Ekskluzive/ Besnik Çela: Titullin e 97-ës e humbi Flamurtari, ja e vërteta e rregullores për Tirana-Tomori në vitin 2000

Mar 25, 2020 | 13:53
SHPËRNDAJE

Në kohët e Koronavirusit njerëzit kanë kohë të reflektojnë për të tashmen, për të ardhmen dhe për atë që ka ndodhur në të shkuarën.

Detaje, apo ngjarje nga e kaluara kanë vulosur fatet e njerëzve edhe në sport. Fjala vjen, brezi i vitit 1997 të Flamurtarit mund të kish dalë kampion, por titullin e mori Tirana. Për bardheblutë ankohen edhe beratasit në vitin 2000. “I ndihmoi federata”, thonë shumë prej ish-protagonistëve.

besnik cela 1997 logo

(Edmond Koseni dhe Besnik Çela në finalen e vitit 2000 Tirana-Tomori 1-1 të luajtur në maj në Elbasan)

Dhe nuk janë emra dosido, sepse po flasim për Sokol Kushtën, Latif Gjondedën, Rrapo Tahon (të Flamurtarit), apo Klodian Arbri dhe Madrid Muxhajn të Tomorit. Të parët i referohen sezonit të vitit 1996-1997, ndërsa të dytët për sezonin 1999-2000. Secili ka nga një version të vetin dhe askush nuk ua diskuton fjalën për aq kohë sa emrin e tyre dhe karrierën e ndërtuan me sakrifica dhe me punë në fushën e lojës. Po ana tjetër e medaljes cila është?

Cili është version zyrtar i federatës pra? “Panorama Sport” mundi të flasë me Besnik Çelën. Po, ish-shefi i garave në ato vite dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të FSHF-së për epokën. I rezervuar, i sertë, por i drejtëpërdrejtë në komunikim.

“Kompetenti” (kështu e quajnë rioshët e FSHF-së prej do vitesh) vendos të rrëfehet. Në mënyrën e tij… Me fakte dhe dokumente të ruajtura, por edhe me një memorie të frikshme, ai përgjigjet për gjithçka në intervistën ekskluzive për gazetën. “Titullin e merrte Tirana sepse ishte ekipi më i mirë. Flamurtari e pësoi se u tërhoq presidenti Shkëlqim Selami, ndryshe…), thotë Beci.

Besnik cela

Profesor, si shkon karantina?

Mirë duhet me thënë. Natyrisht, jashtë parashikimeve, por duhet të bëjmë durim. Luhet me jetën tonë dhe të të tjerëve. Duhet kujdes i madh nga të gjithë.

A je në dijeni të debatit për titujt e viteve 1997 dhe 2000?

Pjesërisht po. Tani njerëzit u rikthehen kujtimeve, por ndonjëherë i nxjerrin gjërat nga korniza dhe pa dashje edhe nga e vërteta.

Që do të thotë?

Që do të thotë se kam parë e lexuar gjëra që për mendimin tim nuk janë të sakta. Nuk po them gënjeshtra, por mendoj se ka pasaktësi.

Çfarë ndodhi me titullin e vitit 1997?

E fitoi Tirana. Ishte një vit i mbrapshtë dhe ne të sportit na kapi gafil. Nuk dinim si ta mbyllnim sezonin.

Dhe si e mbyllët?

Gjetëm zgjidhjen më të mirë për kohën…

Që ishte?

E ndamë kampionatin në tre grupe. Gjashtë të parat luanin me njëra tjetrën në Tiranë, nga vendi I shtatë deri në vendin e 13-të luheshin në Elbasan, ndërsa gjashtë të fundit në Kavajë e Durrës. Ishin qytetet më të sigurta. Nuk kishim zgjidhje tjetër.

Pse ankohet te Flamurtari se i dënoi federata?

Nuk ka qenë kështu.

Besnik Cela

Si ka qenë?

Fitoi Tirana me meritë. Tirana gjithashtu kishte ekip cilësor.

Po Flamurtari?

Skuadër gjithashtu shumë e mirë.

Vlonjatët pretendojnë për një penallti të padhënë në ndeshje direkte…

E mbaj mend. Mund të jepej, nuk kam asnjë kundërhstim për këtë, ndonëse për mua ka qenë 50 me 50. Por të tërhiqesh nga ndeshja për një penallti që gjithsesi hante shumë diskutim, është e dënueshme.

Vetëm kaq?

Shikoni, Flamurtari pati edhe probleme të tjera asokohe. Unë mendoj se arsyeja kryesore e dështimit të Flamurtarit ishte edhe tërheqja e Shkëlqim Selamit, ish-presidentit të atyre viteve. Disa lojtarë të rëndësishëm gjithashtu u larguan. Janë gjëra që ndikojnë.

A është e vërtetë që lojtarët e Flamurtarit, apo të skuadrave të tjera, kur luanin në transfertë në ato vite, “hanin edhe dru nga policët”, siç thotë Sokol Kushta?

Unë nuk kam dijeni për këtë. Për aq kohë sa nuk e kam parë, nuk e besoj.

A është e vërtetë që ajo skemë e ndarjes së skuadrave në dy grupe, u bë për të favoriziuar edhe Dinamon që po binte nga Kategoria?

Mund të ketë rezultuar efikase për atë klub gjatë rrugës më pas, por nuk u projektua enkas për të ndihmuar Dinamon. Kishim halle më të mëdha. Rrezikonim që të mos mbyllej sezoni dhe pas komunikimit të vazhdueshëm me FIFA-n, na u tha qartë se nëse nuk mbyllej sezoni, gjithçka do bëhej nul e më pas ekipet toona nuk do merrnin pjesë në Europë. Imagjinoni, mundi i mijëra njerëzve për muaj me radhë do shkonte dëm, por edhe humbje financiare do kishte. Plus edhe çështje imazhi, sepse do të etiketoheshim si një vend ku nuk mbyllet dot as sezoni futbollistik. Ishin kohë shumë të vështira për mua dhe për të gjithë ata që merreshin me organizimin e kampionatit, por edhe për vetë klubet e futbollistët.

Çfarë ndodhi me titullin e vitit 2000?

E fitoi Tirana me një ndeshje shtesë, sepse të dyja skuadrat e përfunduan kampionatin me të njëjtat pikë.

A ishte e drejtë kjo, ndërkohë që në ndeshjet direkte Tomori i kishte marrë 4 pikë Tiranës?

Mos i ngatërroni gjërat. Ajo rregullore ishte në fuqi atëherë dhe ajo u respektua. Rregulloret, ashtu si edhe futbolli evoluojnë me kohën. Tani mund të mos duket aq e drejtë, por ajo ishte rregullorja.

Beratasit thonë që FSHF e shpiku këtë rregullin vetëm për ti dhënë edhe një shans tjetër Tiranës…

Abolutisht e pavërtetë. E kam dëgjuar shpesh këtë, por askush nuk ka marrë mundimin të nxjerrë një dokument. Nuk bën kështu…

Si është e vërteta?

E vërteta ëhstë që ishte sanksionuar me rregullore që do të luhej ndeshje shtesë nëse do të kishim dy skuadra me pikë të barabarta në fund. Ajo rregullore ka qenë në fuqi deri në vitin 2002. Më vjen keq që e dëgjoj këtë nga protagonist të atyre kohëve. Merrni, hapni arkivat e shtypit të kohës dhe nuk kishte asnjë pretendim nga beratasit për rregulloren dhe për ndeshjen shtesë. Fare. Zero…. Ah, po, kishte pretendime për fushën ku do të luhej ndeshja shtesë.

Pse?

Sepse në rregullore thuhej qartë që ndeshja shtesë duhej të luhej në Tiranë. Mirëpo, ata me të drejtë nuk donin të luanin në Tiranë, sepse i binte të luanin në fushë kundërshtare.

Ç’ishte kjo lloj rregulloreje…? A nuk ju duket absurde?

Sot po, por ishte përshtatur për kohën… Ndeshjet shtesë, finalet pra, kishim siguri t’i luanim vetëm në Tiranë, sepse aty kishte rend dhe siguri. Duhet të marrim parasysh rrethanat.

Çfarë ndodhi me Tomorin?

Pati polemika të ashpra deri një ditë para ndeshjes. Si përfundim u vendos në Elbasan, edhe pse ata nuk ishin dakord.

Pse?

Sepse ishte më afër Tirana, por mbi të gjitha sepse aty ishte komisari i famshëm, Edmond Koseni. Me atë nuk bënte njeri numra.

Që do të thotë?

Nuk bënte dot askush presion ekstra përveçse si tifoz që mbështeste ekipin nga shkallët e stadiumit.

Pse u interesonte beratasve të bënin presion… ata ishin në krye?

Nuk thashë këtë, thashë vetëm se nuk ishte një qytet dhe një stadium ku ata mund të bënin çfarë të donin. Koseni kishte vendosur rregull të jashtëzakonshëm për kohën. Nuk piptinte asgjë.

Edhe çfarë ndodhi?

Fillimisht zgjodhëm arbitrin e ndeshjes. Bujar Pregjën…

Si e zgjoidhët?

Thirra dy trajnerët, Sulejman Memën dhe Kristaq Milen. Mezi ramë dakord, Mile nuk e kishte me qejf.

E vërtetë që Pregja nuk i dha një penallti të pastër Tomorit…?

Nuk kam asnjë koment.

Si shkoi ndeshja?

Gjithçka në rregull. Tomori barazoi në fund me një autogol të Tiranës në mos gaboj, më pas në shtesë.

Cili ishte raporti juaj me Kosenin?

Shumë korrekt dhe me respekt reciprok. Unë e dija në kushtet që punonte ai dhe ai gjithashtu e kuptonte gjendjen e sportit. Kam pasur një raport të mirë dhe tejet korrekt. Kur duhej ndihma, ai asnjëherë nuk kursehej për sportin.

Thatë që vendimin për ndeshje shtesë mes Tiranës dhe Tomorit ishte i parashikuar në rregullore, a e vërtetoni dot këtë?

Patjetër që po. Nuk po flet me një njeri dosido miku im. Ju jeni tashmë gazetar i vjetër në profesion. Më keni parë të veproj ndonjëherë jashtë rregullores?!

Dakord, thjehst ju pyeta nëse keni ndonjë dokument, ose jo?

Patjetër.

Mund të na e vendosni në dispozicion?

Me kënaqësi.

Pse ju thonë nëpër stadiume “Beci i tmerrshëm”?

…(qesh). Nuk jam i tmerrshëm. Jam thjesht një punonjës i një institucioni që nuk kam bërë asnjëherë kompromise. Mirëpo në këtë vendin tonë të vogël dhe me rregulla të brishta, nëse nuk bën kompromise, nëse thua të vëretën, nëse zbaton rregullat me përppikmëri, atëherë mund të bëhesh antipatik shpejt dhe shpesh.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje?

Sa herë që shkoj si delegat nëpër ndeshje, skuadrat vendëse mërziten disi dhe festojnë ato udhëtueset, sepse e dinë që rregullat do zbatohen një më një. Duke filluar që nga parkingu i makinave.

Si ishte të punoje shef garash në vitet 1997 e më pas?

Shumë e vështirë. Ishin kohë të trazuara.

starova-2

A ju thoshin ndonjëherë arbitrat që nuk donin ta arbitronin një ndeshje?

Asnjëherë. Kurrë.

A ju kërcënonin ndonjëherë?

Ndonjëherë?!!! Unë gjithë kohën i kërcënuar isha. Njerëzit i kishin armët nëpër duar.

A shkonte haku te i zoti në ato vite, apo fitonin vetëm më të fortët dhe jo më të talentuarit?

Shkonte gjithnjë haku tek i zoti. Perfeksion nuk ka as sot, por edhe atëherë fitonin skuadrat më tëb lorganizuara dhe me financat më të mira. Qysh atëherë…

Që do të thotë?

Fitoi titullin Partizani në vitin 1993 sepse e morën italianët. Paguanin rroga shumë të mira për kohën dhe u bënë një klub modern për ato vite. Tirana gjithashtu ishte pjesë e italianëve, më pas e mori Metush Seferi, gjithashtu një njeri që investoi shumë. Por Tirana vendosi e para standardin e kontratave. E kuptoi që lojtarët mund ti iknin dhe e vendosi këtë standard. Më pas mori Fortuzin nga Dinamo, Prengën, etj… U bë realisht një super-skuadër.

Si ishte të punoje me president gangsterë?

Jo edhe aq e lehtë, por ia dilnim. I repsketonim dhe na respektonin kur e kuptonin që nuk ua kishim me hile.

Tomori ka psur një të tillë (Zhaku)…

Po, ishte natyrë e vështirë, por unë kisha raporte korrekte dhe me mua e me punonjësit e FSHF-së është sjellë mirë.

Ardian Cobo

(Ardian Çobo (Zhaku), ish-presidenti i vrarë i Tomorit) 

Ç’mendim ke për presidentët e atyre viteve?

Respekt për të gjithë, por për Shkëlqim Selamin në veçanti. Njeri i arsyeshëm, bashkëpunues dhe dashamirës i madh i skuadrës së futbollit. Më vjen shumë keq që nuk mundi të marrë një trofe, sepse investoi shumë. Më vjen keq ndonjëherë edhe për Edmond Hasanbelliun e Teutës.

Njeri që ka investuar shumë, nuk ka hapur kurrë probleme, nuk ka ndodhur asnjë incident në Durrës. Do të doja ta shikoja duke ngritur një trofe. Ka shumë vite dhe ka qenë gjithnjë i repsketueshëm. Më vjen keq edhe për Bert Xhanin. Harxhoi pasurinë e tij për Partizanin, por nuk mundi të merrte një trofe. Janë njerëz që i kanë dhënë shumë futbollit.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura