EKSKLUZIVE / Hakmarrje e vogël për humbjen rekord, rrëfehet 93-vjeçari Maliqati: Me Hungarinë duhej të fitonim 3-0

Oct 11, 2021 | 23:55
SHPËRNDAJE

Sulejman Maliqati është i vetmi që jeton nga formacioni i Shqipërisë në humbjen më të thellë në histori ndaj Hungarisë në vitin 1950, me shifrat 12-0. Ai është 93 vjeç dhe gëzon shëndet të plotë, ndërsa të shtunën në mbrëmje u kënaq për faktin që Shqipëria triumfoi ndaj një kundërshtari që ka kujtime të hidhura.

sulejman maliqati

“Më pëlqeu Kombëtarja shumë, por Hungaria m’u duk më dobët se ndeshja e parë. E detyruam ne të ishte ashtu apo ishin në ditë të keqe këtë nuk di ta them, por ne e merituam fitoren. Në ndeshjen e parë në Elbasan hungarezët luajtën më mirë, ndërsa ekipi ynë në Budapest mendoi se duhet të fitonim me 3 gola diferencë. Ashtu si shkoi loja humbëm raste dhe mund të kishim bërë të paktën edhe dy gola të tjerë. Gjithsesi, skuadra më pëlqen, sepse ka lojtarë të rinj dhe avash-avash do ta ngrenë nivelin. Kur ka unitet brenda grupit dhe dashuri për skuadrën, rezultati do të vijë”, ka thënë fillimisht ish-portieri i shquar me origjinë nga Kavaja.

Më pas, ai foli për Armando Brojën dhe ndeshjen e radhës me Poloninë. “Broja është djalë i ri, me shumë fuqi. Po dalin shumë talente dhe kjo më kujton kohën e Panajot Panos dhe Agim Muratit. Tashmë luajnë me Poloninë, që është skuadër shumë e fortë. Kështu ka qenë që në kohën tonë. Gjithsesi, unë besoj se i kanë mundësitë të fitojnë, aq më tepër që luajmë në fushën tonë. Kemi një ekip me dinjitet dhe me 6-7 lojtarë që aktivizohen në kampionatet më të forta”, deklaroi Maliqati.

goli broja trashi

HUMBJA REKORD – Ish-portieri i Shqipërisë në vitet ’50-’60 kujton edhe një herë disfatën më të thellë në histori. “Nëse flasim për atë kohë dhe çfarë u bë me futbollin shqiptar ka qenë diçka tjetër. Në vitin 1950 pësuam një disfatë të thellë, por ishte lufta e klasave dhe nuk duhet ta harrojmë. Kemi pasur një plejadë të artë lojtarësh që luajti në Ballkaniadë duke filluar nga Loro Boriçi, Qamil Teliti, Pal Mirashi, Vasil Biçaku, Bahri Kavaja dhe deri te Qemal Vogli. Disa prej çunave që luajtën në atë ndeshje ku humbëm 12-0 ishin shumë të rinj dhe mendoj ka qenë një rezultat joreal. Unë pësova 4 gola, ndërsa Qemal Vogli 8 gola. Një fatkeqësi, sepse në atë ndeshje luajtën futbollistë të rinj për kohën si Skënder Jareci dhe Zihni Gjinali. Ishte kohë tjetër”, kujton legjenda e portës shqiptare.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura