EKSKLUZIVE/ “E bëra për Sali Berishën! Ne të dy e duam dhe…!”- Zbardhet debati i plotë në Grupin e PD! Noka: 80% e anëtarësisë kundër përjashtimit, të votohet! Basha: S’do lejoj kongres anti-amerikan!

Sep 21, 2021 | 16:41
SHPËRNDAJE

Lulzim Basha Flamur Noka sherri PD Berisha perjashtimiMARIGLEN KUME/ Kur kanë kaluar 10 ditë nga vendimmarrja e kryedemokratit Lulzim Basha, çështja “Berisha” vijon të mbetet çështja më e nxehtë në selinë e Partisë Demokratike. Kreu i selisë blu mblodhi dje në mesditë kryesinë e Grupit Parlamentarë të PD-së për të vendosur piketat mbi të cilat do të fokusohet këtë javë aksioni opozitar. Por teksa Basha po jepte porositë, vëmendja u shpërngul te çështja “Berisha” pas ndërhyrjes së nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka.

Ky i fundit i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të mos anashkalojë debatin mbi vendimmarrjen për përjashtimin e përkohshëm të Sali Berishës. Sipas Nokës, përmes vendimit personal, Basha ka përçarë partinë.

Gazeta “Panorama” zbardhi debatin e plotë në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së Grupit të PD-së, ku Noka i kujtoi kreut të PD-së se vendimi që ka marrë Basha kishte kundër 80% të anëtarësisë së PD-së, sipas një testimi që është bërë nga vetë selia blu dhe që Noka ia rikujtoi. Nga ana e tij, Basha nuk e ka mohuar një gjë të tillë, por argumentoi para tyre se vendimi ishte në të mirë të PD-së dhe të vetë liderit historik saj, pasi vetë Basha dhe Berisha kanë të dhëna që mbase asnjëherë nuk do të bëhen publike.

Ndërkohë, sa i përket kërkesës së bërë më herët nga Berisha dhe dje nga Noka që të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe vendimmarrja të hidhet në votim, mësohet se kreu i PD-së është shprehur se nuk do të lejojë asnjë kongres që ta nxjerrë PD-në si antiamerikane.

DEBATI I PLOTE ME DYER TE MBYLLURA

Flamur Noka: Ti zotëri ke marrë një vendim kundër 80% të anëtarësisë që e përçan anëtarësinë, ti e ke kaluar në heshtje.

Lulzim Basha: Këtë vendim e kam marrë dhe nuk ka më kthim pas. Kjo është kërkesë e aleatëve tanë. Dhe ti Flamur e di shumë mirë se nuk ka qenë një kërkesë nga zyrtarë të nivelit të ulët, të nivelit të tretë, por ka qenë nga kupola e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne nuk mund të dalim kundër partnerëve tanë. Për 3 muaj me radhë unë kam bërë gjithçka që të shmang sanksione të Berishës brenda kësaj partie dhe kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me të.

Flamur Noka: Ky vendim përçan partinë dhe ti e di që 80% e anëtarëve të PD-së mbështesin liderin historik, se ti ke bërë testime dhe unë e di këtë. 10% të mbështesin ty dhe 10 për qind janë të pavendosur. Ti ke marrë një vendim kundër 80% të anëtarësisë, si mund të qëndrosh në krye të Partisë Demokratike kur ke 80% të anëtarësisë kundër.

Lulzim Basha: Unë këtë e bëra që të mos përçaj Partinë Demokratike. Kam ndjekur debatet e ditëve të fundit, pas vendimit për doktor Berishën dhe më vjen keq që ta them më shumë kam dëgjuar gjysmë të vërteta. S’do ta gjeni kurrë të thënë nga goja ime që ai ka qenë vendimi i jetës sime, kam thënë që është vendimi më i vështirë që kam marrë. Dhe i tillë ka qenë dhe nuk ka kthim pas. Sali Berisha e ka deklaruar publikisht se nuk ka nevojë që askush prej nesh të jetë avokat i tij, pasi është përfshirë në një betejë personale.

P Template

Flamur Noka: Partinë e ke përçarë. Partinë e ke rrokullisur nëpër hore të historisë. Do të ngelë në histori kjo që ke bërë. Nuk ka kthim pas përçarja. E di si shpëton nga përçarja? Ka vetëm një rrugë: i jepet anëtarësisë vendimi. Demokracia direkte zbatohet. Duke zbatuar demokracinë direkte, aty ke shpëtuar partinë. Sepse po vendosi anëtarësia që vendimi yt është i drejtë, edhe Sali Berisha e pranon, edhe partia gjen paqen.

Lulzim Basha: Unë e di që e kam kundër ndaj e bëra që të mos e përçaja PD-në. Asnjë forum i partisë nuk kishte pse të mblidhej për Berishën, sepse nuk e kemi përjashtuar nga asnjë strukturë e partisë, por është larguar përkohësisht nga Grupi Parlamentar.

Ervin Salianji: Pa diskutim që është një çështje që ka ndjeshmëri të madhe. Nëse flitet për konformizëm, ne jemi të konformuar vetëm me një gjë. Që ne nuk po japim betejë. Por po përpiqemi të japim më të mirën për interesin e demokratëve. Pra këtu nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë interes as të kryetarit të partisë dhe as të askujt tjetër. Ne duhet që të gjithë trashëgiminë e Berishës ta ruajmë. Thënë këtë, ne duhet të ngremë një pyetje: a ka një mundësi që të ruajmë marrëdhëniet me SHBA-në dhe të mos merret çvendimi?

Lulzim Basha: Jo, nuk ka.

Ervin Salianji: Unë personalisht, nëse do të ishte ky diskutimi, nëse nuk do të kishim marrëdhënie me SHBA-në dhe unë do të lija mandatin. Nuk do të gënjeja dot njerëzit. Nëse shtrohet diskutimi se do të jemi një parti pa marrëdhënie me Amerikën, do ta lija mandatin.

P Template

Flamur Noka: Po le të pyetet anëtarësia.

Ervin Salianji: Nëse shtrohet pyetja në anëtarësi, 100% do të jenë jo, përfshirë edhe Lulzim Bashën. Nuk e ka përjashtuar njeri nga PD-ja Sali Berishën. Nuk ka një përjashtim dhe nuk do të ketë përjashtim nga partia. Ndërkohë a do të shtrojmë pyetjen aty ku është thelbi kryesor: a doni të mbani marrëdhënie me SHBA? Kjo është e kushtëzuar. Ne jemi njerëz që marrim vota. Fitojmë dot ne pa partneritetin me SHBA-në? Demokratët janë me PD-në sepse është pro-amerikane. Sepse janë pro-perëndimorë. Ne duhet t’i shterojmë të gjitha debatet me njëri-tjetrin dhe jo që të kalojë pa debat.

Por t’i themi të vërtetat e plota. Të bashkohemi. Por jo të përdorim populizma. Ne nuk duhet që duke dëmtuar demokratët në kurriz të demokratëve të përfitojë ndonjë kredit politikisht. Kemi qenë në këtë sallë që të mos digjnim mandatet. Ndërkohë ata që ishin flamurtarë të djegies së mandateve dolën e thanë që nuk ishte vendim i duhur. Ndërkohë, një ndër ta, edhe unë që isha kundër, dola e fola pro djegies së mandateve, sepse ishte vendim kolegjial.

Flamur Noka (i drejtohet Bashës): Ore zotëri, po si mund të marrësh vendim kundër shumicës. Kujt i shërben ky vendim? Je i interesuar që ta shpëtosh partinë? Vendimin tënd hidhe në votë.

Lulzim Basha: Si ta hedh në votë?

Flamur Noka: Do mblidhen firmat dhe hidhe në votë në kongres, në referendum.

Lulzim Basha: Nuk lejoj unë kongres antiamerikan. Ndaj dua ta them qartë se asnjë forum i Partisë Demokratike nuk do të mblidhet për këtë çështje, as Kuvendi Kombëtar, për të treguar se jemi antiamerikanë.

Flamur Noka: Çfarë the, kongres antiamerikan? E di ti që atë që sapo the s’kanë guxuar ta thonë as kundërshtarët më të egër të PD-së. Ti pranon që 80% e anëtarësisë është kundër vendimit dhe pro-Berishës. Dhe do të thotë që 80% e anëtarësisë është antiamerikane dhe ti ke drejtuar për 8 vite një parti antiamerikane? Po këtë nuk ka guxuar ta thotë as armiku ynë më i egër i PD-së. Kjo që the ti është më e rëndë sesa vendimi që ke marrë.

Lulzim Basha: Ti dhe unë e dimë që e kanë kërkuar aleatët. Arsyet se përse u largua Berisha nga Grupi Parlamentar janë publike për aq sa mund të bëhen publike, detajet më të hollësishme i di unë dhe vetë Sali Berisha, për të cilat mbase publiku dhe ju nuk do të informoheni kurrë.

Flamur Noka: Unë e di por këtu duhet të dish një gjë. Mos u kap pas thënies se Amerikës. Po dilni ju sikur Amerika e paska lënë te ti dhe te ju që jeni këtu. Po ku ekziston ti, ne dhe gjithë PD-ja për Amerikën. Për Amerikën ekziston shteti. Po ka lobingje që mund të kenë qenë lobingje të majta. Në Amerikë lejohen lobingjet.

Por nëse ka pasur lobingje për të shkrirë Partinë Demokratike, ti s’mund ta pranosh. Të marrësh vendim për të shkrirë PD-në, vetëm ti mund ta bësh. Edhe me aleatët nuk mund të jenë marrëdhëniet bardhezi. Ka ngjyra. U thua këtë e pranoj, këtë s’e pranoj. Dhe kur vjen puna te shkrirja partisë, u thua që nuk marr dot vendim të shkrij partinë dhe iki. Kjo bëhet nëse vlen partia. Por nëse doni të fusni kokën në rërë si struci dhe të thoni që s’ka gjë. Unë ju them që demokratët mund të mos jua shohin, por trupin jua shohin të gjithë dhe ju shohin se si po e shkatërroni këtë parti. Ky vendim e çon partinë në rrugë pa kthim.

Lulzim Basha: Unë e bëra për Sali Berishën, sepse ne të dy e duam. E dimë unë edhe ti.

Flamur Noka: Të më thuash ti që unë apo ti e duam Sali Berishën më shumë sesa ai veten kjo është turp. Pastaj nuk ka të bëjë me Sali Berishën. Se po të ishte përjashtuar Flamur Noka apo një X deputet që nuk ka rezonim në anëtarësi, në shoqëri, nuk do të ishte marrë kush me atë punë. Por rezonimi i këtij është i këtillë që dominon 80% të partisë.

Lulzim Basha: Unë nuk e kam përjashtuar sepse jam njohur me gjysma të vërteta këto ditë. Unë nuk e kam përjashtuar, por e kam pezulluar derisa të dalë në shesh e vërteta.

Flamur Noka: Ore zotëri, ne nuk fituam kur ishim kompaktë, të bashkuar. Kur kishim mbështetjen e Berishës dhe të gjithëve, si mund të fitojmë ne kur ti merr një vendim që ka 80% të anëtarësisë kundër. Kujt i shërben, se dikujt i shërben kjo?

Lulzim Basha: Këtë vendim e kam marrë për të mirën e PD-së dhe për të mirën e Sali Berishës. Duhet të më besoni për këtë.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

EKSKLUZIVE/ Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Grupin e PD për Sali Berishën! Salianji: Do lija mandatin nëse s’do kishim marrëdhënie me SHBA! Noka: Të hidhet në votim ose…

 EKSKLUZIVE/ “Berisha s’ka nevojë për avokat! 3 muaj në komunikim me të! Kërkesa erdhi…!”- Zbardhen debatet në Grupin e PD-së, Noka replika me Bashën: 80% e anëtarësisë është kundër!  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura