EKSKLUZIVE/ “Bindëm ndaj Partizanit, Apolonia mund ta ndalë Teutën”, Zogoviç: Vllaznia meriton titullin, luajmë më mirë

May 25, 2021 | 22:46
SHPËRNDAJE

Portieri Bojan Zogoviç është lojtari i vetëm te Vllaznia që i ka luajtur të 35 ndeshjet e kampionatit. Nga minutazhi i plotë, “gardianit” malazez i mungojnë vetëm 13 minuta në ndeshjen me Apoloninë, që u fitua 6-0 nga shkodranët, dhe trajneri Brdariç i dha mundësi debutimi portierit Kristi Qarri. Në intervistën e dhënë së fundmi për “Panorama Sport” 32-vjeçari pohon se Vllaznia e meriton të shpallet kampione, pasi ka qenë skuadra që zhvilluar futbollin më të mirë në Superiore këtë sezon. Ndonëse në Durrës e quajnë të mbyllur çështjen titull, Zogoviç pohon se kuqeblutë besojnë te titulli në 90- minutëshin e fundit. A mendon se Apolonia i ka mundësitë për ta ndalur Teutën, por nëse nuk ia dalin, ata do t’i urojnë fituesit. Portieri flet për sezonin në përgjithësi, finalen e Kupës, si dhe për mundësinë e rinovimit të kontratës me Vllazninë edhe për sezonin e ri.

auto_Zogovic-Vllaznia1612115523

Keni arkivuar një fitore decizive me Partizanin. A ishte ky sukses një sinjal titulli për Vllazninë?

Po, ishte një fitore e madhe dhe e rëndësishme. Luajtëm mirë në atë takim dhe tani shpresojmë se mund ta fitojmë titullin kampion.

Te Teuta ka nisur festa. A jeni i surprizuar nga ky fakt apo rivali juaj e ka të garantuar fitoren me diferencë golash ndaj Apolonisë?

Për të qenë i sinqertë, ne kurrë nuk mund të festojmë përpara fundit të sezonit. Mbase ata janë të sigurt te fitorja, por të presin deri në mbyllje të javës së fundit dhe pastaj të shikojmë se kush do të festojë me të vërtetë.

Mendoni se Vllaznia mund të shënojë më shumë ndaj Laçit sesa Teuta ndaj Apolonisë, pasi me golavarazh më të thellë titulli vjen në Shkodër?

Do ta shikojmë. Në letër Teuta ka një ndeshje më të lehtë, por e di mirë se në Superiore nuk është e lehtë të luash ndaj asnjë skuadre. Ne do të mundohemi që të ruajmë ritmin tonë dhe të zbresim në fushë për fitore. Në fund shpresoj që ta mbyllim me sukses kampionatin.

A keni një mesazh për lojtarët e Apolonisë, pasi nga angazhimi i tyre mund të varet edhe çështja e titullit?

Para së gjithash, duhet përmendur se Apolonia nuk ka skuadër të dobët. I kam parë ndeshjet e tyre, kanë shumë lojtarë të rinj që mund të bëjnë një karrierë të mirë. Unë besoj se ata do të jenë në maksimumin e tyre në ndeshjen e fundit dhe shpresoj që ata të marrin një rezultat pozitiv, pasi i kanë mundësitë.

Te Partizani ndihen të vjedhur pas humbjes, duke iu referuar penalltisë së akorduar për Vllazninë, që për ata nuk ishte. A keni një koment për këtë?

Nuk kam asnjë koment për këtë çështje, përveçse mund të them se Vllaznia luajti e organizuar shumë mirë dhe fitoi me ndershmëri.

A ju ngarkuan deklaratat e trajnerit të Teutës Edi Martini përpara ndeshjes me Partizanin apo nuk patën efekt te ju?

Ne luajtëm vetëm për veten tonë dhe nuk e kemi lexuar fare qëndrimin e trajnerit Martini.

Nëse Teuta do të shpallej kampione në fund, çfarë do të mendonit?

Nëse Teuta do ta mbyllë e para, ne do t’i urojmë ata. Por, akoma besojmë që mund ta fitojmë titullin kampion.

A do t’ju vinte keq, që pas këtij supersezoni që keni zhvilluar si ekip, të mos e fitonit titullin kampion?

Mendoj se ne kemi zhvilluar futbollin më të mirë këtë sezon në Superiore. Të gjithëve do të na vinte keq nëse nuk dalim kampionë, pasi kemi arritur rezultatet të mëdha në këtë vit me Vllazninë.

Po fitimi i Kupës a është i mundshëm?

Fillimisht duhet të luajmë javën e fundit të kampionatit, ku jemi të fokusuar të gjithë si ekip. Pas kësaj do të mendojmë për finalen e Kupës. Do të jetë e vështirë, por unë besoj te kjo skuadër.

Cila do të jetë e ardhmja e Zogoviçit dhe a pritet ndonjë sinjal rinovimi me Vllazninë?

Pas finales së Kupës do të kemi një pushim dhe më pas do të shikojmë se cila do të jetë e ardhmja. Sigurisht që pushimi do të jetë i shkurtër, pasi duhet të nisim sa më shpejt përgatitjet për pjesëmarrjen në Europë e më pas do të flasim për mundësinë e firmosjes së një kontrate të re me klubin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura