EKSKLUZIVE/ Fidel Ylli i përgjigjet Demalisë: E vërteta e sherrit në ‘95, cili ishte roli i Tom Doshit (E PLOTË)

Jun 8, 2018 | 23:24
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI / Deputeti socialist Fidel Ylli shpreh keqardhje për analistin Ilir Demalia në lidhje me akuzat për kërcënim me armë në vitin 1995. Në një intervistë për gazetën “Panorama” deputeti Ylli e cilëson mashtrim këtë deklaratë të Demalias, ndërsa tregon episodin e ndodhur 23 vjet më parë në Bar West.

demalia

 

Sipas Yllit, ai asnjëherë nuk ka mbajtur armë, ndërsa e ka nxjerrë Demalian jashtë lokalit për shkak të zhurmës dhe shqetësimit që po u krijonte klientëve të lokalit të tij. Deputeti socialist e cilëson të dhunuar psikologjikisht nga sistemi komunist Demalian, pasojat e të cilit, sipas tij, vijojnë të shfaqen edhe sot.

Ilir Demalia ka sjellë në vëmendje një incident të shumë viteve më parë ku ai pretendon se ju dhe zoti Tom Doshi e keni kërcënuar me armë. E mbani mend këtë episod? 

Ky është një mashtrim i Demalias sepse unë edhe kur kam qenë oficer pranë Kryeministrit nuk kam mbajtur armë, e aq më tepër jo kur isha në biznes privat. Bar West ishte një vend publik që mblidhte gazetarë, politikanë, intelektualë, opozitarë që nuk i mblidhja unë për t’i bërë opozitë qeverisë, por sepse miqtë e mi, që unë i kisha gazetarë që nga njohja me Kryeministrin dhe të ndjerin Gramoz Pashkon, Neritan Ceka, Teodor Keko dhe të gjithë ata që kishin krijuar Aleancën Demokratike prapa Gjykatës së Lartë, vinin pinin kafe te lokali im ngaqë njiheshim. Në West vinin dhe gazetarët e njohur të kohës si Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku, Fatos Baxhaku, etj., ishte një vend intelektual që s’kishte pse mbahej armë. Lokali im ruhej dhe nga SHIK, saqë në 1997, në të njëjtën ditë me djegien e gazetës “Koha Jonë”, u dogj dhe Bar West.

Po në lidhje me incidentin që tregon Ilir Demalia?

Mua më vjen keq me Syçin, se ka qenë djali i lagjes, ai e ka pasur shtëpinë te “Rruga e Durrësit”, unë prapa gjimnazit “Qemal Stafa”, e njihja si djalë që rrinte te pastiçeri “Flora”, kemi pasur shokë të përbashkët, por nuk jemi njohur drejtpërdrejt. Në 1990, Syçi hyri në ambasadën gjermane dhe iku jashtë shtetit, fillimisht në Gjermani dhe më pas në Amerikë. Pas disa vitesh ai shfaqet në Shqipëri, pasi kishte botuar një libër. Unë nuk e dija fare se çfarë kishte botuar Syçja. Shfaqet te Bar West-i. Unë isha me Tor Pustinën dhe dy gazetarë të tjerë, ai erdhi në lokal me një eufori të madhe. Unë nuk i fola. Ai filloi të ngacmonte ngaqë unë nuk po reagoja, sepse kishte shkruar diçka për Gramoz Pashkon, një nga themeluesit e PD-së, ku dokumentet e para të partisë u shkruan në shtëpinë e tij. Unë s’kisha pse bëja avokatin e të ndjerit Pashko, sepse ai ishte i zoti vetë të mbronte veten dhe t’u përgjigjej njerëzve. Unë i tërhoqa fillimisht vëmendjen, duke i kërkuar që të mos bërtiste sepse po prishte qetësinë dhe ai ishte lokal që siç e thashë mblidheshin intelektualë dhe jo rrugaçë. Aty mblidheshin shkrimtarë, artistë, nga Sulejman Pitarka etj..

Çfarë provokimesh bënte?

Filloi të bërtiste: E mor Fidel, çfarë ke, je mërzit se të kam sharë Gramozin, mikun tënd?! Unë i kërkova që të ulte zërin. Ti shaj këdo, i thashë, je bërë dhe shkrimtar, por këtu je në lokalin tim, prandaj ule zërin. Ai vazhdoi të bërtiste, unë e kapa nga dora, as më shkonte ndërmend ta godisja dhe e nxora jashtë lokalit.

Ilir Demalia përmend dhe Tom Doshin, që, sipas tij, e ka kërcënuar me armë…

Nuk ka lidhje Toma fare. Toma ishte klient i lokalit dhe nuk ka qenë fare në këtë komunikim timin me Syçin. Kur dolën jashtë, kalon një patrullë policie. Syçi vazhdonte të bërtiste. Unë prapë i fola, i thashë mos bërtit se është dhe Policia jashtë dhe ne jemi çuna lagjeje. Unë nuk pyes për Policinë dhe as për njeri. Policët që ishin jashtë, të patrullës, e dëgjuan. Ti nuk pyet për Policinë, hajde pak me ne në rajon të sqarohemi dhe e morën. Kjo është e gjithë historia e kërcënimit me armë, që thotë Syçi. Syçi në atë kohë ishte në euforinë e Partisë Demokratike, se po iknin komunistët dhe po vinin në pushtet demokratët, ishte gjithë krahë. Tani shan Saliun, shan Edin, shan këdo që i del përpara dhe shpreh keqardhje për ato vuajtje që i ka krijuar ai sistem që e ka dhunuar psikologjikisht atë.

***

Rrëfimi i Demalias: Si më goditën e kërcënuan me pistoletë Doshi dhe Ylli

Ilir Demalia i cilëson si retorika pa vlerë, pretendimet e disa politikanëve për veting të klasës politike. Në një intervistë për “Panorama”, analisti i njohur tregoi se krimi sot është i ulur në Parlament, duke sjellë rastet e kërcënimeve me jetë që ka marrë disa vite më parë nga deputetët aktualë, Tom Doshi dhe Fidel Ylli. Demalia ka shpjeguar se si është kërcënuar në vitin 1995 me pistoletë në kokë nga dy deputetët aktualë në Parlament për disa rreshta që kishte shkruar në një libër të tijin për ish-themeluesin e PD-së, Gramoz Pashko. Sipas analistit, Shqipëria ende nuk ka krijuar modelin e moralit, kurajës intelektuale në shoqëri, duke i hapur rrugë personave të ardhur nga kanale të pista të trafiqeve dhe drogës të hyjnë në Parlament. “Fideli kishte hapur një kafe në këtë kohë që quhej “Bar West” në qoshe të “Parkut Rinia” ne krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Unë po shkoja në kafen “Bar West” për t’u takuar me dy miqtë e mi Sokol Ngjelën (Lincin) dhe Teodor Kekon (Dorin e vogël). Në kafe ishte Hektor Pustina dhe të tjerë gazetarë që mblidheshin aty. Kur unë isha në tavolinë me Pustinën dhe po prisja miqtë e mi, vjen Fidel Ylli, më shikon mua dhe më drejtohet: U bëre ti, more shkërdhatë, të shkruash për Gramozin, dil përjashta nga këtu! Unë iu ktheva: Po kush je ti more ndyrësirë, të më tregosh mua se çfarë duhet të shkruaj, ti sampisti i 326-ës”, tregon Demalia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura