EKSKLUZIVE/ Kukësi në hall, dy futbollistët drejt largimit. Nuk pranojnë ofertën

Sep 23, 2020 | 8:44
SHPËRNDAJE

Kukësit i duhet kohë për t’u riformatuar plotësisht, pasi ndryshimet pas eliminimit nga Liga e Europës pritet të jenë të konsiderueshme në numër dhe thelbësore sa i përket rëndësisë. I larguari i parë ishte fantazisti Eduart Rroca, i cili u ble nga klubi turk i Istanbulsporit, teksa këta të fundit paguan 100 mijë euro, ndërsa Kukësi ka ruajtur 20 për qind të pronësisë së kartonit. Një largim i pamenduar nga klubi, pasi Rroca ishte llogaritur nga stafi që të ishte pjesë e ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi, në këtë rast klubi përfitoi dhe lojtarit iu plotësua dëshira dhe në këto kushte largimi mund të quhet i justifikuar. E kundërta po ndodh me mbrojtësit Edis Maliqi, Erhun Obanor dhe Bruno Lulaj.
Obanor Gega
Të tre lojtarët nuk kanë dalë në stërvitje me ekipin gjatë dy ditëve të fundit, edhe pse Lulaj është parë në ambientet e kompleksit ku përgatitet Kukësi. Të tre futbollistëve u ka skaduar kontrata dhe është në dorën e tyre nëse do të qëndrojnë apo do të largohen përfundimisht nga Kukësi. Gazeta mëson se klubi u ka ofruar rinovimin e kontratës të tre mbrojtësve.
edis maliqi
Ndërkohë, Maliqi po trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër, pasi mbrojtësi i djathtë është në planet kryesore të klubit. Ai ka luajtur për dy sezone me Kukësin dhe shihet i rëndësishëm për skuadrën. Lojtari nga Shkupi u zbulua specifikisht nga drejtori Nexhipi. 24- vjeçari ka luajtur 57 ndeshje me Kukësin në kampionat, nga të cilat 56 si titullarë. Palët kanë negociuar, por lojtari me shumë gjasa do të largohet për çështje personale nga kampionati shqiptar, jo për efekt financiar. “Panorama Sport” zbulon se Maliqi ka oferta nga klube të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë, por gjithashtu nga kampionati bullgar dhe rumun. Pra, palët akoma nuk kanë asnjë akord mes tyre dhe lojtari ka kërkuar lejen e kalimit nga klubi i Kukësit. Këta të fundit kanë ngurruar ta lëshojnë lojtarin, ndaj po bëjnë përpjekjet e fundit nëpërmjet negociatave për ta bindur atë që vazhdojë dhe për një vit me skuadrën.
obanor
Nuk është e njëjta situatë për Obanorin. Klubi ka dëgjuar pretendimet e tij, por ato kanë qenë mjaft të larta në aspektin financiar. Në këto kushte Kukësi i ka ofruar kontratën e re lojtarit, por palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket aspektit financiar. Deri më tani asnjë prej palëve nuk tërhiqet nga pretendimet, ndaj do të jetë paksa e vështirë të arrihet te rinovimi. Sa i përket Obanorit, klubi është i zhgënjyer nga paraqitja e tij kundër Volfsburgut dhe nëse lojtari zgjedh që të mos pranojë ofertën, për drejtuesit nuk do të ishte “fundi i botës”. Nënkampionët e vendit kanë studiuar alternativa të tjera. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bruno Lulajn, të cilit klubi i ka komunikuar se ai është në planet e trajnerit. Oferta për të ka qenë me të njëjtat kushte si më parë, por as për elbasanasin nuk ka pasur zhvillime sa i përket kontratës së re.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura