EKSKLUZIVE/ “Gjeneralët kanë dalë nga binarët! Janë tërbuar se…”- Zbulohet ditari sekret i Hysni Kapos: Si epidemia e gripit dobësoi shokët e Byrosë!

Sep 29, 2020 | 22:45
SHPËRNDAJE

hysni-kapo-me-viton-c1200x600-640x320

AFRIM IMAJ /Dy mbledhje të rëndësishme të forumeve të larta në vitin ’70 kanë vënë në shënjestër krerët e ushtrisë, jo për probleme të dorës së dytë, por për çështje kapitale.

Në ditarin e Hysni Kapos përmendet mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes në maj të vitit 1970 dhe mbledhja e Byrosë Politike në dhjetor të atij viti, të cilat kanë pasur për objekt “devijime parimore” nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Situata negative në ushtri, siç shkruan në kujtime Kapo, ka nisur me reformën e heqjes së gradave, të cilën mjaft nga shtatmadhorët e kanë pritur me rezerva dhe pakënaqësi. Ish-Sekretari i KQ që mbulonte organet e diktaturës pohon se me luftën kundër kësaj dukurie ka qenë angazhuar vet drejtpërdrejt, por konstaton se ende ka reminishenca si ato të gjeneralit Halim Xhelo, i cili “falë vigjilencës së Partisë” nuk mundi t’i shkonte deri në fund aventurës për t’iu kundërvënë aksionit politik për revolucionarizimin e ushtrisë”.

Enver Hoxha dhe Hysni Kapo
Enver Hoxha dhe Hysni Kapo

Duke iu kthyer letrës anonime të Xhelos për Enver Hoxhën, ku protestohej për heqjen e gradave, Kapo vë në dukje se ka pasur përplasje edhe me Kadri Hazbiun, i cili e ka ndjekur çështjen nga afër, por ka shfaqur rezerva për goditjen e “gjeneralit karrierist”. Pjesa tjetër e kundërshtive së udhëheqësve të partisë me kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes lidhet me sabotimin, sipas Kapos, të lidershipit ushtarak me “Tezat e Këshillit të Mbrojtjes për Shkollat e Lira”, një përplasje kjo që tri vite më vonë do të prodhonte kryqëzatën e krerëve të shtatmadhorisë shqiptare, të quajtur ndryshe “puçistët e ushtrisë”.

Ndër episodet e tjera nga zhvillimet e vitit ’70, njeriu i afërt i Enverit veçon përjetimet nga vdekja e Gogo Nushit, diskutimet me Enverin për maketin e Monumentit të Dëshmorëve të Lirisë dhe projektin e zhvillimit të qytetit të Vlorës në drejtimin Skelë-Ujë i Ftohtë, jehonën e lajmit për lëshimin e tre astronautëve amerikanë në Hënë, ndërkohë që sovjetikët, nënvizon Kapo, ende nuk kanë dërguar njerëz në planetët e tjerë…

Hysni Kapo me delegacionin kinez
Hysni Kapo me delegacionin kinez

Pjesë nga ditari

7 janar 1970 Qeveria bën mbledhjen në Durrës. Analizohet puna e vitit 1969 dhe detyrat për vitin 1970. Erdhi shoku Enver në zyrë. Dolëm bashkë. Biseduam për çështje të ndryshme deri sa u ndamë për në shtëpi. Ka rënë epidemia e gripit. Megjithëse nuk ka pasur vdekje, shokët janë dobësuar shumë.

8 janar 1970 Në zyrë thirra shokët për të dëgjuar raportet nga terreni. Sot më njoftuan se vdiq shoku Foni Done. Ishte shok i vjetër, shok i mirë, Bolshevik.

10 janar 1970

Bisedova me shokun Enver. Shkëmbyem mendime për çështje të ndryshme. Pasdite punova në shtëpi me materialet e mbledhjes së Byrosë dhe të Sekretariatit.

15 janar 1970

Sot u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike për problemet e Shkollës së Partisë dhe shkollave ushtarake. Foli shoku Enver.

3 shkurt 1970

Erdhi shoku Enver në zyrën time. Biseduam mbi projektin e pesëvjeçarit V. Studimi i paraqitur nga qeveria për këtë nuk është i plotë. Është një projekt i pathelluar në një analizë, sidomos për drejtimet kryesore të zhvillimit. Ka koncepte që shumë gjëra të bëhen me kredi nga jashtë dhe jo nga burimet tona. Ka vetëkënaqësi për rezultatet në bujqësi. Nuk duhet të importojmë bukë, vaj dhe prodhime bujqësore, ato duhet t’i bëjmë në vendin tonë.

7 shkurt 1970

Bashkë me Ritën sot shkuam në Kavajë. Bëmë një konsultë me punonjësit e SMT-ve. Duket se në SMT, çështja e pagave dhe normave duhet rishikuar. Ka qëndrime të palejueshme dhe të pandërgjegjshme të disa traktoristëve. Ata punojnë për të marrë para, por jo si të prodhohet më shumë. Kjo është frymë e sëmurë antisocialiste.

13 shkurt 1970

Thirra disa shokë për punën që kanë bërë jashtë shtetit për blerjen e farës së misrit hibrid dhe fidanë. Dhashë udhëzime si duhen mbjellë këta fidanë. Shoku Enver erdhi në zyrën time dhe dolëm të dy bashkë. Afër shtëpive u ndamë. Shkuam për të ngrënë drekë.

27 shkurt 1970

U bë mbledhja e Sekretariatit të KQ. Zgjati deri në orën 14. Pas mbledhjes, bashkë me shokun Enver pamë maketet dhe projektet e Monumentit të Dëshmorëve të Lirisë. Në orën 15 shkuam në shtëpi.

18 mars 1970

Erdhi ministri i Mbrojtjes, biseduam për problem të ndryshme të ushtrisë.

21 mars 1970

U bë mbledhja e Byrosë Politike. Zgjati gjithë ditën. Foli shoku Enver dhe shtroi çështje të rëndësishme kuadri.

28 mars 1970

Në rafinerinë e re të naftës në qytetin Stalin. Ajo është projektuar e ndërtuar nga njerëzit tanë. Kur shkova në Komitetin e Partisë së rrethit, mora vesh se Gogo Nushi është shumë rëndë. U shqetësova. Fola me Ramizin. Situata më preokupon.

6 prill 1970

Në Vlorë. Bashkë me shokun Enver shkuam për shëtitje nga shtëpia NR 5. Biseduam për probleme ndërkombëtare, sidomos për vizitën e Çu En Lait në Kore, për gjendjen në Bashkimin Sovjetik, për aleancën sovjeto-japonezo-amerikane dhe efektet që shkakton kjo brenda Bashkimit Sovjetik dhe tek aleatët e tij. Shoku Enver pas dite më foli për disa probleme të rëndësishme, që kanë të bëjnë me edukimin e rinisë. Qëndruam bashkë deri në orën 20:30.

9 prill 1970

U ngrita herët. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Morëm njoftim se Gogua është shumë rëndë. U bëmë gati të niseshim. Në orën 8 na njoftuan se zemra e Gogos pushoi. U nisëm bashkë me shokun Enver. Mbërritëm në Tiranë në orën 11:30. U takuam me shokët në shtëpinë e Partisë. Shkuam për ngushëllim në shtëpinë e Gogos. Byroja Politike më vendosi në krye të komisionit që do të organizojë ceremoninë mortore. Shkova te shoku Enver dhe i raportova për masat.

13 prill 1970

Sot Amerika lëshoi tre astronaut në Hënë. Shkenca po bën mrekullira. Ajo zhvillohet në mënyrë të fuqishme në të gjitha fushat. Si duket, sovjetikët kanë mbetur mbrapa në drejtim të astronautikës. Ata akoma nuk kanë dërguar njerëz në planet dhe të kthehen përsëri në Tokë.

16 prill 1970

Sot Besniku mbush 20 vjeç. Gëzim i madh për ne prindërit dhe gjithë të dashurit e zemrës. Nuk e festuam ashtu si e donte dëshira, për shkak të dhimbjes për vdekjen e Gogos. Të shohim nga vera kur të mblidhemi të gjithë: Vera, Pëllumbi me shokët dhe fëmijët e tyre.

17 prill 1970

Mora pjesë në sesionin shkencor me rastin e 100- vjetorit të lindjes së udhëheqësit të madh, Leninit. U takuam me shokun Enver. Sot ai doli në zyrë. Na foli për procesin e degjenerimit të Bashkimit Sovjetik në një klikë fashiste dhe qëllimet e përbashkëta që ndjekin ata me amerikanët kundër marksizëm-leninizmit dhe komunizmit.

24 prill 1970

Bashkë me shokët shkuam në shtëpinë e shokut Enver për ta ngushëlluar për vdekjen e Farijes (motrës).

11 maj 1970

Bashkë me shokun Enver dëgjuam ministrin e Ndërtimit për planin rregullues të Vlorës. Në bazë të orientimit që kishte dhënë shoku Enver që në verën e vitit të kaluar, për të parë perspektivën e zhvillimit të qytetit në drejtimin Skelë-Ujë i Ftohtë, shokët e projektit kishin punuar me kujdes dhe kishin bërë një projekt të mirë. Shoku Enver në përgjithësi aprovoi projektin dhe dha porosi për disa përmirësime të mëtejshme..

14 maj 1970

U mora me shokët e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorinë Speciale për të përcaktuar masat e nevojshme që duhen marrë me rastin e vizitës së shokut Enver në Veri.

18 maj 1970

Bëmë mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes. Përveç anëtarëve të Këshillit, ishin thirrur Petriti, Hitua, Rahmani, Sadiku, Halimi, Vaska, Sul Domi e Dilaveri. Nga paraqitja që bënë lidhur me tezat e Këshillit të Mbrojtjes dolën mjaft problem në ushtri, që duhen studiuar dhe thelluar më tej. Në mënyrë të veçantë, shoku Enver që foli në fund bëri mjaft vërejtje, kritika dhe dha disa orientime të rëndësishme. Duket që ish-gjeneralët të pakënaqur nga heqja e gradave kanë dalë nga binarët e Partisë. Po Partia shikon dhe vepron. (Shkollat e Lira).

5 qershor 1970

Sot shoku Enver u kthye në Tiranë pas një vizite disaditore në rrethet e Veriut. Pasdite, në shtëpinë e Partisë biseduam bashkë për problemet e konstatuara gjatë vizitës 9-ditore në Veri.

29 qershor 1970

Në orën 13:00, në sallën e plenumeve ishin ekspozuar maketet për Monumentin e Pavarësisë. Shkuam bashkë me shokun Enver. U takuam me skulptorët. Shoku Enver bëri vërejtje për të përmirësuar përmbajtjen e maketit.

6 korrik 1970

U ngrita herët, në orën 5:30. Vitua niset për në Sarandë, do qëndrojë një javë. Besniku nesër shkon në Dibër për të bërë punën prodhuese. Jam vetëm këtë javë. Përveç Andit të vogël, asnjeri nuk kam në shtëpi.

4 nëntor 1970

Sot mora një lajm të gëzuar. Vera u pranua kandidate për anëtare e Partisë. I uroj Verës të ndjekë me besnikëri rrugën e komunizmit…

5 nëntor 1970

Mora pjesë në konferencën akademike për përfundimin e elektrifikimit të vendit.

8 dhjetor 1970

Mbledhje e Byrosë Politike. Morëm në shqyrtim probleme të udhëheqjes së ushtrisë dhe përgjegjësinë e kuadrove kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes. Byroja Politike kritikoi rreptë e drejt qëndrimet negative të drejtuesve kryesorë të ushtrisë. Ka kohë që aty diçka parimore nuk shkon si duhet…

11 dhjetor 1970

U takova me shokun Enver. Biseduam për punën e konkluzioneve të Byrosë Politike mbi punën në ushtri dhe qëndrimet negative të udhëheqësve të saj. Shoku Enver më porositi që çështjen e drejtueseve të ushtrisë ta shikojmë në vijim me shumë kujdes e vigjilencë.

21 janar 1971

Afër drekës mësuam një lajm të hidhur: Shoku Subi Bakiri, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës, vdiq. Më erdhi shumë keq për vdekjen e papritur dhe të parakohshme. Gjithë jetën e tij, Subiu ia kushtoi çështjes së Partisë dhe popullit. Kuvendi mbajti një minutë zi. Nesër do të dërgojmë shokë për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Gjirokastër.

6 shkurt 1971

Mbasdite, në orën 16:40, bëmë ceremoninë e dekorimit të shoqes Nexhmije Hoxha me rastin e 50-vjetorit të lindjes. Erdhi edhe shoku Enver. Të gjithë u gëzuan pa masë. Kolektivi i aparatit i dorëzoi një mesazh. Nexhmija lexoi një fjalim shumë prekës dhe me përmbajtje të lartë.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

LEXO EDHE:  “Ka njollosur figurën morale të komunistit”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos, prapaskenat e përplasjes së Enverit me Ballukun: Kanë tërhequr nga arka Ministrisë së Mbrojtjes para për…

E PLOTE/ Zbulohen bisedat konfidenciale mes Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës në ditarin sekret: Gabimi i rëndë që bëri Beqir Balluku! Intrigat dhe qejfmbetjet në majën e piramidës së regjimit

EKSKLUZIVE/ “Nuk i kishte kuptuar thellë gabimet!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Debati i Enverit me Mehmetin për postin e Kryeministrit. Propozimi që revoltoi Hoxhën

“Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja janë plehra!”- Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Enveri zbuloi grupi antiparti në kulturë! Shpërthimi i diktatorit në Plenumin e IV

“Boll me buste për heronjtë e vdekur”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Të vendosim njerëzit e partisë! Incidenti në paradë me përfaqësuesin e Kinës

EKSKLUZIVE/ “Teuta dhe Ilir Hoxha duhet të kurohen në Paris”, Zbardhet ditari sekret i Hysni Kapos: Ç’më tha Isuf Kalo e Sulo Gradeci për gjëndjen e Enverit!

“Ismail Kadare në “Le Monde” fyen…”- Zbulohet ditari sekret i ish-sekretarit të KQ, pse e sulmoi shkrimtarin në ‘79! Ja mesazhet që mori nga Enveri

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura