EKSKLUZIVE/ Artan Bano “skanon” Kategorinë e Parë: Sezon surprizues, ja cilat skuadra ngjiten direkt në Superiore

Apr 8, 2021 | 10:41
SHPËRNDAJE

Artan Bano i bën “skanerin” Kategorisë së Parë, terren që e njeh më së miri. Ish-trajneri i njohur i Lushnjës, Tomorit, Egnatias, por edhe Shkumbinit, rikthehet të flasë pas një periudhe shtatëmujore për “Panorama Sport”. Ai zgjedh Dinamon dhe Tomorin si fituese të grupeve në fund të këtij kampionati, ndërsa mendon se ekipi i tretë që do të ngjitet në elitë do të diskutohet mes Korabit dhe Besës, duke lënë jashtë Egnatian. Ai zbërthen edhe arsyet pse verdhejeshilët luftojnë për mbijetesë, ndërsa hapur thotë që mbeti i zhgënjyer.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

U mbyllën dy fazat e para në Kategorinë e Parë dhe u ndanë minigrupet, si e vlerësoni sezonin deri në këtë pikë?

Duhet pranuar se ky sezon ka qenë intrigues dhe ka shkaktuar jo pak surpriza sa i përket renditjes pas dy fazave të para. Duke marrë parasysh çrregullimet që solli pandemia, mungesën e tifozëve në stadiume dhe mbi të gjitha pauzat e shumta, niveli ka qenë i kënaqshëm.

Cila është surpriza pas ndarjes së minigrupeve?

Do ta nis nga “play out”- i, ku Besëlidhja dhe Erzeni në Grupin A dhe Elbasani, Flamurtari e Lushnja në Grupin B janë zhgënjimet më të mëdha. Mungesa e tyre në luftën apo betejën për Kategorinë Superiore nuk i shërben aspak futbollit.

Çfarë prisni nga faza e tretë?

Skuadrat fituese në katër vendet e para të çdo grupi meritojnë të vlerësohen. Ato kanë arritur atë çka kanë dhënë realisht në fushë dhe për mua, si trajner dhe specialist, e kanë merituar plotësisht këtë renditje. Në të dyja grupet parashikoj garë të fortë dhe me rivalitet të madh deri në javën e fundit, ku të gjitha ekipet pa përjashtim janë të denja për të kërkuar ngjitjen në Superiore.

Kë shihni një hap para?

Unë do të bëja këtë prognozë sa i përket ngjitjes në fund të këtij sezoni dhe me gjithë vlerësimin maksimal që kam për skuadrat pretendente dhe kolegët e mi që drejtojnë: Në fund do të jenë Dinamo dhe Tomori ato që do të fitojnë të drejtën e ngjitjes direkte në elitë.

Pse pikërisht ato?

Jo vetëm për shkak të cilësisë që kanë këto dy skuadra në përbërje, por edhe ambicien e madhe në emër të traditës dhe historisë që mbartin. Meritojnë realisht të jenë në elitë, edhe pse kanë disa avantazhe më të mëdha në raport me rivalët e tyre. Për vendin e dytë që të jep mundësinë e ndeshjes shtesë me të tetën e Superiores, parashikoj Korabin dhe Besën, që besoj se do t’i shfrytëzojnë maksimalisht dhe si duhet avantazhet e tyre në kalendar, por edhe mundësitë që kanë realisht.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura