EKSKLUZIVE/ “Enveri mori letrat nga Stalini, por…”, Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Pse Hoxha braktisi Hrushovin për Mao Ce Dunin, i interesonte vetëm karrigia e tij. Çfarë roli pati në masakrën e Tivarit

Sep 10, 2019 | 15:36
SHPËRNDAJE

parllaku1 (1)ARISTIR LUMEZI/ Frika për një puç ushtarak duket se e ka shtyrë Enver Hoxhën që të sulmojë drejtuesit e lartë të Ushtrisë. Duke dënuar ata, Enver Hoxha dobësonte pozitat e forta që Mehmet Shehu kishte në Ushtri, ku në Shtabin e Përgjithshëm kishte emëruar 7 komandantë dhe gjeneralë të Brigadës së parë.

Jugosllavët ishin ata që e mbështetën Enver Hoxhën që të merrte fuqinë e plotë në krye të PPSH-së dhe pse në Pleniumin e Beratit, ai kishte marrë kritika të forta. Në vijim të rrëfimit të tij, gjeneral lietenant, Rahman Parllaku, tregon se në mënyrë të përsëritur, Enver Hoxha ishte shprehur për t’iu bashkangjitur federatës jugosllave, duke pranuar Titon si Sekretar të parë të Partisë dhe ai vetë me Koçi Xoxen të ishin sekretarë të një prej republikave të federatës.

Gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë shqiptare nuk kanë munguar tezat se PKSH u formua nga jugosllavët dhe të dërguarit e Titos, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Ju keni qenë pjesë e strukturave drejtuese, çfarë roli kanë patur jugosllavët?

Për hir të së vërtetës, nuk kam qenë në grupet komuniste dhe as i ndikuar nga ata, por kam mësuar se në mbledhje, nismat për krijimin e PKSH ka qenë e grupeve komuniste, grupi i Korçës, i Shkodrës dhe i të Rinjve. Ka qenë grupi i Zjarrit që nuk u përfshi në krijimin e partisë. Këto grupe morën iniciativën për të krijuar PKSH. Në mbledhje ka qenë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Unë me Dushanin jam njohur gjatë viteve 1943, se kam qenë në Vlorë. Me Miladinin, jam njohur fillimisht në Shtabin e Përgjithshëm në Elbasan. Kur kalova në Kosovë me formacionet tona, me Miladinin u takuam dhe u miqësova se më priti shumë mirë. Komanda e Brigadës u thirr nga Komanda e korparmatës së Parë në Priskë të Tiranës dhe na njoftoi Urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm për kalimin në Kosovë të brigadave 3 dhe 5 me këto detyra:

1-Të ndihmonim në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit nazistë
2-Të nxisnim kosovarët të merrnin pjesë masivisht në luftë kundër nazistëve gjermanë, që të shkëputeshin nga boshti fashist dhe t’i bashkoheshin Aleancës antifashiste të popujve, se vetëm kështu lindte e drejta për vetëvendosje pas luftës
3-Të godisnim forcat e grup-armatës ERE që po tërhiqej nga Greqia e Maqedonia, për të shkuar në Frontin e Perëndimor kundër Aleatëve.
4- Të këshillonim kosovarët të merrnin pjesë masivisht në ngritjen e pushtetit popullor, si shumicë e popullsisë që ishte. Në plotësimin e këtyre detyrave, për fat të keq u përballëm jo vetëm me forcat gjermane, por edhe ato mercenarëve që ishin vënë në shërbim të nazistëve, Divizioni SS Skënderbej, Regjimenti Kosova dhe Xhandarmëria, si formacione që siguronin rrugët nga Greqia dhe Maqedonia për tërheqjen e forcave naziste në Kaçanik, Prizren, Kukëz, Gjakovë, Pejë e Rugovë.

Sa ndikoi Brigada e 3 dhe 5 në kthimin e formacioneve kosovare, pra aleancës?

Para se t’i përgjigjem pyetjes suaj, dua të sqaroj se kosovarët pushtimin fashist e cilësuan çlirim, çlirim nga shtypja serbe. Pushtuesit fashistë e bashkuan Kosovën me Shqipërinë, hapi shkolla shqipe, u dha pushtetin, u krijuan prefekturat shqiptare, u larguan shumë familje serbe që ishin vendosur në Kosovë në tokat e tyre.

Dhe kjo në fakt ishte çlirim, krahasuar me shtypjen serbe. Kur erdhën gjermanët, pas kapitullimit të Italisë fashiste, ata shpallën pavarësinë e Shqipërisë dhe thanë se jemi kalimtarë. Kosovës iu bashkuan dhe Prefektura e Mitrovicës me krahinat e Vuçiternës e Podujevës, të cilat gjatë pushtimit, gjermanët i kishin mbajtur të varura nga Beogradi, për minierat e Trepçës.

Kështu që kosovarët e kishin të pamundur të bashkoheshin me serbët për të luftuar fashizmin. Fashizmi gjeti mbështetje dhe organizoi formacione luftarake me kosovarë. Kur shkuan brigadat tona në Kosovë, atje vepronin Divizioni SS Skanderbej, një divizion shqiptar, i cili ishte rreshtuar në krah të gjermanëve dhe Hitleri u kishte dhënë gradën SS, të gardës, pra u kishte dhënë pushtet.

Kishte krijuar Regjimentin Kosova që bëri krime edhe në Shqipëri më 4 shkurt në Tiranë dhe krime në Shkodër, kishte krijuar xhandarmërinë, pra një forcë ushtarake solide për të mos lejuar serbët që ta rimerrnin përsëri. Kjo ishte në shërbim të gjermanëve. Më 18 tetor, mora urdhër të shkoj në ndihmë të Brigadës së Pestë që luftonte për çlirimin e Gjakovës. Me mua në brigadën e tretë ishte dhe Manush Myftiu, i deleguari i Korparmatës për brigadën e 3 dhe të 5.

Kaluam në Kosovë, ndërkohë që Brigada e 5 ishte tërhequr nga luftimet e Gjakovës, sepse ishte sulmuar nga Prizreni dhe Peja, e kishte rrezik të rrethohej. Qëndruam në periferi të Gjakovës dhe morëm kontakt me Brigadën e Parë të Kosovës. Manushi kishte detyrë të takonte Gani Kryeziun, i cili me çetën e tij ishte në Devë të Gjakovës. Shkuam e takuam Ganiun të nesërmes e hyrjes në Kosovë. Manushi i kërkoi Ganiut në emër të Shtabit të Përgjithshëm që të dorëzonte forcat e tij te divizioni ynë. Telegrami i Enverit ishte që të vepronim me Gani Kryeziun si me Muharrem Bajraktarin.

Ishte Fadil Hoxha që u fut në mes të forcave tona dhe Gani Kryeziut, se përndryshe do të kishim një vëllavrasje. Ne arritëm që t’i përfshinim kosovarët në luftë kundër pushtuesit. Duke marrë pjesë masivisht në luftë, Titoja nuk mund t’i përzinte kosovarët, sepse ata ishin bërë pjesë e armatave jugosllave dhe kjo e shkëputi Kosovën nga lidhjet me Boshtin dhe e bëri pjesë të aleancës antifashiste.

Por luftimet në Kosovë kanë qenë të ashpra për çlirimin e rrafshit të Dukagjinit, Prizrenit, Gjakovës e Pejës. Në veçanti ato në Junik, Deçan e Pejë, gjatë të cilave vetëm nga Brigada 3 pati 42 të vrarë dhe 64 të plagosur, në mes tyre isha dhe unë. Me gjithë këto humbje, partizanët u sollën në mënyrë vëllazërore me popullin. Në Junik, na u vranë 32 partizanë nga mercenarët dhe ne zumë 27 prej tyre robër, por nuk i pushkatuam. Prandaj me krijimin e Divizionit të Pestë mbi 1600 kosovarë iu bashkuan vullnetarisht dhe ne i trajtuam si partizanët e vjetër.

RRAHMAN-PARLLAKU-ME-RADIO-NE-DORE-BEQIR-BALLUKU-PETRIT-DUME-DHE-ENVER-HOXHA

Cili ka qenë roli i Fadil Hoxhës në këtë luftë?

Për mua, Fadil Hoxha është më i madhi i të gjithë shqiptarëve, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë. Më i madhi duhet të ishte Enveri, po të mos kishte pushkatuar të vetët si Pol Poti. Fadil Hoxha ka meritën se e krijoi atë Ushtri, e udhëhoqi, e la Kosovën të banuar nga njerëzit. Nuk fitoi atë që kishte vendosur Konferenca e Bujanit, e vetmja konferencë kombëtare që i jep të drejtën Kosovës për vetëvendosje dhe atë e realizoi UÇK-ja. Turqit nuk vendosën kufij etnikë, sepse nuk e njihnin Shqipërinë, kur erdhën fashistët nuk vendosën kufij se Mitrovica ishte pjesë e Serbisë.

Kufijtë etnikë i ka caktuar Kushtetuta e 1973 e Jugosllavisë, e cila i caktoi kufij Krahinës Autonome. Fadil Hoxha nuk e la Mitrovicën me Beogradin, siç e kishin lënë pushtuesit, por vendosi dhe dy komuna serbe nga sipër që Trepça të ishte e Kosovës dhe jo e Serbisë.

Këtë mund ta bënte vetëm Fadil Hoxha dhe ekipi i tij udhëheqës me ndikimin që kishte tek Titua. Titoja nuk e bënte për Fadilin këtë, ai e bëri për vete. Sepse ishte kundër shovinizmit serb. Pasi rrëzoi Rankoviçin, kroatët ishin kundër serbëve, boshnjakët ishin kundër serbëve, atëherë dhe shqiptarët bëheshin kundër serbëve e në këtë mënyrë bënte balancimin e forcave kundër serbëve.

U ul fuqia e serbëve dhe kështu Titoja krijoi barazinë e kombeve të Jugosllavisë. Titoja nuk e quajti Republika e Kosovës, sepse as Enveri nuk e donte, se kishte frikën se Republika e Kosovës do të zbriste edhe më në jug, tërhiqte dhe Shqipërinë. Titoja e la krahinë Autonome, e cila kishte qeverinë e vet, Policinë e vet, Ushtrinë e vet, gjykatat e veta. Po të studiosh Kushtetutën e Jugosllavisë, shihej qartë se Kushtetuta e Kosovës nuk mund të zhbëhet pa vendimin e Kuvendit të Kosovës. Veç kësaj, Kushtetuta e federatës së Jugosllavisë, nuk mund të ndryshohej pa vendimin e kuvendit të Kosovës.

6 republika dhe 2 krahina autonome ishin të barabarta për federatën jugosllave. Gjatë udhëheqjes së Fadil Hoxhës dhe ekipit të tij, u hapën Universiteti i Kosovës, Biblioteka kombëtare, Instituti i albanologjisë etj. Merita e Fadil Hoxhës është se nuk lejoi shpërbërjen e Kosovës, ruajti gjuhën, kulturën, vendosi kufijtë e Kosovës, kufij të cilët nëse prishen, prishet i gjithë Ballkani. Ky është Fadil Hoxha. Le të thonë ç’të duan për të. Erdhi Fadil Hoxha në Tiranë më 1947, u takua me Enver Hoxhën për të marrë libra për shkollat. E pyet Enveri, si është gjendja në Kosovë? ‘Serbët, po sillen më keq se Karagjeorgjeviçi’, tha Fadili. Kjo deklaratë e Fadilit shkoi në Kosovë te serbët para se të shkonte Fadili atje. Sepse kur shkoi në Kosovë, e thirrën në Komitetin e Partisë dhe i kërkuan llogari pse ishte shprehur ashtu. U akuzua Koçi Xoxe, por Enveri ishte më i lidhur me jugosllavët, sepse Fadili kishte takuar vetëm Enverin. Këta që akuzojnë Fadilin e shitën Kosovën. Sa herë shkoi Enveri në Jugosllavi, shkoi dhe në Vojvodinë, por asnjëherë në Kosovë. Sepse nuk kishte çfarë përgjigje t’u jepte kosovarëve. Kur mora urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm që të emërohesha komandant i Divizionit të 5, më 22 nëntor 1944, urdhërohesha që në përbërje të kisha brigadën e 3, 5 dhe të 25 të Malësisë së Gjakovës, të përqendroja forcat në rajonin e Mitrovicës, Vuçiternit dhe Skënderajt. Urdhrin e parë si Komandant Divizioni e kam bërë kur marshonim diku afër Istogut, njoftoja Shtabin e Përgjithshëm se si po lëviznin brigadat e divizionit tim dhe kisha marrë urdhër që të takohesha me komandantin e divizionit 22 jugosllav. Shkova në Mitrovicë, shtabi ishte vendosur në zyrat e Prefekturës së Mitrovicës. Aty gjeta një gjeneral rus, dy kolonelë të gjithë me grada ushtarake, unë isha i veshur keq e më keq, me opinga. Takova komandantin dhe i thashë që të bashkëpunonim për të bashkërenduar forcat dhe veprimet. Të tjerët mbetën indiferentë nga vajtja ime. Në dhomë vjen Miladin Popoviçi, më takoi me përzemërsi. Nga ai moment aty situata ndryshoi krejtësisht, patëm më shumë vlerësim. Këtu u njoha më shumë me Miladinin. Ai u interesua se çfarë po ndodh në Shqipëri, unë i thashë se nuk kam informacion, por jemi çliruar.

Enver Hoxha dhe Hysni Kapo
Enver Hoxha dhe Hysni Kapo

Gjatë luftës, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha i kishin lidhjet më shumë me Enverin apo Mehmetin?

Miladini ishte më pranë Enverit. Dushani ishte pranë KP të Vlorës dhe me krijimin e Brigadës së parë u bë zv. Komisar i saj. Ato krime që ka bërë Mehmeti një pjesë i ka bërë me Dushanin. Sepse Dushani ka qenë kriminel, nuk ka pasur kulturë dhe qytetari. E kam njohur mirë unë. Të dy ishin të ashpër. Ndërsa Miladini ishte më politikan. Unë respektoja gjatë luftës gjeneral Tahir Kadarenë, Dalip Ndreun dhe Spiro Moisiun.

I nderoja ata, pa marrë parasysh se çfarë detyrash kisha unë dhe ata më vonë. Ata ishin komandantë të luftës, të shkolluar në shkolla ushtarake perëndimore. Ne kemi bërë Komandant të Ushtrisë Enverin. Enveri ka qenë udhëheqës politik i luftës. Kjo duhet thënë. Komandant i luftës ka qenë Spiro Moisiu dhe zv.komandant Dalip Ndreu. Keni punuar nga afër me Enver Hoxhën? Unë u ktheva në Ushtri dhe nuk jam pishman.

Më 1946 u krijua Drejtoria Politike për Organizimin, e më pas u bëra Drejtor Personeli i Ushtrisë. Atje kisha kontakt direkt me Enverin, pasi ai ishte ministër i Mbrojtjes dhe të gjitha urdhrat, gradat, dekorim, transferim, bëheshin me urdhër të tij. Enver Hoxha ishte Kryeministër, ministër i Mbrojtjes, ministër i Jashtëm dhe komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Një herë në javë ulesha 5-6 orë dhe diskutoja me Enverin, për gradat e oficerëve, për rolin që kishte pasur dikush në luftë, dekorimet që u bënë në atë kohë, dhëniet e librezave që kishin qenë partizanë etj.

Në atë kohë, të gjithë ishim nën ndikimin e luftës. Enveri nuk kishte marrë madhështinë e tij. Unë isha kandidat i KQ. Nga Ushtria, kandidat isha unë, Mehmeti dhe Beqiri. Mehmeti edhe pse ishte bërë kandidat i KQ, mbeti po kandidat për shkak të krimeve që kishte bërë gjatë luftës. Nga 25 vetë, në KQ kishim mbetur 22 sepse ishin përjashtuar Dalip Ndreu, Sejfulla Malëshova dhe Kadri Hoxha. Enveri në Komitetin Qendror ishte nën ndikimin e kritikave të Beratit.

Tri herë kërkoi ta reviziononte mbledhjen e KQ të PK të Beratit në Byronë Politike. Ai donte ta cilësonte këtë mbledhje jo të drejtë për kritikat që i ishin bërë në Berat. Në Berat e kishin kritikuar për Muharrem Bajraktarin e Gani Kryeziun dhe të gjithë Bajraktarët e tjerë që ishin vrarë, sidomos në Tiranë, pa gjyq.

E kishte ngritur këtë çështje Gogo Nushi duke thënë se ata nuk kishin bërë krime dhe s’kishin pse të dënoheshin dhe pushkatuar. Enveri i kishte dhënë urdhër Mehmetit bjeruni këtyre reaksionarëve. Në këto kushte, ai nuk po ngrinte krye, sepse Byroja Politike nuk po ia hiqte këto kritika të Beratit.

thumbnail_Enver-Hoxha-duke-mbajtur-nje-fjalim-para-ushtarakeve-te-Gjirokastres.-1949

Si e mori veten dhe pushtetin brenda partisë Enver Hoxha?

Deri në Plenumin e 8 të KQ që u vra Nako Spiru, Enveri ishte i nënshtruar ndaj jugosllavëve.

Pse ia rriti aureolën kongresi i parë i PKSH?

Sepse Enveri ia faturoi gjithçka Koçi Xoxes, sidomos për marrëdhëniet me jugosllavët. Aty mori dekoratën e dytë ‘Hero i Popullit’, sepse mbrojti Shqipërinë nga rreziku jugosllav. Ai që e kishte shitur Shqipërinë tek Titoja, doli mbrojtës i vendit.

Si ia arriti që të marrë fuqinë politike dhe ekzekutive të padiskutueshme?

Enveri manipuloi, u bë me jugosllavët dhe gjatë luftës iu nënshtrua atyre plotësisht. Pas luftës, që në pleniumin e 1946, kur u dënua Sejfulla Malëshova, Enver Hoxha ka thënë: “Rruga jonë është drejt federalizmit me Jugosllavinë”. Në Pleniumin e 8 Enveri tha: “Sekretari i Parë i KQ do të jetë Tito, unë dhe Koçi Xoxe të jemi sekretarë, siç janë sekretarët e republikave jugosllave”. Këtë fjali e tha përsëri pas tre ditësh në Plenium: “E siç e thashë edhe atëherë, ne do shkojmë drejt federalizmit”. Koçi Xoxe që ishte i jugosllavëve i tha: “Shoku Enver, të mos ngutemi se mos po propagandojmë më tepër Jugosllavinë sesa Bashkimin Sovjetik që është udhëheqësi i kampit?” Edhe Koçi po i thoshte ndal Enverit. Ky ishte Enveri që bënte gjithshka për të forcuar pushtetin e tij. Ishte vrarë Nako Spiru.

Enveri ka shkuar bashkë me Koçi Xoxen në Beograd dhe i ka raportuar Titos duke i thënë: “Shoku Tito, tani po e ndreqim vijën e Komitetit Qendror”. Ndërsa Tito i është përgjigjur: “Më gëzon fakti që Komiteti Central juaji po e rregulloka vijën e partisë”. Sepse Nako Spiro ishte kundër bashkimit me Jugosllavinë dhe Enveri e çoi të vetëvrasje. Këtu në këtë takim të Enverit me Titon nënshkruhet dhe marrëveshja për bashkimin e dy ushtrive, për të cilën akuzoi sa Beqir Ballukun e sa të tjerë shokë.

Komandantët e Luftës ose ata që vinin nga Lufta, përse nuk arritën ta minimizonin rolin e Enverit dhe të mos e lejonin atë që të merrte atë fuqi politike që mori?

Më kanë thënë shumë njerëz, a nuk kishit mundësi ju ushtarakët që ta likuidonit Enver Hoxhën?! Më mirë që nuk e bënë, sepse ai do të ishte Skënderbeu ynë. Emri që kishte Enveri në luftë, ishte aq i madh që nëse ai eliminohej nga drejtimi i partisë, ai do të ishte heroi kombëtar dhe ushtarakët do të cilësoheshin tradhtarë. Unë vajta tani pas viteve ’90 në Kosovë dhe nuk ua mbushja dot mendjen miqve të mi kosovarë se kush ishte në të vërtetë Enver Hoxha.

Në korrik 1946, shkoi në Moskë i pari delegacion qeveritar i kryesuar nga Enver Hoxha, anëtar i delegacionit isha edhe unë. Në darkën zyrtare që shtroi Stalini për nder të delegacionit tonë, ku merrnin pjesë shumica e anëtarëve të Byrosë Politike të PK të BRSS e që zgjati më shumë se 3 orë, ndër të tjera, Stalini na tha se lidhjet tuaja do të jenë me Jugosllavinë, sepse eksperienca jonë si shtet i madh nuk vlen, Jugosllavinë e keni afër, edhe Bullgarinë, ju mund të merreni vesh me njëri-tjetrin se keni shumë gjëra të përbashkëta. Prandaj, edhe Enveri, nisur nga kjo porosi e Stalinit, e kuptoi se askush nuk ia siguronte pozitat drejtuese dhe pushtetin përveç Titos.

Unë isha drejtor politik i ushtrisë. Enveri mori letrat nga Stalini, por nuk ia tha njeriu. Bëri llogaritë e tij, nga më del më mirë, me Titon apo me Stalinin. Enveri ka qenë nga frynte era, për të siguruar karrigen e tij të pushtetit. Nakon e nxiti vetë Enveri të vetëvritej. E çoi në Moskë që të merrte përvojën e Bashkimit Sovjetik. Kur erdhi, e kritikoi se është kundër bashkëpunimit me jugosllavët dhe e la vetëm dhe ai u vetëvra. Në një vetëvrasje, ka shumë rëndësi kush e mbush armën, jo kush e shkrep. Enveri u prish me Hrushovin, sepse të gjithë sekretarët e parë të partive të vendeve socialiste lindore gjatë kohës së Hrushovit ikën nga pushteti, kështu që do t’i vinte edhe radha e Enverit. Atëherë, Enveri pa si aleat të ri që i garantonte karrigen e pushtetit Kinën. Braktisi Hrushovin dhe u lidh me Mao Ce Dunin.

Çfarë roli ka luajtur Enver Hoxha në masakrën e Tivarit?

Unë nuk jam dakord me Uran Butkën që ia faturon fajin Shqipërisë për atë masakër. Enver Hoxha ka pasur dijeni për Tivarin, por jo se do t’i vrisnin shqiptarët atje. Këtë masakër nuk ia faturoj dot Enver Hoxhës. Ajo është bërë nga Brigada e 10-të malazeze me urdhër të Komandës së Korpusit të Dytë Jugosllav. Për krimet e Tivarit, deputeti demokrat, Fatos Beja, kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për krimet e Tivarit, pas vdekjes së Ramiz Alisë, që ishte i akuzuari kryesor, çështja u pushua. Zoti Beja, raportin që hartoi komisioni, e botoi në një libër dhe aty është sqaruar e plotë masakra e Tivarit.

FUND

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

 1. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi në 100-vjetorin e lindjes, Gjeneral Parllaku: Si e kurdisi Enver Hoxha intrigën mes Beqir Ballukut dhe Mehmet Shehut. Prapaskenat e shkarkimit tim dhe ish-ministrit të Mbrojtjes

2. EKSKLUZIVE/”Oficerët janë tradhtarë të partisë”- Rrëfehet Gjeneral Parllaku: Debati i fortë i Enverit me Mehmetin për grupin puçist në Ushtri. Kush e përgatiti “fshesën e hekurt”

3. EKSKLUZIVE/ “Dje e mora vesh që jam armik”- Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Çfarë ndodhi gjatë gjyqit me Enverin. Oferta që më bëri Kadri Hazbiu në qeli

4. EKSKLUZIVE/ “I shpëtove dënimit me vdekje se…”- Rrëfimi i Rrahman Parllakut: Prapaskenat e gjyqit të sajuar me studentë të veshur si ushtarakë. Si i pushkatuan Beqirin dhe Gjeneralët

5.  EKSKLUZIVE/ “O xhaxhi Enver, ku na le ne!!!”, rrëfimi i Parllakut: Si qau në qeli vëllai i Mehmet Shehut kur mësuam vdekjen e Hoxhës. Patëm shpresë se Ramizi…

6.  Ekskluzive/ “Enveri e la litarin varur”, rrëfimi i Parllakut: Hysni Kapo ishte një Jago, pse Hoxha e ngriti në qiell Beqir Ballukun, kur zbuloi skemën e kurdisur nga Mehmet Shehu …

7. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Njohja dhe roli i Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçin gjatë luftës. Cili ishte projekti i Enverit për t’iu bashkuar Federatës Jugosllave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura