EKSKLUZIVE/ Gjoba për alkoolin dhe kazinotë, zbulohet rregullorja e brendshme te Luftëtari

Oct 31, 2019 | 9:04
SHPËRNDAJE

Klubi i Luftëtarit kërkon të futet në “shina” pas problemeve të shumta që ka pasur gjatë këtij viti. Humbja e fundit në Gjirokastër ndaj Tiranës dhe mbi të gjitha disa precedentë që kanë të bëjnë me disiplinën në skuadër, bënë që drejtuesit e klubit të zhvillonin një mbledhje urgjente me ekipin dhe stafin të martën në ambientet e stadiumit.

luftetari-665x383

Krahas pezullimit të Realdo Filit dhe Andi Renjës, klubi miratoi një rregullore të brendshme, e cila është hartuar në përputhje me rregulloren e Disiplinës në FSHF.

“Panorama Sport” ka siguruar ekskluzivisht edhe shkresën ku vihen në dijeni lojtarët për masat që mund të merren ndaj tyre, në rast se shkelin rregulloren e brendshme. Gjobat janë të shumta nëse lojtarët thyejnë Disiplinën, madje deri në dy paga mujore. Në këtë rregullore parashikohen masa edhe për kartonët e verdhë apo të kuq, sjelljet ndaj trajnerit, ndaj tifozëve, regjimi që duhet të mbajnë, por edhe nëse kapen duke pirë alkool apo në kazino.

“Futbollisti është i detyruar dhe duhet të ketë sjellje shembullore dhe sportive, për të mos dëmtuar imazhin e tyre dhe të klubit. Gjithashtu, duhet të jetë i disiplinuar dhe të zbatojnë urdhrat e drejtueseve dhe të stafit teknik. Lojtarët duhet të respektojnë të gjithë anëtarët e bordit drejtues të ekipit, trajnerët, punonjësit e klubit, kolegët e tyre futbollistë, sportdashësit, si dhe duhet të japin maksimumin e profesionalizmit të tyre në përpjekje për të mbajtur lart emrin dhe historinë e ekipit të Luftëtarit. Futbollistët janë të detyruar të japin me shkrim në sekretarinë e klubit adresën e saktë të banimit, numrin e telefonit. Për çdo ndryshim të adresës ose të telefonit duhet të bëhet në të njëjtën mënyrë te stafi teknik ose drejtuesit me shkrim ose me mesazh. Në rast të shkeljes së kësaj norme, lojtari gjobitet në masën 20.000 lekë”, citohet në fillim.

Luftetari1-400x220

PËRGJEGJËSITË E LOJTARËVE

* Lojtari, për çdo problem personal, duhet të drejtohet posaçërisht te drejtori sportiv, ndërsa për çështje  ekonomike personale ose të ekipit duhet të drejtohet me shkrim nëpërmjet kapitenit tek administratori i klubit, gjithnjë duke marrë leje nga trajneri.

* Futbollisti është i detyruar të përdorë për ndeshje ose stërvitje vetëm mjetet e transportit që cakton ekipi. Për çdo rast tjetër për përdorim të automjetit personal në raste të veçanta duhet të marrë leje nga trajneri një ditë para

SJELLJET GJATË NDESHJEVE

1. Nëse futbollisti kundërshton pa shkak që të marrë pjesë në ndeshje si në formacionin bazë ose rezervë, refuzon ose neglizhon (nëse luan) të zbatojë pozicionin, taktikën që thotë trajneri dhe nuk tregon seriozitet dhe disiplinë edhe gjatë nxehmjes, dënohet me gjobë 100.000 lekë. Pas kësaj, është i detyruar të ndjekë një program të veçantë stërvitjeje, që do t’ia caktojë trajneri.

2. Nëse futbollisti shpreh pakënaqësi me çdo mënyrë gjatë zëvendësimit nga ndeshja, dënohet në bazë të kërkesës së trajnerit dhe vlerësohet çdo rast, nga 30.000 lekë deri në 100.000 lekë.

3. Futbollisti që zëvendësohet është i detyruar të qëndrojë në pankinën e ekipit deri në fund të ndeshjes. Vetëm trajneri mund t’i japë leje për të vajtur në dhomat e zhveshjes. Në rast se shkelet kjo normë, lojtari dënohet me gjobë 50.000 lekë.

ORARI DHE MASAT PËR REGJIMIN

E hënë dhe e martë – 23:00;

E mërkurë dhe e enjte – 22:00;

E premte – 22:00; E shtunë – 22:00 (ata që janë jashtë grumbullimit për ndeshje);

E diel- 24:00;

1. Futbollisti që shkel orarin e natës dhe në përgjithësi programin e çlodhjes që cakton trajneri për ditët: E hënë dhe e martë gjobitet në masën 20.000 lekë; e mërkurë, e enjte dhe të premte, gjobitet në masën 30.000 lekë; e shtunë (përderisa ekipi mblidhet në hotel), gjobë 50.000 lekë dhe heqje nga grumbullimi i ekipit.

4. Futbollisti nuk lejohet të frekuentojë në jetën private ambiente duke konsumuar alkool, duke luajtur bixhoz, kazino, baste apo veprime që dëmtojnë imazhin e tij, të klubit dhe shkel nenet sportive dhe autoritetin e klubit. Shkelja e kësaj norme dënohet në masën 100.000 lekë dhe në rast përsëritjeje në masën e një rroge mujore.

TOMOR SHEHU 

(LAJMIN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura