EKSKLUZIVE/ Josa i përgjigjet Bajkos: Tirana nuk ka qenë ekip Partie, vendin e drejtonte edhe ushtria

May 21, 2020 | 10:11
SHPËRNDAJE

Mirel Josa është i bindur që Tirana e ka merituar në fushë titullin kampion në vitin 1989. Ish-futbollisti i shquar i bardhebluve dhe i Kombëtares në ato vite pohon se çdo skuadër e kryeqytetit në periudha të caktuara ka pasur mbështetjen jo vetëm të publikut, por edhe të instancave që i drejtonin. Por, mohon kategorikisht që Tirana të ketë qenë e preferuara e Partisë apo të ketë fituar një trofe pa meritë.

Josa

“Tiranës nuk i kanë falur asgjë. Gjithçka e kemi fituar me meritë dhe me sakrifica”, thotë Josa në intervistën për “Panorama Sport”. Më tej, i jep edhe një përgjigje Neptun Bajkos: “Në monizëm nuk drejtonte vetëm Partia, por edhe ushtria me policinë… Nuk mund të thuash kurrsesi që Tirana ishte ekip i privilegjuar. Është e padrejtë”, shprehet Josa, një ndër trajnerët më fitues të dekadave të fundit.

Josa, ka një debat së fundmi për titullin e vitit 1989. A përfitoi Tirana nga penalizimi që iu bë disa lojtarëve të Partizanit?

Unë e mbaj mend mirë se çfarë ka ndodhur e çfarë jo. Nuk mendoj se është kështu. Po ju flet një njeri që atë titull e ka jetuar dhe e ka fituar në fushë.

Nga kampi i Partizanit pretendojnë që janë shpikur teste vetëm për të kuqtë. Ju keni bërë teste?

Natyrisht që kemi bërë. Të gjithë… Testet ishin shpikur më parë, jo atëherë. Në atë periudhë në drejtimin e ekipit kombëtar pritej të vinte një trajner gjerman dhe me sa mbaj mend unë testet u shpikën për këtë arsye. Deri atëherë bëheshin dy herë në vit.

Po, por sipas Perlat Mustës, atë vit u bënë tri teste dhe pati tendencë për të dënuar disa lojtarë të dalluar të Partizanit, çka më pas i penalizoi në rrugën drejt titullit…

Atë vit mund të jenë bërë tri herë testime, por unë nuk mendoj se ka qenë kjo arsyeja. Shifrat dhe statistikat janë aty: thuajse gjatë gjithë kampionatit ne kemi qenë në kryesim. Tiranës nuk i ka dhuruar asnjeri asgjë. Megjithatë, Perlati ka mendimet e veta. E lexova intervistën e tij në “Panorama Sport”, sepse unë e blej gazetën. Jam i qartë për të gjitha pretendimet dhe opinionet që janë shprehur ditët e fundit, por unë nuk besoj se këto gjëra janë bërë për arsye që Partizani të mos ketë ecuri të mirë gjatë kampionatit.

Ndërkaq, edhe profesor Bajko ka dyshime të forta se ka pasur penalizime dhe dënime me hile që të mos dilte Partizani kampion, sepse nuk luanin dot në Europë pas ngjarjes në Portugali. Ju, si mendoni?

Nuk më duket bindëse kjo. Natyrisht, secili ka mendimin e tij sipas njohurive që ka. Por, sa për ilustrim, ne të gjithë e dimë se dënimi ka ardhur në shtator të vitit 1987. Madje, para ndeshjes kundër Benfikës, është luajtur Partizani-Tirana dhe kemi fituar ne me rezultatin 3-1. Më pas është nisur Partizani drejt Portugalisë për përballjen me Benfikën. Ndërsa tani flitet për dy sezone më pas, titullin e vitit 1989. Bëjini vetë llogaritë…

BAJKO-JOSA

Po, por Bajko thotë që Partizani vazhdonte të ishte i dënuar nga UEFA dhe dyshon se ka pasur “kalkulime” nga zyrtarët e lartë që drejtonin sportin që ta evitonin daljen e të kuqve kampion, pasi nuk luanin dot në Europë…

Vazhdimi i vuajtjes së dënimit nga UEFA është normale që mund të ketë qenë në fuqi, por nuk mund të them që kjo është bërë që Partizani të mos dilte kampion. Në luftë për titull ka qenë edhe Dinamo. Dhe ne jemi mundur 0-1 nga Dinamo. Madje, kjo ka qenë para se ekipi kombëtar të shkonte në Angli. E meqë ra fjala te dënimet, po ju them se ndëshkime nuk ka pasur vetëm për lojtarët e Partizanit, por për të gjithë.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura