EKSKLUZIVE/ Dinamo ndjek hapin e kryesuesve, tenton goditjen e madhe në merkato

Jun 8, 2023 | 8:55
SHPËRNDAJE

Objektivat në merkato ndryshojnë dita–ditës, duke ditur që konkurrenca është e madhe dhe aq më tepër në një treg, i cili ofron pak mundësi. Dinamo ka një plan në merkato për skuadrën e sezonit të ri, por deri tani nuk ka mundur të konkretizojë asnjë blerje. Drejtuesit blu po veprojmë me shumë kujdes. “Panorama Sport” mëson se emri i fundit që ata duan ta veshin me fanellën blu sezonin e ardhshëm është ai i sulmuesit Saliu Guindo, një personazh i njohur në futbollin shqiptar, teksa ka veshur fanellat e Skënderbeut, Bylisit dhe Laçit.

dinamo

Me këtë të fundit ka bërë edhe paraqitjet më të mira, që kulmojnë mes 19 golat e shënuar në sezonin 2021- 2022, ku edhe Dinamo ishte pjesë e elitës. Nga klubi kryeqytetas shihet si një profil i përshtatshëm për të udhëhequr repartin e avancuar, pasi ka eksperiencë dhe marrëdhënie të mira me portën.

SITUATA ME SULMUESIN – Sulmuesi 26-vjeçar aktualisht është nën kontratë me Diba Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku shkoi nga Laçi dhe në pjesën e dytë të sezonit të fundit u rikthye te kurbinasit në formë huazimi. Blutë po monitorojnë situatën dhe kanë nisur kontaktet. Qëllimi kryesor i klubit kryeqytetas është që Guindo të jetë lojtar i Dinamos me kontratë dhe jo në formë huazimi siç ndodhi te Laçi. Nga burime të gazetës mësohet se lojtari nga Mali mund të shkëpusë përfundimisht marrëdhëniet me klubin arab dhe në këtë rast Dinamo do të përfitonte menjëherë për të firmosur me të.

Aventura arabe nuk ka shkuar ashtu si duhet për afrikanin, që në 8 ndeshje të luajtura nuk shënoi asnjë gol sezonin e fundit. Më pas u huazua te Laçi, ku në 18 ndeshje realizoi 11 gola. Një rendiment relativisht i mirë. Për momentin asgjë nuk është e sigurt, sepse në mes është çështja e kontratës, por për sulmin ky është prioriteti i momentit në kampin dinamovit. Një nga objektivat e tyre të mëparshëm, braziliani Kaina, ka firmosur për Tiranën, ndërsa e hapur mbetet pista e Patrik Nonatos së Erzenit. Nëse realizohet afrimi i Guindosë, blutë bëjnë një lëvizje të rëndësishme për sezonin e ri. Përveç Laçit, sulmuesi ka qenë për dy sezone pjesë e Bylisit, ku në total shënoi 18 gola. Dinamos i duhen patjetër një ose dy sulmues qendre, që të udhëheqin ekipin në Superiore. Për krahët e sulmit ata kanë alternativa në grupin aktual, si Denison apo Karamba. Drejtuesit blu duan që të godasin në merkato pikërisht për qendrën e sulmit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura