EKSKLUZIVE/ “Çfarë interesi ka Suel Çela apo Qifja me firmat e Berishës?- Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Kryesinë e PD, Basha: U ka shkelur syrin Rama apo…? Palokën: Pse s’e çon në Prokurori?

Nov 16, 2021 | 10:37
SHPËRNDAJE

Lulzim-Basha-Perplasja-Kryesia-PD-Paloka-suel-CelaMARIGLEN KUME/ Në një debat që zgjati më shumë se 5 orë, kryesia e Partisë Demokratike miratoi propozimin e Lulzim Bashës për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së më datë 18 dhjetor. Një javë pas Kuvendit që ka thirrur ish-Kryeministri Berisha. Mbledhja u shoqërua me debate mes kreut të PD-së dhe anëtarëve të kryesisë që kanë mbështetur Berishën.

Edi Paloka, Flamur Noka dhe anëtarët e tjerë i kërkuan kreut të PD-së, Lulzim Basha, që të respektojë vendimin e 4200 delegatëve. Por nga ana tjetër, kreu i PD-së, teksa njohur situatën në të cilën ndodhet PD pas vendimmarrjes së tij më 9 shtator, propozoi që Kuvendi të mblidhet më 18 dhjetor.

Sipas Bashës, Berisha po e përdor Kuvendin e PD për të zgjidhur hallet personale, ndërkohë paralajmëroi se nuk do të lejojë që të ketë 2 PD. Po ashtu, Basha tha në mbledhje se nuk do të lejojë që data 11 dhjetor, nga dita e demokracisë, të kthehet në ditën e bunkerizimit të PD-së.

Por kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, i propozoi Bashës që të caktojë një të besuar për verifikimin e firmave të mbledhura. Por sipas kreut të PD-së, procedura për mbledhjen e firmave dhe thirrjen e kuvendit nuk ka qenë korrekte.

Edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura Basha ka thënë se për mbledhjen e firmave është angazhuar Suel Çela në Elbasan, Rrahman Rraja në Fushë-Krujë dhe Tom Doshi në Shkodër.

Sipas Bashës, ata janë porositur nga Rama që të futen në mes për të dobësuar PD-në. Kjo është kundërshtuar nga Flamur Noka, i cili ka qenë një prej organizatorëve të mbledhjes së firmave.

DEBATI ME DYER TE MBYLLURA NE KRYESINE E PD

Lulzim Basha: E thirra këtë mbledhje për të diskutuar e marrë së bashku një vendim shumë të rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e Partisë Demokratike. Prej dy muajve Sali Berisha ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me Partinë Demokratike, me të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie, me nevojën që kanë demokratët dhe shqiptarët për të parë PD-në të udhëheqë vendin.

Ka vendosur që një problem të tijin personal me SHBA-në t’ia imponojë partisë si problem të PD-së. Për këtë ka njoftuar në “Facebook” një miting më datë 11 dhjetor, që ngjan më shumë si një nevojë për t’i kundërvënë një pjesë të vogël të Partisë Demokratike, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik, SHBA-së. E drejtë e tij, ta bëjë, t’ia kundërvendosë, mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por këtë, siç kam thënë prej ditës së parë, nuk e bën dot as në emër të demokratëve dhe as në emër të PD-së.

“FOLTORJA”

E nisin betejën me gjoja unë paskam shkelur Statutin dhe askush nuk mund të thotë cilën pikë të Statutit kam shkelur, sepse nuk ka, dhe vazhdon duke dhunuar Statutin dhe çdo institucion të PD-së dhe mbi të gjitha, duke fyer dhe poshtëruar anëtarësinë, madje edhe ata që besuan te lëvizja e tij. PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnje. Zoti Berisha duhej të përballej vetë me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Ashtu siç premtoi fillimisht në mënyrë të përsëritur, pa e përfshirë PD-në dhe Grupin Parlamentar të PD-së. Çfarë po kërkon Sali Berisha sot?! PD të dalë kundër SHBA. PD të kthehet në mburojë të interesave personale të Sali Berishës. Izolimin e PD-së nga SHBA, sepse nuk ka asnjë dyshim se partnerët nuk do të bashkëpunojnë me një organizëm që ka aktiv brenda vetes një individ të shpallur “non grata” për korrupsion nga SHBA, pavarësisht se çfarë pretendon zoti Berisha. Partia Demokratike nuk mund të mbajë më mbi shpinë hallet e zotit Berisha. Hallet e tij janë të tijat, jo të PD-së.

PROPOZIMI PËR MBLEDHJEN

Për disa vendime të miat, në pamje të parë mund të duket se i turbullojnë demokratët, mund edhe t’ia arrini për një kohë të shkurtër, por demokratët kanë mençurinë për të dalluar të keqen nga e mira, për të dalluar ata që bëjnë sikur luftojnë dhe ata që vërtet janë në betejë me regjimin e Edi Ramës. Çfarë pune ka me PD-në, por nëse doni edhe me Sali Berishën, Qifja, Suel Çela, Rrahman Rraja, Tom Doshi? Shumë njerëz, jo vetëm demokratët, pyesin: ç’ne këta me Kuvendin e Partisë Demokratike? Pse kaq të investuar këta për një akt të tillë? Shpjegimi është i thjeshtë.

Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në, siç kanë bërë e bëjnë me PS-në e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen “non grata”, iu intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen, as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë pa punë.

U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës për të përçarë PD-në dhe zgjatur jetën politike të Edi Ramës. Kemi sakrifikuar shumë për të mos e bërë pis PD-në. Për ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. S’ka për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër. Nuk do të ketë Kuvend Kombëtar të PD-së me 11 dhjetor. 11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së.

Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është t’i shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës. Partia Demokratike e Shqipërisë do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: t’i prijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi, Edi Ramën dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët. Për këtë arsye, për t’u shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor.

Lulzim Basha: Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Çela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD-së? Po Tom Doshi? Kush e shpjegon?

Edi Paloka: Çoji në prokurori, kryetar, mos na i trego këtu.

Lulzim Basha: Jam aq i përgjegjshëm sa të mos fus prokurorinë në parti, por ajo që dua të them është se gjithçka mund të ishte shmangur, nëse Sali Berisha do të kishte mbajtur fjalën dhe të mos e kishte përfshirë PD-në në konfliktin e tij personal me SHBA-në. PD ka institucione, ka Statut dhe nuk ka për të pasur struktura paralele. Më 11 dhjetor mund të ketë tubim, por jo kuvend të PD-së. Paloka foli për mungesë vëmendjeje nga unë për masakrën zgjedhore. Si i shërbehet kauzës së masakrës zgjedhore, kur të njëjtët persona janë thirrur, janë shtyrë apo u është shkelur syri nga Edi Rama për t’u përfshirë me formularët e PD-së? Nuk më dhatë asnjë përgjigje: çfarë interesi ka Suel Çela? Po Qifja?

Çfarë interesi ka Tom Doshi, përveçse për të përçarë PD-në? Nëse plani i “Foltores”, i Sali Berishës, është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij, e kontributit të tij, jo thjesht për PD-në, por për Shqipërinë. Shantazh PD-së se “po erdhën zgjedhjet, ne do t’ju dëmtojmë, që ju të mos arrini rezultat përballë Edi Ramës, ky është fundi”. Uroj që të paktën këtë hap të mos e hedhë!

Edi Paloka: Me përfaqësues të përcaktuar vetë të vini të bëni verifikimin e formularëve të firmave. Mund të jetë për njërën palë Ivi Kaso, që është sekretari i zgjedhur në Partinë Demokratike dhe për palën tjerë mund të ishte Sekretari Organizativ, Ervin Minaroli.

Mund të jenë dhe të tjerë. Unë po them propozime që të uleni dhe të hiqen hijet e dyshimit dhe ta çoni procesin përpara. Dhe njëherë po e them që të dyja palët të caktojnë nga një njeri tyrin të besuar, të vijnë në zyrën time dhe të bëjnë verifikimin për 4200 firmat dhe të mos vijojmë me sulme ndaj njëri-tjetrit që vetëm po propozojnë.

LEXO KËTU DEBATIN E PLOTË

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

DEBATIN E PLOTE MUND TA LEXONI NE NUMRIN E SOTEM TE GAZETES PANORAMA PRINT NE TE GJITHA PIKAT E SHITJES!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura