EKSKLUZIVE/ Edvin Murati: Sadiku dhe Kaçe zgjodhën gabim, Duka duhet të vazhdojë

Jan 10, 2018 | 22:44
SHPËRNDAJE

Dikur driblonte aq shumë, saqë e cilë suan “Maradona i Ballkanit”. Pas lënies së futbollit, Edvin Murati prej vitesh është në krye të një agjencie menaxhimi lojtarësh dhe sigurisht që mbetet i lidhur ngushtë me Kombëtaren, FSHF-në dhe zhvillimet në futbollin shqiptar.

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ish-mesfushori kuqezi pranoi të fliste për disa nga temat më të nxehta, duke filluar nga Kombëtarja, merkatoja dhe deri te zgjedhjet në FSHF.

Murati-A-fond-pour-l-Albanie-!

Edvin, ta nisim me Kombëtaren. A ka diçka që ju ka bërë përshtypje në këtë periudhë nën drejtimin e Kristian Panuçit?

Së pari më duhet të them që ne shqiptarët kemi qejf që t’i bëjmë gjërat gjithmonë me urgjencë. Megjithatë, duhet të pranojmë se vijmë nga një edicion pozitiv, sepse pas kualifikimit në Europian, Shqipëria zuri vendin e tretë në një grup ku kishte Spanjën dhe Italinë. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe ta pranojmë realitetin ashtu siç është. Pas largimit të De Biazit u la një boshllëk, por me ardhjen e Panuçit shikojmë që ky trajner ka një strategji tjetër.

Më konkretisht, çfarë keni parë ju te trajneri?

Ai po integron lojtarë të rinj në skuadër dhe, në këtë moment, nuk mund të gjykohet, por vetëm duhet t’i lihet kohë për strategjinë që po ndjek. Nuk mund të bëhen gjërat në Shqipëri si puna e Guardiolës, por pak nga pak. Me afrimin e lojtarëve të rinj, duhet parë edhe strategjia e lojës.

Për kaq pak ndeshje që ka ai në krye të Kombëtares, nuk mund ta gjykojmë. Ajo që më pëlqen te Panuçi është se ka shumë oreks për të bërë përpara. Më duket një djalë inteligjent dhe, mbi të gjitha, ka eksperiencën e marrë nga trajner si Kapelo. Personalisht, për kaq pak kohë, më ka lënë përshtypje pozitive.

edvin murati

Në grupin e lojtarëve ka pasur jo pak ndryshime. Mendoni se i kanë bërë mirë Kombëtares hyrjet e reja apo e kanë prishur stabilitetin në ekip?

Sigurisht që i kanë bërë mirë. Konkurrenca e madhe të çon përpara, kështu që Panuçi ka vepruar drejt. Për shembull, unë mund të flas me kompetencë për një lojtar si Ivan Balliu, të cilin e njoh mirë, sepse e shoh çdo fundjavë në kampionatin francez. Balliu është lojtar cilësor, që vlerësohet çdo javë këtu në Francë. Bëhet fjalë për një superprofesionist që ka dalë nga akademia e Barcelonës. Është diçka e mirë që trajneri po u jep mundësinë disa lojtarëve, pasi kjo i shërben të ardhmes.

Ju prej kohësh jeni pjesë e një agjencie menaxhimi lojtarësh, bashkë me vëllanë. Si i keni parë lëvizjet e sulmuesve kuqezi në merkato, duke filluar nga Sadiku, i cili nuk u përshtat te Legia…?

Ka diçka që ndikon te lojtarët tanë, pasi këtu bëhet ai ndryshimi i madh. Ata vinin pas euforisë së Europianit dhe, më pas u futën në realitetin e vërtetë, duke pësuar zhgënjime. Një sulmues, nëse nuk bën gola rregullisht, është normale që quhet dështim. Madje, nëse luan keq dhe shënon, nuk mund ta quash zhgënjim. Pra, çdo gjë për një sulmues varet nga golat që shënon. Mendoj se pas Europianit ka pasur një lëshim nga ana e lojtarëve, mbi të gjitha në faktorin psikologjik. Kjo është diçka normale që u ndodh futbollistëve.

murati

Në Serinë A thuajse për javë bëhen protagonistë portierët kuqezi, nga Strakosha te Berisha dhe Hysaj. Megjithatë, Shqipëria nuk pret që ndeshjet t’i zgjidhin këta lojtarë…?

Është gati zgjidhja, fusim ose Strakoshën dhe Berishën si lojtar dhe e zgjidhin ata ndeshjen (qesh). Shikoni, problemi është se ka futbollistë që bëjnë zgjedhje të duhura dhe ka edhe nga ata që gabojnë me transferimet. Nëse marrim shembullin e Sadikut, i cili nuk po luan te Legia, mendoj se zgjedhja e tij duhet të ishte ndryshe për vazhdimin e karrierës. Pra, duhet të luante në një skuadër të Europës Perëndimore, jo në Poloni.

Nuk e di kush e ka këshilluar lojtarin, pasi ai mund të qëndronte fare mirë aty ku ishte nëse ndihej mirë dhe shënonte rregullisht. Nuk është kaq e thjeshtë për lojtarët shqiptarë, pasi vërtet mund të fliten shumë gjëra gjatë merkatos, madje dalin në skenë edhe emra të mëdhenj klubesh, por disa gjëra s’janë të vërteta. Sadiku i ka të gjitha cilësitë për të luajtur në çdolloj skuadre, pasi ka forcën, goditjen dhe mbrojtjen e mirë të topit. Këto janë vetë zgjedhjet e lojtarit, por ne në Shqipëri rolin e agjentit e marrim për keq.

Në ç’kuptim e marrin për keq futbollistët?

Nuk është roli i agjentit vetëm për të bërë transfertën, por të këshillojë se ku është më e mira për të shkuar dhe atë që duhet të bësh për të ardhmen. Kjo është punë e përditshme, nuk është thjesht erdhi periudha e transfertave dhe u krye kjo punë. Lojtari duhet të jetë i lirshëm nga ana psikologjike, që të japë maksimumin në fushë.

Ju jeni personi që menaxhoni mesfushorin Ergys Kaçen. Çfarë po ndodh me këtë lojtar, që shihej si një premtim i madh…?

Kaçe është një lojtar shumë i vështirë, sepse bën me kokën e vet. Pranon të largohet në Çeki si i huazuar, më pas kthehet prapë. Pra, bën disa lëvizja jo të mira për karrierën e tij. Ai shpërqendrohet dhe konsumohet kot për gjëra që nuk duhen bërë. Kur je futbollist nuk mund të bësh edhe avokatin, menaxherin dhe bankierin.

Kaçe kërkon t’i bëjë të gjitha vetë, por kur je lojtar i ri duhet të përqendrohesh tek ajo që di të bësh më mirë. Edhe pse ka shumë potencial, Kaçe ka një stil loje që i nevrikos trajnerët. Në fushë, po nuk dhe maksimumin, nuk mund t’i cilësosh trajnerët e kë- qij, por të shohësh vetveten.

Murati

Cila do të jetë e ardhmja e tij?

Të jem i sinqertë, kam provuar me të gjitha mundësitë për ta transferuar te Nanta. Mirë- po, duke parë edhe faktin që nuk luajti shumë në Europianin që u bë në Francë dhe për më tepër në ato pak minuta ndaj Zvicrës, mori edhe një karton të verdhë, e penalizoi shumë. Aktualisht ka një interesim konkret të Panathinaikosit për Kaçen, por duke bërë një ndërrim kokë më kokë me një tjetër lojtar të PAOK-ut.

Jemi në një moment ku Kaçe duhet të ndryshojë patjetër klimë, për të marrë oksigjen. Ka nevojë të rigjenerohet, por të largohesh në janar është diçka e keqe për lojtarët. E them këtë, sepse e ke të vështirë të shkosh në një skuadër dhe të kapësh direkt formacionin. Në këto kushte, më mirë të qëndrojë te PAOKu deri në verë.

Si e shpjegoni që lojtarë shqiptarë të klubeve të Kategorisë Superiore është e vështirë t’i transferosh në një klub qoftë edhe te një kampionat me nivel mesatar në Europë. Transferimi i fundit ishte i Latifit në Hungari…

Ne duhet të kemi një menaxhim të mirë nga klubet për ta bërë këtë. Problemi është se ne duam t’i bëjmë gjërat me urgjencë. Çdo lojtar në klubet e Superiores, nëse i pyet të thonë direkt: “OK, ma gjej ekipin dhe firmosim”. Mirëpo, problemi është se mungojnë detajet e vogla, ato që bëjnë diferencën në përgatitjen e një lojtari për të shitur jashtë vendit.

Janë shumë etapa për të bërë një transfertë nga Shqipëria. Lojtarët shqiptarë nuk ua mbushin dot mendjen ekipeve europiane, edhe pse tani është e lehtë për të ndjekur ecurinë e tyre në kampionat. Në mendjen e europianëve, kampionati ynë cilësohet si i niveli të ulët dhe transferta është shumë e vështirë për t’u bërë.

edvin murati

Ju vetë keni projektuar ndonjë lëvizje me futbollistë nga klubet e Superiores?

Të them të drejtën, edhe unë e kam shumë të vështirë të punoj me bashkëkombësit e mi. Kam punuar me Drogba, Maluda, Gomis, Canën etj., ndërsa kur vjen puna për t’u interesuar me lojtarë të kampionatit shqiptar, arrihet deri në banalitete të tilla, kur për një kërkesë, ka edhe përgjigje si “nuk punon emaili”, “nuk ka drita”, “nuk ka faks klubi”, “pritëm pak”, e të tjera si këto. Në këto kushte, futesh në një gënjeshtër me bashkëpunëtorët dhe, më pas, nuk del dot. Duke ardhur një lojtar nga Shqipëria në Francë, edhe pse mund të luash në një kategori të ulët, mund të bësh një kontratë të mirë më pas.

Jemi në prag të zgjedhjeve në FSHF dhe, duke qenë se i njihni mirë situatat në futbollin shqiptar, çfarë parashikoni të ndodhë…

Dua të tregohem i sinqertë dhe, në këtë rast, më vjen ndër mend një shprehje e një ishtrajnerit tim në Francë, të madhit Luis Fernandez. Më thoshte gjithmonë që “kur një skuadër fiton, nuk e ndryshon dot”. Në këto kushte, edhe unë mendoj se nuk ka pse të ndryshohet kreu i FSHF.

Atëherë, na jepni disa arsye pse duhet të vazhdojë Duka?

Së pari duhet ta nisim nga infrastruktura. Në një kohë të shkurtër janë bërë në Shqipëri tri stadiume të niveleve të mira. Mendoj se ka shumë projekte nga UEFA dhe FIFA që janë bërë në Shqipëri, për më tepër që tashmë FSHF po bëhet një institucion shumë serioz, duke ndërtuar edhe selinë e re. Edhe në vendin ku unë jetoj, thonë: “Parisi nuk u ndërtua për një ditë”. Unë i respektoj të gjithë në Shqipëri, por kur diçka ecën mirë, nuk ka pse të mos vazhdojë.

Pastaj, Shqipëria arriti një kualifikim historik në Europian, ndërsa mendoj se një sukses i madh ishte edhe vendi i tretë në një grup me Spanjën dhe Italinë. Jemi një vend i vogël, por duke bashkëpunuar me UEFA-n mund të bëhen gjëra edhe më të mira. Unë jam afër UEFA-s dhe di t’u them se Duka është shumë i respektueshëm nga ky institucion dhe të gjitha federatat e vendeve europiane. Janë duke u bërë projekte serioze për zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Gjykoj se Duka ka punuar shumë, por e mira s’ka fund.

Çfarë duhet përmirësuar në futbollin shqiptar?

Së pari, nuk duhet të harrojmë kurrë se në çfarë nivele kemi qenë. Personalisht, kur jam afruar për herë të parë në Kombëtaren shqiptare, president ka qenë Miço Papadhopulli. Nuk kishte as celular për të komunikuar. Unë jam për stabilitetin, por duhet të bëjmë më shumë gjëra. Në nivelin ndërkombëtar, mendoj se kemi fituar një emër të mirë si Federatë.

Ajo që pres unë të ndryshojë në vitet e ardhshme është që të bëhet diçka më tepër për fëmijët. Të ketë sa më tepër fusha, jo të ndërtohen pallate në vendet ku fëmijët mund të luajnë futboll. Jemi në një kohë që edhe futbolli i femrave mund të ecë në Shqipëri. Ju them me sinqeritet që në Francë për mirë na njohin vetëm prej futbollit. Gjërat e tjera i kemi negative dhe s’ka nevojë për komente.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura