EKSKLUZIVE / Arratisja e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshenit në vitin 1987, rrëfimi unik i ish-portierit: Si pësova 9 thyerje në fytyrë, më ndihmoi vëllai i Astrit Hafizit

Jan 14, 2022 | 19:39
SHPËRNDAJE

Nga JETMIR HALILAJ/ (PJESA E PARË)
Të arratiseshe për një jetë më të mirë në Shqipërinë moniste ishte një bast me jetën. Jo për atë që do të ndërtoje jashtë, porse çfarë pasojash do të kishte për personin që e ndërmerrte këtë iniciativë heroike. Nuk bënin përjashtim as ata sportistë që përfitonin nga një rrugëtim jashtë Shqipërisë për ta braktisur atdheun e tyre në mjerimin që e kishte kapluar pas 5 dekadash diktaturë. Por ama, ka disa histori që kur i dëgjon të rrëfyera nga vetë personazhet, ato të duken surreale, pjellë e një imagjinate që një i ri i shekullit të ri as nuk e merr dot me mend.

Arvid Hoxha duke pozuar me fanellën e Vllaznisë nga shtëpia e tij në SHBA

E tillë është edhe historia e arratisjes së bujshme në vitin 1987 e dy futbollistëve të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulzim Bërsheni. Na u desh që të flisnim gjatë me ish-portierin Arvid Hoxha, i cili sot jeton në Amerikën e largët. Është intervista telefonike më e gjatë e autorit të këtij shkrimi, plot 1 orë e 32 minuta. Arvid Hoxha gjatë rrëfimit të tij ekskluzivisht për “Panorama Sport” tregon me detaje se çfarë ndodhi në natën e 7 nëntorit 1987, kur së bashku me Lulzim Bërshenin ikën nga hoteli fshehurazi dhe kapërcyen murin e ambasadës jugosllave.

Mirëmbrëma, ose mirëdita z. Arvid, se jemi në orare të ndryshme.
Në gjysmë të ditës jemi këtu në Amerikë. Ju e keni kaluar tashmë gjysmën, keni shkuar nga nata. Ne jemi nga dita… (qesh).

Si e keni përballuar pandeminë dhe a jeni vaksinuar?
Në fakt, unë nuk jam tifoz i vaksinës. E kam mundësinë për t’u vaksinuar, por nuk më intereson shumë. Mund të jem gabim, por…

Nuk keni besim te vaksina apo nuk keni besim te gripi?
Nuk e di. Të dyja bashkë. Dikush e kalon më lehtë, dikush tjetër pak më rëndë. Unë kam pasur raste edhe në familje, fëmijët e kanë kaluar pa problem, vjehrra e kaloi pak më me vështirësi. Unë jam në punë përditë me njerëz dhe nuk e di e kam kaluar apo jo. Çdo vaksinë është infeksion. Prandaj, po e lë njëherë të vazhdojë edhe ne jemi më të sigurt (qesh). Vaksinat e lisë, tetanosit, tuberkulozit a ku di unë çfarë, që na i kanë bërë në kohë të partisë kur jemi vënë në rresht në shkollë, edhe atyre u kam ikur. Nuk jam shumë për vaksinat.

Zoti Arvid, më thatë që ishit duke parë një ndeshje të kampionatit spanjoll…
Mos më thuaj “zoti”, se ne Zot kemi vetëm një. Më thuaj Arvid, shkurt.

Nuk kam konfidencë dhe nuk dua të përfitoj nga mirësjellja juaj, kështu që…
Jo mor ta marrsha, mos u bëj merak fare. Vetëm emrin, emrin që më ka vënë nëna.

Atëherë Arvid, dua të di sa ndeshje futbolli shikoni në javë.
Të them të drejtën, çdo mundësi që kam për të ndjekur Premier League-n angleze që ma ka ënda, 2-4 ose 6 ndeshje në javë unë i shoh.

Po nga kampionati shqiptar shihni ndonjë një?
Kampionatin shqiptar e ndjek në përgjithësi. Meqë Vllaznia ka njëfarë preference për të bërë diçka këtë vit, jam si pak më i interesuar për kampionatin shqiptar. Shoh edhe Edi Martinin që e kam mik dhe po konkurron Vllazninë. Shkodran kundër Vllaznisë, por çfarë të bësh, kjo është puna e sportit. E ndjek, nga pak e ndjek me thënë të drejtën. Kampionat i dobët, por e ndjek.

A keni ndonjë peng nga koha kur keni luajtur me Vllazninë, meqë ma përmendët…?
Me sportin gjithmonë ke një peng. Edhe kur vjen momenti i fundit, ti nuk bën kompromis me veten, ndonëse e di që të ka ardhur fundi sportiv, prapë të mbetet peng diçka.

Juve çfarë ju mbeti peng?
Unë nga Vllaznia u largova si portier i parë. Kam qenë titullar në vitin 1984. Pësova një dëmtim, nga ato dëmtimet e rralla që kanë ndodhur në Shqipëri në atë periudhë.

Çfarë dëmtimi?
Ishte një ndeshje në Elbasan, minuta e fundit e pjesës së parë, pësova 9 thyerje në anën e majtë të fytyrës.

Nëntë thyerje në fytyrë…?!
Po, nëntë thyerje. U shpërfytyrova. Ai është një nga pengjet e mia që më nxori jashtë si titullar. Luaja me të rinjtë, me Shpresat në atë kohë… Kam pasur një karrierë të padiskutueshme, kam qenë portier i parë me gjithë moshat derisa arrita të futesha portier i parë me Vllazninë. Dhe në atë periudhë 2 ose 3 herë kam dalë në 11-shen e javës, për sezonin futbollistik në të cilin kam qenë duke luajtur. Por ai dëmtim ishte aq i rëndë, sa i falemnderit Abedin Gjinit dhe Gafur Shtinos, dy stomatologë të Tiranës, me gjithë stafin e tyre dhe me vëllain e Astrit Hafizit, doktor Artur Hafizin. Ky i fundit më ka ndenjur mbi krye në çdo moment për gati një muaj. Pas kësaj ndërhyrjeje kirurgjikale të veçantë për atë periudhë unë kam arritur të shkoj në Rumani. Ata (mjekët) arritën të ma kthenin fytyrën në gjendje normale, fytyrën që kam sot. Fytyra ime ishte si gjysmë fytyre, pjesa e majtë mungonte komplet. Kjo ishte gjëja më fatale e karrierës sime, që nuk përmendet, por vetëm shpirti im e di.

Sinqerisht, nuk e dinim këtë…
E di i gjithë grupi futbollistik, se ne bashkë kemi luajtur në atë ndeshje. Një ndeshje fatale në Elbasan. E di prof. Astriti (Hafizi), prof. Esati (Rakiqi) ndjesë pastë, se nuk jeton më, e dinë tifozët. E dinë të gjithë, por harrohen gjërat. Si thonë, vetëm ai që e ka përmbi shpinë, vetëm ai e di.

Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni u takuan bashkë pas 7 vitesh që portieri kishte ikur në SHBA

Sa e kushtëzoi kjo karrierën tuaj profesionale? Sa kohë ju desh të rikuperoheshit dhe sa kohë ju desh të fitonit vendin e titullarit te Vllaznia?
Tani, nëse kthehemi të flasim për atë periudhë, duhet të sqaroj se ishte një periudhë që prof. Astriti (Hafizi) dhe stafi i Vllaznisë në atë kohë kishin pak frikë ose ta themi troç: e humbën besimin se unë mund të rikthehesha sërish si titullar pas atij dëmtimi të rëndë. Vendosën të më linin jashtë formacionit dhe e bënë këtë pa pyetur për egon time profesionale për sportin ose dëshirën time për të fituar vendin që unë e humba nga dëmtimi fizik, jo nga paaftësia. Por, kjo e drejtë nuk m’u dha. Atëherë e bënë fakt të kryer dhe morën në vendin tim, ndjesë pastë, Agim Maliqatin. Ishte djalë jashtëzakonisht i mirë, i një familjeje të nderuar. Kemi qenë miq bashkë, por ai nuk kishte gisht për sa i përket kësaj pune, sepse nuk ishte vendimi i tij për të më lënë mua jashtë.

Çfarë ndodhi saktësisht, mund të na e shpjegoni?
Pas dëmtimit morën vendimin që unë të mos luaja. Ma thanë kur shkuam në fazën përgatitore për ndeshjen e Kupave kur unë më pas u largova në Athinë. E gjitha kjo ndodhi në fazën përgatitore dhe unë, në fakt, isha kthyer 100 për qind i gatshëm për të hyrë në portë, për të fituar vendin që më takonte.

Pse mendoni se ishte padrejtësi? Ju vetë thoni se vinit nga një dëmtim i rëndë…
Sepse para asaj ndeshjeje unë kam shkuar në Rumani me skuadrën dhe stafi i Vllaznisë më ka lejuar të luaj në Rumani. Pra, lënia jashtë ndodhi pas një muaji që unë kisha bërë operacionin.

Luajtët një muaj pas operacionit?
Po, luajta.

Po mjekët çfarë ju thanë?
Prof. Abedini dhe doktorët e tjerë më thanë: “Ti je njeriu më i marrë në botë që ke pranuar të luash pas kthimit nga ky operacion”. E, unë kam luajtur në Rumani pra.

Prisni pak, çfarë ndeshjeje ishte kjo në Rumani?
Ishte ndeshje e vlefshme për Kupën Ballkanike kundër Gloria Buzaut. Është luajtur në vitin 1986 në mos gaboj dhe jemi mundur 3-0.

Edhe çfarë ndodhi atje?
Unë vija pas një dëmtimi të rëndë, por në Rumani nuk morën asnjë portier për atje. Unë shkova si portier rezervë, sepse do të merrej Gëzimi që ishte portier në Lezhë. Por, kur erdhi puna për të shkuar në Rumani, Agimin nuk e morën. Atëherë mbetëm pa portier. Kemi shkuar të luajmë në Rumani me Glorian e Buzaut pa portier. Donte të hynte si portier Faslli Fakja dhe u thashë: “Do të koritemi, ndaj do të hyj unë. Dua të luaj kështu si jam i dëmtuar”. Mua më morën vetëm për të bërë rrugën e Rumanisë, sepse askush nuk besonte se do të luaja. Kam hyrë në portë me atë gjysmë fytyre. Kam luajtur ashtu në Rumani dhe kur u ktheva në Shqipëri, u shtrova edhe dy muaj të tjerë në spital.

Këto veprime ju i bënit nga mosha apo nuk ju tha njeri nga stafi: “Djalosh po rrezikon jetën tënde”?!
Jo, jo, askush nuk ma tha. Dhe kjo do të na nxjerrë te pikësynimi i arratisjes. Nuk arratiset njeri prej vendit të vet, familjes së vet. Prandaj, tani kur unë kthej kokën pas, këta i quaj të gjithë të arratisur edhe kur dikush ikën për punë apo merr një të drejtë studimi dhe vjen këtu në Amerikë për të studiuar e nuk kthehet, atëherë kjo është arratisje nga vendi yt. Po flasim për doktorë dhe profesorë që duhet të kthehen mbrapa, sepse marrin bursat e shtetit e paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Vijnë këtu në Amerikë, mbarojnë shkollën dhe asnjë nuk kthehet mbrapsht. Kjo është arratisje për mua, por pak rëndësi ka.

A janë këto “arratisjet” e sotme po aq të dhimbshme sa arratisjet e atëhershme?
Arratisjet e atëhershme ishin jashtëzakonisht të dhimbshme për një arsye: shteti nuk ishte i zoti t’i bënte dëm ose t’i bënin diçka atij që arratisej, sepse nuk kishin forcë nëse nuk e kapnin në kufi. Nëse e kapnin në kufi do ta vrisnin, por nëse nuk e kapnin dot në kufi, atëherë e vetmja gjë që bënin dëmtonin familjen në çdo mënyrë. Shkonin deri aty sa dënonin dhe 2-3 breza të familjes. Kjo ishte jashtëzakonisht e dhimbshme.

Po jua bëj pyetjen direkt, z. Arvid. Më falni, se më është bërë shprehi, Arvid. Çfarë ndodhi me familjen tuaj pasi ju u larguat, çfarë iu desh të hiqte familja juaj?
Familja ime është një nga familjet e mira, të pastra dhe punëtore të Shkodrës. Ka një emër të mirë në qytet sa i përket ndershmërisë, pastërtisë, kulturës, respektit, atdhetarisë. Tipare pra, që i përkasin një familjeje të mirë shkodrane. Por, pavarësisht kësaj, nga ana tjetër kemi pasur njerëz dhe të afërm në Jugosllavi. Njerëz që nuk janë takuar me familjen. Kemi pasur njerëz që janë dëmtuar nga sistemi pikërisht për këtë fakt.

Çfarë njerëzish keni pasur?
Kemi pasur gjyshin nga ana e nënës, që ishte një njeri i thjeshtë, jashtëzakonisht punëtor, që kishte bërë diçka në jetë si sot p.sh. që e kanë të gjithë një dyqan të thjeshtë. Pas komunizmit ai është persekutuar, sepse iu mor ajo pasuri që kishte. Tjetër gjë, sa i takon fesë, kemi qenë një familje e mirë dhe sërish e persekutuar sepse nuk na lejonin të shprehnim besimin fetar në atë kohë. Kur e mendoja se çdo njeri në familjen time nuk kishte pasur mundësi të fliste për të dhënë atë që kishte mundësi të jepte për ne, për vendin tonë. Gjyshet nuk kam mundur t’i shoh, as gjyshin. Gjyshi nga ana e babait ka qenë kryerevizor i Zogut dhe punonte në qeverinë e Zogut në periudhën e monarkisë në Shqipëri. Këta normalisht janë eliminuar. Kanë qenë të rinj e janë zhdukur dhe s’kam pasur fatin t’i njoh as gjysh Brahimin, as gjysh Shyqyriun. Njëri ka qenë tregtar dhe tjetri ka punuar për kryevizionimin dhe inspektoratin e monarkisë ose të qeverisë në atë kohë. Këto janë gjëra që më bezdisnin nga ana familjare.

arvid hoxha lulzim bersheni

Pra, jua përmendnin hera-herës, jua vinin në dukje dhe kjo ju krijonte një lloj bezdie?
Ishte një arsye për të të mërzitur më shumë, por përndjekja ndaj familjes dhe fisit, kjo është diçka që më vret mua në periudhën pasi ndodhi arratisja. Familja nuk kishte asgjë për t’u dëmtuar në atë mënyrë. Jo vetëm familja ime dhe ajo e Lulit (Bërshenit).

Kur vendosët të arratiseshit, ju e dinit që familjarët tuaj do të përballeshin me këtë lloj ashpërsie, me këtë lloj egërsie të sistemit, apo jo?
Kjo gjë më doli ndryshe nga sa e kisha llogaritur në mendjen time. Arratisja ime me Lulin nuk ishte diçka e menduar që më parë, pavarësisht se vazhdimisht mendoja se si të largohesha nga vendi. Por, edhe kur e kisha menduar këtë gjë, gjithmonë përpiqesha të bëja llogari në mendjen time që të mos dëmtoja familjen sa më shumë të ishte e mundur. Madje, kur mbërrita në Tiranë, ka pasur një rast me Hafizin kur isha në stërvitje… Një nga ato episodet që vetëm në atë periudhë absurde ndodhnin… Oh, kërkon një kohë shumë të gjatë për të treguar unë pikënisjen time ose dëshirën time për t’u larguar nga Shqipëria…

Kam kohë sa të doni Arvid… Më thoni pak, kur mbërritët në Tiranë, çfarë ndodhi?
Atëherë… Ju tregova pak më parë për dëmtimin e tmerrshëm, apo jo? Më lejo të kthehem pak pas në kohë…

Vazhdoni ju lutem!
Ishim në fazën përgatitore në vitin 1987, që ne e bënim në Razëm. Sipas mendimit tim, unë isha rikuperuar plotësisht dhe isha gati të luaja një vit pas dëmtimit. Isha në një formë të mirë, por pas dëmtimit stafi i Vllaznisë mendoi të merrte Agim Maliqatin nga Durrësi, ta merrnin për ndihmë në Shkodër, ndjesë pastë, se ka vdekur. Ishte djalë shumë i mirë, shok i mirë, sportist jashtëzakonisht i mirë. Në periudhën kur shkuam në Razëm, më thirri stafi drejtues, që në atë kohë ishte Astriti (Hafizi), prof. Esat Rakiqi, që nuk është më midis nesh dhe doktor Zyhdi Çoba.

Edhe çfarë ndodhi pasi ju thirrën?
Më thirrën në një mbledhje personale, si të thuash. Më thanë: “Arvid, na ka rënë shorti, kemi fituar Kupën dhe do të dalim të luajmë jashtë. Ti si mendon, do të vish për ndeshjen e parë apo jo…?” U thashë: “Më falni, unë nuk po e kuptoj se për çfarë më keni thirrur. Këtu jemi në fazë përgatitore dhe ç‘punë kam unë të vij këtu për t’u pyetur a do të luash ndeshjen e parë a ndeshjen e dytë?!” “Po ja, ne kemi vendosur, – më thanë, – që portier i parë do të jetë Agim Maliqati”. Unë u thashë: “Dua vendin tim që e kam lënë për arsye fizike, pra për dëmtimin e rëndë. Kush ju tha juve që unë nuk kam për të qenë i zoti të futem në portë pas fazës përgatitore? Ta mbarojmë fazën përgatitore, pastaj të vendosim”. “Jo, – më thanë, – ne kështu kemi vendosur”. “Atëherë, edhe unë, – u thashë, – po vendos diçka tjetër. Agim Maliqati të hyjë në portë, ndërsa unë propozoj që të vijë Avenir Dani si portier i tretë, që të dalë ndeshjen e parë se nuk ka dalë asnjëherë jashtë. Kështu që, unë nuk po vij askund në ndeshjen e parë. Kështu, le të shkojë Aveniri ndeshjen e parë, ndeshjen e dytë nëse mbërrijmë të kualifikohemi, atëherë unë dua të dal jashtë”. Ata pranuan.

Pse e morët këtë vendim?
Doja t’i jepja vetes kohë, meqë e pashë që gjërat më acaronin nga ana teknike. Faza përgatitore mbaroi normalisht dhe nuk kam pasur ndonjë presion. U thashë që nuk doja të më kërkonin ngarkesë fizike meqë e kishin vendosur të më linin jashtë.

Me cilën skuadër luajti Vllaznia në turin e parë?
U hodh shorti dhe neve na ra të luanim në Maltë me skuadrën e Sliema Uonderers. Ndeshjen e parë e fituam në shtëpi me rezultatin 2-0. Ekipi fitoi edhe në transfertë 4-0 më 29 shtator 1987 dhe u kualifikua. Në Maltë ndodhi edhe incidenti i parë, sepse u arratis përkthyesi Ilir Bulka…

VIJON…

NGJARJA NË 1987 / Çfarë ndodhi pas ndeshjes Rovaniemi-Vllaznia 1-0?

Arratisja e dy futbollistëve të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, në vjeshtën e vitit 1987, ishte një goditje e rëndë për sportin shqiptar dhe vetë sistemin komunist të kohës. Ngjarje e cila u pasua me një sistem zinxhir pasojash për familjarët e atyre që kishin tradhtuar atdheun dhe idealet e Partisë së Punës, si dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës që morën pjesë në transfertën që ekipi shkodran pati në Finlandë ndaj Rovaniemit, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Kupave.

Polack i Rovaniemi duke festuar golin e shënuar kundër Vllaznisë

Problemet për delegacionin e Vllaznisë nisën që më 5 nëntor 1987 kur katër futbollistë u ndaluan në një dyqan të Helsinkit dhe u akuzuan për vjedhje. Ndërsa kulmi arriti në orët e para të mëngjesit të 7 nëntorit kur dy futbollistë të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, vunë në zbatim planin e tyre për arratisjen nga hoteli gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek. Dy lojtarët, pas manovrave që bënë me ndërrimin e dhomave, pasi nuk ishin caktuar të qëndronin bashkë, arritën që në orët e para të mëngjesit të largoheshin nga grumbullimi dhe më pas të kërkonin strehim politik. Pas pikasjes së dezertimit të dy lojtarëve, edhe pse u vu në lëvizje ambasada shqiptare në Athinë, nuk u bë e mundur që ata të gjendeshin nga policia greke. Ngjarja ishte shumë e rëndë për kohën dhe pasojat diheshin. Sipas rrëfimit të Arvid Hoxhës për “Panorama Sport”, nuk munguan as masat ekstreme për farefisin, ndonëse protagonistët vinin nga familje të ngritura dhe me pozita partiake, por që gjithsesi pësuan ulje në detyra apo transferime në zona të thella.

03.11.1987
ROVANIEMI-VLLAZNIA 1-0
GOLI:
 Steven Polack 47’
ROVANIEMI: Matinlassi, Autti, Tolvanen, Polack, Ollila, Ilola, Kallio (Honkanen 28’), Tegelberg (P. Tauriainen 64’), V.Tauriainen, Heaton, Hannola.
Trajner: Graham Uilliams
VLLAZNIA: Agim Maliqati, Kujtim Shaba, Isak Pashaj, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Adrian Barbullushi, Luan Vukatana, Ferid Rragami, Viktor Briza, Arjan Laçja, Ilir Kepa.
Trajner: Astrit Hafizi
TIFOZË: 7.312
GJYQTAR: Bo Karlsson (Suedi)

NESËR DO TË LEXONI:
– Pse i zbritën nga autobusi Faslli Fakjen dhe Rudi Vatën para nisjes për në Finlandë;
– Cila ishte e vërteta e “vjedhjes” në Helsinki dhe çfarë i tha Lulëzim Bërsheni Arvid Hoxhës kur ky i fundit i tregoi planin për tu arratisur;
– Kush ia zhduku pasaportën e udhëtimit Arvid Hoxhës;
– Çfarë i thanë trajneri Astrit Hafizi dhe presidenti i federatës Mehdi Bushati para se të nisej skuadra për të luajtur në Finlandë?

PANOARAMASPORT.AL

NDALOHET RREPTËSISHT KOPJIMI DHE RIPRODHIMI I PLOTË APO I PJESSHËM PA POSTIMIN E HIPERLINKUT TË ARTIKULLIT ORIGJINAL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura