EKSKLUZIVE/ “Fotoja e fundit e Enverit pas lajmit se ka vdekur”, Petrit Kumi rrëfen debatin me Nexhmijen dhe pritjen në dhomën e kuqe

Oct 9, 2019 | 15:35
SHPËRNDAJE
FOTO E FUNDIT E ENVER HOXHES PARA VDEKJES, (MAJTAS) PETRIT KUMI DHE ENVER E NEXHMIJE HOXHA
FOTO E FUNDIT E ENVER HOXHES PARA VDEKJES, (MAJTAS) PETRIT KUMI DHE ENVER E NEXHMIJE HOXHA

ANILA DEDAJ/ Dora e djathë është e ngritur, herë në formë grushti e në të tjera përshëndetja është më e ngrohtë.

Qëndrimi i drejtë, një portret i buzëqeshur edhe në grahmat e fundit të jetës, pasi ai ka qenë i vetëdijshëm për forcën e imazhit. Kushdo që do të haste një nga fotot e tij, për herë të parë, do ta kishte të vështirë të besonte se pas saj fshihet diktatori! “Kërkohej përpikëri, ashtu siç donin të dukej sistemi i tyre totalitar, ashtu duhet të ishte edhe figura”, rrëfen sot në 89-tat, fotografi Petrit Kumi.

Po kaq të sofistikuar e të afërt e tregon mjeshtri i fotografisë sjelljen e Enver Hoxhës në shtëpinë e tij, kur i ndizte cigaren, e pyeste për fëmijët apo thërriste kamerieret për të sjellë një gotë raki nga ajo e Xhemalit nga Klosi, siç diktatorit i pëlqente ta cilësonte. Ato e thërrisnin “xhaxhi”, dhe, siç Kumi tregon, ishin të gjitha vajza të bukura. Nëse udhëheqësin përpara se të fotografonte arrinte në njëfarë mënyre ta çlironte nga frika e përbindshme se diçka mund të mos shkonte mirë, ndryshe ndodhte me sjelljen e gruas së tij. “Nexhmija ishte e prerë, e ashpër!”, kujton fotografi, teksa flet për çastet kur ai duhet të bënte foton perfekte, në rrethana imperfekte.

ENVER HOXHA I FOTOGRAFUAR NGA PETRIT KUMI
ENVER HOXHA I FOTOGRAFUAR NGA PETRIT KUMI

Si në rastin e shfaqjes së diktatorit në stadiumin “Qemal Stafa” në ’84-ën, ku Kumi duhet të fiksonte në mënyrën më madhështore “ringjalljen” e tij, ndërsa kryebodigardi e kishte nën vëzhgim që të mos fiksonte diçka që nuk duhej. Apo ankthin pas fotos së fundit të Enver Hoxhës, moment për të cilin iu desh të priste 13 ditë atje në dhomën e kuqe të Vilës. Derisa më në fund, gjendej përpara tij.

Figura që ai shikonte ishte e tjetërsuar, krejtësisht e kontraktuar, aq sa fotografi dyshon nëse ai qe vërtet diktatori. Nuk ka shumë kohë të mendojë dhe Nexhmija ia bën të qartë që të mos hallakatet: “Vazhdo tani se nuk pret puna!”, i pati thënë prerazi. Afro 3 dekada pas rënies së diktaturës, Kumi tregon fotografitë më të famshme që i shkrepi diktatorit, vizitat në shtëpinë e tij, si dhe retushimet e manipulimet e fotove, si atë të Marubit në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës apo, edhe “leksionin” e fotografit të Mao Ce dunit.

Zoti Kumi, ndër imazhet më të famshme që i janë bërë Enver Hoxhës, pa dyshim që janë edhe fotot tuaja, veçanërisht ato që janë realizuar në vitet e fundit të jetës. Në ’84-ën, ndërsa mediat botërore kishin nisur të aludonin për gjendjen shëndetësore të diktatorit (sigurisht që ato shqiptaret s’do të guxonin), ju, në Spartakiadën Kombëtare, realizoni një foto, ku diktatori duket i buzëqeshur dhe i qetë. Ishte një shkrepje e kërkuar?

Në fakt, nuk qe e tillë. Përkundrazi! Kujtoj se ishte nëntor, pasi spartakiada mbahej në kuadër të X-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë në stadiumin “Qemal Stafa”. Unë, të jem i sinqertë, kisha qenë shumë i ngarkuar me punë dhe isha i rraskapitur. Nuk isha në dijeni për daljen e Enverit, ndaj po qëndroja në njëfarë mënyre pasiv, derisa kryeredaktori i revistës “Ylli” më lajmëron se duhet të nisesha menjëherë drejt stadiumit. I thashë se isha tepër i lodhur, por ai nuk dorëzohej kollaj, sepse ishte një partiak i fortë, por edhe njeri i mirë. Nuk pata si të bëja ndryshe, ndaj shkova atje dhe me të mbërritur nisën si të thuash “të më shqetësonin” në stadium, pasi më njihnin. Nga kati i parë deri te lozhat e stadiumit kishin vendosur një ashensor, që Enveri të mos hipte me shkallë. Gjithçka po ndodhte me ritme të shpejta. Unë, nga ana tjetër, dal nxitimthi nga pjesa e përparme, sipër, ku shqetësova një masë të madhe operatorësh që prisnin daljen e tij nga minuta në minutë. (Në profesionin tonë, nganjëherë duhet ta bësh këtë, edhe të çash mes turmës, të bëhesh i bezdisshëm. Është diçka, për të cilën isha i vetëdijshëm dhe atëherë, diku e kisha lexuar dhe vërtetuar nga përvoja). Kryebodigardi më njihte e po më ndiqte me sy, ndoshta që të mos fiksoja diçka që s’duhej. Mbante një aparat në njërën dorë, sepse e kishte të paralizuar e nuk e lëvizte dot. E zhdukën me shpejtësi, ndërkohë që unë po i ndiqja të gjitha veprimet. Kështu që ai ishte një moment. Enveri ngre dorën për të përshëndetur,unë mbërthej aparatin dhe e fiksoj atë pamje. Aq ishte. Pastaj e ulën në karrige. Ajo fotografi ishte më e bukura dhe të nesërmen u botua.

Fotografia e fundit e Enver Hoxhës, nga Petrit Kumi
Fotografia e fundit e Enver Hoxhës, nga Petrit Kumi

Pas botimit, a pati ndonjë reagim nga Enver Hoxha, e shoqja Nexhmija apo njerëzit e tij të afërt?

Reagimi erdhi që të nesërmen. Rreth orës 12, mua më thërrasin në drejtori. Më thanë se duhet të shkoja urgjent në shtëpinë e Enver Hoxhës, se më kërkonte Nexhmija. Mua mendja më shkonte veç për keq, se nuk kisha afrimitet me të. Normalisht shkova. Aty u sollën sikur të kishte ardhur ndonjë delegacion. Edhe pse ajo ishte shumë e sertë, shumë e egër. Thirri kamerieret, të cilat ishin të gjitha vajza të bukura dhe porositi kafet. “Në emër të Komitetit Qendror, në emër të Enverit dhe në emrin tim, të falënderojmë shumë për kontributin e madh që keni dhënë me atë fotografi, pasi në këto momente e gjithë bota po merret me të. Madje, edhe ato gazeta që kishin botuar se ka vdekur, tani kanë botuar fotografinë tuaj”, më tha. Dhe realisht ashtu kishte ndodhur, madje kishin vendosur edhe emrin tim pranë fotos. Kështu shkoi ky takim.

Një takim që do të pasohej me një tjetër vizitë tuajën në familjen Hoxha, për të shkrepur fotografinë e fundit të diktatorit. Si arritët ta realizonit portretin e famshëm?

Gazetat e huaja vijonin të shkruanin se Enver Hoxha është shumë sëmurë, madje në njërën shkruhej se “Uliksi i Shqipërisë ka vdekur”, kështu që familja ishte e interesuar politikisht që të tregonte të kundërtën. Kësaj here, ajo që u kujdes drejtpërsëdrejti për çështjen ishte Nexhmija. Afro 3 muaj pas fotos në stadium, më dhanë lajmin se duhet të përgatitesha seriozisht dhe se kjo duhet të ishte një foto shembullore. Ajo kishte kërkuar një portet. Kështu, unë u zhvendosa në vilën e tyre, në dhomën e kuqe dhe prisja derisa të më jepnin urdhrin. Dhoma ishte bërë gati, kishin vendosur prozhektorë e të gjitha sendet e nevojshme. Ndërsa fotografinë për lartësinë e aparatit, e kisha bërë me bodigardin e Enverit, i cili ishte i gjatë sa ai. Ditët e para qëndrova gjithë ditën, pastaj më vonë, nga ora 9:00 deri në orën 14:00. Ditën e 12-të, një nga kamerieret më thotë: “Zoti Petrit, nesër do të dalë xhaxhi”. Ishte vendosur që Enverit, atje ku rrinte, t’i dërgonin një prej atyre vajzave që t’i lutej për të bërë një fotografi. Dhe pastaj u bind. Ditën e 13-të të qëndrimit tim në atë shtëpi, më në fund ai del. Ishte i kapur nga krahët nga kryebodigardi dhe Nexhmija.

Si ishte gjendja e tij?

Kur unë e pashë për herë të parë, më erdhi shumë keq se ai ishte i kontraktuar komplet. Nuk i ngjante Enver Hoxhës, aq sa më fuste në dyshim, nëse ishte ai apo dikush tjetër. “Ku do të rri?”, pyeti. Nexhmija e uli në karrige. “Hajde tani, bëj punën, mos u merr me llafe!”, më thotë. -Jemi që jemi në përgatitje,-i them,-merri dhe nipërit e mbesat, që të bëjmë foto bashkë me ata. -Unë të them vazhdo tani, se nuk pret puna,-ma kthen. Nuk donte ta shqetësonim. Por, me sa duket, aty dikush monitoronte bisedën, edhe ende pa e bërë gati ne, i sollën fëmijët. Aty, ai u çel. Dhe u realizua ajo poza e famshme, e fundit e tij për së gjalli. Natyrisht, që bëra edhe me fëmijët foto.

E pëlqyen foton?

Po, fotoja u lavdërua, madje u bë shkas që të më jepnin një çmim të rëndësishëm, siç është “Artist i merituar”. Një çmim që më vuri disi edhe në siklet, pasi kishte mjeshtër të fotografisë, prej të cilëve unë kisha marrë zanatin e që ndoshta e meritonin më shumë.

Ka qenë e vështirë ta fotografonit diktatorin, për më tepër të dilte mirë në foto?

Të jem i sinqertë, jo. Me të nuk ishte e vështirë, ndryshe ndodhte me atë që la pas. Enveri ishte fotozhenik, ose ishte i vetëdijshëm për efektin, rëndësinë e imazhit dhe përgatitej shpirtërisht. Në arkivat e mia, 80 për qind e fotografive të tij janë të mira dhe vetëm 20 për qind e tyre të një cilësie jo shumë të mirë. Ndërsa me atë tjetrin ndodh e anasjella: 20 për qind janë foto të mira e të tjerat janë ‘skarco’, që nuk janë të mira për t’u botuar, pasi kanë nevojë për retushim. Ndërsa, kur ka qenë i ri, ishte e vështirë që të krijoje mundësinë për t’i bërë foto Enverit.

A përdornit ndonjë teknikë të veçantë? Për foton e fundit thirrët fëmijët, ishte kjo e mirëmenduar?

Disa kohë më parë kisha qenë në Kinë, ku pata një takim me fotografin e Mao Ce Dunit. Ai, gjatë 3 ditëve, më jepte leksion sesi të bëja fotografi. Një nga pyetjet e mia ishte sesi të realizoja foto të Enverit kur nuk ishte mirë, kur ta shikoja të kontraktuar.

-Mos e fotografo!, -më tha

– Unë filloj e i flas për sukseset që ka arritur Kina, për shembull, në prodhimin e grurit. Ai del nga vetja, merret me grurin dhe mua ai moment më duhet. Kështu që unë, në këtë rast, mendova të thërrisja fëmijët. Ndërsa, herë të tjera, ai të krijonte komoditetin që të çliroheshe nga frika.

Enver Hoxha në Spartakiadën Kombëtare, 1984, foto: Kumi
Enver Hoxha në Spartakiadën Kombëtare, 1984, foto: Kumi

Më pyeste: “Sa fëmijë ke? A i ke në shkollë?”. Pastaj thërriste kamerieret, duke u thënë: “Jepini mikut një gotë raki, vajza”. Ato sillnin rakinë. Sigurisht që unë nuk mund të pija përballë tij, sa e afroja në buzë. “Pije se është raki e Xhemalit kjo, Xhemalit nga Klosi. Ai i qan këto”, thoshte. Ose më ofronte cigare, sigurisht që s’mund t’i thosha që s’e pi. Unë e mbaja derisa të digjej dora (qesh). Edhe të tjera sjellje të këtij lloji, që edhe mua më çlironin për të bërë fotografinë sa më mirë.

I retushonit fotot e tij?

Fotografitë e Enverit nuk e kam retushuar, ndërsa të të tjerëve po. Kjo, në fakt, është një karakteristikë pune e të gjithë fotografëve që merreshin me fotografitë e personaliteteve të rëndësishme, veçanërisht në shtetet diktatoriale. Kërkohej përpikëri, ashtu siç donin të dukej sistemi i tyre totalitar, ashtu duhet të ishte edhe figura: e pastër, e drejtë e bukur! Për shembull, sot, të fotografosh Trump-in, nuk ka rëndësi nëse e merr shtrembër apo drejt. Ndërsa, kur fotografonin Obamën, bënin ndërhyrje, e retushonin imazhin. Unë si fotograf kështu e lexoj. Po në këtë mënyrë ka ndodhur edhe me udhëheqës të sistemeve totalitare. Tek udhëheqësit kinezë ka ndodhur e njëjta gjë. U bëheshin retushime, ashtu si anëtarëve të byrosë politike këtu.

Një nga fotot më të njohura për sa u përket retushimeve, është ajo e vitit 1936 në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës, ku të rinj gjirokastritë ishin mbledhur për të përcjellë eshtrat e luftëtarëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli. Në fund, mes shumë figurave dhe hoxhallarëve, mbetet vetëm Enveri duke lexuar fjalimin. Kush jua kërkoi “të zhduknit” personat e tjerë nga ai imazh?

Petrit Kumi
Petrit Kumi

Ajo foto ndodhej në arkivin e Marubit. Unë, asokohe, punoja në revistën “Ylli”. Kryeredaktori Qamil Buxheli kishte marrë disa kritika, pasi ishte disi liberal, edhe pse komunist. (Ky lloj liberalizimi për mua ka qenë pozitiv, për sa u përket fotove. Stafi ishin 70 për qind shkrimtarë, me emra si Kim Dushi, Naum Prifti etj. Prej tyre kam përfituar mjaft njohuri, për sa u përket mesazheve që duhet të përcjellë një foto për të qenë sa më realiste e bindëse). Kështu lipsej që të bënte diçka, që të tërhiqte vëmendjen për mirë. Kishte dëgjuar që në arkivat e Marubit kishte një fotografi të Enver Hoxhës, edhe kështu duhet të shkruhej për Muço Qullin, që të dilte diktatori. Buxheli më kërkon mua që të shkoja dhe ta gjeja atë foto. Edhe kështu ndodh! Sigurisht që kur e shikon, trembet, se aty ka fetarë dhe ishte me shumë rrezik. Kështu që unë mora përsipër të ndërhyja në të. E kisha parë edhe në Kinë sesi bëheshin dhe nuk ishte ndonjë proces i vështirë. Mua, në këtë rast, më interesonte procesi teknik, ana profesionale, pasi ishte një kalim, një përvojë e re. E arrita rezultatin që m’u kërkua dhe fotoja u botua.

I rifitoi pikët kryeredaktori pas kësaj?

Ne e botuam të madhe foton e Enverit dhe Buxheli u lavdërua. Madje, kryebodigardi i Hoxhës, pas kësaj, shkoi në Shkodër në arkivin “Marubi” dhe interesohet nëse atje kishte foto të tjera (qesh). Lind më vonë edhe lakmia që Fototeka t’i falej Komitetit Qendror.

PANORAMA

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura