EKSKLUZIVE/ Duka mund t’i japë një dorë Skënderbeut, ja pse shpresojnë korçarët për amnisti (E PLOTË)

Sep 25, 2020 | 20:59
SHPËRNDAJE

A mund të falet Skënderbeu nga UEFA? Ka pak shanse… Madje vetë klubi, i shqetësuar nga artikulli i publikuar të enjten në “Panorama Sport”, pas shumë hezitimesh vendosi të dalë me një komunikatë ku mohonte ndonjë iniciativë të fundit për të bindur UEFA-n që të ulë dënimin 10-vjeçar. Skenderbeu Ahmataj

Qartazi shkrimi në gazetë ka trazuar situatën, sepse deri tani pak njerëz e kanë ditur planin e fundit të korçarëve, në bashkëpunim me FSHF-në. Por si është e vërteta? Çfarë po ndodh te Skënderbeu dhe çfarë thonë rregullat e UEFA-s? Le t’i marrim gjërat me radhë dhe të analizojmë se çfarë e bën të shpresojë Skënderbeun dhe nga ana tjetër, çfarë e bën të jetë pesimist…

SHANSET QË TË MOS FALET…
Është një mision shumë i vështirë që Skënderbeu, klubi më i dënuar në planet sot për trukime, të mund të falet nga UEFA. Aq më tepër, që kjo çështje u duk sikur mori edhe karakter “personal”, pasi në shumë seminare që UEFA zhvillon me federatat dhe klubet në luftën kundër trukimit të ndeshjeve, merret si shembull pikërisht Skënderbeu. Jo vetëm kaq, por çështja shkoi në KAS dhe mandej në Gjykatën Federale të Zvicrës, ku Skënderbeu humbi sërish. Në këtë pikë duket e pamundur që pas një vendimi të KAS-it, apo pasi Gjykata Federale e Zvicrës ka lënë në fuqi vendimin, UEFA të zbutet për një vendim që e ka dhënë vetë.
UEFA
Për të mos përmendur më pas kërcënimet ndaj anëtarëve të Komisionit të Etikës që e detyruan presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin, të dilte me komunikatë për shtyp, pikërisht për çështjen “Skënderbeu”. Edhe pse në fakt, nuk u vërtetua kurrë që ato kërcënime erdhën nga zyrtarë të klubit korçar, madje Takaj e refuzoi në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Në këto kushte, duket e pamundur që Skënderbeut t’i reduktohet, ose t’i hiqet pjesa tjetër e dënimit (ka shlyer 3 nga 10 vitet përjashtim nga Europa). Por ja që rregullorja nuk e përjashton. Po, po, pikërisht kështu, rregullorja, edhe pse në mënyrë shumë përgjithësuese, e parashikon që Kongresi mund të marrë vendimin për të pezulluar, apo të anulojë dënimin për një anëtar të UEFA-s. Kongresi i radhës nga qeveria e futbollit europian është parashikuar më 2 mars 2021 në Zvicër

SHANSET PSE MUND TË NDODHË MREKULLIA

Neni 13, pika (m) e statutit të UEFA-s thotë se “kongresi ka fuqinë të pezullojë ose të anulojë pjesën e mbetur të një vendimi disiplinor për një anëtar të UEFA-s (federatë), anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ose të një anëtari tjetër…”. Pikërisht, kjo është shpresa e madhe, që në kongresin e radhës të UEFA-s, atë të 2 marsit 2021, të shfrytëzohet ky nen dhe kjo pikë për të amnistuar Skënderbeun.

Duka-Takaj

4DB576D6-C1E7-4EDB-A02E-2357E1773F15 A387D727-CB21-437B-94B0-BBEBF2BF872A

EFEKTI “DUKA”…
Për të gjithë ata që pyesin se si mund të kalojë për diskutim në Kongresin e UEFAs falja ose jo e Skënderbeut, ju kujtojmë se sot Armand Duka, presidenti i FSHF-së, është njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Dhe ky është një bonus jo i vogël për hir të së vërtetës. Pse?
komiteti-ekzekutiv-uefa-armand-duka-fshf
Sepse që Skënderbeu të kalojë në Kongres për diskutim, më parë duhet të jetë propozuar si çështje në rendin e ditës nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe këtu hyn në lojë Duka. Natyrisht, duhet të jemi korrektë dhe të pranojmë se kjo është një tentativë, por shanset mbeten të vogla. Thjesht, duke qenë se klubi shqiptar që sot ka koeficientin më të lartë në Europë, përfaqëson një qytet të shkëlqyer si Korça, por edhe sepse ka shlyer një pjesë të dënimit, tani nuk ka asgjë për të humbur. Nëse bëhet diçka, do të ishte super, në të kundërt, varianti për ta nisur nga Kategoria e Tretë vlen edhe për sezonin e ardhshëm…

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura