EKSKLUZIVE/ Flet ish-mesfushori i Kombëtares: Tiranës ia hapte portën Dinamoja, një i dehur degjeneroi Partizanin në Portugali

May 22, 2020 | 14:08
SHPËRNDAJE

Ilir Lame, ish-mesfushori i Partizanit dhe i Kombëtares, në një rrëfim të gjatë për “Panorama Sport”, kujton natën e errët të 16 shtatorit të 1987-ës, kur të kuqtë u mundën 4- 0 nga Benfika në Portugali. Gjykimin e arbitrit spanjoll e quan të çmendur, ku sipas Lames, ai ishte i dehur ose i paguar.

Ishmesfushori kujton rrjedhën e kartonëve të kuq, incidentet në fushë, arsyen pse u ndëshkua vetë, anulimin e kartonit të kuq të Ocellit, që do të çonte në anulimin e ndeshjes, si dhe shumë episode të tjera. Pas kthimit në Shqipëri tregon reprezaljen që i kanë bërë ekipit të Partizanit në doganën e Hanit të Hotit dhe sagën e ndëshkimeve, që ashtu si ish-trajneri Bajko i quan me qëllim.Ilir Lame Partizani

Lame flet edhe për normat e vitit 1989, kur u dënuan katër titullarë të Partizanit. Sipas tij, ishin sajesa për të penguar të kuqtë, pasi nuk duhet të dilnin kampion, meqë ishin të pezulluar në Europë. Ish-mesfushori i kuq nuk lë pa thumbuar edhe rivalët bardheblu, që sipas tij, nuk e di ku e kanë pasur persekutimin. Madje, ai shkon më larg se Musta dhe Bajko duke rreshtuar privilegjet, përfitimet dhe favorizimet e tyre ndaj të tjerëve.

Lame, ish-trajneri juaj Neptun Bajko ka folur në lidhje me dënimin që morën disa nga lojtarët e Partizanit, ku bënit pjesë edhe ju, pas disfatës me Benfikën. Sipas tij, dënimi mund të ishte i paramenduar, pasi kishte zëra për spastrim lojtarësh që etiketoheshin zevzekë apo të vjetër. Ju keni dyshuar për dënimet pasuese që morët si ekip?

Këtë gjë e kam shprehur edhe më herët, pasi për mua ka qenë një dënim i mirëmenduar pas ndeshjes me Benfikën. Këtu na pritën me këmbët e para, ku u duk qartë që mezi e prisnin një gjë të tillë.

Kush e priste?

Nuk e di se çfarë qarqesh ishin të interesuara, por nuk dua të përmend as emra tani. Nuk është mirë, sepse disa janë ndarë nga jeta. Drejtuesit e asaj kohe ishin të interesuar ta dënonin Partizanin. Nuk mund të bëheshin dy dënime për një çështje. Ne morëm dënimin nga UEFA, pse duhet të dënoheshim edhe nga tanët? Nuk mund të ketë dy dënime për të njëjtën gjë. Dënuan Perlat Mustën, Arjan Ahmetajn rahmet pastë, Niko Frashërin. Vetëm mua nuk më dënuan, meqë nuk isha përsëritës duke pasur raste të tjera. Për mendimin tim, ka qenë i qëllimshëm ai dënim që morën pasi mbërritëm në Shqipëri nga Portugalia.

Pse e quan të qëllimshëm?

Ajo u duk në kthim, sapo mbërritëm në doganën e Hanit të Hotit. Në mes të natës na bënë një reprezalje në doganë, a thua se kishin mbërritur talebanët në kufi. Nuk na lanë asgjë. Nuk lanë skutë pa kontrolluar e rrëmuar. Edhe ato pak gjëra që kishim me vete, që i kishim blerë, na i mbajtën të gjitha në doganë. U sollën shumë keq. Na keqtrajtuan me pretekstin se ishte prishur imazhi i sistemit.ilir lame

Trajneri Bajko pohon se historia me Benfikën u shkrua që kur mbërritët atje duke qëndruar gjatë në aeroport, akomodimi vonë në hotel dhe pulat e ëmbla që nuk futeshin në gojë…

Në fakt, ushqimet ashtu ishin andej. Ne nuk ambientoheshim dot me ato shije. Ishin ushqime që ne nuk na i pranonte stomaku. Por këto nuk i shikoj problem, pasi nuk bëheshin qëllimisht. Vonesat diheshin në atë kohë nëpër aeroporte apo udhëtime të gjata, të lodhshme dhe rraskapitëse. Ishin udhëtime që nuk u shkonin përshtat ndeshjeve, ku duhej të ishe i çlodhur. Ishte një torturë në vete.

Ndeshja me Benfikën mos u prish nga kartoni i kuq që iu dha Mustës për një ndërhyrje, që faktikisht duhet të ishte faull në favor të Partizanit?

Gjyqtari i ndeshjes ishte i çuditshëm. Nuk e kuptuam dot qëllimin e tij. Arbitri spanjoll që na gjykoi me Benfikën, Pes Perez quhej, ka qenë anësor në ndeshjen mes përfaqësues sonë me Belgjikën në Tiranë më 22 dhjetor 1984. Ai në këtë ndeshje ka qenë gjyqtar anësor nga krahu i tribunës kur bëri gol Belgjika dhe na barazoi, por ky e anuloi. Për mendimin tim dhe të të gjithëve ai goli i belgëve ishte i rregullt dhe u çuditën si e anuloi. Në këtë rast neve na bëri mirë dhe duke ditur këtë histori, menduam se do të ishim të favorizuar edhe në Portugali, duke ditur se Pes Perez ishte kryesor ndaj Benfikës. Ne menduam se e njohëm dhe do të mbante qëndrim të mirë e korrekt ndaj nesh, por më pas nuk i kuptuam veprimet e tij. Na degjeneroi fare.

Pas këtij incidenti me Mustën, pse pati aq shumë nervozizëm nga ju në fushë?

Atë rast nuk e morëm vesh, pasi ishte Rui Aguash ai që bëri faull në kërcim ndaj Mustës, i cili e kishte zotëruar topin me dorë. Ishte i çuditshëm ai gjyqtar në atë ndeshje. Ose ka qenë i dehur, ose i paguar apo nuk e di çfarë të them. Kur erdhi mjeku i tyre për të bërë mjekimin e Aguash që ishte shtrirë në fushë, Arjan Ahmetaj merr një copë akull dhe e gjuan në drejtim të arbitrit për t’ia tërhequr vëmendjen se çfarë po bënte duke dhënë faull të paqenë dhe karton. Anësori e pa dhe e njoftoi kryesorin, i cili direkt i nxori karton të kuq. Aty filloi dhe u prish i gjithi si takim. Nuk kaloi shumë dhe pas dy kartonëve të kuq vijnë edhe dy të tjerë, për Niko Frashërin dhe mua.

ILIR CARA

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN  PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura