EKSKLUZIVE/ Kapiteni Batha: Merituam gjithçka ndaj Vllaznisë, ja sekreti i goditjeve të dënimit

Mar 1, 2021 | 9:59
SHPËRNDAJE

Idriz Batha është lideri i Tiranës. Me goditjen e dënimit, kapiteni i bardhebluve i hap rrugën fitores. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Vllazninë, mesfushori rrëfeu se si e pa ndeshjen dhe çfarë duhet të presin tifozët nga skuadra kampione.

Batha Tirana-Laci

Pas disa takimesh me humbje, ia dolët që të mundnit skuadrën e parë në renditje, duke fituar derbin e Shqipërisë?

Ishte një fitore e merituar për ne, kjo për më tepër se luajtëm me ekipin që po udhëheq me meritë kampionatin. Dhe kur merr pikët maksimale me ekipit e forta, ke më shumë siguri për të ardhmen.

Cili ishte çelësi i fitores?

Mendoj se e kemi filluar lojën me më shumë dëshirë se Vllaznia dhe luajtëm me më shumë dëshirë sesa ata. I fituam të gjitha dyluftimet, ishim më agresiv dhe më të qetë në përdorimin e topit.

Objektivi i Tiranës është titulli kampion apo një vend që të çon në Kupat e Europës?

Ne nuk po shikojmë drejt titullit apo të mendojmë për Kupat e Europës. Ne po i marrim ndeshjet një nga një dhe nuk duam që të fusim aspak presion për një gjë të tillë. Ne nuk mendojmë titullin, por mund të them se ekipet që janë më lart në renditje janë më të favorizuara për titullin e kampionit.

Mjeshtër në goditjet e dënimit, shënoni golin e radhës?

Goditjet e dënimit janë pjesë e fatit, por edhe asaj që unë dhe të tjerë në skuadër aplikojmë në stërvitje.

Si e shihni Vllazninë në të ardhmen?

Pjesa më e vështirë tani ka filluar për Vllazninë, pasi dihet që tani po e marrin seriozisht dhe ajo po sulmohet edhe më shumë nga ekipet, por shkodranët sërish i kanë të gjitha mundësitë, kampionati është i gjatë dhe nuk dihet.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura