifozërive.

Vazhdon i njëjti film dhe e njëjta histori për Partizanin në derbi…

Me pjesën e derbit po, pasi ka kaq vite, me aq sa e mbaj mend unë, se jam i ri në këtë pjesën e futbollit, që kur është thyer Partizani. Fitorja e fundit në derbi është e një rëndësie të veçantë, për shkak të ecurisë së ekipit në këtë fillim kampionati. Ishte mirë për gjithë impenjimin që djemtë treguan në fushë dhe atë futboll që luajtën dhe e merituan fitoren.

Trajneri Lerda është quajtur basti i drejtorit Rama. Mendoni se do të dalë një bast i fituar?

Trajneri është një vendim i përbashkët jo vetëm imi, por edhe i personave me të cilët unë punoj, si dhe i presidentit Demi. E kemi afruar te Partizani për të sjellë eksperiencë nga një vend që ka futboll shumë të organizuar, siç është Italia. Gjithmonë gjërat e mira kërkojnë kohën e tyre dhe, sigurisht tani, pas tre muajsh, ai e njeh më mirë mentalitetin shqiptar, karakterin e lojtarëve dhe shpresoj që kjo t’i shërbejë për të vazhduar më mirë punën për të ardhmen.

Si e shpjegoni faktin se në këto vitet e fundit, kur Tirana është organizatore e derbit, ndodhin incidente, si ky i fundit që nisi një orë para ndeshjes?

Për mua derbi duhet të jetë një festë. Me thënë të drejtën, kur ka nisur sherri nuk kam qenë në stadium, por po e ndiqja në televizor. Menjëherë kam ardhur në stadium për të qenë pranë dhe për të parë se çfarë mund të bëja apo ndihmoja. I dënoj të gjitha gjestet antisportive.

Jam i lumtur që stadiumi ishte plot. Shpresoj që me “Arenën Kombëtare” të kemi mundësi të jemi më komod, me kushte më të mira ose në stadiumin tonë që po punohet. Dëshiroj që të shikoj sa më shumë fëmijë dhe vajza në stadium, por fëmijët dhe vajzat nuk i ftojmë dot në stadium me këtë lloj atmosfere. Futbolli është për të gjithë, nuk është vetëm i disa tifozëve. Falënderoj me të vërtetë ata që harxhojnë kohën të vijnë në stadium, por pretendoj që të jenë sa më korrekt për të ndjekur spektaklin e lojës dhe jo për të bërë spektaklin nga ana e tyre.

Spektakli nga ana e tyre është i mirëpritur si dekor i lojës, por jo që ata të jenë protagonistët. Nuk dua të them nëse është në fushën tonë apo të Tiranës. Të dyja tifozëritë janë të zjarrta. Gjithmonë kam thënë se tifozëria e Partizanit është më e mira, sepse edhe në gjestet e tyre dhe në fjalor janë më të përmbajturit dhe më korrektët e Superiores.

ILIR CARA 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura