EKSKLUZIVE/ Kukësi apo Partizani kërkon Majkëll Ngo? Ja si përgjigjet menaxheri i sulmuesit anglez… (E plotë)

Aug 7, 2020 | 19:54
SHPËRNDAJE

Sa herë hapet merkatoja, Majkëll Ngo bëhet çështje te Tirana. Megjithatë, klubi bardheblu i ka rezistuar çdo kërkese që ka bërë anglezi në këto tri vite, duke e bindur të qëndrojë në kryeqytet. Tashmë, pas një sezoni ku Tirana fitoi titullin, sërish e ardhmja e sulmuesit është e mbushur me mister. Kontrata e tij ka skaduar, ndërsa i është bërë një ofertë nga klubi për rinovim. Ngo ishte kryegolashënues i skuadrës me 13 gola dhe 15 asiste në kampionatin e fundit, por palët në këtë moment duken larg një bashkëpunimi për sezonin e ri.

tirana

Lojtari ka udhëtuar drejt Anglisë dy ditë më parë dhe nuk dihet nëse do të kthehet pranë skuadrës në prag të nisjes së përgatitjeve për Champions. Dje për sulmuesin kishin shkruar mediat nigeriane, duke aluduar se ai ka refuzuar një kontratë 2-vjeçare të ofruar nga Tirana. Për të mësuar të vërtetën e situatës me anglezin, “Panorama Sport” kontaktoi me menaxherin Mario Cenolli, i cili sqaroi gjithçka në lidhje me sulmuesin, madje komentoi edhe sherrin në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes Teuta-Tirana 2-0 për Kupën e Shqipërisë.

Mario, Ngo është kthyer në Angli, ndërsa dje është shkruar në mediat nigeriane se ka refuzuar një kontratë 2-vjeçare të ofruar nga Tirana. E konfirmoni këtë?

Jo, nuk është e vërtetë. Mua si përfaqësues i lojtarit nuk më ka ardhur asnjë ofertë për dy vite nga Tirana. Në momentin që vjen diçka e tillë, nuk e kam problem ta pranoj dhe të them që e kemi refuzuar. Prandaj, e theksoj që nuk është e vërtetë absolutisht.

Dakord, por cila është e vërteta me sulmuesin në bisedimet me klubin?

E vërteta është se ne kemi pasur disa bisedime paraprake me klubin e Tiranës. Normalisht, duke parë ecurinë mjaft të mirë të kampionatit që lamë pas, interesi i Tiranës është që Majkëlli të jetë pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri. Zyrtarisht klubi ka paraqitur ofertën për lojtarin, ashtu siç edhe ne kemi parashtruar kërkesat tona. Për momentin kjo është e gjithë situata dhe nuk kemi diçka të re.

majkell ngo

Dëshira e lojtarit është të qëndrojë apo të shikojë një opsion tjetër?

Dëshira e lojtarit është që të rritet profesionalisht dhe të shkojë diku që mund të fitojë vazhdimisht trofe. Ai është shumë i lumtur që fitoi titullin me Tiranën, por në fund lojtari do të shikojë opsionin e tij më të mirë për karrierën. Nëse qëndron në Shqipëri, Tirana mbetet opsion i parë; nëse nuk na pëlqen oferta, atëherë ka mundësi të tjera. Disa oferta kanë ardhur, kështu që do të shohim në vazhdimësi.

Atëherë na i zbuloni ofertat?

Emra klubesh mos prisni, por di të them që janë ekipe të njohura në Poloni, Portugali, Bjellorusi dhe Izrael.

A ka detyrime Tirana ndaj lojtarit, që ndoshta mbajnë pezull edhe vazhdimësinë?

Nuk më pëlqen të flas për detyrime të pashlyera. Tirana e di shumë mirë se çfarë i detyrohet lojtarit dhe besoj se ato do të shlyhen shumë shpejt.

Pas ndeshjes finale me Teutën, në dhomat e zhveshjes pati një përplasje mes lojtarëve, ku protagonist ishte edhe Ngo. Sa ka ndikuar ky incident për të ardhmen?

Mosmarrëveshje mes lojtarëve ka gjithmonë. Unë besoj se të gjithë futbollistët kanë dëshirë të fitojnë ndeshjet që luajnë, qoftë Majkëlli apo lojtarët e tjerë të Tiranës. Ajo që ndodhi në dhomat e zhveshjes mbetet aty. Pas asaj janë prapë miq e shokë me njëri-tjetrin. Kur humb një finale, gjakrat janë të ndezur, kështu që mund të flasësh një fjalë më tepër që pastaj pendohesh dhe gjëra të tilla. Këto janë gjëra normale mes lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Nuk ka ndikuar fare te Ngo situata e post-ndeshjes me Teutën.

mario cenolli

Gjatë kësaj periudhe ka pasur oferta konkrete për lojtarin nga klube të tjera në Superiore?

Për të qenë i sinqertë, janë dy ekipe të Kategorisë Superiore që më kanë kontaktuar për sulmuesin. Më kanë kërkuar informacione dhe në këtë moment jemi ende në këtë pikë, s’mund të themi që ka pasur një ofertë konkrete. Pastaj, ka edhe shumë skuadra jashtë vendit që janë interesuar. Besoj se javën që vjen do të kemi diçka zyrtare ose me Tiranën, ose diku tjetër.

Bëhet fjalë për Partizanin dhe Kukësin?

Nuk është etike të përmend emra. Më kanë kontaktuar përfaqësues të dy skuadrave në elitë, të cilëve u largohen sulmuesit e tyre. Kaq mund të them.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura