EKSKLUZIVE/ “Beqir Ballukut i vunë helmetë në qeli që të mos vetëvritej”-Rrëfimi i Parllakut: Si ndikoi Enveri në vdekjen e Mehmet Shehut

Sep 2, 2019 | 13:51
SHPËRNDAJE

Enver-Hoxha-Petrit-Dume-Gjeneralet-PuciARISTIR LUMEZI/ Edhe pse shokë në luftë dhe drejtues të lartë të Partisë në Byronë Politike dhe në Ushtri, ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, nuk kishte asnjë tolerim nga Enver Hoxha.

Ata u trajtuan si armiq të Partisë dhe popullit. Gjeneral Rahman Parllaku në vijim të intervistës së tij për gazetën “Panorama” tregon vuajtjet dhe trajtimet denigruese gjatë periudhës 11-mujore të hetuesisë në qeli para dhënies së dënimit në gjyq. Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako por dhe vetë Parllaku mbaheshin brenda qelisë në kafaz hekuri, me helmeta në kokë nga frika se mos tentonin vetëvrasje.

Madje dhe në tualetet normale të burgut nuk i linin të shkonin, por kishin sajuar një tualet në mes të qelisë e ku oficerët që i vëzhgonin 24 orë, qëndronin prezent sa herë ata kryenin nevojat personale. Duke treguar brutalitetin e regjimit, Parllaku rrëfen se kreu i grupit të sigurimit të puçistëve, Idriz Seiti, një mik i Mehmet Shehut, përfundoi edhe ai në burg më vonë, pas vetëvrasjes së ish-Kryeministrit.

parllaku1

Sipas tij, ishte Enver Hoxha që futi një përçarje, një ftohje mes Mehmetit dhe Beqir Ballukut, Mehmeti iu kundërvu Beqirit dhe ata nuk kishin më atë marrëdhënie që kishin pasur më parë, duke dobësuar në këtë mënyrë pozitat e Mehmet Shehut në Ushtri dhe Parti.

Gjeneral Parllaku tregon se strumbullari i të gjitha këtyre dënimeve ishte Hysni Kapo. “Hysniu bëri fshesën e hekurt në Ushtri dhe përgatiti listat e atyre që duhet të dënoheshin”, shprehet Parllaku.

Gjatë hetimit të grupit tuaj, ju u vendosët në qeli. Kë kishit shok në qelinë tuaj?

Secili ishte në qeli më vete. Dhomat ishin të mëdha, por brenda tyre kishte kafaz. Brenda në qeli qëndronte ulur dhe një oficer për 24 orë, mbi në karrige të gozhduar në dysheme, i cili ndërrohej çdo 6 orë. Ai nuk kishte të drejtë të fliste me ne, por vetëm na shikonte. Ishte një presion psikologjik i vazhdueshëm që na bëhej për të na thënë se ne këtu brenda të ruajmë që ti të mos vrasësh veten dhe t’ia thuash Partisë të gjitha çfarë ke bërë, por ti i gjallë nuk del dot nga këtu.

petrit-dume-enveri

Përse Beqirin e mbanin me helmetë kur e lëviznin në burg?

Në burg nuk na linin të shkonim në banjat që kishin bërë italianët me porcelane, por na kishin bërë një vrimë në mes të dhomës, mbi të cilat kishin vendosur disa dërrasa dhe aty uleshim për të kryer nevojat tona personale. Deri aty na çonin me helmetë në kokë dhe me zinxhirë në duar. Aty qëndronte oficeri i dhomës dhe dy policë gjatë kohës që bënim nevojat personale. Ditët e para na vinte dhe ne zor që ata qëndronin aty në ato momente, pastaj u mësuam dhe thamë le t’i marrin dhe ata erë gjërave që ne bëjmë. Kur mbaronim punë, na vinin përsëri helmetën në kokë, zinxhirët dhe na fusnin në qeli përsëri. Besoj se helmetë u vendosnin të gjithëve, gjersa më vinin mua që nuk isha dënuar me pushkatim. Për Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Rrahman Parllakun u përdor kriter i paparë deri në atë kohë. U arrestuan në sallë, me hekura në duar e helmeta në kokë dhe me makina BÇ u transportuan menjëherë në burgun e sigurisë së lartë.
Hetimi zgjati 11 muaj. Përveç futjes në qeli, i futën në kafaze hekuri brenda qelisë. Në kafaz flinin, hanin dhe hetoheshin. Për ruajtjen e tyre ishte caktuar një komandë dhe një trupë e veçantë gardianësh që komandohej nga Idriz Seiti (ish-shef sigurimi), i cili kishte dalë në pension, por ishte thirrur për këtë detyrë. Për ironi të fatit edhe Idrizin, pas vdekjes së Mehmet Shehut, e dënuan me burg.
Ishin 4 oficerë sigurimi në 24 orë që i ruanin, i përgjonin, dhe që e kishin të ndaluar të flisnin, sepse kontrolloheshin edhe ata nga frëngjitë e dyerve të qelive. Edhe kur i nxirrnin për nevoja vetjake, nuk ua hiqnin hekurat nga duart dhe helmetën nga koka. Policët u rrinin mbi kokë. Por kjo ishte e vështirë edhe për ta.

Kur kryenit dënimin në burg, si e morët vesh vdekjen e Mehmet Shehut?

E morëm vesh përmes radios. Kishim një altoparlant ku na jepnin lajmet e mëngjesit, në drekë dhe në darkë. Aty dëgjoheshin vetëm lajmet. Ndërsa për shtypin kishim bërë dhe abonime në disa organe. Pas vrasjes së Mehmetit, erdhën në Burrel vëllai i tij, Duro Shehu, Idriz Seiti, Bashkim Shehu, më vonë edhe Skënderin.

1-2

Në gjykimin tuaj, Mehmet Shehu ishte vetëvrarë apo e kishin vrarë?

Edhe sot e kësaj dite unë i qëndroj të njëjtit qëndrim, si për Mehmet Shehun ashtu dhe për Nako Spiron. Për mua nuk ka rëndësi kush e tërhoqi gishtin e këmbëzës, por kush i çoi në vetëvrasje. Nakon e çoi në vetëvrasje Enveri. Enveri vetë ishte pro bashkimit me Jugosllavinë, nga ana tjetër nxiste Nakon se nuk donte të futej nën tutelën e jugosllavëve.  Kur jugosllavët e akuzuan Nakon si armik, Enveri e braktisi dhe ai shkoi në vetëvrasje. Po kështu dhe me Mehmetin. I tha Mehmetit, e bëre këtë gabim, por thellohu në autokritikë. Ai i kërkoi dy ditë afat, ai i tha, jo ti je i përgatitur, hajde përgjigju Byrosë. Mehmeti u kthye në darkë, ia hoqi vetes apo e vranë, kjo ka pak rëndësi. Enveri e çoi në vetëvrasje. Duke e njohur karakterin dhe temperamentin e Mehmetit, impulsiv dhe sedërprekur, edhe mundet të ketë ndodhur vetëvrasje. Mehmeti u ndje i braktisur, madje ai e ka ditur se do ta pësonte siç e kishin pësuar dhe të tjerët para tij, si grupi ynë. Enveri i braktisi të gjithë për karrigen e tij.

VIJON

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

 1. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi në 100-vjetorin e lindjes, Gjeneral Parllaku: Si e kurdisi Enver Hoxha intrigën mes Beqir Ballukut dhe Mehmet Shehut. Prapaskenat e shkarkimit tim dhe ish-ministrit të Mbrojtjes

2. EKSKLUZIVE/”Oficerët janë tradhtarë të partisë”- Rrëfehet Gjeneral Parllaku: Debati i fortë i Enverit me Mehmetin për grupin puçist në Ushtri. Kush e përgatiti “fshesën e hekurt”

3. EKSKLUZIVE/ “Dje e mora vesh që jam armik”- Rrëfimi i Gjeneral Parllakut: Çfarë ndodhi gjatë gjyqit me Enverin. Oferta që më bëri Kadri Hazbiu në qeli


4. EKSKLUZIVE/ “I shpëtove dënimit me vdekje se…”- Rrëfimi i Rrahman Parllakut: Prapaskenat e gjyqit të sajuar me studentë të veshur si ushtarakë. Si i pushkatuan Beqirin dhe Gjeneralët

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura