Ekskluzive/ Izet Haxhia: Roli i Jaho Mulosmanit në vrasjen e Azemit, Klosi e përdori si ndërmjetës me Haklajt (e plotë)

Mar 15, 2018 | 20:29
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Ish-truproja personal i Sali Berishës, Ismet Haxhia, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama”, nga Turqia, rrëfen ofertat që ka pasur nga ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi, për të dëshmuar kundër Berishës në gjyqin për vrasjen e Azem Hajdarit.

mulosmani,-haxhia

Në pritje të ekstradimit për në Shqipëri, në funksion të vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë turke, Haxhia akuzon ish-kreun e SHIK-ut, Fatos Klosi dhe ish-Presidentin Sali Berisha, si dy njerëzit kryesorë që u angazhuan për eliminimin fizik të ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari. Haxhia akuzon edhe të dënuarin përjetë për vrasjen e Azem Hajdarit, Jaho Mulosmanin, si njeri të përdorur nga Klosi kundër vëllezërve Haxhia për të ngarkuar fajësinë për vrasjen e Hajdarit.

A është e vërtetë që ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ju ka ofruar 100 mijë dollarë për të dëshmuar kundër Berishës në gjyqin për vrasjen e Azem Hajdarit?

Këtë pazar të ndyrë që ka dashur të bëjë Fatos Klosi, e kam mësuar shumë vonë sepse vëllai im, duke më njohur dhe ditur që unë nuk bëj pazare kurrë, qoftë edhe kundër denoncuesit tonë Berisha, nuk ma ka përmendur deri vonë, madje këtë e kam mësuar nga vëllai tjetër, Isamedini, pasi doli nga burgu. Por nga Klosi, me anë të njerëzve të tij gjatë kohës së gjyqit, ka tentuar të hyjë në kontakte me mua, duke kërkuar që të bëjë pazare me të, duke dëshmuar në gjyq kundër Berishës si urdhërues të vrasjes së Hajdarit, por është refuzuar në mënyrë kategorike nga ana ime, dhe tani Klosi, në çoroditje e sipër, deklaron se ato që them unë nuk vlejnë më, sepse duhet të kisha dëshmuar në kohë, pra, sipas orientimit të pazareve të tij, të cilat do të më siguronin daljen e vëllezërve nga burgu dhe largimin tonë në Amerikë.

A është e vërtetë që janë orientuar dëshmitarët për të folur kundër Berishës në gjyqin ndaj Azem Hajdarit nga Klosi, siç pretendon vëllai juaj, Ismeti?

Gjyqi “Hajdari” ka qenë komplet një inskenim dhe dirigjim nga Fatos Klosi nga njëra anë dhe Sali Berisha nga ana tjetër. Prokurorët e kësaj çështjeje, një ditë, shkonin në zyrën e Klosit dhe ditën tjetër në atë të Berishës. Nuk ka pasur orientim të dëshmitarëve që të dëshmonin kundër Berishës, por ka pasur sajime dëshmitarësh të rremë nga Klosi dhe Berisha që të dëshmonin kundër meje dhe vëllezërve të mi. Muldaka ka qenë një dëshmitar i rremë, i përgatitur nga Klosi, ndërsa Petrit Çakrraj, një vrasës dhe mashtrues ordiner, që pas shumë kërkimeve e propozimeve nga Klosi për të gjetur ndonjë tropojan në burgje që të dëshmonte kundër nesh, me anën e njerëzve të Berishës iu servir grupit të prokurorëve, ky mashtrues e vrasës, i cili, në kohën që është vrarë Hajdari, ndodhej jashtë Shqipërisë. Pra, gjithë orientimet e dëshmitarëve kanë qenë që të dëshmojnë kundër nesh. Edhe dorëzimi i Jaho Mulosmanit me ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë të Klosit është bërë që të më fajësojë mua si personi që kam ndihmuar në vrasjen e Hajdarit dhe po të mos kisha qenë unë, Azemi do ishte gjallë. Skenarë kryekëput të Fatos Klosit.

Si është e mundur që Klosi dhe Berisha u bënë bashkë për këtë çështje, kur ata ishin kundërshtarë të njëri-tjetrit, dhe, sipas vëllait tuaj, Klosi donte ta eleminonte Berishën?

Bashkëpunimi në çështjen “Hajdari” mes Sali Berishës dhe Fatos Klosit, edhe pse armiq, është shembulli më i qartë se si kanë funksionuar aleancat mes klaneve politike, edhe pse kundërshtare, këto 28 vjet në Shqipëri. Sipas parimit “Të bashkohemi kundër armikut të përbashkët, edhe pse vetë jemi armiq”, ka bërë bashkë gjithmonë ata kundër atyre që i quanin rrezik për të dyja palët. Në këtë mënyrë janë bashkuar edhe në eliminimin e Haklajve dhe shumë personave të tjerë, që mund t’u prishnin punë dy palëve ose dilnin jashtë kontrollit të këtyre klaneve mafiozo-politike.

A ka rol Fatos Klosi në trazirat e 14 shtatorit, që ndodhën dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Po Berisha çfarë roli ka pasur në ato trazira dhe cili ka qenë sugjerimi i tij në veprimtarinë tuaj në ato ditë?

Klosi, duke qenë një i zgjedhur i klanit të Rexhep Meidanit që ishte në luftë për pushtet me Fatos Nanon, ka pasur rolin e tij në 12 dhe 14 shtator, me veprimet dhe mosveprimet e tij. Me anë të patriotit dhe mikut të tij, Kastriot Islami kërcënonin e frikësonin Fatos Nanon që të arratisej, duke i vënë në tavolinë zarfin me plumb se, sipas tyre, Nano do të vritej nga rebelët e PD dhe nga ana tjetër, me anë të provokatorëve të SHIK-ut në radhët e demonstruesve, i hidhte benzinë konfliktit dhe akteve të dhunës kundër shtetit. Ndërsa Berisha ka qenë organizatori i këtij grushti shteti sepse që natën e 12 shtatorit, ai ka grumbulluar rreth 30 vetë në selinë e Partisë Demokratike dhe ka deklaruar që duhet të hakmerremi për vrasjen e Azemit. Planet e grushtit të shtetit janë vënë në zbatim nga pjesëtarë të SHIK-ut të Gazidedes, por ka pasur edhe përfshirje të forcave të FARKUT të Bukoshit, të instaluara në Laprakë.

Jeni takuar ndonjëherë me kreun e SHISH, Fatos Klosin, dhe çfarë bisedash keni pasur me të?

Me Fatos Klosin nuk jam takuar asnjëherë në jetën time. Veçse jam ndeshur ballë për ballë kur po dilja nga një restorant në dalje të Fushë-Arrësit, në qershor 1998, kur po kthehesha nga Tropoja në Tiranë. Klosi ka qenë i shoqëruar nga Mariza Lino, ambasadorja e USA në Tiranë dhe disa persona të tjerë, në mes tyre, siç e mësova më vonë, edhe shefi i atëhershëm i CIA-s, George Tenet. Në këtë përballje më ka përshëndetur me emër ambasadorja amerikane, Mariza Lino, dhe Fatos Klosi, pak i shtanguar, më pyeti nëse mund të hynin dhe të drekonin në restorantin nga ku dola unë. I sqarova se nuk është restoranti im duke qeshur, i habitur nga kjo pyetje pa kuptim që më bëri Klosi dhe u largova. Ky ka qenë momenti i parë dhe i fundit që jam përballur me Fatos Klosin. Në vendimin e gjyqit për vrasjen e Azem Hajdarit, ju jeni dënuar nga Gjykata me motivin se keni qenë personi që ka nxjerrë Hajdarin në pritë.

Vëllai juaj ka deklaruar se ka qenë vetë Berisha që i ka thënë Azemit të dalë jashtë. Si është e vërteta?

Në vendimin e Gjykatës jam dënuar, pasi, sipas akuzës, unë kam thirrur me telefon Azem Hajdarin dhe e kam nxjerrë nga PD dhe më pas ai është vrarë. Po presupozojmë se kjo akuzë është e vërtetë. Por fillimisht duhen sqaruar shumë gjëra. Në radhë të parë, ku është telefoni i Azem Hajdarit? Kush e zhduku atë? Pse nuk iu paraqit si provë trupit gjykues nga ana e prokurorëve? Nga cili numër telefoni e thirra unë Azem Hajdarin? Cilat ishin dhjetë telefonatat e fundit që ka bërë Hajdari? Me kë ka folur? Kush e thirri me urgjencë të vinte fillimisht nga Lushnja dhe më pas nga Shijaku në Tirane? Çfarë fuqie kisha unë mbi Hajdarin që ta thërrisja aty, kur shumë mirë mund të shkoja në zyrën e tij, që ishte larg vetëm 50 metra nga vendi ku u vra? Tani unë pyes Sali Berishën. A ka pasur dijeni që në makinën me targa Vlore, që ishte parkuar para selisë së Partisë Demokratike, ishte Fatmir Haklaj? Çfarë i ka thënë mbesa e tij, Shpresa Breçani, që u ngjit në zyrën e tij dy herë para se Berisha ta thërriste Azem Hajdarin në zyrë e t’i thoshte: Dil dhe shiko çfarë është ajo makinë me targa Vlore në krah të PD. Përse heshti Linda Ihsani që ishte dëshmitare në këtë bisedë dhe më vonë vdiq në mënyrë të papritur? Pse nuk tregon të vërtetën Genc Pollo që ka qenë edhe ai i pranishëm në këtë bisedë? Azem Hajdari, para se të vritej, ka dalë me porosi të Sali Berishës nga zyra e Berishës për të shkuar drejt makinës, ku edhe gjeti vdekjen. Azem Hajdari nuk ka dalë nga zyra ime sepse unë nuk kam pasur kurrë zyrë ku të prisja dhe përcillja njerëz në Partinë Demokratike.

Klosi ka deklaruar se vrasja e Azemit erdhi pas konfliktit me Haklajt, por sipas tij, edhe Berisha kishte interes ta eliminonte. Si qëndron sipas jush e vërteta?

Vrasja e Azem Hajdarit është e ndërlidhur me shumë interesa, por qëllimi i saj kryesor ka qenë rrëzimi i qeverisë “Nano” për t’i hapur rrugën një Kryeministri të klanit Meidani. Nano duhej rrëzuar sepse po pengonte trafikun e armëve në drejtim të Kosovës që ishte monopol i ‘grupit të Rognerit’ të mbështetur fuqimisht nga SHIK-u dhe Fatos Klosi. Për të gjetur vrasësit, u përdorën intrigat e Klosit te Haklajt, duke trilluar tek ata se vëllai i tyre ishte vrarë nga Azem Hajdari dhe PD. Në gjithë këto ndërmjetësime të Klosit e ‘grupit të Rognerit’ me Haklajt janë bërë nga Jaho Mulosmani, njeri i besuar i Klosit, që hynte e dilte në zyrën e kreut të SHIK-ut si në shtëpinë e vetë. Janë po këta persona që strehuan Mulosmanin në Kosovë dhe kur iu desh Fatos Klosit, ia dorëzuan në këmbim të dërgimit të familjes së tij në Amerikë. Mulosmanit iu premtua se do të dënohej jo më shumë se dhjetë vjet burg, vetëm që të dëshmonte në gjyq kundër meje. Sa i takon Sali Berisheës, ai ka pasur dijeni për këtë skenar të vrasjes së Hajdarit dhe iu paraqit rasti i artë që të eliminonte kundërshtarin kryesor në parti, duke e nxjerrë në pritë natën e 12 shtatorit.

*Kjo intervistë është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i saj nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura