EKSKLUZIVE/ “Futbolli shqiptar po ecën shumë përpara”, mbrojtësi maqedonas: Ja pse zgjodha Kukësin

Jun 23, 2022 | 23:25
SHPËRNDAJE

Antonio Ilieski është një nga afrimet e Kukësit këtë merkato vere, teksa pritet të jetë edhe lideri i qendrës së mbrojtjes në ekipin e Skënder Gegës.

ilieski

Pasi ka luajtur me të gjitha ekipet e moshave të Maqedonisë së Veriut, ish-futbollisti i Renovës e konsideron si një hap të madh në karrierën e tij, duke ditur synimet që ka ekipi i Kukësit këtë sezon. Maqedonasi vjen me ide të qarta në Kukës, ku të gjithë presin titullin kampion, teksa ka besim se të gjithë në fund do të arrijnë të bëjnë një sezon pozitiv.

PRONONCIMI – Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, mbrojtësi fillimisht dëshiron që të falënderojë klubin për besimin e dhënë, edhe pse personalisht nuk e njeh mirë skuadrën dhe futbollin shqiptar në tërësi.

“Fillimisht, dua të falënderoj klubin për besimin e dhënë. Zgjodha Kukësin, sepse është një hap përpara për mua në karrierën time. Skuadrën nuk e njoh shumë mirë, por vitin e kaluar pashë një ndeshje në televizor kur fituan kundër Tiranës. Edhe sa i përket kampionatit shqiptar nuk e kam ndjekur shumë, përpos ndeshjeve që jam munduar t’i shoh nëpërmjet televizorit sezonin e kaluar. Mund të them se futbolli shqiptar vitet e fundit po ecën shumë shpejt në çdo drejtim”, u shpreh fillimisht afrimi më i ri i verilindorëve, i cili ka hedhur firmën nën kontratë për dy sezonet e ardhshme dhe pritshmëritë për veten dhe skuadrën i ka të mëdha.

OBJEKTIVI – Edhe pse nuk e njeh mirë Kukësin dhe kampionatin shqiptar, Ilieski e ka marrë informacionin e nevojshëm dhe i ka idetë të qarta që në momentin që ka zgjedhur të jetë pjesë e verilindorëve për këtë sezon. Për të, synim mbetet titulli, ashtu siç e dëshirojnë të gjithë në Kukës.

“Këtë vit synimi i të gjithë klubit është që të fitojë titullin”, shprehet shkurtimisht 25-vjeçari. Në fund, Ilieski ka edhe një premtim për tifozët kuksianë, të cilët më në fund do të kenë mundësinë që ta shohin skuadrën e tyre në shtëpi, me shpresën se objektivat do të realizohen.

“Mund të premtoj lirisht se do të jap më të mirën dhe maksimumin në çdo ndeshje”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi maqedonas, i cili e ka aventurën e parë në futbollin shqiptar.

ilieski

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura