EKSKLUZIVE/ Dorëshkrimi i rrallë i Enver Hoxhës dhe përplasja e fortë me ish-kunatin Bahri Omari: Ti je tradhtar! Më vjen keq për motrën, dua të të shpëtoj nga gremina! Fahrija mjerë ulte kokën dhe qante…

Aug 24, 2022 | 23:11
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Raportet e Enver Hoxhës me Bahri Omarin kanë qenë sa problematike, aq edhe misterioze. Së paku, për aq sa ka lënë të dokumentuar në gjallje ish-kunati i këtij të fundit. 

enveri dhe bahriu

Përveç atyre që ka artikuluar zyrtarisht dhe në memoristikën historike të serisë “Kujtime” për kunatin Omari, Enver Hoxha ka koleksionuar një dosje tjetër me shënime konfidenciale, ku përshkruan ngjarje e situata të panjohura, që me sa duket, kanë qenë të destinuara për familjen dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Ndër materialet e rezervuara aty, Gazeta “Panorama.al”, duke filluar nga sot, do të publikojë të plotë dorëshkrimin “Takimi në Tiranë me pseudodemokratët, pseudonacionalistët, agjentët e pushtuesve, kuislingë dhe krerë të Ballit Kombëtar: Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi”.

Në fokusin e kujtimeve është një takim i Hoxhës me këta të fundit pas rikthimit të tyre në Shqipëri, në fillimin e viteve ‘40. Bahri Omari, Kol Tromara, Sheh Karbunara dhe Sejfi Vllamasi kishin qenë deputetë në parlamentin shqiptar para ardhjes në pushtet të qeverisë së Nolit dhe me rrëzimin e saj ishin larguar jashtë shtetit, ku kishin krijuar emigracionin politik antizogist.

Një pjesë ishin vendosur në Bari të Italisë, shkruan Hoxha, dhe aty “uzurpuan” kafe “Stopani”- n, tek i cili qëndronin me orë të tëra, duke konsumuar politikë pa bereqet. Shkonin nga shkonin dhe pyesnin Bahri Omarin, i cili njihte disa gjuhë, po kishte kulturë konfuze. Dukej i leshtë, por ishte budalla.

I kishte hedhur “trutë e gomarit” Ali Këlcyra dhe e bëri një nga njerëzit më të egër dhe më të poshtër. Pjesa tjetër e bandës së “demokratëve antizogistë”, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Rexhep Mitrovica etj., u vendosën në Paris. Në krye kishin, gjoja, Kol Tromarën, por asnjë nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin.

Këtyre myteberëve, shkruan Hoxha me përbuzje, u qe mbushur mendja top se ishin antizogistët më të shquar dhe politikanët më të zotë që kishte njohur Shqipëria. Rikthimi i tyre pas pushtimit fashist të vendit dhe debatet me Hoxhën dhe të tijtë, përbën pjesën më intriguese të kujtimeve të këtij të fundit, ku pjesën më të rëndësishme e zë përballja me Bahri Omarin, të porsashtegtuar, siç shkruan Hoxha me tufën e “lejlekëve” që lanë kafenetë e Europës…

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar1

DOKUMENTI

Takimi në Tiranë me pseudodemokratët, pseudonacionalistët, agjentët e pushtuesve, kuislingë dhe krerë të Ballit Kombëtar: Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi!

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Jetën dhe mendimet e këtyre “onorevolëve” i njoh mirë, se kur veja dhe kthehesha nga Franca, qëndroja te Bahriu, te motra 4-5 ditë. Kur ikja nga Shqipëria në Francë, ata më pyesnin: “Ç’kemi andej, ç’bëhet? E duan apo s’e duan Zogun, kur do të vdesë ky?”. Dhe pastaj fillonin bisedat politike. Sheh Karbunara si duket hante bukë nga Italia, po admironte Inglizin. Ky sheh i zgjuar e dinak fliste dialektin e Lushnjës, nuk kishte asnjë çikë kulturë.

Ai pyeste Bahri Omarin, i cili njihte shumë gjuhë: turqisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht. Kultura e tij ishte pak nga të gjitha e pathelluar, ekstensive, e përhapur dhe konfuze. Ai e hiqte veten radikal socialist, admirim të madh kishte për Eduard Herionën dhe lexonte gazetën “Le Tempos”.

Bahri Omari në këtë kohë dukej njeri i afruar, i leshtë, demokrat dhe budalla, zemrën ndaj miqve dhe të njohurve nuk e kishte të keqe. Ali Këlcyra i kishte hedhur “trutë e gomarit”, por më vonë Bahri Omari u bë një nga njerëzit më të egër, më të poshtër, një kuisling që na luftoi deri në fund dhe ne e luftuam deri në fund atë dhe shokët e tij. Njëherë, teksa kthehesha nga Franca, qëndrova në Bari dhe pyeta “onorevolët”: “Ç’kemi nga Shqipëria?”. Shehu m’u përgjigj aty për aty: “Punët shkojnë mirë”. “Çfarë ka ngjarë?”, i pyes. “Zogu, thotë Shehu, është duke vdekur, kemi lajme të sigurta, kancer të pashërueshëm, pse dy doktorë të mëdhenj kanë shkuar nga Vjena ta ekzaminojnë”.

Këtyre myteberëve u qe mbushur mendja top se ishin të vetmit dhe më të shquarit anti-zogistë që mund të ekzistonin, ishin politikanët më të zgjuar, më të zotë që kishte njohur Shqipëria. Zogu natyrisht për ta ishte uzurpator, por “me likuidimin e tij Shqipëria do të binte në gojën e tyre si një fik i pjekur, që s’e mban më dega”. Këta kishin lindur vetëm për të udhëhequr popullin shqiptar dhe “përvoja” e kafeneve të Europës i kishte edukuar si të tillë.

Të ashtuquajturit nacionalistë të kafene “Stopanit”, nuk kishin lidhje me gjakatarin proitalian Mustafa Merlika Kruja, por edhe grindeshin me të. Këta kishin lidhje me bandën tjetër të “demokratëve anti-zogistë” të Parisit, Ali Këlcyrën, Qazim Kokoshin, Sejfi Vllamasin, Mitrovicën e shumë të tjerë. Këta kishin gjoja në krye Kol Tromarën, Ali Beun, Qazim Koculin, Mitrovicën, por asnjë nuk e njihte njëri-tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin. Udhëheqës “të erës”, se ishin komandantë pa ushtarë.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin3

Vetëm kënaqeshin se ishin “deputetë”, se ishin “anti-zogistë”, pra, demokratë të kulluar dhe njerëz “me influencë”. Kol Tromara, që ishte nga Korça, kishte “Korçën”, mjaft të bënte thirrje dhe ajo në këmbë pas Kolës. Ali Bej Këlcyra Dangëllinë dhe gjithë “demokracinë” e vendit, bile dhe fshatarësinë, pavarësisht se ishte këlysh nga një familje bejlerësh nga më barbarët.

Përveç këtyre, Ali Beu ishte dhe dhëndri i Vrionasve. Kështu, për Qazim Koculin ai ishte “Heroi i Vlorës” dhe popullin e saj e kishte me vete “kur të donte”. Sejfi Vllamasi ishte ai që zëvendësoi Zylyftar Podën në Kolonjë dhe Rexhep Mitrovica ishte nga Kosova. Ah, Kosova! “Pika nevralgjike” e këtyre myteberëve. Të gjitha këto ishin ëndrrat e tyre, “titujt e tyre”, “fuqia e tyre”. Por hëpërhë, këto nuk shërbenin për asgjë, veç për të marrë rroga nga shtetet kapitaliste. Ata ishin bërë agjentura rezervë e tyre. E kujt? E të gjithëve!

Ata nuk i kam njohur mirë në Paris, se isha student pa para. Nga ndonjëherë, më jepnin ndonjë lek shokët, herë më dërgonte plaku ndonjë napolon, ca kohë gjeta vend dhe jepja mësim shqip me 10 lekë orën. Për aq kohë sa i njoha, ata kurdoherë i kisha parë duke luajtur në klubet e kumarit, në kinema etj. Dukej që kishin para boll.

“Ku i gjejnë, more Remzi Fico?”, e pyesja këtë, një student në mjekësi e që e kishte mik Kol Tromarën.

“Marrin pare të madhe nga qeveria franceze si politikanë që janë”, më thoshte Remziu. Qendrat e tyre qenë “La Coupole” dhe kafene të tjera me nam.

Atje luhej dhe kumar, bëhej politikë, “rrëzohej Zogu”, “ngrihej populli shqiptar” prej tyre dhe atje ndaheshin edhe frangat e dollarët që ua siguronte rruga e tradhtisë ku qenë futur. Aty kam parë mjaft herë Kol Tromarën.

Nuk më kanë parë sytë arrogant më të madh, megaloman, antidemokrat si ai. Kokën e mbante lart dhe syzet alla amerikane, vishej me rroba të zeza, si ata “kakerët” dhe ecte, shikonte e fliste sikur e mbante botën mbi supe. Qazim Koculin as e njoha kurrë.

Ali Këlcyrën një herë e takova dhe këtë herë i vajta në shtëpi për t’i çuar një letër nga Bahriu. Kishte një apartament shumë të mirë. Ai mezi më futi në sallon, kur mori vesh se isha kunati i Bahri Omarit, më dha një cigare, thirri shërbëtoren franceze dhe i tha të më bënte një kafe.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin2

Aty më pyeti për çfarë studioja dhe ç’kishim nga Shqipëria. Sa piva kafenë, u ngrita dhe ika. S’ia pashë më surratin këtij tradhtari as jashtë, as kur erdhi në Shqipëri me pushtuesin.

Sejfi Vllamasin po ashtu një herë e kam takuar në Paris. Si ky, si Rexhep Mitrovica më janë dukur njerëz më të thjeshtë, më demokratë dhe më të njerëzishëm se të tjerët. Kështu i kam njohur këta njerëz para pushtimit italian. T

ok me pushtimin italian u kthyen edhe këta zotërinj në Shqipëri. Ç’bënë gjithë këta farë “lejlekësh” që u kthyen nga kafenetë e Europës? U çmallën me miqtë e tyre, vendosën lidhje politike me “demokratët antizogistë”, me të cilët takoheshin nëpër kafene.

Këta të ashtuquajtur “demokratë antizogistë” tash me pushtimin e vendit ose mbanin vendet që kishin pasur në kohën e Zogut, ose ishin ngritur në “rutbe” dhe po pasuroheshin më shumë në kurriz të popullit dhe me ndihmën e fashizmit.

“Patriotët e shquar” të kthyer nga Europa tatonin terrenin, nuhatnin nga vinte dhe si vinte lireta, tatonin kuislingët, hierakët fashistë, hiqeshin si njerëz “të panjollosur” politikisht, si “politikanë të zotë”, prandaj tash që “u bë deti kos këtyre u duhej dhënë jo luga, por luharja”. U instaluan me banime; rroga u vazhdonte, por se në ç’rrugë, nuk dihej. Pushtuesit i interesonte që kjo rrogë të legalizohej, por, nga ana tjetër, kjo do të thoshte që këta pseudopatriotë të komprometoheshin, të futeshin në valle.

Por, Italia fashiste nuk mund t’i përdorte përpara Vërlacëve, Merlikëve, Eqerem Bej Vlorës, Maliq Bushatit etj. Këta ishin violinat e para, të tjerët duhej t’i nënshtroheshin regjimit kuisling e pushtuesit dhe të punonin për të. Kështu që këta “patriotë” u futën në valle dhe morën rroga të majme e “shpërblime patriotike”.

Një pjesë u fut në “këshillin e shtetit”, i krijuar apostafat për ta, të tjerët u bënë feudalë, disa të tjerë morën rroga e ryshfete, duke bërë një propagandë të maskuar kundër rezistencës së popullit.

Futjen në shtetin fashist këta e konsideronin “nevojë për të marrë kalanë nga brenda” dhe me paturpësinë më të madhe dënonin ata që luftonin për të shkatërruar kalanë nga jashtë.

Populli u ngrit në këmbë kundër pushtuesit dhe qeverisë gjakatare të Vërlacit e të Mustafa Krujës, kurse këta myteberë kritikonin luftën dhe e quanin “lodër kalamajsh”.

Në këtë drejtim, unë kam pasur debate të zjarrta dhe gati të përditshme me Bahri Omarin, në shtëpinë e të cilit veja shpesh për të ngrenë dhe për të fjetur, sa isha në Tiranë, kur më pushuan nga puna në Korçë. Grindjet ishin për çështje politike dhe në këtë drejtim s’pajtoheshim kurrkund. Bahri Omari, me një këmbëngulje prej tradhtari, pretendonte se ai dhe shokët e tij, me Ali Bej Këlcyrën në krye, ishin nga më anti-fashistët, nga më anti-italianët, nga më demokratët që ka parë Shqipëria.

“Kjo është politika jonë”, thoshte Bahriu, kjo është një taktikë e jona”.

“Kujt i shërben kjo politikë dhe kjo taktikë?”, e pyesja.

“Popullit dhe demokracisë”. “Mirë, po a keni arsye? Populli e urren okupatorin, e dënon bashkëpunimin me të. Ai nuk mund të jetë kurrë me ju dhe as me politikën tuaj që është kolaboracioniste”.

“Thoni ju komunistët, thoshte Bahri Omari, ju pretendoni se keni popullin me vete, populli është me ne”.

E me të tillë njerëz nuk kishte mundësi të mbaje gjakftohtësinë dhe një ditë i nevrikosur gjatë një debati të ashpër me të, i them:

“Populli kurrë s’mund të ndjekë tradhtarët, ai do të luftojë kundër okupatorit e tradhtarëve dhe do të fitojë”.

Bahri Omari e kuptoi sulmin e drejtpërdrejtë që i bëra dhe m’u përgjigj: “Do ta shohim se kush janë tradhtarët, ju apo ne”.

“Do ta shohim, i them, por dua të precizoj se ata që do të pengojnë luftën e popullit dhe do të bashkëpunojnë me armikun, janë tradhtarë”.

“Të lutem, Enver, më tha Bahriu, unë nuk dua të bisedoj me ty për politikë, është e qartë se ne jemi kundërshtarë”.

“Ashtu është, iu përgjigja, por dua të të hap sytë, të të shpëtoj nga kjo rrugë që është greminë e tmerrshme. Mua më vjen keq për ty, por po ta them haptazi, më vjen keq për motrën time, që është gruaja jote, dhe për dy djemtë tuaj”.

Fahrija e mjerë kishte ulur kokën dhe qante. Ishte një luftë tragjike: nga një anë burri dhe fëmijët, nga ana tjetër vëllai. Asnjëri nuk i lëshonte rrugën tjetrit.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

VIJON…

LEXO EDHE:   EKSKLUZIVE/ “Ali Këlcyra i hodhi trutë e gomarit!”- Zbulohet dosja me shënimet e panjohura të Enver Hoxhës: Fundi pa lavdi i kunatit tim! Bahri Omari ishte budalla, ç’më tha kur vranë Avni Rustemin (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura