EKSKLUZIVE/ “Jam i pafajshëm”- Fjalët e fundit të Kadri Hazbiut para ekzekutimit. Dëshmia tronditëse: E çuan aty të vdekur

Aug 4, 2021 | 23:12
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Goditja e Kadri Hazbiut, ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, ka qenë ndër më të bujshmet në historinë e spastrimeve nga radhët e lidershipit komunist.

Kadri Hazbiu, në gjyq
Kadri Hazbiu, në gjyq

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Njeriu që i kushtoi jetën luftës kundër tradhtisë, agjentëve e agjenturave, të shpallura të tilla nga regjimi dhe kaloi në gijotinë përfaqësuesit e tyre, më në fund mbeti edhe vetë viktimë e këtij mekanizmi vrastar, duke u goditur fatalisht si të gjithë “armiqtë e partisë dhe të pushtetit popullor”.

Metamorfoza “Hazbiu” u shfaq menjëherë pas aktit tragjik të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, vetëvrasja misterioze e të cilit e vuri emrin e tij në listën e të dyshuarve kryesorë të grupit famëkeq që do eliminonte Enver Hoxhën.

Gjithçka pas kësaj iu nënshtrua rrjedhës së spastrimeve që partia u bënte “tradhtarëve” dhe “agjentëve potencialë”, të dalë nga radhët e liderëve të rëndësishëm.

Përtej sqarimit zyrtar, sipas të cilit ish-ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Brendshme kishte qenë agjent i KGB-së dhe agjenturave të tjera, autoritetet artikuluan akuza nga më të çuditshmet për të përligjur ndëshkimin fatal të njeriut të dekoruar si askush për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe Enver Hoxhës.

I ekzekutuari i fundit nga shpura e protagonistëve historikë të komunizmit shqiptar, Kadri Hazbiu, u përball me një proces nga më të bujshmit e epokës së komunizmit. Çuditërisht, dosja e tij me mijëra faqe, përveç procedurave standarde, përmban mjaft dilema, mistere e kundërshti.

PROCESI ME NUMRIN MË TË MADH TË DËSHMITARËVE

Procesi ndaj Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë të Sigurimit të Shtetit ka qenë procesi me numrin më të madh të dëshmitarëve. Mbi 250 syresh të përzgjedhur nga drejtuesit e Policisë Sekrete dhe grupi i hetuesve të caktuar për çështjen në ngarkim të pjesëtarëve të “organizatës antirevolucionare”, kanë ardhur nga vise të skajshme dhe kanë pohuar njeri pas tjetrit mbi fajësinë e të pandehurve.

Mjaft prej tyre, pas ekzekutimit të Hazbiut, janë shpërblyer në mënyra të ndryshme.

Pjesa e dëshmitarëve nga radhët e ushtarakëve janë katapultuar me detyra të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme. Të tjerë janë mjaftuar me dekorimet e radhës, ndonjë bursë për fëmijët apo me marrjen e një banese jashtë radhe. Ka qenen mesnata e 9 shtatorit 1983 kur Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës. Së paku, kështu e ka dokumentuar në dosjen përkatëse shpura e të besuarve për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Procesverbali për ekzekutimin e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit e Llambi Ziçishtit mban firmën e Rrapi Minos, Zylyftar Ramizit, Agron Tafës, Afuz Muratit, Nevzat Viganit dhe Nikolla Shkurti. Po çfarë pohojnë nënshkruesit e këtij dokumenti gjithsesi zyrtar?

DOKUMENTI

(Procesverbal për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë) Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSSH-së, me shkresën nr.1582/1, datë 9 shtator 1983, nuk ua fali jetën të dënuarve: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti. Të dënuarit mbasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit Popullor ua refuzoi kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti nuk thanë gjë.

Mbas këtij veprimi, në orën 24:00 të datës 9 shtator 1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti. Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë prokurori i Përgjithshëm, shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficer Nikolla Shkurti.

POHIME TË TJERA

Pavarësisht tekstit që përmban dokumenti për epilogun e procesit “Hazbiu”, nga dëshmitarë të ngjarjes kanë qarkulluar zëra që e kundërshtojnë, së paku pjesërisht versionin e nënshkruar sipas rregullit të detyrës. Ka pohime nga ishgardianë të burgut “313”, sipas të cilëve Kadri Hazbiun, ministri më jetëgjatë të Ministrisë së Brendshme, në vendin e ekzekutimit, e kanë çuar të vdekur.

Ka ndër ta që thonë se Hazbiu ka ndërruar jetë nga torturat, por ka të tjerë që pohojnë se ekzekutimi i tij është bërë fshehurazi në qeli nga njëri prej krerëve të Sigurimit, për të shmangur pështjellimin në radhët e efektivave të emëruar dikur nga Kadri Hazbiu e të urdhëruara së fundi për të ekzekutuar atë. Sidoqoftë, mënyra si u eliminua ish-ministri historik i Sigurimit të Shtetit, ka qenë një nga ngjarjet më të mistershme të regjimit të diktaturës komuniste.

ARGUMENTE E KUNDËRSHTI

Pjesa që mbështet variantin zyrtar të ekzekutimit të Hazbiut nga skuadra e pushkatimit në Linzë, ndër të tjera sjell për argument një gjurmë plumbi pas kokës. Të tjerët e vlerësojnë këtë një alibi dhe këmbëngulin në opsionin e tyre. Për ta, fakti që pjesëtarë të skuadrës së pushkatimit, si rrallëherë tjetër, kanë qenë vetë krerët e Sigurimit të Shtetit të kryesuar nga kryeprokurori, hedh dritë në pasaktësinë e dokumentit për ekzekutimin e Hazbiut.

Ndërkaq, ka dëshmitarë të tjerë që pohojnë se gjatë ekzaminimit të eshtrave të ish-ministrit në vitin 2000, janë konstatuar gjurmë të plumbave në shpinë dhe në pjesën e pasme të këmbëve. Një ishgardian i burgut “313” e lidh misterin e vrasjes me vizitën e beftë të njërit prej zëvendësministrave të Brendshëm në qelinë e Hazbiut mesnatën e 8 shtatorit, kur kishte mbërritur urdhri i Hekuran Isait për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Në përgjigje të interesimit të gazetës, nënshkruesit e dokumentit të ekzekutimit që jetojnë, hezitojnë të flasin, duke na kujtuar arkivat dhe dokumentet e kohës(!) Sakaq, dëshmia e Rrapi Minos, ish-prokuror i Përgjithshëm, për “Panorama”, i cili pohon se me Hazbiun është ndarë në qeli, ku i ka komunikuar vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte verdiktin e Gjykatës së Lartë për dënimin e tij me vdekje, të lë të kuptosh se te vendi i ekzekutimit Kadri Hazbiu ka qene i vdekur!?

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Nga “Tezja” e “Baxhanaku”, te “Lali Hekri”! Ish-shefi i Ndërlidhjes: Ju tregoj pseudonimet e ish-Byrosë! Hekuran Isai shkonte natën i dehur dhe rrihte Kadri Hazbiun në qeli (PJESA 7)

EKSKLUZIVE/ Nga maja e piramidës, para togës së pushkatimit! Ish-shefi i Ndërlidhjes zbulon prapaskenat: Kush ishte ‘mysafiri’ misterioz që fundosi ish-ministrin Kadri Hazbiu (Pjesa e 6)

EKSKLUZIVE- “Pakti i prishur me Ramizin”/ Ish-shefi i Ndërlidhjes në Bllok tregon sekretet: Kadri Hazbiu ra në kurth. Ja pse u rrëzua emri i tij për Kryeministër (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ Zbulohet për herë të parë dokumenti sekret, Enver Hoxha propozoi Kadri Hazbiun për kryeministër, por më pas ndryshoi qëndrim: Mehmeti gënjente shokët, i mbante në fre, kurse….(PJESA 4)

“Nga radioja sekrete te letra e CIA”, ish-shefi i Ndërlidhjes tregon prapaskenat në Bllok pas vdekjes së Mehmet Shehut. Porosia e Hekuran Isait për të gjetur antenën në shtëpinë e kryeministrit (PJESA 3)

‘Ju rrëfej përgjimet në Bllok’- Flet ish-shefi i Ndërlidhjes: Djali i Mehmet Shehut kishte ngritur një laborator sekret! Plani me Vladimirin për të ndërtuar… (pjesa 2)

“Dy rastet e përgjimeve të Mehmet Shehut!”- Rrëfehet ish-shefi i Ndërlidhjes: Si e zbuluam spiunin në Bllok dhe ndërhyrjet në kabinën sekrete! Ju tregoj shakanë e hidhur të Ramiz Alisë (pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/