EKSKLUZIVE/ Fotografi i njohur rrëfen miqësinë me Kadarenë: Çfarë i tha Ramiz Alisë në takimin me intelektualët. Kur e ftonte Enveri dhe Nexhmija ai…

Oct 18, 2019 | 11:47
SHPËRNDAJE

PEtrit-Kumi-Enveri-Panorama-ftesa-RamiziANILA DEDAJ/ Ajo është në profil, me flokët e arta hedhur mbi supe, ndërsa Kadare me shikimin drejt saj. Ka kaluar kohë prej tregimit të gjimnazit që u bë shkas për lidhjen e tyre, po ende nuk janë fejuar.

Rrezet e dritës që vijnë prej dritares i shtojnë fotografisë doza lumturie. Momentin, në shtëpinë e shkrimtarit, e përjetëson Petrit Kumi. Është e para fotografi që i bën Helenës me Kadarenë, e ky imazh do të pasohet nga të tjerë përgjatë lidhjes së tyre. Çdo shkrepje mbart në vetvete mrekullinë për të shpëtuar çaste kadarejane nga e paepura kohë. Disa prej tyre shfletohen sot në shtëpinë-studio “Kadare”.

kdare

Foto që mbartin kujtimet e çiftit në rininë e tyre, entuziazmin e kureshtjen për të zbuluar më shumë rreth botës e për të shkruar për të. Momente nga apartamenti në rrugën “Luigj Gurakuqi”, të tjera më të gëzuara me praninë e vajzave, e mandej Kadareja i shqetësuar, në dritaren e shtëpisë së tyre në “Rrugën e Dibrës”…

Pas fotove të Kumit fshihet një ngjarje, një gjendje shpirtërore, e ky imazh i shkrimtarit tregon për diktaturën në prag të vdekjes dhe kërcënimit që gjatë rrëzimit final, sistemi totalitar mund të shtypë ende, ndoshta edhe “koka të mëdha”. Petrit Kumi, sot në të 90-at, e kujton atë pasdite, kur me Kadarenë diskutonin mbledhjen me Ramiz Alinë. Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, kur revoltat e studentëve zienin, i kërkonte shkrimtarit një mendim për polipartitë.

Ndërsa në mendjen e Kadaresë ishte imazhi kërcënues i asaj tabele me mbishkrimin “KASAP” përballë shtëpisë së tij. As kasap, as mish, as një objekt tjetër, veç kjo tabelë, përballë dritares së asaj që sot quhet “Shtëpia-studio Kadare”… Ishte vallë ky tregu privat, për të cilin Ramiz Alia fliste?! Ndoshta shkrimtari ka nisur ta mendojë “arratisjen” që në ato ditë. Kumi nuk kishte si ta dinte. Dy ditë pas largimit do ta kuptonte se fotoja e çiftit që kishte hasur në dysheme ishte një shenjë e largimit të tyre…

Në Francë, pas ndërrimit të sistemeve, Kumi do ta fotografonte Kadarenë më të gëzuar, aty në kafen “Terrase”. Kureshtar për atë që bëhej e thuhej për të në Shqipërinë e vogël, shkrimtari nuk do të kursente as vërejtjet për çështjet e kulturës, mënyrën e jetesës së njerëzve.kume

“Në Paris e gjente këtë kulturë, që këtu mungonte. Madje, edhe sot e kësaj dite, as unë, as ai, nuk e gjejmë dot. Ndofta, kjo falë politikës, që e ka ngatërruar këtë punë. Kur në politikë militojnë persona të pakulturë, çfarë mund të presësh nga populli”, rrëfen mjeshtri i fotografisë për “Panoramën”.

Zoti Kumi, në muzeun “Shtëpia-studio Kadare”, pjesa më e madhe e imazheve mban autorësinë tuaj. Fotografi të hershme dhe të vona të familjes Kadare, rrëfejnë një njohje të gjatë. Si jeni takuar me shkrimtarin?

Njihesha më herët me Helenën. Me Ismailin jam njohur rastësisht në Tiranë, një ditë me shi. Unë kisha ndaluar pranë Teatrit Popullor, që tani duan ta shembin. Po kështu, prej shiut të papritur, erdhi me vrap edhe Ismaili dhe po qëndronte aty. Kështu nisi biseda mes nesh. Shiu nuk po pushonte e, nga ana tjetër, as ne nuk po reshtnim së biseduari. Pjesa më interesante e bisedës për mua ishte kur Ismaili u fut në botën e fotografisë.

Ai ka qenë dhe është një amator i madh i fotografisë. Kur studioi në Moskë për Letërsinë, me pagën e parë bleu pikërisht një aparat dhe laboratorin për të zmadhuar fotografitë e tij. Po m’i tregonte të gjitha këto. Mandej, nisi të flasë për fotografinë, karakterin e saj, për atë çka ky lloj arti transmeton, pavarësisht nëse njerëzit e pëlqejnë apo jo. Unë po e lija të fliste, sepse m’u duk si dikush që po mbante leksion, për temën e fotografisë, për formën, mesazhet që jep fotografia.kadare 1

Asokohe kisha mbaruar shkollën e mesme për pikturë, por as që e mendoja të bëhesha piktor. Mirëpo, një shkollë e tillë të ndihmon të njohësh disa kritere që një fotograf duhet t’i dijë për sa i përket formimit të tij artistik, siç janë: kompozimi, drita, thellësia, kuadri, gjeometria etj. Jo, se unë i mësova këto nga Ismaili, por në atë periudhë më shkonte në mend sesi të merrja sa më shumë njohuri.

Kësisoj, unë u ktheva si punë miku. Kështu, duke u njohur e duke u afruar me të, kanë lindur edhe fotografitë e para të tyre. Kur ishin në fillimet e lidhjes, ende jo të fejuar, unë arrita t’u bëja një foto në shtëpi, me lejen e tyre. Unë hyja e dilja tek ata, dhe, edhe përse nuk ma ka thënë kush, ndieja te kolegët një lloj egoje, që unë kisha këtë lloj konfidence me një shkrimtar të tillë. Përpos kësaj, unë njihja edhe vëllanë e Ismailit, që ishte kirurg. Ai vinte në shtëpinë time, unë tek Ismailajt dhe dalëngadalë u krijuan mundësitë që të njihesha edhe më shumë me të.

Te “Dimri i madh”, i ekranizuar, gazetarin me motoçikletë shpesh e personifikojnë me Petrit Kumin, sa të vërtetë ka në këtë histori?

Është e vërtetë. I kisha kërkuar që për në roman të mos e vendoste emrin dhe ashtu e bëri. Madje, për personazhin që interpreton gazetarin me motoçikletë më kërkuan që ta interpretoja unë (filmi “Ballë për ballë”), por nuk pranova.

E bëri dikush tjetër. Por krahas këtyre, dua të theksoj se kam pasur një përftim të jashtëzakonshëm nga njohja me Ismailin. Kam përftuar nga kultura dhe talenti i tij, sepse ai është në gjendje të analizojë çdo akt krijimtarie. Mund të flasë për arkitekturën, fotografinë, muzikën, të cilën e dashuron.kadare 8

Kujtoj se në shtëpinë e tij mbante gjithmonë një regjistrues muzike poshtë në tokë. Dëgjonte muzikë simfonike, muzikë botërore të përzgjedhur. Ashtu si edhe filmi, muzika shoqëronte atmosferën në dhomë. Një fakt të tillë unë ia kam treguar edhe arkitektes italiane Elizabeta Terragni. Mendova se duhej gjetur ai magnetofon ose të vendosej një tjetër.

Me Ismailin ju lidhte edhe më shumë miku juaj i përbashkët, Jusuf Vrioni, të cilit i dedikohet edhe një meritë e madhe për suksesin e shkrimtarit jashtë. Ç’mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj figure?

Jusuf Vrioni është perla e përkthimeve dhe e kulturës shqiptare. Edhe pse kishte bërë 25 vite burg, ai mbetej një kavalier i jashtëzakonshëm i familjes së madhe të Vrionëve. Unë e kam njohur fare rastësisht, kur punoja në revistën “Miqësia”. Aty, ai u njoh me një vajzë, daktilografiste në redaksi, me të cilën më vonë u fejua. Nuk kisha të ngopur kur bisedoja me të, pasi ishte një njeri me shumë kulture. Kur Jusuf Vrioni më vinte në shtëpi, për mua nuk kishte gëzim më të madh. Edhe familja ime e priste me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Ai fliste urtë, ishte gjithmonë i buzëqeshur. Nuk e kam parë asnjëherë të mërzitej apo të bëhej nervoz. Kujtoj se edhe kur ishte 80 vjeç, ai bridhte nëpër Tiranë me biçikletë. Qe ai që “e zbuti” Enver Hoxhën të pranonte përkthimin e veprave të tij, edhe të vetë Enver Hoxhës.

Është e vërtetë se Jusufi ka një meritë të madhe në suksesin e Kadaresë jashtë. Madje, në një moment, “Le monde” në Francë shtronte pyetjen: Kush është ky francez që njeh kaq mirë gjuhën shqipe?

E konsideronin si francez, sepse frëngjishtja, në të cilën Jusufi përkthente veprat e Kadaresë, tingëllonte më e bukur se gjuha, në të cilën e kishte shkruar Ismaili. Po kështu, tingëllonte më bukur vepra, ose veprat e Enver Hoxhës. Kujtoj se kur bëheshin kongrese apo organizata politike e kur vinin delegacione nga jashtë, krijohej një autobus ku ishin të gjithë personat që i shërbenin atij. Unë dhe Jusufi rastisnim në të njëjtin autobus. Ai thirrej për ndonjë përkthim të shpejtë.

Më sipër ju thatë se arritët të krijonit një lloj miqësie me Kadarenë. E përshkruajnë si një tip të ftohtë, si është realisht Ismaili si mik?

Unë vetë nuk mund ta them, sepse mendoj që edhe një tip “i ftohtë”, pra, me tipare të kësaj natyre, mund të bëhet mik. Ismaili ishte jo i ftohtë, por i freskët (qesh). Sepse edhe ai buzëqeshte, edhe ai qeshte. Madje, po tregoj një situatë për të kuptuar karakterin e tij. Në atë kohë, në Shqipëri vinin tregtarë të huaj. Për arsye të gjuhës, pasi e flisja mirë italishten, unë krijoja një lloj afërsie me italianët.

Kujtoj njërin prej tyre, Alfredo Marson, nga Komo i Italisë, i cili m’u lut që të ndërhyja tek Ismaili për t’i dhënë atij një darkë. Tani, duke e lidhur me të qenit i ftohtë si tip, unë për të tilla biseda nuk flisja direkt me Ismailin, por i thosha Helenës. Ajo ishte e kundërt në karakter. Në këtë rast u informua se për çfarë bëhej fjalë dhe ia mbushi mendjen Ismailit. Kështu që Marson mundi ta takojë nga afër. Organizoi një darkë te hotel “Dajti”, ku më ftoi edhe mua, krahas Helenës dhe Ismailit. Kur papritur, gjatë bisedës, kap çantën dhe nxjerr 15 libra. “Çfarë i ke këto?”, e pyet Ismaili. Ai i tregoi se shokë të tij italianë kur kishin marrë vesh se do takohej me të, i kishin dhënë me vete këto libra për të marrë autografe. Ismaili i rreshtoi dhe i firmosi. Kjo ka ndodhur 6 muaj para se ai të ikte në Paris, para së ashtuquajturës “arratisje”.

A ishit në dijeni që Kadare do të largohej në Francë, kishit nuhatur diçka?

Takimin e fundit, para largimit të tyre në Francë, e kemi pasur po me italianin. Ai, pas darkës me Kadarenë, ishte tepër kurioz që të shikonte ambientin ku shkrimtari jetonte, edhe këmbëngulte që të vizitonte shtëpinë e tij. Përsëri për këtë kërkesë të tij, unë i them Helenës. “Kështu qëndron puna, përdore ‘mashën’”. Edhe u bë. Kur shkuam në shtëpi, unë vura re se kishte rënë përtokë fotografia e parë që unë u pata bërë vite më parë. Më bëri shumë përshtypje, por nuk u thashë asgjë. Pas kësaj, të pasnesërmen doli lajmi i famshëm që “Kadare u arratis”. Aty e kuptova se ajo fotografi ka qenë një nga objektet që ata morën me vete kur ikën për në Paris.

Pas largimit, i ruajtët kontaktet me ta?

Pas ndryshimit të sistemeve, kur u hapën rrugët, unë shkova në Paris. Të nesërmen dal në rrugë dhe telefonoj Helenën. Ajo u gëzua edhe po më pyeste me mall sesi ishin nga Shqipëria. Nga fundi i bisedës, unë i them: Moj zonjë, nuk po flas nga Shqipëria, po nga sheshi këtu në Paris. E dëgjoja të thërriste në telefon: “Ua sa mirë! Ismail, Ismail! Petriti është këtu”. Nga ana tjetër e telefonit u dëgjua zëri i tij: “Po mirë, lërë një takim të pimë një kafe!”. Dhe kështu bëmë, u takuam në kafe “La Tarrasse”, që frekuentohej më së shumti nga personalitete të kulturës e letërsisë parisiene. Aty, Ismaili kishte tavolinën e tij. Kur u takuam, pyetja e parë që ai bëri ishte: “Ç’bëhet andej?”. Pyetje tipike, që reflekton ftohtësinë, për të cilën folëm. Pra, e shqetësonte ajo çka thuhej për të. Unë këtë e lidh me karakterin e njeriut, edhe Ismailit i punonte truri vetëm për krijimtari letrare. Pra, është një njeri, një shqiptar i veçantë.

Figura e Kadaresë, edhe këto kohë, bëhet objekt debatesh, veçanërisht për pozicionin që ka mbajtur gjatë periudhës së diktaturës. A ju ka shprehur shkrimtari ndonjëherë mendimet e tij për politikën e asaj kohe?

Nuk fliste, nuk hapej aq shumë. Unë di të them se kur Enveri apo Nexhmija e ftonin, ai shkonte me Helenën apo me vajzën. Kushdo që të ishte në vendin e tij, do të vepronte ashtu. Unë vetë, në një nga rastet që kam shkuar të fotografoja Enver Hoxhën, kam qenë i ftuar për të ngrënë drekë. Po kjo nuk do të thoshte që ai do më shfrytëzonte mua apo që unë e simpatizoja shumë atë. Të jem i sinqertë, e kisha shumë frikë. Nuk mund të them se e njëjta gjë ndodhte edhe me Ismailin, se edhe ai e kishte frikë. Nuk mund ta them! Mirëpo, di se në atë kohë Ismaili i prodhonte romanet njëri pas tjetrit dhe secili prej tyre lexohej me një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Ka ndryshuar qëndrimi i Kadaresë në postdiktaturë sipas jush?

Në këndvështrimin tim, Ismaili është ai që unë kam njohur, ka po të njëjtën sjellje. Madje, do t’ju tregoj pozicionin e tij përmes një ndodhie. Kur regjimi ishte në rënie dhe trazirat kishin filluar, Ramiz Alia bëri një mbledhje me intelektualë, kryetarë të ndryshëm organizatash etj., ku më dërguan edhe mua me shërbim. Të pranishëm ishin figura si Sali Berisha, Fatos Nano, Dhimitër Shuteriqi etj. Ismaili qëndronte në fund, edhe unë, meqenëse nuk kisha çfarë fotografoja, u ula pranë tij. Ramizi ishte shumë i shqetësuar për revoltat e studentëve dhe pasi foli pak kohë vetë, i ftoi edhe të tjerët të thoshin mendimin e tyre, duke iu drejtuar me fjalët: “Ç’thoni ju?!”. Aty ishte e qartë se flitej për ndryshime që realisht nuk i donin të gjithë, por që s’kishin ç’thoshin, sepse ishin përpara Sekretarit të Parë të partisë dhe të komandantëve.

Në një moment, Ramizi u kthye nga Ismaili edhe i thotë: “Hë mo, Ismail, po ti, pse s’po na thua ndonjë gjë?”

Nuk e di nëse luajti rolin apo ishte e vërtetë përgjigjja e tij: “Çfarë?”, e pyet Ismaili. Ramizi ia ktheu, duke i thënë se po flitej për polipartitë. “Çfarë polipartish,– thotë Ismaili. Unë s’e kam ditur fare, se pse jam thirrur. Nuk ekziston kjo! Unë, gjatë kohës që ju flisni, shoku Ramiz, po mendoja se sot poshtë dritares te shtëpia ime pashë një familje në lulishte (tani aty kanë hapur gropë, thotë Kumi). Kjo familje e kishte gdhirë aty. Unë dërgova një person të pyes dhe ata kishin thënë se kishin shkuar në spital, po s’kishin gjetur vend për të shtruar një fëmijë të vogël. Kjo më shqetëson mua, pa polipartia, në u bëftë, është e parakohshme të flitet”. Atëherë, Ramizi i thotë: “Po si nuk ekziston, ne kemi bashkimin e grave, të rinisë, Komitetin Mysliman etj. Pse gjithë këto ankesa? Po bëhen ndryshime, ne kemi hapur tregun privat”. “Unë nuk shoh ndonjë treg privat!”, ia ktheu Kadare, të cilit para shtëpisë së tij ato ditë i kishin vendosur një tabelë që shkruante “Kasap”, por që në fakt në atë objekt nuk kishte asgjë brenda. Pastaj Ramizi luajti nga karrigia e iu drejtua Berishës. Edhe ky i fundit kishte kundërshtime, nuk pranonte Komunitetin Mysliman apo bashkimin e grave. “Po si qenkan parti këto”, tha Berisha. Kështu, me këto diskutime, kaloi ajo mbledhje.

E keni biseduar më vonë me Ismailin atë që ndodhi në atë takim?

Të jem i sinqertë, po atë ditë, në orën 5 në pasdite, më bie zilja e telefonit. Ishte Helena. Pasi më përshëndeti, më pyeti nëse do dilja nga ata. -Të shikoj, – i thashë – mbase dal!. Edhe u shkova në shtëpi. Si zakonisht, pasi u takuam, Ismaili më bëri pyetjen e zakonshme: “Si t’u duk fjala ime?”. S’ke pse shqetësohesh, – i them- ke fol shumë bukur, edhe për punën e tregut privat. -Çohu dhe eja të shikosh – më tha. Përballë dritares së tij kishin vendosur tabelën ku shkruhej “KASAP”, për të cilën ai foli. Po aty realisht s’kishte as mish, as kasap brenda, asgjë, sepse s’ishte çelë. “E kupton se ç’po ndodh më thotë? E shikon se ç’thotë ai, se ka hapur tregun privat. Ja tregu privat!”, më thotë Kadare. Këto momente, unë ia kam treguar edhe arkitektes italiane dhe asaj i bënin përshtypje. Lindi kështu edhe koncepti i saj për “perden”, ku shkrimtari e shikon si të zbehtë Shqipërinë..

Vijon…

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

 1- EKSKLUZIVE/ “Hape derën, shiko si më kanë bërë”- Petrit Kumi rrëfen foton e Edi Ramës në ’97: Më erdhi në shtëpi i gjakosur dhe kërkoi…

2- EKSKLUZIVE/ “Fotoja e fundit e Enverit pas lajmit se ka vdekur”, Petrit Kumi rrëfen debatin me Nexhmijen dhe pritjen në dhomën e kuqe

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura