EKSKLUZIVE/ “Fiton Vllaznia, ‘demat’ kanë frikë nga Shkodra”, Tafili jep recetën: Ja si mposhtet Partizani

Oct 18, 2019 | 9:46
SHPËRNDAJE

Alsid Tafili skanon Vllaznia-Partizani. Dhe askush më mirë se ai nuk mund ta bëjë këtë. Karrierën e ka përqendruar në Shkodër, e megjithatë një vit i kaluar në kryeqytet i ka mjaftuar që t’i njohë mirë edhe të kuqtë. Mesfushori që po luan në Kosovë për Lirinë e Prizrenit vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Kategorinë Superiore dhe mbi të gjitha me ekipin e vendlindjes.

Alsid-Tafili-1

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, zbulon se “demat” i kanë pasur gjithnjë më frikë përballjet në “Loro Boriçi” dhe se mund t’i mposhtësh me agresivitet. Vlerëson pozitivisht punën që po bëhet nga Mirsad Jonuz, por ende i ka mbetur pishman që u largua nga Shkodra këtë verë.

Vllaznia për të cilën keni kontribuuar shumë vite, është në krye pas javës së 7-të. Ju ka befasuar ky start?

Të jem i sinqertë, po. Dhe jo vetëm se e nisën vonë fazën, por edhe prej faktit që shumë lojtarë iu bashkuan grupit nga fundi i përgatitores. Meritë të madhe për këtë kanë djemtë shkodranë. Ata dinë t’i mirëpresin të ardhurit dhe i ndihmojnë që të konsolidohen më shpejt me pjesën tjetër. Sigurisht që nuk mund të mos befasohem edhe kur shoh gjendjen e klubit, që edhe pse kanë dhënë vetëm një rrogë prej shumë muajsh, prapë se prapë mundohen që ta ngrenë Vllazninë sa më lart.

vllaznia tafili

Kanë kaluar me sukses thuajse çdo kundërshtar që në letër quhet i madh, por tani vjen radha e Partizanit. Do të jetë ky duel një provë force?

Vllaznia më duket se po kalon një situatë më të mirë dhe më të qetë. Ka më shumë entuziazëm dhe për mendimin tim ka me luajtur më lirshëm edhe do provojë ta fitojë këtë 90- minutësh. Kanë shumë mundësi që t’ia dalin. Kurse Partizani nuk ka qenë shumë stabël në këtë start sezoni.

Karriera juaj ka qenë e përqendruar te Vllaznia, e megjithatë edhe te Partizani keni luajtur. Meqenëse i njihni të dyja këto skuadra, do të donim të na tregonit si pritet ky duel nga këto klube?

Vllaznia gjithmonë me ekipet e forta në letër ka dhënë maksimumin. Ka shprehur gjithçka nga vetja. Kurse shumë herë ka lënë pikë me ato që quhen “të vogla”. Kurse nga Partizani mbaj mend që gjithmonë e ka pasur me frikë ndeshjen në Shkodër.

Pika më e fortë dhe më e dobët e secilës?

Pika më e fortë për momentin te Vllaznia është grupi. Një skuadër që ka treguar se mbrohet mirë, por edhe ka individë që dinë të bëjnë diferencën. I tillë është kapiteni Gilman Lika që po kalon formë shumë të mirë dhe po e inspiron ekipin drejt suksesit. Kurse Partizani ka individët, por në grup s’po punojnë mirë. Gjithsesi, kjo skuadër mbetet e frikshme.

Do guxonit të na bënit një parashikim për këtë duel dhe kush mund ta vendosë?

Them se Vllaznia ka për ta fituar këtë përballje. Ajo po kalon një moment shumë të mirë, pastaj mendoj që edhe tifozët kanë për ta ndihmuar.

Mungojnë tifozët e Partizanit. Në një stadium ku do ketë vetëm tifozë shkodranë, kush do ta ndiejë më shumë presionin?

Kam vënë re se tifozët e Vllaznisë po kthehen edhe më të shumtë në numër në stadium. Por e mbështesin masivisht skuadrën në të gjitha aspektet. Mendoj se kjo gjë do të jetë kundër Partizanit.

ADMIR URUÇI

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura