EKSKLUZIVE/ Kërcënimi me pagat te Kukësi, Shkurtaj i përgjigjet Gjicit: Rrogat nuk duhen vënë në diskutim…

Nov 19, 2019 | 8:21
SHPËRNDAJE

Vasil Shkurtaj është pa dyshim lojtari kryesor i Kukësit, e një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar. Me 7 gola në 9 ndeshje të luajtura, 27-vjeçari tregoi se është i domosdoshëm për Kukësin. Në momentin më të mirë ai u dëmtua dhe i mungoi ekipit në tri ndeshjet e fundit. 

Shkurtaj

Tashmë sulmuesi ka nisur stërvitjen me skuadrën e kërkon të jetë sa më shpejt i gatshëm për trajnerin Duro. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Vasil Shkurtaj tregon për dëmtimin e tij, se si e ka parë ekipin gjatë këtyre javëve, si dhe çfarë pret në vijim. Sulmuesi u premton tifozëve të Kukësit dhe presidentit Gjici se ai dhe e gjithë skuadra do të bëjnë gjithçka që ekipi të jetë aty ku duhet dhe për këtë arsye të gjithë po punojnë fort.

Sa u përket rrogave që kreu i klubit tha se nëse nuk do të ketë rezultate, futbollistëve mund t’u mbahen pagat, Shkurtaj thotë se ato nuk duhet të preken, por gjithsesi është e drejtë e presidentit. Sulmuesi beson shumë te rikthimi i fuqishëm i ekipit, e për këtë ai jep recetën.

Disa javë jashtë fushave, pse ju mbajti kaq gjatë ky dëmtim? 

Kuadricepsi është muskuli themelor edhe do kohën e vet që të shërohet mbas një kontraktimi të fortë. Akoma, edhe tani mbas kaq ditësh, nuk jam 100%, dhe pse po bëj maksimumin në aspektin e terapive mjekësore të ndërthurura me programin stërvitor.

Si ju është dukur ekipi këtë periudhë që e keni parë nga jashtë dhe çfarë mendoni se nuk ka funksionuar?

Në këto 3 ndeshje kanë munguar shume lojtarë të rëndësishëm të ekipit, Abazaj, unë, Limaj, Musta, kapiteni Musolli me Laçin, megjithatë ekipi ka luftuar edhe besoj meritonte më shumë pikë. Me Laçin për shembull nuk duhej të jepej ajo penallti, për mendimin tim. Do flisnim ndryshe sot nëse ai episod mjaft i dyshimtë do të gjykohej drejt.

 Fakti që edhe Partizani ka pasur oshilacione, është një ngushëllim për ju? 

Nuk është vetëm Partizani, edhe Tirana barazoi, Teuta gjithashtu. Por, ne duhet të përqendrohemi në ndesh jet tona. E kam thënë edhe më përpara, kundërshtari ynë është vetvetja.

Safet Gjici

Presidenti Gjici pret kthesën, madje ka thënë se nuk ka rroga po nuk fituat. Cili është komenti juaj?

Presidenti ka investuar, dhe patjetër kërkon rezultate, por të jetë i sigurt që të gjithë ne jemi në të njëjtën njësi vale. Edhe ne të gjithë kemi të njëjtin objektiv. Do bëjmë gjithçka në fushë për të arritur rezultatet e duhura dhe për të realizuar objektivat e klubit. Sa u përket rrogave, mendimi im është se nuk duhet të vihen në diskutim, por është presidenti ai që vendos.

Sa e ndien ekipi presionin e rezultateve? 

Presion ka, por si futbollist profesionist në një ekip që pretendon për kampion, duhet ta pranosh.

SKERDILAID SULOZEQI 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura