Mes Korçës dhe Kroacisë. Marko Radas rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” aventurën e tij të re në Rudesh në kampionatin kroat. Për më tepër flet për herë të parë pas largimit nga Skënderbeu.
Në intervistën e dhënë, ish-kapiteni i Skënderbeut tregon se e ndjek ende kampionatin tonë dhe në veçanti ndeshjet e Skënderbeut.
Radas, si shkon aventura në vendin tuaj te Rudeshi?
Është kënaqësi që lidhemi sërish me gazetën tuaj, sepse më keni munguar të them të drejtën. Jam duke zhvilluar një sezon të parë pas shumë vitesh në Shqipëri dhe normalisht që në fillim hasa disa vështirësi të përshtatesha, por tani jam mirë. Jam në një ekip që ka si objektiv rikthimin në Kategorinë Superiore, pavarësisht se jemi në vendin e dytë në kampionat.
Pse zgjodhët të largoheshit nga Skënderbeu?
Ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për mua dhe duke parë situatën në Korçë, por edhe disa arsyet e mia familjare vendosa se do të ishte më mirë të kthehesha në Kroaci.
Nga kapiten te Skënderbeu, te Rudeshi. Si ju kanë pritur?
Normalisht që fakti që kam qenë kapiten i një ekipi që njihet mjaft mirë në Kroaci edhe për faktin se eliminoi Dinamon e Zagrebit dy vite më parë, është një plus shumë i madh. Mund të them se kjo ishte kartëvizita ime, që u vlerësua pamasë këtu.
Sa e vështirë ka qenë të ndaheshit me Skënderbeun?
Po pa dyshim që ishte e vështirë, pasi atje kalova shumë vite dhe mund të them se ishte familja ime e dytë. Por, gjithsesi nuk mund të them se është një lamtumirë, prandaj edhe për këtë nuk bëra një letër apo mesazh për tifozët.
Kjo do të thotë se po mendoni rikthimin?
Normalisht që po. Unë gjatë kësaj kohe kam folur vazhdimisht me presidentin dhe më ka thënë se jam i mirëpritur. Madje, në bisedat tona është lënë e hapur një mundësi rikthimi në të ardhmen. Ndoshta si drejtues apo menaxher, kësaj nuk i dihet ende.
E ndiqni Skënderbeun në këtë sezon tani që jeni larg?
Sigurisht që e ndjek, madje nuk lë ndeshje pa parë në këtë kampionat të Skënderbeut. Kur nuk kam mundësi, marr informacionet përmes internetit.
LLAZI SARO
INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al