EKSKLUZIVE/ “Artistet orgji në ambasadat e huaja, ushtarakët seks me vajzat e Kombinatit”

Dec 7, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri kanë mbetur ende gra të gjalla, të cilat mund të dëshmojnë rreth tmerreve që kanë kaluar nëpër burgje. Sigurisht, nuk është e lehtë ta bëjnë. Së pari, sepse, nëse fati është kujtuar dikur për to, mund të kenë ndërtuar një jetë që, në një mënyrë a një tjetër, ka venitur ca oshtimat e ‘fitimtarëve’, që kanë gjëmuar gjatë në kokë. Fundja, pse duhet të flasin?!

Tanush-Kaso-2
Tanush Kaso

Në emër të cilës së vërtetë duhet të dëshmojnë?! Dëshmia e fundit dhe e vetme e një gruaje që tregoi përvojën e saj, se si ishte dhunuar e përdhunuar në kohën e regjimit komunist, ishte ajo e këngëtares Alida Hisku. Kolegë të saj, bashkëvuajtës të kohës, dolën e folën secili versionin e vet, se si mund të kishte qenë ngjarja.

Pjesa më e madhe, mohuan me siguri që përdhunimet mund të kishin ndodhur. E bënë këtë edhe ata që kanë qenë vetë pas hekurave e që mund të kenë dëgjuar e dinë shumë më shumë se ç’tregojnë. Ose, mund të tregojnë krejt të kundërtën e asaj që dinë. Në fund, me atë që thotë, secili do të mbrojë veten.

Ngjarjet janë aq të ndërlikuara sa do të ishte më mirë të mos u kishim hyrë, përderisa e vërteta nuk do të zbardhet asnjëherë deri në fund, por, meqë tashmë jemi në rrugë, po përpiqemi ta plotësojmë me dëshmi të kohës, me dokumente e me rrëfime konkrete. Të paktën kështu, nëse zëri i Alida Hiskut fuqizohet, do tërhiqen të tjerët.

Tanush Kaso, ish-i dënuar, kryetar i Shoqatës së të Dënuarve Politikë, tregon pjesërisht ato që di. Sipas tij, të vërtetën e plotë do t’i duhej ta shkruante në libër, aq të panumërta janë historitë e përdhunimeve e dhunimeve që u janë bërë grave në ato vite.

Ju me siguri që e keni ndjekur dëshminë e këngëtares Alida Hisku, siç mund të keni ndjekur edhe reagimet e kolegëve të saj më pas. Bashkë kemi bërë një intervistë disa vite më parë, ku më tregonit për raste konkrete të përdhunimit të grave, ndërsa sot shtrohet një pyetje tjetër: ka pasur apo jo përdhunime?! Ç’domethënë kjo?!

Kjo është një pyetje absurde; as që duhet të shtrohet fare nëse ka pasur apo jo përdhunime në burgje dhe ata që i mohojnë këto fakte, kanë të vërteta të tjera për të fshehur sepse, se çfarë ka ndodhur me gratë nëpër burgje, e dinë shumë mirë.

Ata që e mohojnë se mund të kenë ndodhur, japin si argument frikën e hetuesve prej vigjilencës së sistemit, pra ndëshkimin…

Ndëshkimet për çështje të tilla kanë qenë fare minimale. Rastet e përdhunimeve kanë qenë të përhapura kudo. Ajo që më ka bërë çudi ka qenë rastet në arsim, kur profesori përdhunonte nxënësen dhe nuk është dënuar. Ka marrë vetëm vërejtje apo ndonjë shenjë në biografi. Pra, frika nuk pengonte askënd. Për disiplinë le të mos flasin këta zotërinj se më shumë se gjermanët këta tanët nuk kishin, dhe asnjëra nga palët nuk u pengua të bënte çfarë donte. Solidariteti midis policëve dhe punonjësve të Sigurimit funksiononte gjithmonë, kështu që, nga kjo anë, ishin të sigurt, sepse kryenin të gjithë të njëjtat akte. Nga ana tjetër, vetë Sigurimi i Shtetit kishte dhënë urdhër që të përdoret çdo mënyrë për të nxjerrë informacionet që ata kërkonin, edhe atëherë kur informacione nuk kishte.

Atëherë pse, në një pikë, Alida Hisku u tërhoq nga deklarata e parë, duke thënë nuk më kanë përdhunuar?

Sepse kërcënimet funksionojnë ende. Mundet që dikush t’i ketë bërë presion. Atëherë vërtet nuk kishte celularë e mjete të tjera që mund të dokumentonin çdo gjë, ama disa gjëra edhe ruheshin. Ndoshta e kanë kërcënuar se mund të nxjerrin diçka tjetër, që ajo nuk do që të bëhet publike.

Po kolegët e saj që iu kundërvunë?! Madje, edhe ata që kanë qenë vetë nëpër burgje!

I kam lexuar edhe ata, dhe më duken të pabesueshme që i thonë ende këto gjëra. Me siguri që i kanë borxhe të vjetra Sigurimit të Shtetit dhe po përpiqen t’i shlyejnë në këtë mënyrë. Ata që kanë mohuar, janë thuajse të gjithë me të kaluar të dyshimtë, prandaj edhe janë bërë pjesë e fushatës, sepse kështu është kthyer kjo çështje tashmë, për rehabilitimin dhe nderimin e Sigurimit të Shtetit. Ndonjëri nga ata, do të bënte mirë të tregonte për veten se pse është ridënuar, duke qenë brenda në burg. Kur nuk janë vetë të pastër, të mos dalin të flasin me siguri për të tjerët. Le të thonë: unë nuk kam parë gjë me sytë e mi. Lexova edhe disa pretendime qesharake se, demek, Alida nuk mund të përdhunohej sepse nuk ishte e bukur. Zotërinj, ju e njihni po aq mirë sa unë kafshërinë dhe babëzinë e atyre njerëzve. Së pari, kishte nga ata që nuk kishin fare preferenca dhe së dyti, e bukur është ajo që më pëlqen mua, jo ajo që të duket ty.

Disa zëra të tjerë, jo publikisht, tregojnë se, nëse nuk doje vetë, askush nuk të dhunonte seksualisht. Pra, atyre që u ka ndodhur, kanë dhënë vetë sinjale…

Pjesërisht, kjo është e vërtetë. Por, nuk mund të absolutizohet. Pra, duhet thënë që ka pasur edhe nga këto raste, jo që ka funksionuar vetëm kështu. Unë di mirë histori pafund që oficerët e Sigurimit, së pari, i kanë kërkuar vetë këto vajza të bukura, por nuk ka qenë aspak e vështirë për ta t’i rekrutojnë e t’i kthejnë në ‘shërbyeset’ e tyre në të gjitha pikëpamjet, qoftë seksuale, qoftë informative. Mund t’ju përmend rastin e një qyteti verior; kryetari i Degës së Punëve të Brendshme në këtë qytet, kishte autorizim të plotë nga Ministria e Brendshme të përdorte femrat e familjeve kundërshtare të sistemit. Në burgun e Burrelit ku kam qenë, të burgosurit e këtij qyteti tregonin se si ky njeri futej në familjet e këtyre vajzave me revolver dhe i detyronte të zhvisheshin. Mjaftonte kaq për t’i rekrutuar dhe ato vazhdonin punën vullnetarisht. Në një rast, njëra prej tyre ka rënë në dashuri me oficerin dhe vazhdoi të kishte marrëdhënie me të deri sa ky i fundit vdiq (në mënyrë misterioze); e dinte i gjithë qytet, dilnin haptazi. Në varrim, zonja, artiste e njohur, erdhi e veshur në të zeza.

Meqë përmendët artistet dhe kjo temë u ringacmua pikërisht nga njëra prej tyre, a ishin ato më të lakmuarat?

Po mbase edhe ishin, por nuk ishin kategoria që ishte e nevojshme për t’i përdhunuar, sepse shumica ishin të gatshme vetë.

Me këtë, ju thoni se sulmet që i bënë kolegët kantautorit Gjergj Leka, për disa deklarata që bëri në media, ishin të padrejta…

E kam lexuar edhe intervistën e Lekës dhe me keqardhje më duhet të them se ato që ka thënë, janë vetëm maja e ajsbergut.

Nuk jam e sigurt nëse dua të di përgjigjen, por pyetjen më duhet ta bëj; çfarë ka në shtresat nënujore?

Orgji. Në vitet ’50-’60, ka ndodhur një skandal i madh seksual me artistët në Tiranë. Këngëtarë, aktorë, balerina, ishin ftuar nga një ambasadë e huaj këtu dhe kishin kërcyer nudo, duke përfunduar deri në orgji.

Fjalët i nxorën vetë pjesëmarrësit në festë, por nuk u lejua të bëhej zhurmë për këtë gjë, sepse degjenerohej sistemi.

Ishte rutinë kjo gjë?

Ndodhte shpesh, por jo vetëm me artistët. Ushtarakëve, gjithashtu, kur organizonin mbrëmje vallëzimi u çonin vajzat e Kombinatit Tekstil. Në Kombinat çonin kryesisht vajza beqare për t’i përdorur pikërisht për këtë gjë. Madje, meqenëse shumë prej tyre patën fëmijë ilegalë, ndërtuan, ka qenë deri vonë aty, një kapanon, që quhej kapanoni i beqareve.

A dini ndonjë rast kur një grua mund të jetë ankuar për këto padrejtësi dhe t’i ketë shkuar fjala?

Ku të ankoheshin, shumica ishin njësoj. Nuk po them që të gjithë hetuesit apo oficerët e Sigurimit i bënin këto gjëra, por pjesa më e madhe po. Më kujtohet një rast kur operativi i Sigurimit në një fshat të Peshkopisë i vuri syrin një vajze të bukur që ishte e fejuar. Për ta shtënë në dorë, sajoi një akuzë të rreme për të fejuarin dhe e burgosi. Kur e mori vesh Maliq. K, i burgosur në Rubik, u vetëverbua nga pamundësia e hakmarrjes. Sa e sa raste të tjera ka… Janë dy histori të tjera, njëra në Elbasan e tjetra në Lushnjë. Gratë ishin arkëtare e me siguri të bukura, por meqenëse bënin rezistencë, shkonin natën në vendin e tyre të punës, u çrregullonin dokumentacionet dhe ato akuzoheshin për vjedhje, të nesërmen ishin automatikisht në hetuesi ku s’kishin nga shkonin, përveç se t’u nënshtroheshin urisë së kafshëve.

Të dokumentuara janë edhe një sërë rastesh, që kanë përfunduar në psikiatri e që me siguri e kanë zanafillën nga këto ngjarje…

Po, ka shumë të tilla. Kishte nga ato gra që bënin rezistencë deri në fund. E vetmja mënyrë për të shpëtuar, ishte vetëvrasja dhe ka pasur ngjarje të tilla. Psikiatrinë e përdorte sistemi, i dërgonte atje për të mbuluar të vërtetën që ato thoshin. Torturat atje janë nga më çnjerëzoret.

A kishte raste, si sot, që të përdornin pozitën, pra të ofronin punë në këmbim të seksit?

Nga të gjitha kishte. Për këtë kam një rast konkret, dokumentet e të cilit gjenden në arkiv, ashtu siç gjenden raste nga më të ndryshmet. Sipas dokumentit të AQSH-së, fondi 14, viti 1948, dosja 190, Petro Taku, sekretar organizativ dhe politik i Shijakut, u ka kërkuar marrëdhënie seksuale kandidateve të partisë apo të tjera grave, që kishte në dorë t’i punësonte, sepse ishte njeri me pozitë.

A njihni ju gra, të cilat mund të dëshmojnë sot për këto ngjarje?

Disa kanë vdekur, por në rrethe të ngushta i kanë treguar ato që kanë hequr. Shpeshherë i kanë treguar si ngjarje që u kanë ndodhur të njohurave të tyre, por mundet të kenë qenë edhe ato vetë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura