EKSKLUZIVE/ Ismet Haxhia tregon takimet: Fatos Klosi na ofroi 100 mijë USD për dëshminë e Izetit kundër Berishës (e plotë)

Mar 3, 2018 | 13:08
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI / Ismet Haxhia, vëllai i Izet Haxhisë, i cili kreu 15 vjet burg i akuzuar në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzon ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi se i ka ofruar 100 mijë dollarë që Izet Haxhia të dëshmonte se ishte Sali Berisha urdhëruesi për vrasjen e Azem Hajdarit.

klosi-haxhia

Në një replikë me Fatos Klosin, dhënë gazetës “Panorama”, Ismet Haxhia shprehet se ka qenë fatos Klosi që ka dashur ta përfshinte në një skenar për vrasjen e Sali Berishës gjatë një mitingu në Vlorë, por që e ka refuzuar. Sipas tij, dënimi i vëllezërve Haxhia ka qenë një inskenim i Fatos Klosit.

Në një intervistë dhënë për “Panorama”, ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, është shprehur se ju i keni kërkuar atij ndihmë për t’u larguar nga Shqipëria familjarisht, gjatë kohës që kryhej procesi i hetimit për vrasjen e Azem Hajdarit. Ku donit të shkonit?

Vetëm të vërteta nga goja e Fatos Klosit nuk kam dëgjuar të dalin. Ai mashtron me faktin që ka qenë drejtor i SHISH dhe mendon se ato që thotë janë të besueshme dhe të vërteta.

Kur jeni takuar ju me të?

Unë jam takuar me Fatos Klosin qershorin e vitit 2000 dhe më ka kërkuar që të takoj vëllain tim, Izetin. Ai ka qenë me një zv.drejtor të CIA-s, siç thoshte ai, prezente ka qenë dhe një Marika Kazulli, e cila ishte ndërmjetësuese e këtij takimi. Ajo tani ka vdekur dhe ai manipulon si të dojë me këtë histori. Kemi qëndruar 2 orë në një lokal në Marikaj. Fatosi insistonte që të takonte vëllain tim, në prani të atij amerikanit, në mënyrë që Izeti të depononte kundër Sali Berishës, që ta arrestonte më pas Saliun.

Kjo, pasi atij i dështoi vrasja e Berishës në Vlorë. Snajperi që përmend Fatos Klosi është histori e vërtetë. Ai është përpjekur që të më lerë në dorë një snajper në dy rrugë: nëpërmjet një spiuni tjetër, që e përdorte dhe ai ishte te baza e SHIK-ut te Pazari i Ri dhe përmes Marika Kazullit.

Përmes Marika Kazullit, Fatos Klosi më ofroi 20 mijë dollarë, që unë të blija një snajper dhe t’ia çoja më pas Fatos Klosit. Por unë nuk isha budalla dhe i them Marikës se Fatos Klosi nuk ka mbetur keq që të sigurojë snajpera përmes meje, ai i merr me maune. Ai donte të më linte në dorë snajperin, të bënte qitje me atë pushkë, të mbante gëzhojat dhe të ma kthente përsëri që të ma gjenin mua armën që ai donte të vriste Sali Berishën. Unë po të doja, i fusja në qorrsokak, mbaja snajperin, Fatos Klosi do të realizonte atentatin ndaj Berishës në Vlorë dhe do vinin të gjenin snajperin tek unë, si vëllai i Izet Haxhisë, oficer policie etj., etj..

Unë mund ta kisha hedhur snajperin në det dhe nuk do gjenin dot armën, ndërsa Fatos Klosit do t’i mbeteshin gëzhojat në dorë, por dhe pasojat e krimit që do vinin pas saj. Vëllait do t’i thosha dorëzohu në postën më të afërt në Turqi dhe nga vëllezërit Haxhia nuk do të kishte asnjë përfshirje në skenarin e Klosit.

Por unë nuk doja të bija pre e skenarit kriminal politik të Fatos Klosit. Mua më vinte turp që t’i thosha vëllait tim që Klosi kërkon që ti të deponosh kundër Berishës, me qëllim arrestimin e tij. Pas tre muajsh, Fatosi doli me tregimin se Izeti është parë në zonat e Veriut dhe përmes kësaj donin të trembnin Berishën me Izetin dhe Jahon, sepse ishte kohë fushate zgjedhore. Nuk ka ndodhur kurrë që Izeti të jetë takuar ndonjëherë me Jaho Mulosmanin. Fatosi ofronte mbrojtje të Izetit, do të jepte dhe 100 mijë dollarë dhe do siguronte ikjen tonë në Amerikë.

Këtë premtim për marrje në mbrojtje apo paratë si garanci, jua ka thënë ndërmjetësja?

Jo, jo, këtë ma ka thënë direkt Fatos Klosi. Në çantën e Marika Kazullit ishte regjistruesi i bisedës tonë. Në fund të muajit korrik, përmes kunatës së Izetit, Fatos Klosi thotë: Fati i Izetit dhe i vëllezërve të tij varet nga dëshmia që do bëjë kundër Berishës. Por ne nuk pranuam dhe bëmë gjithë ato vite burg.

Ju në këtë mënyrë i keni shpëtuar dhe jetën Sali Berishës, jua njeh këtë nder?

Ai është njeriu më i pabesë që mund të ketë! Njeri më mosmirënjohës nuk ka. Im vëlla ia ka shpëtuar kokën në 13- 14 mars 1997, kur donte t’ia mbathte nga Presidenca.

Kur jeni takuar herë tjetër me Fatos Klosin?

Jemi takuar përsëri më 17 janar 2001, por ai nuk e përmend këtë takim se është burracak. Ka qenë dy ditë pas arrestimit të vëllait tim, Isamedinit, i cili doli i pafajshëm. Në atë takim, i kam kërkuar Fatos Klosit që të heqë dorë nga skenarët kundër familjes tonë. Kam bërë çerek ore debat të ashpër me të, në lokalin Red Bull përballë Ministrisë së Drejtësisë që është sot.

Ka pasur dhe persona të tjerë prezentë?

Lokali ishte i mbushur me punonjës të SHISH-it dhe e dëgjonin bisedën se ishte me tone të larta. Në një tavolinë ngjitur ka qenë dhe zv.drejtori i SHISH, me mbiemër Kadëna, që kohë më vonë i ka thënë avokatit tim që Ismeti ishte shumë i revoltuar dhe ata kanë të drejtë se i kanë futur në burg kot.

Po pas daljes nga burgu, me kë jeni takuar?

Pak ditë pas daljes nga burgu më ka ardhur te shtëpia ku banon djali im dy miq të mi. Njëri, një profesor që kam pasur në Shkollën e Partisë dhe një mik i përbashkët imi dhe i Fatos Klosit, të cilin e ka përdorur vazhdimisht për të transmetuar mesazhet apo presionet e tij. Në bisedë e sipër, miku i përbashkët më tha: “Profesori (fjala ishte për Klosin), ka mundësi të vijë të të takojë dhe për të kërkuar falje!”. Unë i kam thënë se nuk mund ta pranoj faljen prej tij, sepse ai na mori jetën me koshiencë të plotë në zbatim të skenarëve të tij politikë. I thashë se nuk dua të merrem me një njeri kaq të ulët sa Fatos Klosi dhe do të bëjë gabim të më dalë përpara, se nuk e di se çfarë mund të ndodhë pas gjithë atyre gjërave, që ka bërë kundër nesh.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura