EKSKLUZIVE/ Gazetari i “New York Times”: Trebicka, kërcënim për Mediun dhe Pinarin. Nuk iu bë autopsia

Jul 30, 2015 | 7:07
SHPËRNDAJE

Një rrëfim i jashtëzakonshëm nga autori i librit “’Armët dhe Çunat’. Si u bënë tre drogamanë nga Miami Beach trafikantët më të pazakontë në histori”. Guy Lawson, gazetari investigativ i “New York Times” flet ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, duke u dhënë përgjigje edhe disa pikëpyetjeve që gjenden në libër…

Kosta_Trebicka

Përse vendosët të merreshit me çështjen “Diveroli”?

Kisha lexuar një histori për AEY dhe municionin “kinez” në “New York Times” në vitin 2008 dhe m’u duk tërheqëse, dhe jo plotësisht e besueshme. A ishte e mundur që një grup fëmijësh nga Miami Beach kishin vënë vërtet në lojë Pentagonin? Pyesja se cila mund të ishte historia sipas tyre, artikulli i “Times” dukej shumë i njëanshëm.

Ajo që zbulova, ishte mahnitëse dhe gjithashtu fatkeqësisht e parashikueshme. Raportimi im tregoi se Pentagoni e dinte ekzaktësisht se çfarë po bënin ata fëmijë, si në Afganistan edhe në Shqipëri. Qeveria amerikane po përdorte kontraktorë privatë si AEY, si ndërmjetës për t’u marrë vesh me zyrtarë të korruptuar, si ata që drejtonin MEICO në Shqipëri, veçanërisht Ministri i Mbrojtjes Mediu dhe njerëz të lidhur me kryeministrin Berisha.

Nuk ishte e mundur për Shtetet e Bashkuara që të blinin armë drejtpërdrejtë nga këto kompani, për shkak të ryshfetit dhe marrëveshjeve të dyfishta, dhe kështu “çunat” u dërguan për të bërë disa nga punët e pista të qeverisë amerikane.

Sa kohë, kontakte, udhë-time, ju ka marrë ky investigim?

Unë kam kaluar më shumë se dy vjet duke u marrë me historinë, duke udhëtuar nga Florida dhe Uashington shumë herë për të folur me aktorët e përfshirë, mes tyre edhe raportuesit e “New York Times”, hetuesit në Kongres, avokatët mbrojtës, diplomatët dhe oficerë të lartë të ushtrisë amerikane. Shumë nga qeveria amerikane refuzuan të flisnin dhe shumë dokumente u mbyllën në Gjykatën Federale për t’i mbajtur ngjarjet sekret, por unë isha në gjendje t’i siguroja të gjitha ato.

Ju keni arritur të komunikoni direkt me protagonistët e kësaj historie, si ia dolët?

E nisa me David Packouz, i cili drejtonte kontratën nga Miami Beach. Më pas, kryesori Efraim Diverol-i nisi të fliste me mua nga burgu dhe Alex Podrizki (i cili ka kaluar disa muaj në Shqipëri duke u marrë me marrëveshjen) po ashtu foli, siç bëri edhe Ralph Merrill, biznesmeni më i vjetër, i cili siguroi financat për kontratën. Kështu unë isha në gjendje të merrja të dhëna nga të gjithë aktorët kryesorë. Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në libër, e njihnit përpara kësaj çështjeje?

Unë kam raportuar për luftën në Kosovë në fund të viteve ‘90. Kam qenë në Bajram Curr, Kukës, dhe shumë qytete dhe fshatra të tjera përgjatë kufirit verior, kam qenë edhe në Tiranë. Jam shumë i dhënë pas Shqipërisë dhe mendoj se është një vend i bukur dhe shumë miqësor. Pjesë e motivimit për raportimin në aspektin shqiptar të historisë është pikërisht sepse vendi injorohet kaq shpesh në Perëndim dhe për të nderuar kujtimin e atyre që u vranë në shpërthimin e Gërdecit, si dhe Kosta Trebicka, njeriu që unë besoj se ka mundësi të jetë vrarë, pasi u përpoq të ekspozonte korrupsionin në qeverinë Berisha.

Ju keni ardhur në Shqipëri, si ju është dukur? Çfarë keni zbuluar që nuk e dinit?

Isha i habitur nga bukuria e Shqipërisë, njerëzit, malet, deti, femrat (isha beqar atëherë). Kultura gjithashtu ishte imponuese, tradita si Kanuni, si dhe mënyra se si Islami jeton në një vend kaq pro perëndimor.

Kush ka qenë “udhërrëfyesi” juaj në Shqipëri? Kisha shumë udhërrëfyes dhe përkthyes.

Disa kapituj, si gegh, korrupsion, gjakmarrja i keni theksuar më shumë në përmbajtjen e librit, cila është arsyeja? Mos ndoshta ju i quani vetëm fenomene shqiptare?

Po përpiqesha t’u ekspozoja lexuesve amerikanë aspektet e kulturës shqiptare, për t’i bërë të kuptonin kontekstin e historisë, por gjithashtu edhe me vështirësitë me të cilat këta djem të rinj përballeshin duke bërë marrëveshje me një vend kaq të komplikuar dhe të rrezikshëm.

Në çështjen “Gërdeci” kanë qenë të implikuar biznesmenë dhe politikanë shqiptarë, jeni ndier i rrezikuar, i kërcënuar prej tyre?

Kërcënimi më i madh që kam ndier ka qenë nga qeveria amerikane, nga prokurorët dhe gjykatësit me fuqi të mëdha dhe jo të lajthitur që mund të kërkonte hakmarrje këtu.

E di se Kosta Trebicka është ndier në të njëjtën mënyrë, forcat më misterioze dhe të paparashikueshme të përfshira ishin në Departamentin e Drejtësisë dhe Pentagon. Sa për politikanët shqiptarë dhe kriminelët, është përgjegjësia e gazetarëve të ngrihen dhe të thonë të vërtetën. Kjo është një traditë që shpresoj se do të mbahet në Shqipëri, edhe pse jam shumë në dijeni për rreziqet që ka atje.

Po tani që ai është përkthyer në shqip, keni marrë ndonjë telefonatë?

Më kanë kontaktuar shumë gazetarë. Është shumë këndshëm të dish se libri po shkakton një lëvizje në Shqipëri. Duhet ta bëjë; vdekjet, korrupsioni dhe mungesa totale e dhënies llogari janë shokuese. Njerëzit në Shqipëri meritojnë më shumë. Në Shqipëri, çështja “Gërdeci” është ende një dosje e hapur. Familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi.

Ç’mendoni ju për të, mendoni se dikur do të vendoset drejtësia? Çfarë e pengon?

Fuqia korrupton dhe fuqia absolute absolutisht që korrupton, ky është një nocion i vjetër që kam frikë se është shumë i zakonshëm në Shqipëri. Por edhe në Amerikë. Unë shpresoj që ky libër të bëjë pak punë të vogël në nxitjen drejt drejtësisë për familjet e të vdekurve në Gërdec. Mund të duket e pabesueshme, por mua më intereson vërtet drejtësia në këtë çështje dhe shpresoj se libri do të bëjë edhe shumë njerëz të tjerë t’u interesojë. Kjo është një dëshirë e thellë.

 Besoni ju në një “mafie” shqiptare? Nëse po, çfarë e ushqen?

Sigurisht e kam parë vetë. Pyetja bie ndesh me realitetin. Çështja është nëse Shqipëria mund ta çlirojë veten nga shtrëngimi i mafies, politikanët e korruptuar, banditët, burokratët e ulët, prokurorët frikacakë, dhe të bëhet një shoqëri e hapur. Unë jam optimist, por për këto gjëra duhet kohë dhe kurajë. Unë shpresoj që ky libër është një hap në drejtimin e duhur për një vend dhe popull të bukur.

Ç’solli botimi i librit tuaj, më shumë famë, më shumë armiq, pak dritë në një çështje të errët….?

 E gjithë gazetaria e mirë duhet të përpiqet të hedhë dritë në cepat e errët, drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë. Di nga raportimet në vende të tjera të trazuara, ku shtypi ka më pak liri se ka një përgjegjësi speciale për reporterët nga jashtë, të cilët e kanë lirinë e shprehjes për të shtyrë vërtet kufijtë. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë, siç është në Meksikë dhe Siri dhe Afganistan dhe Rusi dhe shumë, shumë vende.

Siç tregoi fati i Kosta Trebickës, ka rreziqe të mëdha për shqiptarët që merren me interesat e fuqishme në Shqipëri.

Një gazetari për “Panorama” do t’i bëhej shumë presion për të raportuar faktet që unë kam shkruar në libër, me gjithë respektin që ju takon. Si një shënim i fundit, thelbësisht i rëndësishëm, unë kam mësuar nga raportimet e shtypit në Shqipëri se djali i ish-kryeministrit Berisha ka thënë se unë jam në njëfarë mënyrë në borxh apo po punoj me armiqtë e tij politikë. Kjo nuk ka absolutisht kuptim. E kam takuar Erion Veliaj ekzaktësisht një herë, tre apo katër vjet më parë, dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me të në shumë, shumë muaj.

Nuk më duhet se cilat janë politikat e tij, apo me kë është i lidhur ai. Mua më duhet e vërteta për Gërdecin dhe zbulimi i korrupsionit në qeverinë shqiptare; fakti që kjo nuk ka ndodhur, është një turp absolut. Për më tepër, ideja se djali i ish-kryeministrit është shfajësuar nga keqbërja në Gërdec nga hetuesit në SHBA dhe në Shqipëri është qesharake. Nuk ka pasur hetime serioze dhe objektive për Gërdecin, ashtu siç nuk ka pasur një hetim të vërtetë mbi vdekjen e Kosta Trebickës.

Përkundrazi, ka pasur mbulime dhe vota për imunitet. Unë kam disa zbulime shumë serioze, madje eksplozive mbi rolin e Ambasadës Amerikane në tragjedinë e Gërdecit, të cilat do t’i ndaj në ditët në vijim. Vdekja e Kosta Trebickës mbetet ende një mister.

Mendoni se ishte aksident apo jo…dhe kush ishte i interesuar për heshtjen e tij?

Kosta Trebicka ishte një kërcënim për shumë njerëz. Në Shqipëri ai ishte në gjendje të lidhte zyrtarët dhe politikanët e korruptuar që qëndronin pas marrëveshjes me AEY, me shpërthimin në Gërdec. Specifikisht ministrin e Mbrojtjes, Mediu dhe Ylli Pinarin e MEICO-s. Por shumë më e rëndësishme, ai ishte në gjendje të identifikonte djalin e kryeministrit Berisha, Shkëlzenin dhe Mihail Delijorgjin si pjesëmarrës në një takim me Efraim Diveroli-n dhe Alex Podrizki-n në Tiranë, në qershor 2008.

Me fjalë të tjera, Trebicka mund të lidhte këta dy meshkuj me vendosjen e çmimit të municionit që AEY po blinte nga MEICO — Pse këta dy meshkuj ishin të përfshirë në këtë kontratë qeverie? A ishin ata duke marrë ryshfete? AEY po blinte municione për katër cent/raundi, dhe MEICO po ia shiste raundin një tregtari zviceran armësh me emrin Heinrich Thomet, për dy cent. Çfarë po ndodhte me diferencën? A ishin këta njerëz të përfshirë në operacionin neglizhent vdekjeprurës për të ndarë municion të kalibrit të lartë të ambalazhuar në tunxh (bronx) në Gërdec, ato që shpërthyen dhe vranë kaq shumë njerëz?

Kosta Trebicka gjithashtu kishte njohuri se zyrtarë të lartë në Ambasadën Amerikane në Tiranë e dinin gjatë gjithë kohës se AEY po dërgonte municion “kinez” në Afganistan. Zyrtarët amerikanë ishin shumë të shqetësuar për këtë. Së fundi, Kosta Trebicka pohoi se hetuesit dhe prokurorët në Shtetet e Bashkuara kanë qenë më të interesuar në “marrjen” e Efraim Diverol-it sesa në zbulimin e së vërtetës rreth asaj që çoi në vdekjen e 28 civilëve të pafajshëm në Gërdec.

Ai pohoi se hetuesit amerikanë po pengonin drejtësinë. Për të gjitha këto arsye, vdekja e Kosta Trebickës ishte shumë e dyshimtë. Veçanërisht kur konsideroni rrethanat e këtij “aksidenti” misterioz, kur automjeti i tij disi spontanisht u rrotullua në një tokë të sheshtë dhe e hodhi atë rreth 50 metra larg. A është kryer ndonjëherë një autopsi? Raporti i policisë amerikane mbi vdekjen e tij ishte një tallje – ai mbështetet krejtësisht në raportin zyrtar të qeverisë shqiptare, dhe kush mund ta besojë atë version të ngjarjeve?

(INTERVISTOI ALMA MILE/ EKSKLUZIVE)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura