EKSKLUZIVE/ “Kërkesa e Izet Haxhisë dhe dekorimi i Gafurr Mazrekut”, flet vajza e Azem Hajdarit: Çështja le të rihapet, misteri i vrasjes së shekullit

Sep 12, 2018 | 23:53
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Sot mbushen 20 vite nga vrasja e ish-deputetit dhe liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari. E cilësuar si “Vrasja e Shekullit”, dy dekada më vonë, çështja “Hajdari” trazon jo pak herë politikën dhe opinionin publik. Vajza deputete e ish-themeluesit të Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, dhe familja e saj kanë preferuar të qëndrojnë larg çdo zhvillimi që rikthen në kujtesë ngjarjen e 12 shtatorit 1998.

hajdari

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama”, Rudina Hajdari tregon ndjeshmëritë dhe përjetimet që ka pasur një ngjarje si dekorimi i Gafurr Mazrekut, atentatorit të babait të saj apo vendimi për rihapjen e “Çështjes Hajdari”.

Sipas deputetes demokrate, idetë për të cilat Azem Hajdari ëndërroi dhe u bë pjesë e politikës, janë ende në embrion. Rudina nuk e fsheh zhgënjimin ndaj politikës, që në këto 20 vite është përpjekur të anashkalojë vlerën e vërtetë dhe kontributin e Azemit, por thekson se te njerëzit e vërtetë që duan lirinë, çdo vit shtohet vlerësimi për figurën e tij.

Sot është 20-vjetori i vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari. Ju sot jeni pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, por sot, pas 20 vitesh nga ajo ngjarje, mendon se janë realizuar ëndrrat dhe vizioni që ai kishte për politikën?

Megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga dita e ndarjes së tij, mund të them me të gjithë bindjen e qenies sime se të gjitha ato ide, për të cilat ai luftoi aq shumë, kanë ngelur vetëm në embrion. Sikur të marrim në analizë një nga të drejtat më të rëndësishme të luftës së tij, atë të së drejtës së lirisë së shprehjes e cila konsiston në faktin e të qenit i lejuar për të shprehur të vërtetën, mund të them me një keqardhje të madhe se akoma kemi një frikë të madhe nga e vërteta. Konformizmi, nënshtrimi dhe servilizmi, janë bërë mënyrë jetese në vendin tonë. Akoma nuk kemi arritur të themi të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe pothuajse nuk kemi asnjë ndjesë për të gjithë krimet e kryera. Arsyeja që kemi arritur në këtë pikë është shumë e thjeshtë, sepse neokomunistët e rinj që qëndrojnë nën “fashon” e rilindjes as edhe në parim nuk e pranojnë vrasjen masive të njerëzve, madje as edhe privimin radikal të njerëzve nga liria e tyre. Natyrisht, këtu është dhe pika e tyre e dobët sepse ata që përpiqen të falsifikojnë të vërtetën ose gënjeshtarët nuk mund të jenë heronj, gënjeshtra shumë shpejt do t’i zhveshë nga autoriteti fals i politikës së korruptuar. Në këto 20 vite, shteti nuk arriti të mbrojë të drejtat qytetare të individëve të tij sepse nuk gëzon respektin e tyre për shkak të korrupsionit dhe të oligarkisë politike, që ka gllabëruar të gjithë jetën e vendit. Për këtë shkak, përgjatë gjithë kësaj periudhe, kemi një zhvillim të gabuar dhe të deformuar, si pasojë e të cilit akoma prona nuk ka shkuar tek i zoti, të persekutuarit dhe të përndjekurit e regjimit akoma nuk janë kompensuar dhe integruar, pasuritë publike të shqiptarëve ushqejnë korrupsionin e qeverisë nëpërmjet PPP-ve. Sot çdo njeri i ndershëm është eremit social dhe emigrant brenda vendit të vet. Për shkak të mosrespektimit të parimeve demokratike, për të cilat ai luftoi aq shumë, pushtetarët e sotëm e kanë kthyer vendin në vatër të kaosit ku ajo që dëgjojmë çdo ditë janë vrasjet, droga, hakmarrja korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe ikjet masive nga vendi. Gjithsesi, Shqipëria gjatë këtyre viteve ka pasur edhe zhvillime pozitive, por kanë qenë me hap shumë të ngadaltë. Vizioni i tim ati ka qenë për një Shqipëri evropiane, por është për të ardhur keq, që për shkak të braktisjes së parimeve të shenjta demokratike dhe të tendencave të rikthimit tek e kaluara, të kemi mbetur shumë mbrapa dhe larg ëndrrës së tij europiane.

Mendoni se është vlerësuar sa duhet figura e tij në këto vite?

Sikurse ka ndodhur shpesh në të gjithë vendet me demokraci të cunguar, politika përpiqet të anashkalojë vlerën e vërtetë dhe kontributin e të gjithë individëve që me luftën e tyre i kanë dhënë të drejtën qytetare demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Gjithsesi, te njerëzit e vërtetë, tek ata që e kanë dashur dhe e duan lirinë çdo vit shtohet vlerësimi për figurën e tij. Sikurse thotë me shumë të drejtë Martin Hajdeger: “Intelektuali i vërtetë në dialog me shoqërinë behet si ylli i karvanit për shtetin”. Sidoqoftë është tjetër gjë vlerësimi që i bën shteti veprës së tij, i rëndësishëm është fakti që në zemrat e njerëzve të vërtetë të atyre që e duan lirinë ai simbolizon demokracinë e Shqipërisë dhe mendoj që të mëdhenj e të vegjël e falënderojnë në thellësi të shpirtit për atë çka ai bëri për popullin shqiptar, jo vetëm në atë kohë, por dhe për brezat e sotëm dhe për të ardhmen.

Në këtë vit ka pasur dy ngjarje që besoj kanë trazuar jo pak familjen tuaj. Fillimisht, dekorimi i Gafurr Mazrekut dhe më pas vendimi për rihapjen e çështjes “Hajdari”. Si jeni ndierë për këto dy zhvillime?

Dekorimin e të gjithë atyre që janë dënuar për vepra penale, e kam parë gjithmonë si një regres politik dhe si një përpjekje mjerane e të gjithë atyre që nuk kuptojnë dhe vlerësojnë kontributin historik të individëve për demokracinë. Në rastin konkret dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar. Përgjigjen dhe reagimin e forcës intelektuale e shoqërore e mori vesh kushdo. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë i shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin, se ky njeri ishte i pari që bëri një akt kriminal në Parlament. Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Megjithatë, dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar, jo vetëm kundrejt familjes Hajdari, po kundrejt demokracisë e popullit shqiptar.

Mendoni se duhet rihapur ajo çështje apo është kapitull i mbyllur?

Çdo njeri i përfshirë kërkon të hapë çështjen e tij dhe të shikojë interesat e tij/saj. Familja Hajdari është me drejtësinë. Një pafundësi me çështje le të hapen, ajo është dhe do mbetet gjithmonë “Vrasja e Shekullit” si nga misteri, por dhe përmasa e rëndësisë. Të mos harrojmë që ishte një nga vrasjet më me ndikim në epokën postkomuniste, që ndali demokratizimin e vendit nga ambiciet primitive të atyre, që nuk e shikonin të ardhmen e Shqipërisë në strukturat EuroAtlantike dhe që kishin prirjen perëndimore të hershme të Shqipërisë, të shkatërruar nga komunizmi. Në radhë të parë ata ishin armiqtë e demokracisë dhe të zhvillimit, shëmbëlltyra të krimit dhe të barbarisë.

Ju jeni përfshirë nga kjo e martë në komisionin që pritet të bëjë vetingun e politikës shqiptare? E shikoni të mundur këtë proces apo politika do ta zvarrisë?

Vetingu apo pastrimi i politikës duhet një herë e më parë, madje e shikoj si një proces të vonuar. Përderisa pretendojmë të hapim negociatat në qershor, atëherë duhet të mos na pyesin aleatët tani për skandalet e njëpasnjëshme. Kjo histori duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Përpjekjet për të pasur politikanë me figurë të pastër, që përfaqësojnë interesin e popullit, duhet të jenë të vazhdueshme dhe pa kthim mbrapa. Kur të kemi një pushtet legjislativ dhe gjyqësor të pastër, vetëm atëherë Shqipëria do të jetë gati për ëndrrën europiane, që, tani për tani, më duket shumë e largët, fatkeqësisht.

E shikoni të mundur zhvillimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm me këtë klimë politike dhe nëse do të keni propozim për të qenë ju një prej kandidatëve për Tiranën do ta pranonit?

Zgjedhjet në sistem demokratik janë esenciale dhe vetëm nëse kemi rënë në dorë të një sistemi tjetër, atëherë mund t’i dyshojmë që s’mund të zhvillohen. Detyra jonë si opozitë dhe si deputetë të zgjedhur, është që të përpiqemi të bëjmë të pamundurën për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të çliruara nga bandat dhe kriminelët, si dhe të inkurajojmë e motivojmë shqiptarët të dalin në zgjedhje me alternativën tonë, kushdo të jetë ai/ajo.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura