EKSKLUZIVE/ Bojkoti i Superiores, ish-gjyqtari Arsen Hoxha: UEFA nuk bie viktimë, janë shpikje shqiptare…

Sep 28, 2020 | 14:01
SHPËRNDAJE

Arsen Hoxha, ish-gjyqtari i shquar shqiptar që prej vitesh jeton në SHBA, është kundër bojkotit të klubeve. Sipas tij, këtë nismë po e dirigjon FSHF-ja, e cila edhe pse ka të drejtë të këmbëngulë për ligjin e sponsorizimeve, nuk mund të kërkojë kurrsesi heqjen e taksimit për futbollistët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hoxha deklaron gjithashtu se kjo është një nismë që nuk do të gjejë mbështetje as në organizmat ndërkombëtarë të futbollit siç janë UEFA dhe FIFA.

arsen hoxha

Për mungesë akordi midis palëve, bojkoti i futbollit po vazhdon. Mendoni se këtë situatë do ta zgjidhë vetëm UEFA?

Kërkesat e Ligës Profesioniste, të dirigjuara nga FSHF-ja, në një pjesë të mirë të tyre janë të drejta, sidomos në ligjin e sponsorizimeve, por nuk besoj se drejtuesit e lartë të UEFA-s do të bien viktimë e tyre.

Në ç’kuptim?

Nuk besoj që të ketë asnjë shembull të vetëm në botë ku shoqata të veçanta, siç është edhe kjo e futbollit te ne, të kërkojnë t’i zgjidhin kërkesat e veta me ultimatume dhe aq më keq edhe me bojkotim të aktivitetit futbollistik të vendit. Imagjinoni për një moment sikur të gjitha shoqatat që janë të regjistruara në organet e drejtësisë dhe që njihen zyrtarisht nga shteti, të paraqitnin secila kërkesat e veta dhe si rrugëzgjidhje të mos gjenin dialogun, por bojkotin dhe arrogancën… A e imagjinoni dot se çfarë situate do të krijohej?

A mund të inkurajojë UEFA precedentë të tillë?

Kurrsesi që jo. Ashtu siç nuk u mbështetën nga politika botërore, praktikat thellësisht të gabuara të braktisjes së parlamentit nga politikanët tanë, ashtu nuk do të mbështeten edhe bojkotet sportive nga drejtuesit e lartë të futbollit europian apo botëror. Këto janë shpikje shqiptare dhe janë tipar dallues për drejtuesit arrogantë dhe me mungesa në formimin e kulturës qytetare. Tipari kryesor i emancipimit shoqëror është zgjidhja e problemit me marrëveshje, bashkëpunim, kompromise dhe lëshime reciproke, por kurrsesi me ultimatume. Mosplotësimi i të gjitha kërkesave që sporti ka nevojë sot, diktohet edhe për një arsye shumë të fortë.kategoria superiore

Cila është kjo arsye?

Shteti ynë i ardhur nga një varfëri absolute ka bërë shumë, madje fare shumë për të ndryshuar vetveten dhe kjo ka ndodhur si kur është qeverisur nga të djathtët, ashtu edhe nga të majtët. Të gjithë dëshirojnë që për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti shteti të kontribuojë edhe më shumë, por asnjë drejtuesi sportiv, futbollisti apo sportdashësi nuk i lejohet që të mendojë në mënyrë të njëanshme. Të gjithë duhet të mendojmë edhe për invalidët, të moshuarit me pensione nën nivelin e mbijetesës, për spitale, rrugë e shumë gjëra të tjera që na mungojnë. Në këtë kuptim shtetit i duhet të plotësojë urgjentisht disa nevoja më të rëndësishme se ato të sportit, që për fat të keq janë shumë.

OLSI TUJANI

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura