EKSKLUZIVE/ Dikur sfidonte Bajernin e Mynihut, Mirel Josa: Pse Kukësi ka shanse

Sep 17, 2020 | 8:58
SHPËRNDAJE

Kukësi sfidon Volfsburgun sot dhe diferencat janë realisht të mëdha, por dikur skuadrat shqiptare janë përballur me më të mëdhenj se kaq. Madje, edhe i kanë eliminuar gjermanët, siç ka ndodhur me Flamurtarin që kalonte turin me Erzebirge (Vismut Aue).

Por përballja më e bujshme është padyshim ajo e vitit të largët 1989, kur Tirana ndeshej dy herë me gjigantët e Bajernit të Mynihut, që ashtu si sot, ishin një skuperskuadër në arenën europiane. Kryeqytetasit u mundën në të dyja takimet (3- 0 dhe 3-1), por ishte koha kur në Shqipëri elita e futbollit tonë lumturohej edhe me një top të mirë apo një veshje “Adidas” origjinale. Këto i rrëfen një ndër protagonistët e atyre 180 minutave, Mirel Josa.
mirel-josa-933x445
Ish-futbollisti i shquar i bardhebluve tregon edhe se si bavarezët i ndihmuan kur konstatuan gjendjen e mjerueshme të futbollit tonë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 57-vjeçari bën një “skaner” edhe për dy ndeshjet e tjera të Ligës së Europës, Teuta-Granada dhe Laçi-Hapoel Ber Sheva. Kurbinasit i konsideron si skuadrën me më shumë shanse për të kaluar turin mes tri shqiptareve.

Nga Tirana-Bajern te Kukësi-Volfsburgu, a janë thelluar diferencat mes shqiptarëve dhe gjermanëve në këto 3 dekada?
I shoh shumë të ngushta diferencat. Ekipet, përveç organizimit të kompeticioneve, kanë ndryshuar shumë taktikisht. Nuk mund ta krahasosh Bajernin e atëhershëm me këtë të sotmin, e aq më pak Volfsburgun. Atëherë, të binte që në tur të parë ndeshje e fortë. Nuk kishte as grupe e asgjë… Ne na vendosi shorti në 1989-ën në tur të dytë me bavarezët, pasi eliminuam ekipin maltez Sliema. Në këtë prizëm, e shoh të vështirë që të bësh krahasime.
Kukesi5
A ka shanse Kukësi që ta kalojë këtë tur?
Që të mbetemi te diferencat, unë dallime mund të bëj edhe me formatin që kanë Kupat e Europës këtë vit. Po luhen teke dhe me një ndeshje “knock out”, mund të ndodhë gjithçka. Do të luhet në fushën tonë, por gol në fushë kundërshtare nuk ka dhe ky është një favor për Kukësin, pavarësisht diferencave në buxhet apo në cilësi lojtarësh, që normalisht anojnë nga ana e Volfsburgut. Me pak kujdes, jam i sigurt që do të bëjnë një paraqitje dinjitoze. Pse jo, mund të provojë edhe kualifikimin. Ne e pamë se ç’ndodhi në Tirana-Crvena Zvezda.

Ju me të drejtë përmendni favorin e një ndeshjeje të vetme, por me sistem vajtjeardhje mund të kualifikohesh edhe me barazime…
E vërtetë është kjo. Ndeshja mund të fitohet me 90 minuta, por mund të shkojë edhe në 120. Kështu që, unë them se Kukësi do të zgjedhë strategjinë e kujdesit nesër (sot). Nëse e bën, do ketë shanse. Edhe me Slavia Sofien e bëri dhe me të drejtë, pasi kishin bërë shumë ndryshime në skuadër nga trajneri e në organikë. Gjithsesi, unë kam shumë besim që Kukësi do të bëjë mirë ndaj gjermanëve.

Le të kthehemi 31 vite pas. Çfarë mban mend Mirel Josa nga ato ndeshje me Bajernin?
Shkuam në Mynih dhe luajtëm ndeshjen e parë. Bëmë shumë mirë dhe erdhëm këtu me mendjen se mund të bëjmë ndonjë surprizë. Atëherë ishte Bajern me lojtarë si Augentaler, Mihajloviç e Bah. Atje humbëm në pjesën e parë 2- 0, por ngushtuam shifrat në të dytën. Agustini më dha mua një pasim dhe unë nxora Mingën vetëm për vetëm me portierin dhe ai goditi saktë. Një penallti e dhënë nga arbitri finlandez, që më duket e shkaktoi Riza dhe duhet thënë që ato jepeshin rrallë në atë kohë. Tani mund të jepet shumë thjesht dhe na bëri që të besonim pak, sidomos në ato 20-25 minuta që humbëm shumë raste atje. Humba unë një rast, Riza një tjetër dhe kjo na bëri që të besonim. Kur i pritëm në Shqipëri, nëse nuk gaboj, pjesën e parë e humbëm 2-0 dhe ishte një ndeshje që u luajt në një fushë shumë të keqe në stadiumin “Qemal Stafa”, sepse aty ishte zhvilluar manifestimi i spartakiadës. Bajerni e solli shumë shpejt ndeshjen në metrat e veta, aty ku donte.

Ju ka mbetur ndonjë peng nga ato dy ndeshje?
Pengu im i vetëm ishte që nuk e shënuam edhe një gol në Gjermani. Pasi e çuam rezulton 2-1 në pjesën e dytë, kemi luajtur vërtet një futboll shumë të mirë. Por, ai ishte Bajern i Mynihut. Unë kam shumë kujtime nga ajo ndeshje, sepse filluam të mbanim korrespondencë me lojtarët e tyre, të cilët na ndihmuan shumë.

JETMIR HALILAJ 

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura