EKSKLUZIVE/ Kaos te Liga, Libohova paralajmëron dorëheqjen. Laska debat me tone të ashpra kundrejt kreut

Feb 20, 2020 | 14:38
SHPËRNDAJE

Liga Profesioniste e Futbollit nuk është aspak një bashkim i të gjitha ekipeve të elitës në vendin tonë. E nëse nga mbledhja në mbledhje priten hapa para që vetë klubet të përbëjnë bashkësi dhe jo vetëm të marrin ngadalë detyrat që u takojnë për organizimin e garës, edhe të kenë mundësinë që të ngrenë zërin kundrejt FSHF-së, nëse ka çështje që u cenohen. “Panorama Sport” ka mësuar se mbledhja e djeshme ka dështuar në qëllimin për të caktuar sekretarin e përgjithshëm të Ligës. Madje, në takimin e djeshëm të klubeve të pranishme, debati i ka kaluar caqet e diskutimit etik.

liga profesioniste fshf

MBLEDHJA 

Edhe në mbledhjen e djeshme, Liga nuk ka qenë një unitet mes të dhjeta klubeve. Të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Kukësit, Tiranës Teutës, Laçit, Luftëtarit dhe Skënderbeut. Ndërkohë, për të disatën herë radhazi, në mbledhje mungojnë përfaqësues të ekipeve si Partizani, Flamurtari, Vllaznia dhe Bylisi. Qartazi, klubet nuk janë në unitet dhe nuk po kontribuojnë që Liga të ecë përpara dhe strukturat e saj të mund të ndërtohen në pikën që të jenë të afta për të menaxhuar garën në të ardhmen.

DEBATET 

Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se mbledhja e djeshme ka qenë e tensionuar. Ndër të tjera, një debat është zhvilluar mes presidentit të Laçit, Pashk Laska, dhe presidentit të Ligës, Edvin Libohova, ku edhe është tejkaluar norma etike e diskutimit. Ndër kritikat e adresuara të numrit një të kurbinasve ka qenë fakti se Libohova nuk po mbron interesat e klubeve dhe nuk po e bën si duhet përfaqësimin e ekipeve të Superiores kundrejt federatës.

edvin libohova

DORËHEQJA

Pas këtij debati, mësohet se Laska është larguar nga mbledhja. Kjo situatë ka bërë që presidenti i Ligës në përfundim të mbledhjes të shprehë edhe shanset për dorëheqje. Nga ajo që ai ka komunikuar me klubet e pranishme, u ka bërë me dije se nuk mund të vazhdojë më në të tilla kushte për një detyrë në të cilën ai nuk është futur për qëllime personale, por për të mbrojtur dhe ndihmuar klubet.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura