EKSKLUZIVE/ “Duhen patjetër tamponë”, ish-mjeku i Kombëtares: Risk i madh, “COVID”-i prek çdo organ

May 20, 2020 | 10:10
SHPËRNDAJE

Arben Çeliku mbajti për rreth nëntë vite (2008-2016) detyrën e mjekut të Kombëtares shqiptare dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë për një skuadër rifillimi i përgatitjeve pas një pauze kaq të gjatë. Në kushtet kur Koronavirusi ka pushtuar globin, tashmë ky është një problem më vete për klubet.

MJEKU CELIKU

“Mund të mos ndodhë gjë, por është e turpshme sikur të dalë qoftë edhe një rast. Duhen t’u bëhen patjetër teste lojtarëve dhe jo vetëm”, thotë ndër të tjera mjeku i njohur në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”. Çeliku jep këshillat e tij për ekipet, ndërsa rithekson riskun e madh që është në këtë situatë.

Doktor, skuadrat kanë rifilluar përgatitjet pas një pauze mbi dymujore. Sa ndikon tashmë te një futbollist fakti që pas vetëm dy javësh stërvitje do t’i duhet të luajë direkt ndeshje zyrtare?

Së pari, ndikon nga ana fizike, sepse kjo që do të bëhet është një fazë përgatitore e përgjysmuar. E them këtë duke llogaritur që një fazë e plotë zgjat rreth 1 muaj e gjysmë për një ekip profesionist. Edhe nga ana psikologjike te lojtarët ndikon jo pak për faktin sepse do të futen direkt me idenë e pozicionimit në renditje dhe të objektivave të vetë klubeve. E rëndësishme është që pesha trupore të mos ketë luhatje të mëdha te lojtarët, pra të mos ketë shtim në peshë.

Thatë që do të ketë ndikim nga ana psikologjike te lojtarët pas këtij rikthimi. Më konkretisht, cila do të jetë pjesa që ata do të vuajnë më tepër?

Psikologjikisht sigurisht që do të ketë impakt. Mendoni që një futbollist do të luajë tashmë kundër një kundërshtari, i cili mund të dalë pozitiv me “COVID-19”. Mbi të gjitha, futbollistët janë njerëz. Si të gjithë, ata kanë familje, të afërm etj. Kjo periudhë natyrisht ka efekte psikologjike nga më të ndryshmet.

Si është tashmë muskulatura e lojtarëve dhe sa të rrezikuar janë ata për dëmtime të rënda në këtë periudhë?

Për sa u përket muskujve të futbollistëve, dua të theksoj se ata që kishin dëmtime në momentin kur u ndërpre kampionati, besoj kanë patur kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar. Ndërsa për të tjerët, mund të them se do të jetë thuajse e njëjta situatë si para një faze përgatitore. Domethënë, do të kenë një ulje relative të masës muskulore. Tashmë u del për detyrë përgatitësve atletikë t’i çojnë në nivelet e duhura lojtarët për përballimin e pjesës së mbetur të sezonit.

arben-celiku-470x353

Çfarë duhet të kenë më shumë kujdes futbollistët në këtë javë të parë stërvitore?

Puna e përgatitësve atletikë duhet të konsistojë në mosngarkimin e menjëhershëm të muskujve, sepse kjo do të sillte “aksidente” muskulore. Pra, duhet një punë graduale. Ngarkesa duhet të jetë e tillë, që të përballohen 10 ndeshje. Domethënë, të arrihen parametrat e duhur në shpejtësi, eksplozivitet, elasticitet dhe rezistenca me pak llogaritje për ndeshjet e mbetura, jo për një kampionat të tërë.

JORGIS MEMO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura