Ekskluzive/ E quajti persekutor, ja përgjigjja e fortë e Nishanit për Zhitin

Mar 22, 2017 | 19:24
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka kthyer përgjigje akuzave të të ngarkuarit me punë në Vatikan, Visar Zhiti, të cilin e ka quajtur si “të paqëndrueshëm psiqikisht”.

nishani-zhiti

Në një intervistë për “Panorama”, Nishani ka treguar për herë të parë edhe arsyet pse ka refuzuar të emërojë Visar Zhitin si ambasador në Vatikan.

“Arsyeja që nuk emërova Zhitin kishte të bënte me mosrespektimin e procedurës ligjore të propozimit nga qeveria, të deklaratave publike të papranueshme të Zhitit ndaj Kishës Katolike (për periudhën e inkuizicionit) dhe pas një takimi që pata në zyrën time konstatova një paqëndrueshmëri psikike të tij. Në këto kushte përdora të drejtën time kushtetuese për të mos e emëruar atë në postin shumë të rëndësishëm të ambasadorit”, ka thënë Nishani.

Kreu i shtetit ka treguar dhe për arsyet që e shtynë të dekretojë Fatmir Xhafajn si ministër i Brendshëm.

Z.President, Visar Zhiti ka reaguar ndaj qëndrimit tuaj publik për dekretimin e Fatmir Xhafajt, duke ju akuzuar juve si persekutor, shkelës të rregullave demokratike etj. A keni një përgjigje për të si i përndjekur politik dhe figurë publike që është?

Për fat të keq, nuk është hera e parë që i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan i drejtohet publikisht me fyerje, shpifje dhe akuza Presidentit të Republikës. Edhe në këtë rast, këto akuza janë monstruoze dhe tashmë ne kemi përgjegjësinë t’i japim mundësinë t’i provojë në mënyrë të ligjshme këto akuza në mënyrë që edhe vendi të shpëtojë nga një president, i cili paska qenë “vegël e mekanizmit të shtypjes së diktaturës” dhe “persekutor” në këtë vend.

A ndikon në këto akuza të tij fakti që ju nuk e dekretuat si ambasador në Vatikan? A mund ta shpjegoni se pse Presidenti Nishani mund t’i refuzojë Kryeministrit një ambasador, por jo një ministër?

Unë nuk e di ekzaktësisht se çfarë ka ndikuar për të bërë këto akuza. Por unë di që Zhiti dhe Xhafaj kanë të njëjtin propozues dhe emërues për postet dhe detyrat që ata kryejnë. Kanë të njëjtin urdhërues të veprimtarive të tyre dhe kanë të njëjtin bos ku raportojnë. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon kompetenca të ndryshme për Presidentin në rastin e emërimit të ambasadorëve dhe të ndryshme në dekretimin e ministrave. Neni 92 i Kushtetutës, ku përcaktohen kompetencat e Presidentit, është parashikuar emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve dhe jo ai i emërimit apo shkarkimit të ministrave. Ambasadori është përfaqësues i shtetit dhe emërohet apo shkarkohet përfundimisht nga Presidenti i Republikës. Ministri emërohet apo shkarkohet përfundimisht nga Parlamenti. Në rastin e ministrave është Kryeministri që ka marrë dekretin nga Presidenti për të formuar qeverinë dhe votëbesimin nga Parlamenti. Në një Republikë Parlamentare nuk parashikohet e drejta e Presidentit të refuzojë një ministër pervers, kur është në kundërshtim të hapur me kriterin e përcaktuar në Kushtetutë. Në Kushtetutën tonë, kriteri i vetëm për dekretimin e një ministri është plotësimi i kushteve për të qenë deputet. Pastaj vlerësimin substancial të kandidatit e vlerëson vetëm Parlamenti.

Z.President, ju deklaruat për Xhafajn se do ta refuzonit po t’ju lejonte Kushtetuta për shkak të së kaluarës së tij. Po në rastin e Zhitit, pse e refuzuat kur ai ka një biografi krejt të kundërt si i persekutuar i regjimit? A ka një përplasje mes qëndrimeve tuaja?

Kur u bë publik propozimi i Kryeministrit Rama për ta emëruar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, unë mora mesazhe dhe dëshmi nga ish-i përndjekuri politik P.V., i cili e akuzonte Zhitin si bashkëpunëtor të administratës së Burgut të Spaçit në vitet 1982–1983 në procese të ridënimit të burgosurve në atë burg. Por nuk ishte kjo arsyeja që unë nuk e emërova. Këto janë pa dyshim dëshmi të rënda, por që duhen verifikuar nga procesi i hapjes së dosjeve, i cili tashmë ka nisur dhe do të shkojë deri në fund për gjithkënd. Arsyeja që nuk emërova Zhitin kishte të bënte me mosrespektimin e procedurës ligjore të propozimit nga qeveria, të deklaratave publike të papranueshme të Zhitit ndaj Kishës Katolike (për periudhën e inkuizicionit) dhe pas një takimi që pata në zyrën time konstatova një paqëndrueshmëri psikike të tij. Në këto kushte përdora të drejtën time kushtetuese për të mos e emëruar atë në postin shumë të rëndësishëm të ambasadorit. Në rastin e Xhafajt, me gjithë mosdakordësinë time të plotë që një person i tillë të jetë në postin e ministrit të Brendshëm, nuk gjeta asnjë hapësirë ligjore që të më jepte mundësinë ta bllokoja emërimin e tij. Ndonjë dritëshkurtër mund të ketë menduar se do të përdorë Institucionin e Presidentit të Republikës për të devijuar situatën shqetësuese të krizës politike që qeveria ka me opozitën në lidhje me kushtet për zgjedhje të lira në një proces përplasjeje kushtetuese dhe parlamentare me Presidentin e vendit. Këto janë skenarë aq të vjetruar sa është edhe fytyra e atrofizuar e ish-Sigurimit të Shtetit, por që ende përpëlitet.

ADI SHKËMBI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura