Ekskluzive/ Dosja në UEFA, ish-trajneri i Partizanit mbron korçarët: S’dyshoj te Skënderbeu

Mar 16, 2018 | 20:29
SHPËRNDAJE

Marcio Sampaio erdhi te Partiza ni në janar të 2014-ës, si përgatitës atletik dhe u largua si trajner i parë. Aktualisht, ai është pjesë e stafit teknik të Sportingut të Lisbonës, si përgatitës atletik. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i kuq komenton lëvizjet e fundit te Partizani dhe Klevis Dalipin e quan zgjedhje të duhur.

Sampaio2

Gjithashtu, ai jep edhe opinionin e tij sesi mund të përparojë futbolli shqiptar dhe çfarë duhet të bëjë FSHF. Sa i përket Skënderbeut, ku në listën e ndeshjeve të dyshuara bën pjesë edhe humbja 5-1 me Sportingun në Lisbonë, Sampaio pohon se në atë takim nuk pa gjë të dyshimtë te korçarët.

Pas ndeshjes, Sampaio i ka dhuruar trajnerit Mirel Josa dy fanella të Sportingut për vajzat e tij. Portugezi flet me superlativa për Skënderbeun, referuar periudhës kur ka qenë trajner i Partizanit, por tha se nuk di të thotë nëse dyshimet e UEFA-s janë apo jo të drejta për korçarët.

Marcio, jeni shkëputur prej kohësh nga Shqipëria, por keni treguar se keni informacion për futbollin shqiptar. A jeni në dijeni të lëvizjeve të fundit te Partizani, që ka emëruar Klevis Dalipin si trajner?

Eksperienca që kam pasur te Partizani, më bën që të mos e harroj të shkuarën, ndaj marr informacion në çdo kohë për futbollin shqiptar. Partizani i këtij sezoni ka pasur probleme të shumta dhe sigurisht që jam në dijeni të emërimit të Dalipit si trajner. Ai e meriton këtë mundësi që iu dha dhe unë e kam uruar për detyrën e re.

Sampaio-2-Partizani

Është trajneri i tretë për këtë sezon, ju si e vlerësoni besimin që i dha klubi Dalipit, me të cilin keni bashkëpunuar 4 muaj te Partizani?

Për mua, klubi ka bërë zgjidhen më të mirë për momentin ku ndodhet. Unë e njoh shumë mirë Klevisin, pasi është personi që më ka ndihmuar shumë kur isha te Partizani, gjithashtu ai ka bërë një punë fantastike si zv.trajner në këto vite. Kështu, ai ka mësuar shumë dhe gjithçka.

Në këtë moment, Partizanit i duhet stabilitet dhe Dalipi e njeh kampionatin, i njeh lojtarët dhe është personi i duhur, pasi e di çfarë ka shkuar keq më përpara. Kështu, atij i duhet të bëjë më mirë dhe besoj se nuk do ta ketë të vështirë që ta realizojë.

E shikoni problem mungën e eksperiencës si trajner i parë, pasi tani i ka ardhur shansi?

Normal, njerëzit mund të thonë se është një trajner që nuk ka eksperiencë si i parë. Por atij nuk i është dhënë më parë një shans i tillë, ndaj nuk mund të gjykohet tani se çfarë do të bëjë. Dalipi ka qenë futbollist, ka luajtur jashtë Shqipërisë, ka respektin e lojtarëve të ekipit, si dhe ka eksperiencë të konsiderueshme si zv.trajner. Ai ka mësuar gjithnjë me njerëzit që ka bashkëpunuar gjatë këtyre viteve.

Në gjykimin tuaj, a mund të bëjë Dalipi më mirë se dy paraardhësit e tij në këtë sezon?

Unë mbetem i mendimit se presidenti Demi ka bërë zgjedhjen më të mirë të momentit. Njëkohësisht, lojtarët duhet ta ndihmojnë atë dhe tifozët duhet ta mbështesin. Duke e njohur si person, them se ai do të bëjë më të mirën. Mos harroni edhe një argument tjetër: Dalipit iu dha besimi si trajner i parë, pasi dy trajnerët paraardhës nuk bënë punë të mirë. Kështu, të gjithë duhet ta mbështesin, pasi ai do të provojë të bëjë më të mirën dhe të marrë maksimumin edhe nga ata lojtarë që nuk kanë pasur rendiment deri tani.

Si ish-trajner i Partizanit, por edhe si një kundërshtar i Skënderbeut në Ligën e Europës, pasi jeni pjesë e stafit të Sportingut, si e shikoni situatën, ku rrezikojnë të dënohen nga UEFA?

Të flasësh për këtë histori, nevojitet një intervistë shumë herë më e gjatë, për vetë problemet që ka futbolli shqiptar. Në opinionin tim, problemi i futbollist në Shqipëri nis që nga themelet. Federata duhet të mendojë për futbollin që në zanafillë. Kam shumë respekt për Skënderbeun, për mënyrën se si ata janë ndërtuar si klub. Në kohën që unë isha te Partizani, ata ishin më të mirët. Kjo vinte për shkak se Skënderbeu kishte një trajner të madh, kishte një strukturë solide si klub dhe bënte diferencën me të tjerët. Nuk di të them nëse ata kanë të drejtë në këtë histori apo kanë vepruar gabim. Mund të flas vetëm për kohën që unë kam qenë aty, ku ishin skuadra më e mirë në Shqipëri.

Te lista e ndeshjeve të dyshuara të Skënderbeut bën pjesë edhe humbja 5-1 me Sportingun e Lisbonës. Si pjesë e skuadrës portugeze në atë ballafaqim, a patë diçka të dyshimtë te korçarët?

Sa i përket ndeshjes së luajtur në Lisbonë që i referoheni, Sportingu ishte shumë më lart se Skënderbeu, pasi ishim të plotë dhe luajtëm me lojtarët më të mirë. Ndërsa në ndeshjen e dytë të luajtur në Shqipëri, ne bëmë shumë ndryshime në formacion, pasi objektivi ishte arritur. Ne u mundëm në atë takim, por në të dyja ndeshjet nuk pashë ndonjë gjë që shkoi gabim.

Pra, nuk patë asgjë jo normale në lojën dhe sjelljen e Skënderbeut ndaj Sportingut?

Jo, sigurisht që nuk pashë asgjë të dyshimtë. Por, gjithsesi, vështrimi im është i ndryshëm, pasi ne ishim të përqendruar vetëm në lojën e skuadrës sonë. Si pjesë e stafit të Sportingut, kam qenë i interesuar vetëm te loja e lojtarëve tanë dhe përgatitja e tyre për këtë sfidë. Është një situatë që nuk mund të them asgjë më shumë se kaq. Më pas, përmes lajmit të dhënë nga UEFA, u njohëm për këtë histori. Gjithsesi, për ne është një histori që nuk na intereson, pasi ne thjesht dëshirojmë të luajmë futboll.

Te problemet e futbollit shqiptar, përmendët FSHF-në, me çfarë konteksti e lidhni atë?

Shqipëria ka lojtarë shumë të mirë. Klubet duhet të provojnë që të jenë më seriozë për imazhin e kampionatit dhe për këtë shkak, unë federatën nuk e shikoj në rregull. Kështu, federata duhet të mendojë dhe të nisë ndërtimin e një konfigurimi të ri dhe të besueshëm për futbollin shqiptar.

Si mund ta realizojë këtë federata?

Fillimisht, duhet të punojë dhe të vërë si kusht që të gjitha skuadrat të kenë infrastrukturë të mirë. Si mundet që klubet të kenë apo prodhojnë lojtarë të mirë nëse nuk kanë fusha për stërvitje? Më pas, duhet përmirësuar sektori i arbitrimit. Është e paimagjinueshme që thuajse në çdo ndeshje në kampionatin shqiptar, keni probleme me arbitrimin. Pasi të realizohen këto, mund të formohen lojtarë, meqë u keni krijuar kushtet atyre. Kur futbolli të bëhet më i mirë në fushën e blertë, do të shikoni se të gjithë do të shfaqin interes për ta ndjekur, ashtu siç shkohet në një shfaqje artistike.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura