EKSKLUZIVE/ “Harrojeni që Flamurtari të rrëzohet nga kategoria”, Idrizi: Të miratohet ligji ose …

Sep 17, 2019 | 10:34
SHPËRNDAJE

Administratori i Flamurtarit Sinan Id rizi ka takuar dje Dritan Sadedinin për të diskutuar për situatën ku ndodhet ekipi. Nisja e kampionatit në mënyrën më të keqe në historinë e Flamurtarit ka bërë që administratori Idrizi të reagojë menjëherë. Kreu i klubit duket se i ka dhënë edhe një shans trajnerit Sadedini.

Sinan-Idrizi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Sinan Idrizi thotë se rrugëtimi i trajnerit Sadedini do të varet nga rezultatet që do të ketë. “Zhvillova një takim sot (dje) me trajnerin Dritan Sadedini. Folëm për situatën dhe duhet që ta rishikojmë gjendjen dhe çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo gjendje.

Fillimisht përgjegjësinë për këtë situatë duhet që ta shikojmë te vetja. Janë shumë gjëra në kompleks. Me këto vonesa dhe problematika nuk ka çfarë të bëjë as trajneri. Nuk ishin kushtet ashtu siç duhet në kohën që e mori Sadedini. Me gjithë këto problematika dhe me vonesa në nisje nuk kemi se çfarë t’i kërkojmë më shumë. Përgjegjësia së pari bie te ne dhe pastaj te trajneri dhe stafi. Unë e kam takuar sot (dje) trajnerin dhe folëm për gjithçka.

Rrugëtimi i trajnerit do të varet nga rezultatet. Ne shpresojmë që të ecë mirë dhe të ndryshojë situata. Sadedini do të vijojë të jetë trajneri i Flamurtarit, pasi është një njeri korrekt dhe profesionist. Por, më vonë, në bazë të rezultateve, do të shikojmë. Nuk kemi çfarë masash të marrim. Unë shoh se në ekip ka një frymë të mirë mes lojtarëve dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha fillimisht Idrizi.

LAÇI – Administratori pohoi se me Laçin do të jetë një ndeshje derbi. Idrizi ka shpresa që situata të ndryshojë këtë javë dhe Flamurtari të marrë një rezultat pozitiv. “Me Laçin është një derbi. Gjithmonë kështu e kam cilësuar. Kështu që, unë pres që situata të ndryshojë. Kam bindjen se lojtarët dhe stafi teknik do të bëjnë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, u shpreh administratori.

ZGJIDHJA – Sinan Idrizi shikon si zgjidhje të situatës vetëm ligjin për sportet. Nëse ligji nuk do të dalë, kreu i klubit thotë se duhet që bashkia të marrë masa për detyrimet ndaj klubit. “Unë pres ligjin për sportet që të miratohet këto ditë. Ai ligj është një zgjidhje për këtë situatë të krijuar. Ligji për sportin shpëton futbollin në vend, jo vetëm Flamurtarin. Jam krenar që kam qenë promotor i këtij ligji. Unë e pres të miratohet këtë javë. Nëse nuk miratohet, atëherë bashkia të marrë masa dhe t’u dalë për zot detyrimeve ndaj klubit”, deklaroi administratori.

E ARDHMJA – Administratori deklaron për gazetën se Flamurtari nuk do të bjerë nga kategoria. Idrizi thotë se kampionati sapo ka filluar dhe ka shumë pikë në lojë. “Nuk ka shanse që Flamurtari të dalë nga Kategoria Superiore. Harrojeni këtë! Kampionati sapo ka filluar. Janë shumë pikë në lojë”, vijoi Idrizi.

SOKOL KUSHTA – Sinan Idrizi mbështet qëndrimin e Sokol Kushtës. Kreu i klubit ka vlerësuar deklaratën e Kushtës të bërë në numrin e djeshëm të “Panorama Sport”.

Administratori deklaron se ka zhvilluar dy takime me Kushtën për këtë situatë. “E mbështet totalisht Sokol Kushtën. Me Sokolin kam zhvilluar së fundmi dy takime. Edhe ai është i interesuar për një zgjidhje. Shqetësimet që ngre, janë shumë të drejta”, përfundoi Idrizi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura