EKSKLUZIVE/ Flet Remo Girone: Tano Cariddi tregoi “jakat e bardha”, kush ishte ana e panjohur e mafias financiare

Oct 31, 2018 | 19:06
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Ai është ulur në një nga poltronat, ku dikur me shumë gjasë ulej diktatori Enver Hoxha. Këtij të fundit do t’i kenë lëvizur eshtrat vendit, po të ketë mësuar se në ish-vilën e tij po xhirohet një film për diktaturën.

REMO GIRONE NË ROLIN E TANO CARIDDIT
REMO GIRONE NË
ROLIN E TANO CARIDDIT

Një film që flet për një dashuri të ndaluar. E aq më tepër, nëse një kast i tërë aktorësh e teknikësh nga Italia, i bien mes përmes dhomave të tij, shkelin tapetet e kuq, ulen në kolltukët bojë bezhë… Prej disa ditësh kanë nisur në Tiranë xhirimet e filmit “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, me regji të Namik Ajazit.

remo2

Një film i mbështetur në një histori të vërtetë mbi dashurinë e një djali shqiptar me vajzën e një ambasadori italian. Për të interpretuar rolin e këtij të fundit, ka ardhur në Tiranë aktori Remo Girone. Shumëkush e identifikon me rolin e Tano Cariddi-t, në serialin “Oktapodi”, edhe pse ai është një aktor me një karrierë shumë të pasur, që nuk kufizohet vetëm në Itali.

ajazi

Në Shqipërinë e diktaturës, “Oktapodi” ishte një nga ata serialë që pritej në ethe në çdo shfaqje. Shqiptarët e lodhur nga heronjtë pozitivë të e socrealizmit, e simpatizuan Tano Cariddi-n, jo për “ligësinë”, por për gjenialitetin dhe kompleksitetin e kësaj figure mes së mirës dhe së keqes… Vetëm dy vitet e fundit ka realizuar dy filma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E megjithatë ai pranoi të vijë në Shqipëri.

Regjisori Ajazi ka ditur t’ia gjejë “telat” dhe Girone, që në vizitën e parë në Tiranë, disa vite më parë, premtoi se nëse do t’i jepnin një skenar të mirë, do të vinte. Dhe e mbajti premtimin. Ka ardhur në Tiranë me bashkëshorten, aktoren Victoria Zinny, e cila, duket se nuk do t’i ndahet edhe këtë herë, duke luajtur po rolin e së shoqes, pra, bashkëshortes së ambasadorit italian në Shqipëri. I sjellshëm me të gjithë, i komunikueshëm, nuk ia kursen askujt një këshillë, sidomos aktorëve të rinj…

Madje, këto ditë kanë vërshuar fotografitë që ai ka bërë, jo vetëm me shqiptarët, me të cilët punon në sheshxhirim, por edhe njerëz të thjeshtë, që e hasin diku në rrugë dhe do donin ta kishin një fotografi me të. Të ishte ky Tano Cariddi?! Pak minuta përpara grimit, para fillimit të xhirimeve mundim ta shkëpusim për pak.

Shumë pyetje mbetën pa u bërë, por le të shpresojmë në një vizitë të tretë të Girone-s në Tiranë. Aktori italian flet për “Portretin e pambaruar i Clara Bellinit”, për rolin e famshëm të Cariddi-t, për situatën në Itali, për qëndrimin ndaj emigrantëve, dikur shqiptarë e sot afrikanë, por edhe projektet më të fundit.

Është hera e dytë në Shqipëri, por këtë herë për të xhiruar, na tregoni diçka nga roli juaj…

Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1978 dhe është mbështetur në një histori të vërtetë. Unë luaj rolin e ambasadorit italian në Shqipëri. Në krahun tim është edhe ime shoqe, Victoria Zihnny, që luan rolin e gruas së ambasadorit. Pra, jemi çift edhe në film. Filmi sjell atmosferën e Shqipërisë nën regjimin komunist dhe e gjitha kjo jepet përmes historisë së dashurisë mes vajzës së ambasadorit dhe një të riu shqiptar, që quhet Artur. Si prindërit e vajzës, ne jemi të shqetësuar për këtë situatë, por kemi të bëjmë me dy qëndrime të ndryshme. Nga njëra anë është nëna e shqetësuar dhe nga ana tjetër babai, më pak i shqetësuar, siç ndodh rëndom në familjet tona…

film

Po, a nuk duhet të shqetësohej për shkak të linjës politike?

Po, ka një linjë politike që ndiqet nga Shqipëria më së shumti dhe jo nga Italia. Historia mbaron tragjikisht. E ëma e vajzës e kishte parashikuar një fund të tillë, ndërsa babai, jo. Pra kemi një ambasador që vjen në një vend të huaj dhe është i detyruar të zbatojë rregullat, por ai mendon se gjërat mund të rregullohen. Por gjërat komplikohen me Sigurimin e Shtetit dhe finalja është tragjike, si në të vërtetë ka qenë për personazhin real, i cili ka bërë 8 vjet burg për shkak të kësaj historie dashurie.

A e dinit ju asokohe se shumë pranë jush gjendej një vend i izoluar, nën një diktaturë aq të egër saqë edhe dashuria ishte e ndaluar?

Përveç njerëzve të ambasadave që dinin gjithçka, njerëzit e thjeshtë nuk ishin në dijeni të asaj çfarë ndodhte në vendin tuaj. Personalisht, isha në dijeni të një regjimi diktatorial, por nuk e mendoja kështu. Kisha dijeni mbi gjendjen në Spanjën Frankiste, ku kishte spiunë ngado, portierët e pallateve dinin dhe duhet të informonin për gjithçka. Por po ashtu kam bërë dy projekte me regjisorin Yuri Lyubimov, “Delitto e castigo” (“Krim dhe ndëshkim”) të Dostojevskit dhe “Il festino in tempo di peste” të Pushkinit dhe ai na e ka shpjeguar mjaft mirë atë që ndodhte në Rusi. Më ka shpjeguar gjithë mekanizmin, përmes së cilës kalonte një vepër dhe se çfarë ndodhte gjatë realizimit të një vepre në teatër. Më parë vepra kalonte përmes censurës dhe ishte kjo e fundit që thoshte se çfarë shkonte dhe çfarë nuk shkonte. Pasonin 15 ditë të tjera prova për të bërë ndryshimet e kërkuara, por gjithmonë, duke tentuar të shpëtonin diçka.

Beatrice Aiello, Remo Girone dhe Victoria Zinny, gjatë xhirimeve të filmit "Portreti i pambaruar i Clara Bellinit"
Beatrice Aiello, Remo Girone dhe Victoria Zinny, gjatë
xhirimeve të filmit “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”

Ka qenë e njëjta situatë edhe këtu…

Po, e njëjta histori… Gjithnjë kishte mes trupave teatrore një aktor, që ishte spiun dhe ata e dinin dhe që i jepnin të luante gjithnjë rolin e spiunit. Kështu që ishim në dijeni të gjërave. Po ashtu ime shoqe ka bërë shkollën në Spanjë dhe e ka jetuar periudhën frankiste. Ishte në dijeni të këtyre portierëve, që kishin çelësat e apartamenteve dhe vëzhgonin e sinjalizonin, kush hynte, kush dilte, në çfarë ore, kë ftonte, etj.. Sigurisht që nuk kishte kriminalitet, por kishte një kontroll shteti aq të fortë mbi gjithçka, saqë njerëzit nuk ndiheshin të lirë.

Mesa duket, Shqipëria është bërë një faktor, pas eksodit të vitit 1991, ç’keni menduar atëherë?

Unë jam kundër asaj që po ndodh sot në Itali me emigrantët, që vijnë nga Afrika. Edhe atëherë isha kundër mënyrës se si trajtoheshin emigrantët që vinin nga Shqipëria. Nuk isha dakord me ata që thoshin se shqiptarët janë kriminelë. Unë jam nga ana e emigrantëve. Gjithmonë. Dhe nëse njerëzit arratisen nga një situatë e keqe, e shëmtuar, në vendin e tyre, është e drejtë që t’i presësh. Kam parë shumë filma, kam parë atë të Amelios… Jam kundër këtij trajtimi, ashtu si jam kundër “emigrimit” të korrupsionit nga Italia në drejtim të vendeve të tjera. Sot për sot, në Itali, ka shumë njerëz që e mendojnë si unë. Është një moment i shëmtuar, shumë i shëmtuar, sepse i mbyllin portat emigrantëve afrikanë dhe preferojnë t’i lënë në burgjet e Libisë. Më kujtohet, që në kohën e emigracionit shqiptar, të gjithë kriminelët quheshin shqiptarë. Nuk kishte më italianë. Ndërsa tani janë të gjithë afrikanë, ciganë, hebrenj, etj.. Kur vendi shkon djathtas, kjo është ajo që ndodh. Por i gjithë ky emigracion nga Afrika nuk është thjesht drejt Italisë. Ata duan të shkojnë në Zvicër, Gjermani, Francë… Dhe preferojnë t’i lënë të mbyten në det, sesa t’i mikpresin. Është tragjike.

Bashkëshortja juaj në film është edhe bashkëshortja juaj në jetë, si është të luani bashkë?

Është bukur, është komode. Kemi interpretuar edhe herë të tjera bashkë. Madje, së fundmi kemi realizuar një film për familjet që u janë nisur fëmijët për në xhihad. Ajo luan rolin e një psikiatreje, që ndihmon këta prindër, që kanë nevojë për një mbështetje psikologjike. Dhe unë luaj rolin e një djali që kërkon të kthehet, por që nuk e lejojnë. Është Christopher Lambert, që luan po ashtu në këtë film. Kemi xhiruar edhe një tjetër film, “Persona non grata”, me regji të Krzysztof Zanussi, ku luajta rolin e një konsulli italian. Flasim shpesh me njëri-tjetrin për rolet që punojmë dhe këshillojmë njëri-tjetrin.

Kur flitet në Shqipëri për Remo Girone-n, padyshim që mendja të shkon te Tano Cariddi, personazhi i famshëm që ju keni interpretuar në serialin televiziv “Oktapodi”. E dinit që njerëzit parapëlqenin më shumë ju se Komisar Cattani-n?

Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por gjithandej..

Si keni arritur të mishëroni një personazh kaq kompleks që nuk mund të thuash se është “i keq”, pasi një dozë “mirësie” ka edhe tek ai..?

Më ka ndihmuar shumë ime shoqe. Asokohe më tha se nëse do të bësh rolin e një “të keqi” “të mirë”, je gabim që në fillim. Nëse do të luash rolin e një “të keqi”, duhet ta bësh të keq deri në fund. Skenaristët më kanë ndihmuar shumë. Gjithçka ishte e qartë në skenar. Po ashtu, më herët kisha realizuar rolin e Raskolnikovit te “Krim dhe ndëshkim”, i cili është një karakter i ngjashëm me Tano Cariddi-n. Sipas modelit të Napoleonit, ai beson se ka njerëz që qëndrojnë mbi moralin e zakonshëm. Këtu buron edhe krimi i tij. Nuk ka qenë e thjeshtë, por edhe jo fort e vështirë.

Përveç eksperiencës me Dostojevskin, ju është dashur të “studioni” ndonjë tip të ngjashëm si Cariddi?

Pak kohë më parë kam realizuar rolin e Andreotti-t dhe më është dashur që të lexoj për të, të lexoj intervistat e tij, të studioj mënyrën e të ecurit… Në rastin e Tano Cariddi-t ndryshonte pak puna. Përmes këtij roli, për herë të parë u shfaqën në një serial televiziv, të ashtuquajturat “jaka të bardha” të mafies. Mafia që ne njohim, janë vrasësit, padrinot e Cosa Nostra-s, por asnjëherë më parë nuk ishte parë në nivelin financiar. Dhe ky personazh bëri publike për herë të parë se si përdoreshin paratë e mafies në nivele të larta. Tano Cariddi nuk është një mafioz që është “betuar” te mafiozët. Ai është një gjeni i financës, që përdor mafien. Kështu ka ndodhur, atëherë.

Nga role “mafiozësh” te politikanë… çfarë keni realizuar së fundmi?

Së fundmi kam realizuar rolin e Giulio Andreotti-t, për Michele Santoro dhe shkoi shumë mirë. Kam luajtur rolin e Enzo Ferrari-t në një film amerikan, që zhvillohet në vitin 1962 me Matt Damon dhe Christian Bale, si protagonistë. Është hera e dytë që realizoj një film në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy vjet më parë kam xhiruar me Ben Affleck në filmin “Live by night”.

Një periudhë tepër e ngjeshur për ju…

Na qëlloi që sapo u kthyem nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndruam vetëm një ditë në shtëpi dhe erdhëm këtu.

Dhe jeni këtu, si ndiheni?

Isha 22 vjeç kur u largova nga Eritrea dhe shkova për herë të parë në Itali. Shqipëria e sotshme më duket si Italia e atëhershme. Njerëz të hapur, të gatshëm. Ndoshta unë jam pak i privilegjuar, pasi më njohin e më duan, por jeta më duket më e qetë, hahet më mirë se në Itali. Restorantet ku hahet mirë në Itali, janë shumë më të shtrenjtë. Nuk është se kam parë shumë përreth, por ndiej atmosferën, aty ku qëndroj, para hotelit tim.. Dhe më duket si Italia e kohërave kur unë isha edhe një djalosh. Sot, në Itali, me politikën që po ndiqet, me çështjen e emigrantëve, ka shumë nervozizëm. Në Romë, njerëzit që në mëngjes, kur marrin makinën, ndihen të nevrikosur. Ka shumë dhunë në internet dhe në gazeta, sepse ka parti politike që bëhen leva të kësaj dhune.

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

 

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura